Gjergj Volaj, ipeshkëvi më i ri në botë i pushkatuar nga komunizmi shqiptar

0
165
blank

Lindur më 21 shtator të vitit 1904 në një familje peshkatari në fshatin Shirokë të Shkodrës, Gjergji do të bëhej një nxënës i shkëlqyer dhe do të ndiqte rrugën e përgatitjes për klerik. Rrugë që e ndoqi edhe vëllai i tij më i vogël Viktor Volaj. U emërua ipeshkëv ende pa mbushur 36 vjeç duke qenë një nga ipeshkëvinjtë më të rinj në botë dhe më i riu i pushkatuar. Sepse pas gati një vit torturash, në prill të 1948-ës ai u ekzekutua bashkë me Cin Serreqin, Dulo Kalin, Xhelal Hardollin dhe Bilbil Hajnin. Fjalët e tij të fundit ishin “Të m’i thoni shtëpisë se 58 (pesëdhjetetetë) meshët që kam lane pa i thanë të m’i thojnë. Rroftë e përparoftë Shqipnija!”. Kujto.al sjell një shkrim nga Pjetër Pepa i cili ka grumbulluar dokumente e dëshmi mbi jetën dhe dënimin e Gjergj Volajt

Nga Pjetër Pepa

Imz. Gjergj Volaj ka lindur më 21 shtator 1904, në fshatin e bukur Shirokë, pak kilometra larg Shkodrës. Fshat me shumë tradita, që i dha Shqipërisë njerëz në zë, si: Mikel Koliqin, kardinalin e parë shqiptar, Ernest Koliqin, shkrimtar, Frederik Shirokën, kirurgun e përmendur, Atë Anton e Mark Harapin e sa të tjerë.

Më 19 tetor 1916 hyn në Seminarin Papnor Shqiptar në Shkodër, ku studion filozofi e merr një kulturë të gjerë. Që në ditët e para të jetës së tij në Seminar, u dallua si student i zellshëm, i aftë dhe kokulur. Edhe në shkollën teologjike të Padovës ai fiton një respekt të veçantë nga eprorët dhe shokët e tij të klasës. Megjithëse është i huaj, eprorët e shkollës e emërojnë prefekt të Seminarit Minor (të ulët) të Sienës (Itali). Kardinali Della Costa (në atë kohë ipeshkëv i Padovës) dhe arqipeshkvi Della Pietra (atëherë Delegat Apostolik në Shqipëri) e lavdëruan për sjelljen e tij shembullore. Më 28 qershor 1930, shugurohet meshtar nga shkëlqësia e tij Arqipeshkvi metropolitan i Shkodrës, Imzot Lazër Mjeda. Emrohet famullitar në fshatrat Mali i Jushit, Shkrel, ku qëndron deri në vitin 1936 ku, meshtari i ri merret me veprimtari apostolike për katër vjet në Malin e Jushit dhe gjashtë vjet në famullinë e madhe të Shkrelit, një zonë kjo e thellë malore. Emrohet Ipeshkëv i Sapës me qendër në Nënshat dhe shugurohet në këtë detyrë më 8 gusht 1940, në moshën afro 35 vjeçare. Populli besimtar i këtyre dy famullive gëzohet shumë për emërimin e lartë të Tij, por, njëkohësisht, e ndjen shumë largimin e këtij bariu të mirë. Emërimi i të nderuarit Gjergj Volaj si ipeshkëv i Sapës në Shqipërinë e Veriut, më 26 qershor 1940, nuk qe një e papritur e madhe për katolikët shqiptarë. Selia e shenjtë nuk do të mund të kishte zgjedhur një klerik më të mirë dhe një njeri në të cilin të kishte më besim grigja e tij sesa Gjergj Volaj. Qe i 10-ti ipeshkëv i Sapës pas Imz. Gjergj Kolecit. Kur e nis shërbimin në ipeshkëvinë e Sapës, një nga më të rëndësishmet e Veriut ishte 36 vjeç, ipeshkvi më i ri i botës, gjë e ndodhur rrallë ndër ipeshkëvijtë katolikë. Në Shqipëri kjo pat ngjarë vetëm me Imzot Simon Gjeçin dhe Imzot Lazër Mjedën.

Vëlla i At Viktor Volajt, bën pjesë në grupin e ipeshkvijve të përmendur kur kisha ishte në lulëzim, por që do të zhdukej nga mëria antifetare komuniste. Qe njeri me kulturë të gjerë, predikator dhe organizator i mirë në Dioçezin e Sapës, ku qëndron deri në vitin 1947. Orator, posaçërisht i pëergatitur në dogëm, moral, histori , sociologji. Per t’u përmendur është pretku i mbajtur me rastin e vdekjes së Imz. Gasper Thaçit, pretk që sigurisht do të shpejtonte arrestimin e tij.

Mjerisht Imzot Gjergj Volaj do të behej edhe ipeshkëvi më i ri i pushkatuar.

Arrestohet e torturohet në mënyrën me çnjerëzore “Shëtitet demostrativisht“ me pranga në duar nëpër Bulevardin Stalin dhe denohet me vdekje në Kinema Rozafa, Shkodër. Shumë qytetarë shkodranë patën mundësinë atë ditë që, me dhimbje të thellë e dëshpërim të madh, ta shihnin atë, pas torturave çnjerëzore, duke kaluar me duar të lidhura nëpër Bulevardin Stalin, kur kthehej tashmë i dënuar me vdekje.

Ekzekutohet me pushkatim më 3 prill 1948.

Më vonë, në vitet e demokracisë, emri i tij përjetësohet në pllakën e Kishës së Shkrelit si martir i fesë.

Le t’ i referohemi arkivit: Dosja 1297. Fillimisht duhet të kemi parasysh se Imz. Gjergj Volaj është arrestuar më 20 maj 1947 dhe, që nga kjo kohë e deri në pushkatimin e tij më 3 prill 1948 mbahet në qelitë e Sigurimit të Shkodrës, ndaj, merren me mend torturat e vuajtjet njëvjeçare që ka kaluar.

Në procesverbaln e Prokurorisë Shkodër më 25.XI 1947 (shënohet se prokurori) kërkon për 9 të pandehurit - Dulo Kali, Mons.Gjergj Volaj, Bilbil Hajni, Xhelal Hardoli, Cin Serreqi, Ragip Meta, Osman Haxhija, Shaban Abdullahi, Isa Meta- dënimin -ME VDEKJE; Per të pandehurit - Padre Gurashi, Abaz Hysi, Myrto Dani, Jakup Dani…me Burgim të përjetshëm. Për të pandehurit....Syrja Anamali e Nuh Duli me 20 vjet privim lirije. Për të pandehurit: Sami Rrepishti, Hafiz Derguti, Sulo Kurti e Hajdin Tafa me 15 vjet privim lirije - Per të pandehurit…10 vjet…5 vjet etj…Konfiskim i pasurisë së luajtshme e të pa luajtshme - Prokuror Namik Qemali. Dhe vijon menjëherë më pas tjetra:

Proces verbal i gjykates...: Prokurorija ushtarake e Qarkut Shkodër …me akt akuzën e saj N. 469 dt. 11.XI.1947 i solli për gjykim gjykatës … ProcesVerbal: N’EMER TE POPULLIT - Këshilli i Gjykatës Ushtarake Shkodër me Kryetar Kap. I Misto Blaci dhe Antarë - Pertef Alizoti e Anastas Koroveshi… Në audiencen publike me dt. 27.XI.1947 ora 16 ditë e ejte në Sallën e Kinema Rozafatit Shkodër………….Mbi çeshtjet penale të rregjistruara me Nr. 459 deri 480 të Radhorit Themeltar për vitin 1947 kundra: Taf Osmani , Nuh Cufi, Tom Ejlli , Abaz Mahmetaj , Hajdar Hajdari, Jakup Alija, Abaz Smajli, Osman Haxhija, Myrto Dani, Shaban Alija , Xhelal Hardolli, Bilbil Hajni , Sulo Selmani , Dulo Kali , Hafiz Musa Derguti, Pater Rrok Gurashi , Mons. Gjergj Volaj, Cin Serreqi, Syrja Anamali , Sami Rrepishti , Ragip Meta , Isa Meta.

Rezulton se…Mons. Gjergj Volaj, i biri i Lazrit dhe i Tones, vj. 43, shqiptar, i vobektë, arësim të lartë, filozofi, teologji, Ipeshkëv, lindur në Shirokë e banues Nënshat, i arrestuar me daten 20.5.1947 i përfaqësuar nga avokat Qemal Shehu akuzuar si inisiator i organizatës Demokristiane që në vjetin 1942 me inisiativen e Klerit katolik reaksionar që kishte udhëzime nga Vatikani e Papa për të bërë ç‘të ishte e mundur që kjo Parti të mobilizonte gjithë Klerin kundër Lëvizjes N.Cl., të grumbullonte dhe organizonte rininë e të gjitha rrethet fetare si Dom Bosko etj…Me inisiativen e Komitetit Qendror të Demokristianes u krijua Komiteti Qarkor me kryetar Mons Thaçin dhe me antarë, Mons.Vinçenc Prendushin, Mons.Bernardin Shllakun, Mons.Frano Gjinin , Mons.Gjergj Volajn, Pater Mati Prendushin, P. Gjovani Fausti, Pjeter Shan Deda, Kel Shan Deda, Ndrek Kaçulini, Zef Haxhija, Cin Serreqi, Guljelm Suma, Simon Daragjati etj.

Pikë kryesore ishte dështimi i zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945 duke pasë përfaqesitë e tyre edhe në Kuvendin e Shqipërisë si Riza Dani, Zef Haxhija, Kolë Prela etj…Se ka qenë armik i popullit qyshë në vitin 1930 duke u bërë agjent i fashizmit dhe informator në interesë të Italisë imperialiste për okupacionin e Shqipërisë prej saj…Se okupacionin fashist për të cilin kishte punuar prej kohësh e ka pritur me gëzim të math…Se gjatë luftës N.Cl. ka punuar në favor të fashizmit dhe tradhëtarëve…Se qyshë në vitin 1926 ka qenë një nder figurat me aktivite të Klerit ...Se ka qenë inisiator i krijimit dhe organizimit të Partisë Demokristiane të ashtuquajtur Social-Demokrate, një nga antarët më aktiv të Klerit…Se ka ushtruar aktivitet në grumbullimin e forcave reaksionare dhe ka qenë i lidhur ngusht me kriminelët e arratisur...Se si frut i punë së tij u bë i mundur realizimi i perpjekjeve të Llesh Marashit si dhe Lëvizja e 9 Shtatorit...Se eshtë munduar të pengojë reformat e Pushtetit Populor etj…Dhe natyrisht në bazë të gjithë këtyre akuzave:

Vendosi: dënimin e 8 (tetë) prej tyre Me VDEKJE ...( Gjergj Volaj është me numrin 4)

Njoftim: 321/1947 - Gjykatës Ushtarake Shkodër. Gjegje shkreses Suej n. 778 dt,. 10.12.1947- Aprovohet ndëshkimi me vdekje i dhëne prej asaj gjykate kundra: Cin Serreqi nga Shkodra, Bilbil Hajni nga katundi Progonat i Kurveleshit, Xhelal Hardolli nga Shkodra, Dulo Kali nga Shkodra, Gjergj Volaj nga Shkodra...Na njoftoni daten e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit - Kryetari Gjykatës Lartë: Major Niko Ceta

Njoftim: Gjykatës së Lartë Ushtarake Tiranë Gjegje shkresës suej N. 264/ 3 ex 47 dt. 30.1.1948…Ju njoftojmë se të dënuarit me vdekje u egzekutuan me daten 3.4.1948, diten e martë, ora 5.20 paradite dhe fjala e tyre e fundit ka qenë:

  1. Cin Serreqi tha: -Të fala familjes dhe të m’i rrisin fëmijtë.

2-Bilbil Hajni tha: -Ju lutem të m’i jepni të fala Babës, motres dhe gruas.

Gruaja të vejë te motra në Tiranë. Revolucioni kështu i ka këto punë. Të rrojë Shqipërija!

3-Gjergj Volaj tha: Të m’i thoni shtëpisë se 58 (pesëdhjetetetë) meshët që kam lane pa i thanë të m’i thojnë. Rroftë e përparoftë Shqipnija!

4- Dulo Kali tha: - Rroftë Shqipërija. Dy vajzat të mi martojne dhe fëmijtë të m‘i çojnë në shkollë e mos të bahen si unë budallë.

5- Xhelal Hardolli tha: I thoni familjes që fëmijtë të m’i dërgojnë në shkollë dhe t’i edukojnë mirë që të jenë të aftë për Atdheun. RroftëShqipërija!

Kryetar i Gjykatës Ushtarake Shkodër – Kap.I Misto Bllaci

…Mendoj se është e qartë se për cilindo, por posaçërisht për një besimtar e sidomos klerik, sa rëndësi ka çasti i fundit para ndarjes nga jeta dhe raporti i ndërgjegjes së gjithsecilit në këtë rast me Zotin. Eshte pikërisht ky moment kur njeriu përpiqet të rrëfehet me vetveten, para Zotit, përgjithsa të keqe e të gabuar mund të ketë bërë gjatë jetës së tij. Vetëm në atë çast nuk ka mashtrim e hile.

E pra, ndaj sa akuzave e shpifjeve që i bëhen, Imz.Gjergj Volaj, në fjalën e tij të fundit, në rrëfimin e tij të fundit, ka vetëm një shqetësim. Se nuk do të mund t’i thotë ato 58 meshët e porositura nga besimtarët. Tjetër nuk ka se çfarë rrëfen, se çfarë të porosisë. A ka dëshmi më të madhe se kjo, për një martir të Fesë? Tjerat janë gjëra tokësore, janë në raport me njerëzit, idetë, pikëpamjet, dëshirat, aspiratat e ëndrrat, për të cilat duhet të jetë i lirë çdo njeri i kësaj bote, e mjerë kush përpiqet t‘i vrasë ato.

Ja tashti edhe disa nga dëshmitë e shumta të grumbulluara në këtë drejtim:

Gjatë më se një viti. Imzot Gjergj Volaj torturohet në mënyrat më çnjerzore. Përmes dëshmitarëve të pakët, të mbetur ende gjallë nga burgjet shqiptare dijmë se përveç torturave individuale të zakonshme, rrahje, djegie elektrike e tjera ai eshtë zhytur në gropë Ë.C. deri në marrje fryme. Disa herë i janë futur kunja pishe nder thonjtë, nje torturë kjo e padurueshme. I kthyer në një ulok njerëzor, ngarkuar me zingjirët e rëndë ditën e natën, e mbajtën gjallë deri më 2 shkurt 1948. Atë ditë e jëma ishte lejuar ta takonte në burg. E tmerruar nga pamja e asaj gjendjeje ku ishte katandisur biri i saj, ajo filloi të qajë me dënesë. Por i biri i tha: “Nënë, mos qaj për atë që po sheh tashti. Në se don të qash, qaj më mirë për atë që do të vijë”.

Të nesermen në mengjez, Gjergj Volaj u nxorr nga qelia e tij dhe duke e marrë rëshqanë nga ato që do ta ekzekutonin, do të pushkatohej ipeshkvi më i ri katolik martir në këte shekull. Konrad Gjolaj

(Shënim: Datat rreth pushkatimit që jepen për mons. Gjergj Volajn jane nga më të ndryshmet. Ato shkojnë nga viti 1947 deri në vitin 1949. Ne i lëmë ato ashtu siç janë për të respektuar deshmitë e gjithsecilit, por tashmë bëhet e qartë se data e saktë është ajo e procesverbalit të pushkatimit: 3.4.1948, diten e martë, ora 5.20.)

…Në vitin 1934 behet famullitar i Shkrelit, një famulli e madhe malore. Më 26 qershor 1940, më pak se 35 vjeç, famullitari i Shkrelit bëhet, për çudinë e shumë tjerëve, ipeshkvi më i ri në botë, duke marrë katedren episkopale të Sapës. Predikatari i ri, gjithë zell e besim, riorganizon dioçezen dhe ndihmon në mbajtjen e bashkimit dhe dashurisë gjatë viteve të vështira të luftës e pushtimit të huaj. Në nëntor 1944, partizanët komunistë vijnë në Zadrime: Imzot Volaj arrestohet e torturohet. Lihet i lirë, por me konditë që të heqë dorë nga ushtrimi i veprimtarisë ipeshkvnore e sidomos predikimit. Mbasi fjala e tij i sillte frigë rregjimit per lirinë e saj e forcen e madhe bindëse. Pa atakuar asnjëherë Partinë dhe qeverinë, as edhe pa bëre kurrë polemika politike, ipeshkvi i ri kujton kerkesat e krishterimit dhe dënon mungesen e lirisë që sundon në vend. Megjithatë ai e vazhdon detyren e tij. Më 25 prill 1946, ai udhëheq, së bashku me ipeshkvinjtë e tjerë, festen e Zojës së Shkodrës në shenjëtoren e famshme të Rozafatit. Gjatë pretkut që mban ai mpron fenë e krishterë, që atëhere akuzohej për krime nga shtypi i regjimit dhe radioja. Ai denoncon sulmet e pushtetit kundër Kishës e Klerit dhe kerkon solemnisht që të ndalet fushata e saj kercënuese e frikëndjellse si edhe vrasja e pushkatimi i sa e sa të pafajshëmvet. Ai e perfundon prektun e tij duke i premtuar Zojës së Shkodrës dhe mësimeve të Krishtit, besimin me çdo çmim që ai ti kërkohet. Ai bën premtimin e vet solemn në emrin e tij dhe per të gjithë katolikët shqiptarë, duke ftuar mijëra besimtarët që te kenë kurajon e guximin që të bëhen mesagjeret e këtij angazhimi ndaj Zojës dhe Kishës në qytetet e fshatrat e tyre. Informuar për këte pretk të guximshëm vendosen ta bëjnë të heshtë. Kontrolli në rezidencen e tij shtërngohet edhe më shumë, fillon një fushatë e re kundër tij. Pater Zef Pllumi

Emërimi i të nderuarit Gjergj Volaj si ipeshkëv i Sapës në Shqipërinë e Veriut, më 26 qershor 1940, nuk qe një e papritur e madhe për katolikët shqiptarë. Selia e shenjtë nuk do të mund të kishte zgjedhur një klerik më të mirë dhe një njeri në të cilin të kishte më besim grigja e saj sesa Gjergj Volaj. Pas pak Ai nisi shërbimin në ipeshkëvinë e Sapës, një nga më të rëndësishmet e Veriut. Ishte 36 vjeç, ipeshkëv më i ri i botës, gjë e ndodhur rrallë ndër ipeshkëvijtë katolikë. Në Shqipëri kjo pat ngjarë vetëm me Imzot Simon Gjeçin dhe Imzot Lazër Mjeden. Por, Imzot Volaj në moshën 40- vjeçare u bë ipeshkëvi më i ri i pushkatuar. Imz. Zef Simoni

Marrë me shkurtime nga archivioradiovaticana.va

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here