Si mbijetoi stema e Ambasadës Amerikane për t’u rivendosur sërish në 1991

0
1760
blank

Erald Kapri

Pushtimi fashist i Shqipërisë në 1939-ën, solli edhe mbylljen e Legatës Amerikane në Tiranë. I Dërguari i Jashtëzakonshëm dhe Ministri i Plotfuqishëm, Hugh G. Grant u largua nga Shqipëria në shtator të atij viti. Një ndër shqetësimet e Grantit ishin objektet, mobiliet dhe sendet e shumta në Legatë. Stafi i paktë i Legatës u angazhua që pjesën kryesore të tyre t’i fshihnin poshtë, në bodrumin e ndërtesës.

Loni Adami ishte një ndër sekretarët me jetëgjatë të Legatës. Ai u punësua nga ish-Ministri Fuqiplotë Charles C. Hart në vitin 1929 kur ishte vetëm 19 vjeç pasi kishte përfunduar shkollën amerikane të Harri Fulcit si nxënësi më i mirë. Në ato muaj vere të 1939-s, Loni kishte me vete edhe bashkëshorten e tij, Andromaqin, e cila ndihmonte në sistemimin e objekteve.

blank
Ish-ministri amerikan Hugh G. Grant duke pritur në legatë kreun e Kishës Autoqefale të Shqipërisë, Hirësinë e tij Visarion Xhuvanin. Në foto edhe sekretari i Ambasadës, Loni Adami.
blank
Ish-ministri amerikan Hugh G. Grant duke pritur në legatë krerët e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Në foto edhe sekretari i Ambasadës, Loni Adami.
blank
Ish-ministri amerikan, Herman Bernstein dalë para legatës me stafin e plotë të saj. Në foto edhe sekretari i Ambasadës, Loni Adami.
blank
Ish-ministri amerikan, Post Wheeler dalë në legatë me stafin e plotë të saj. Në foto edhe sekretari i Ambasadës, Loni Adami.
blank
Ish-ministri amerikan, Post Wheeler dalë në oborrin e legatës me stafin e plotë të saj. Në foto edhe sekretari i Ambasadës, Loni Adami.

Pas luftës, Loni Adami do të arrestohej nga komunistët dhe do të vdiste nga torturat në burg duke lënë vetëm Andromaqin më fëmijët.

blank
Ish-Sekretari i Legatës Amerikane në Tiranë në vitet 1929-1939, Loni Adami bashkë me motrën e tij.

Me rivendosjen e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-ve në mars 1991, i ngarkuari me punë Kristofer Hill u njoh me bashkëshorten e Loni Adamit. Në datën 1 tetor 1991, nisi nga puna Ambasada Amerikane në Tiranë pikërisht në ish-godinën e vjetër të saj të ndërtuar në fund të viteve 20-të.

blank
Andromaqi Adami dhe Kristofer Hill, 1 tetor 1991

Andromaqi i rrëfeu Hillit se ajo me bashkëshortin e saj, Lonin, hoqën stemën e Legatës dhe pasi e kishin mbështjellë mirë, e kishin fshehur në bodrum. Kurioz për këtë detaj, Hill shkon në bodrum bashkë me Andromaqin dhe gjejnë stemën e vjetër të Legatës. Në shenjë nderimi dhe respekti, Andromaqi ngriti flamurin amerikan në oborrin e Ambasadës. Stema u rivendos në derën kryesore të Ambasadës.

blank
Andromaqi Adami duke ngritur flamurin amerikan në oborrin e Ambasadës, 52 vite pasi u rivendosën marrëdhëniet mes dy vendeve

Shënim: Në foton kryesore, Loni Adami dhe anëtarë të tjerë të stafit të Legatës Amerikane para vitit 1939. Mbi ta, stema e Legatës Amerikane.

Shënim: Fotot ekskluzive u mundësuan nga djali i Loni Adamit, Viktori.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here