“Revolta e Qafë Barit”, bashkia Fushë-Arrëz miraton rrugën e re me propozim të Kujto.al

0
271

Këshilli Bashkiak i bashkisë Fushë-Arrëz miratoi sot në unanimitet emërtimin e një rruge në territorin e saj, me emrin “Revolta e Qafë Barit”. Ky vendim erdhi pas iniciativës së Fondacionit Kujto.al dhe z. Agron Shehaj, themelues i këtij fondacioni.

Vendimi u mor në prag të 35 vjetorit të kësaj revolte, 22 maj 1984, ku për herë të dytë pas asaj të Spaçit, 21 Maj 1968, të burgosurit politikë u ngritën kundër sistemit komunist.

Këtë emër do të mbajë rruga që lidh rrugën nacionale, me kampin famëkeq të Qafë Barit, ku vuajtën dënimin në punë të rëndë në minierë, qindra të burgosur politikë, nga viti 1983, deri më 1991.

Me nismën e Fondacionit Kujto.al dhe mbështetjen e Bashkisë Fushë-Arrëz, do të vendoset edhe një memorial përkujtimor për të nderuar vuajtjen e të dënuarve politikë dhe atyre që u pushkatuan pas revoltës ose vdiqën nga puna e rëndë dhe torturat.

Përfaqësuesi i Fondacionit Kujto.al, studiuesi Erald Kapri, i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Fushë-Arrëzit, tha se revolta e Qafë-Barit është një nga ngjarjet më të rëndësishme në përpjekjen e shqiptarëve për të kundërshtuar dhe rrëzuar diktaturën komuniste.

“Ngritja e memorialit, bashkë me dhënien e një rruge emri “Revolta e Qafë Barit”, është një moment i rëndësishëm kujtese për komunitetin e bashkisë së Fushë-Arrëzit, por edhe për gjithë shqiptarët. Kjo iniciativë i hap rrugën ruajtjes dhe konservimit të burgut, për t’u kthyer në një vend pelegrinazhi për të kujtuar të kaluarën e dhimbshme, por edhe forcën e madhe të të dënuarve që guxuan të ngrihen kundër diktaturës”, u shpreh Kapri.

Më 22 maj 2019, do të mbahet një pelegrinazh me ish të dënuarit politikë të këtij kampi, të organizuar nga Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit, Fondacioni Kujto.al dhe shoqatat e të përndjekurve politikë. Gjatë këtij aktiviteti, do të përurohet edhe memoriali për revoltën e Qafë Barit./kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here