Dosja e sigurimit, 22 maj 1984: “Kjo këmishë o vishet sot, o kurrë”

0
1375
blank

Kush ishin heronjtë e një dite në revoltën e dytë më të rëndësishme kundër regjimit komunist, pas asaj të Spaçit, më 21 maj 1983. Si e nisën kundërshtimin ndaj policisë të burgosurit: Tom Ndoja, Sokol Sokoli, Martin Leka, Vllasi Koçi, Haxhi Baxhinovski, etj.

“Kjo këmishë o vishet sot, o kurrë” i thotë Nikollë Prenga mikut të tij, Tom Ndoja, kur të dy ata dhe qindra të burgosur politikë që vuanin dënimin në kampin e Qafë Barit, për pak orë u bënë zotër të atij vendi. Ato orë që nisën në mëngjesin e 22 majit 1984, të burgosurit u ngritën në revoltë kundër dhunës së pandërprerë të policisë së kampit, drejtuar nga Edmond Caja. Ata refuzuan të dalin në punë dhe morën mjete rrethanore, duke iu kundërvënë policisë. Në një moment, disa të burgosur hyjnë në magazinë dhe Tom Ndoja merr një kostum. Shoku i tij Nikollë Prenga i jep këmishën e tij dhe i thotë  “Kjo këmishë o vishet sot, o kurrë”. E vërteta ashtu ishte. Ai e veshi atë këmishë për herë të fundit në jetën e tij. Vetëm disa orë më vonë, Tom Ndoja do të pushkatohej si një nga organizatorët e revoltës bashkë me Sokol Sokolin.

Kjo ngjarje njihet nga dëshmitë e ish-të burgosurve, por për herë të parë botohet dokumenti i Sigurimit të Shtetit i detajuar për atë ngjarje:

Sekret

Ekzemplar i vetëmblank

Pukë më 29.10 1984

Relacion për ngjarjen e ndodhur më 22 maj 1984

 

Në datën 22 maj, në repartin e riedukimit 311 Qafë Bari, disa të dënuar, duke kundërshtuar urdhërat e komandës kaluan në veprime të hapura agresive. Si ndodhi ngjarja:

Më datën 22 maj rreth orës 7.30 kur kthehet turni i tretë nga puna i dënuari Ndue Pisha dhe Mëhill Deda nuk kishin realizuar normën e nxjerrjes së mineralit. Për këtë roja e punës polic Islam Doga së bashku me rojen e brendshme dhe oficerin e rojës thërrasin dy të dënuarit në zyrat e këshillit të riedukimit për tu thënë se duhet të dilni përsëri në punë turni i parë të realizoni normën. Në këtë kohë që u thirrën të dënuarit Ndue Pisha dhe Mëhill Deda nga oficeri i rojes, të dënuarit Sokol Sokoli e Tom Ndoja iu thanë atyre që të mos dalin në punë se po dolën në punë do të kishin pasoja nga ana e tyre. Të nxitur dhe të inkurajuar nga të dënuarit Sokol Sokoli, Sokol Progni, Martin Leka e Tom Ndoja, i dënuari Ndue Pisha kundërshton për të dalë në punë. Në bazë të gjendjes së krijuar u vendos që të dy këta të dënuar që nuk dilnin në punë të çoheshin në dhomat e izolimit, por gjatë shoqërimit të tyre, të dënuarit Sokol Sokoli, Sokol Progri, Martin Leka e Tom Ndoja, Haxhi Baxhinovski, etj. I ndërhynë efektivit të policisë me tulla e gurë që të mos fusnin shokët e tyre në izolim.

blankPër gjendjen e krijuar në repartin e riedukimit u njoftua menjëherë kryetari i degës të punëve të brendshme, i cili menjëherë erdhi në repartin e riedukimit. Për të normalizuar gjendjen e krijuar u veprua në këtë mënyrë: u futën të gjithë të dënuarit në mencë për të bërë apelin e gjatë bërjes së tij të lidheshin e të shoqëroheshin për izol të dënuarit që kundërshtoheshin efektivin e policisë. Mirëpo për mungesë organizimi të mirë nga ana e efektivit të policisë këtij qëllimi nuk iu arrit se gjatë bërjes së apelit kur u thirrën emrat e pjesëtarëve që kundërshtuan ata nuk pranuan të dilnin një e nga një dhe kështu që sulmuan në drejtim të derës ku ishte efektivi i shërbimit duke e marrë atë përpara e dalë sipër banesës së 2-katëshit e qëlluar me gurë ndaj tyre. Në këtë formë u veprua edhe një herë kur erdhi në repart kryetari i degës, ku i gjithë efektivi i policisë dhe të dënuarit u futën në sallën e mencës.

Gjatë bërjes së apelit këtë radhë kur u thirr emri i të dënuarit Kostandin Gjordeni e doli jashtë, me të veproi personeli i policisë për ta lidhur, bërtiti, menjëherë në këtë kohë të dënuarit Tom Ndoja, Sokol Sokoli, Martin Leka, Vllasi Koçi, Haxhi Baxhinovski, etj., filluan t'u bërtasin policëve, "Dilni jashtë" dhe të bërtitura të ndryshme, kurse i dënuari, Vllasi Koçi bërtiste “Viva Italia” dhe bënte thirrje të dënuarve të tjerë për ti përkrahur ata se do t'i zhdukim spiunët, etj..

Gjatë kësaj përleshjeje të efektivit të policisë me të dënuarit disa prej tyre dalin nga mensablank dhe marrin leva e thika në duar, kurse ata që ishin brenda qëllojnë personelin e shërbimit me stola e paterica. Duke u ndodhur para kësaj situate kryetari i degës urdhëroi që efektivi i policisë të tërhiqet dhe të dalë nga vendbanimi. Gjatë tërheqejes së efektivit për të dalë nga vendbanimi i të dënuarve disa policë ishin sipër tek fusha e basketbollit së bashku me instruktorin politik të rrethuar nga të dënuarit Martin Leka, Haxhi Baxhinovski, Bajram Vuthaj,etj. dhe kishin në duar thika.

Gjatë kohës që instruktori po bisedonte me ta i dënuari Haxhi Baxhinovski e godet atë me thikë, por ai tërhiqet dhe pak sa e prek në bark. Të dënuarit ndoqën policët që u futën në regjim me gurë e tulla deri tek porta afër oficerit të rojes, ku menjëherë në këtë kohë veproi ushtar Ramazan Doku, e qëlloi mbi ta për të shpëtuar policët e goditi njërin prej tyre në krah, pikërisht të dënuarin Kostandin Gjordeni. Kur qëlloi ky ushtar mbi ta atëherë në të njëjtën kohë të gjitha rojet e sigurimit të jashtëm qëlluan në ajër. Duke u ndodhur para këtij presioni të dënuarit tërhiqen dhe shkojnë e grumbullohen tek fusha e basketbollit poshtë depos private.

Për ngjarjen e ndodhur ishte njoftuar menjëherë Ministria e Brendshme dhe pritej që të vinin shokët e ministrisë e vepruar sipas porosive të tyre. Gjatë kohës që të dënuarit ishin të grumbulluar sipër godinave të banimit kishin marrë në depon private ushqime dhe tesha dhe pikërisht i dënuari Tom Ndoj veshi kostumin që kishte në depo, kurse i dënuari Nikoll Prenga i dha atij një këmishë të bardhe që kishte duke i thënë se kjo “o vishet sot, o kurrë”.

Me ardhjen e shokëve të ministrisë ku erdhi njëri nga zvministrat me drejtorin e drejtorisë së zbatimit të vendimeve penale dhe dy sampista, të cilët u dhanë urdhër të dënuarve të dorëzoheshin brenda 5 minutave.

Të dënuarit duke parë përforcimet e ardhura nga dega e punëve të brendshme Pukë me anë të forcave të ndjekjes dhe helikopterin që bënte xhiro rreth repartit të riedukimit u dorëzuan menjëherë, pa asnjë hezitim, duke kërkuar të mos i linin në repartin e riedukimit.

Në bazë të veprimeve të kryera prej tyre të gjithë pjesëmarrësit u arrestuan dhe dërguan në degën e punëve të brendshme Pukë.

Në këtë ngjarje u implikuan 38 të dënuar, 24 prej tyre u ndaluan që atë ditë, kurse të tjerë u transferuar në reparte të tjera. Pjesëmarrësit e kësaj ngjarje ishin; Sokol Sokoli, në përpunim aktiv 2/A për tendencë arratisje, Sokol Progri, në përpunim aktiv 2/A për tendencë arratisje, Vllasi Koçi, në përpunim aktiv 2/A për tendencë arratisje, Kostandin Gjordeni, në përpunim aktiv 2/A për tendencë arratisje, Agim Karameta, në përpunim aktiv 2/A për tendencë arratisje, Petrit Moriseni, Haxhi Baxhinovski, Lazër Shkëmbi, Lush Bushgjoka, Tom Ndoj e Martin Leka, kishin nga një të dhënë për tendencë arratisje, kurse të dënuarit e tjerë ishin Nikoll Prenga, i ridënuar, Kol Shkëmbi, i ridënuar; Ndue Kola, Hysen Tabaku, Edmond Mustafaraj, Dedë Martini, Bajram Vuthaj, Xhemal Tota, Dedë Nimani, Mark Ndoci, Ramazan Spahiu, Martin Pjetri e Ndue Pisha.

Të dënuarit e tjerë që u implikuan në ngjarje dhe u hoqën nga reparti i riedukimit ishin: Dalim Zhavoli, bashkëpunëtor, Drago Vojusheviç në 2/A si agjent i mundshëm i zbulimit jugosllav, Sandër Sokoli në 2/A për agjitacion e propagandë, Anastas Dhami në 2/A për tendencë arratisje, Roland Tole, Sali Gasa, Ilirjan Manushi, Agron Hoxha, Hajredin Fratari, Lulash Bushgjoka, Xhemal Mustafaraj, Çajup Bejko, Nuredin Skrapari dhe Veis Ceci.

Nga hetimet që u bëmë me personat që u ndaluan në degën e punëve të brendshme mbas dy ditësh u konkluduan që të arrastoheshin vetëm 12 kryesorët që muorën pjesë në këtë revoltë dhe pikërisht u arrestuan personat e poshtëshënuar; Sokol Sokoli, Sokol Progri, Martin Leka, Tom Ndoj, Vllasi Koçi, Kostandin Gjordeni, Bajram Vuthaj, Haxhi Baxhinovski, Lush Bushgjoka, Lazër Shkëmbi, Ndue Pisha e Hysen Tabaku.

Gjatë hetimit disa të arrestuar si Kostandin Gjordeni, Ndue Pisha e Agim Karameta pranuan se kishin biseduar për arratisje, kurse në gjykimin e çështjes nuk pranuan. Në përfundim të hetimit të gjykimit të çështjes pjesëmarrësit në revoltë u dënuan: Sokol Sokoli e Tom Ndoja me pushkatim; Sokol Progri e Vllasi Koçi me 25 vjet heqje lirie, Martin Leka me 16 vjet heqje lirie, Kostandin Gjordeni me 15 vjet heqje lirie, Haxhi Baxhinovski e Bajram Vuthaj me 18 vjet heqje lirie, Ndue Pisha me 25 vjet heqje lirie, Lush Bushgjoka me 13 vjet heqje lirie, Lazër Shkëmbi me 12 vjet heqje lirie dhe Hysen Tabaku me 11 vjet heqje lirie, si pjesëmarrës në organizatë terroriste.” /kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here