Burrel/"Rojet i binin çiftelisë dhe kërcenin kur varrosnim shokët"

0
1236
blank

Dëshmia rrëqethëse e Petrit Velajt për burgun e Burrelit, ku e transferuan në shtator të vitit 1946. Komandanti i burgut Vangjel Rrëmbeci dhe kryetari i Degës së Brendshme, Banush Goxhoja urdhëronin rojet të kërcenin kur varrosej ndonjë nga të burgosurit, që kishte humbur jetën në tortura. Të tjerë, me çifteli, merrnin këngë që  ndillte vdekjen e të mbeturve gjallë.

Petrit Velaj

Më 14 shtator 1946, ashtu siç ishim, 81 vetë, na çuan në burgun e Burrelit. Ishte mbrëmje. U gjendëm përpara disa mureve të lashtë. Aty morëm vesh se ai ishte "Ferri i Dantes - Burreli". Te porta na doli përpara një oficer verdhacuk, i cili tha: "Une jam drejtori i këtij burgu. Quhem Vangjel Rrëmbeci, nga Korça." Duke kërkëllitur dhëmbët me sy dashakeq si Satani, shtoi: "Këtu, ku do të kallni këmbët, këtu do t'ju bien edhe dhëmbët..." U hapën dy kanatat e portës së hekurt. Në mes të oborrit ishte një pus i zbuluar, pa grykë. Ra muzgu. Gjëkundi s'kishte dritë. Një oficer, me një fener në dorë po na shikonte një e nga një. Ishim tepër të uritur. Kishim bërë mbi trembedhjetë orë udhëtim. Mbas pak në oborr dëgjuam zëra të tjerë. Ishin të burgosurit e Korçës, pastaj të Beratit. Më vonë erdhën të burgosurit e Shkodrës. Na futën nëpër dhoma. Hekura në hyrje. Hekura tek shkallët, hekura tek korridoret, hekura tek dera e dhomës. Burreli, me pamjen e vetë të parë na dha të kuptonim se aty, ishte më keq se në kafazët e bishave të egra.

…Xhelati Vangjel Rrëmbeci, miku i ngushtë i Koçi Xoxes, kishte shkruar nëpër muret e kampit me gërma të zeza: "Burreli - kampi i shfarosjes".

Viti 1947. Kryetari i Degës së Brendshme, Banush Goxho, si një bishë e terbuar, vjen në burg me një listë në dorë. Në prani të gardianit Fahri nga Pogradeci dhe Jahja nga Kolonja lexon emrat e atyre që duheshin veçuar nga të burgosurit e tjerë. Listën e lexoi me zë të lartë: Qemal Vrioni, Mihal Ballkameni, Atif Golja, Xhevat Korça, Koço Tasi, Visarion Xhuvani, Anton Kosmaçi, Kudret Kokoshi, Tahir Hoxha, Mihal Zallari, Ali Maliqi, Petrit Velaj, Hysni Alimerko, Abdurrahman Kreshpa, Sokrat Dodbiba, Zenel Kazazi, Salih Vuçiterni, Hasan Xama, Skënder Qyteza, Abdyl Kadiu, Gjergj Kokoshi, Avni Bejkova, Jahja Kurti, Xhevdet Kapshtica avokat, Jani Thomai, Isuf Selmani, Hivzi Xhilaga, Engjëll Kokoshi, Beqir Jazo, Jazo Ademi, Sami Bitincka, Nino Kurti, Pjetër Berisha, Sabaudin Resuli, Aleksandër Çurçia, Novruz Nivica... Pasi na u thirr emri, të gjithë u izoluam nëpër biruca nga gjashtë vetë së bashku. Këta persona ishin të dënuarit me vdekje. Filluan torturat me Qemal Vrionin dhe vazhduan me të tjerë. Na thanë: "Kaq e patët". E torturuan për vdekje të zine Qemal. Dy xhelatë i bënin torturat. Ndërsa dy ushtarë te dera e birucave, u binin çiftelive duke kënduar kënge epike, nga ato të Veriut. Kështu torturuan edhe Atif Goljen e Mihal Ballkamenin, derisa vdiqën nga torturat. Çiftelitë, në ato vite, në burgun e Burrelit u benë si muzikë mortore, funerale. Në dhomë ishim gjashtë vetë. Banush Goxhua na quante "I pecigrosi", pra "të mëdhenjtë" e të burgosurve politikë.

Në vitin 1948, kur u bë pleniumi i K.Q. të Partisë së Punës dhe Koci Xoxe u shpall armik i Partisë, Banush Goxhua, mbajti një fjalim përpara të burgosurve, ku tha që shkaktar për fatkeqësitë e të burgosurve politikë ishte Koçi Xoxja. Ne na erdhi për të qeshur. Harroi ky, "bekçiu i ullinjve të agallinjve të Vlorës" dhe "punëtori i fabrikës së vajit të Xhemil Meços" se ishte vetë ai që zbatonte verbërisht urdhrat e "Leopardit", Koçi Xoxe. Ishte kjo bishë që izoloi në biruca për vdekje: Kudret Kokoshin, Tahir Hoxhën, Petrit Velajn, Hysni Alimerkon, Engjëll Kokoshin, Beqir Jazon, Jazo Ademin, etj., të cilët i kishte njohur që në fëmininë e vetë.

Rrija e mendoja shpesh në qeli për Banush Goxhon, të cilin e kisha pasur shokë në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kemi qenë edhe në një grup antifashist, në Ujët e Ftohtë ku bënin pjesë edhe Koço Papalilo, Miho Konomi, Selahedin Velaj, Skënder Çoba, Qemal Toto, Veiz Banushi, Shuaip Meto, Pasho Meto, Bebi Konomi, Spiro Konomi, Adem Lamani, Daut Lamani dhe të tjerë djem të ndershëm të lagjes së Ujit të Ftohtë. Qysh aso kohe, Banush Goxhua, në çdo mbledhje shfaqej me profilin e tij: "Të vrasim, të bëjmë atentat, të bëjmë pritë..." Kur e shihja përpara në burg më rrëqethej mishi nga injoranca e tij.

Gjatë vitit 1947-1948, u groposën 720 të burgosur politikë. Ishte po ky Banush Goxho e ky Vangjel Rëmbeci që urdhëronin rojet që kufomat t'i përcillnin me valle.

Me kujtohet një fakt, të cilin nuk mund ta lë pa përshkruar. Po çonim kufomën e Fuat Voshtimës, tek e famshmja Qershi e Burrelit. Ishim: unë, Padër Meshkalla, Anton Kosmaçi, Xhevdet Kapshtica dhe Ali Radhima. Qershia e Burrelit mbeti si një lapidar i varrezave të viktimave të terrorit komunist. Duke çuar trupin e të pushkatuarit pamë se si rojet hidhnin valle duke na shoqëruar ne. Po kështu njëherë tjetër, mua, Koço Tasin, Petraq Isakun dhe Kudret Kokoshin na caktuan për të çuar kufomën e një djaloshi të ri, Hasan Prifti, nga Dibra. Vigu ynë ishte një batanije. Rojet na shoqëronin duke hedhur valle. Kur shkuam te qershia ç'të shohim; trupin e Fuat Voshtimës që e varrosëm tre ditë më parë qentë e kishin nxjerrë mbi varr. Drejtori i burgut na dha urdhër që varret të mos gërmoheshin më shumë se një pëllëmbe e gjysmë, pranë sipërfaqes së tokës. Një ditë prej ditëve, kur vdiq plaku vlonjat, Sulo Shehu nga Sevasteri, m'u kujtuan fjalët e tij që më kishte thënë: "Petro, more djalë, unë do të vdes se burrëria ime nuk i mban torturat e këtyre bishave..." Sulo Shehu, si ajo klloçka që i mblidhte rreth vetes zogjtë, kështu mbështilleshim edhe ne përreth tij. Edhe ceremonia e varrimit të Sulo Shehut nuk mungoi të bëhej nën tingujt funebër të ushtarëve e policëve të burgut. Ushtari me çifteli ia nisi vargjeve të këngës së tij aty për aty, sapo mbaroi varrimi i Sulos. Nga vargjet e asaj kënge e cila na ndillte vdekjen ne të burgosurve të tjerë, m'u ngulitën në mendje si gozhdë: Kush do puthet me vdekjen - o, Xhevdeti me Koçon - o, Petriti me Kudretin - o, Padër Meshkalla që i do, radhën do kenë nesër - o... Ishte fjala për ne: Petrit Velaj, Koço Tasi, Kudret Kokoshi, Pjetër Meshkalla, Xhevdet Kapshtica etj.. Të them të drejtën, edhe vetë nuk e kuptoja nga më rridhte qëndresa dhe optimizmi i shpresës. Edhe Dantja këshillon që: "Ju që hyni këtu në dyert e Ferrit - humbisni çdo shpresë". Njëherë Gjergj Kokoshi, i cili ka qenë minister i Arsimit 1945-1946, pas Kristaq Cipos, më tha: "Petro, pse mendohesh? Pse merzitesh? Të armatosur apo udhëtarë të thjeshtë, le të na rrëmbeje vdekja, por deri në fund shpresë a kurajo".

Marrë nga "Jetë burgu" e Petrit Velajt, ish-i dënuar politik

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here