Et'hem Mehmeti akuzohej si organizator i Postribës, dhe pse i burgosur prej 1 viti

0
142
blank

Kujtimet e Namik Mehmetit, djalit të ish-të dënuarit politik, Et’hem  Mehmeti i cili ishte dënuar me 10 vjet burg që në janar të 1945-ës, por pas kryengritjes së Postribës, më 9 shtator 1946, ai u torturua bashkë me shumë postribas dhe shkodranë të tjerë, pasi i akuzonin se kishin dijeni për ngjarjen

Nga Namik Mehmeti

Sa herë që përkujtohet Kryengritja Antikomuniste e Postribës, më kujtohet edhe një episod që babai im, Et’hem Rrema Mehmeti i dënuar më 19 janar 1945 si “Armik i Popullit” me 10 vjet burgim, sipas dosjeve që kishte përgatitur Sigurimi i Shtetit, kishte të bënte me pjesëmarrjen në këtë kryengritje, megjithëse në atë kohë ishte i burgosur.

Pasi babai kreu dënimin duke vuajtur në kënetën e Maliqit, kanalin e Bedenit etj.., na ka folur për kryengritjen e 9 shtatorit të cilën e kishte përjetuar në burgun e Shkodrës me shumë nacionalistë dhe klerikë dhe me shumë të dënuar nga Postriba e Shkodra, kishte provuar edhe torturat për dijeninë për këtë kryengritje.

Por ajo që më befasoi mua me kalimin e viteve, ishte ballafaqimi në degën ushtarake me një oficer që punonte në zyrën sekrete të degës ushtarake Shkodër.

Ne, tre vëllaznit, që kishim të drejtë vetëm me punue arsimtarë duke mos na dhënë mundësi me ndjek universitetin, Skënderi, vëllai i madh, mësues në fshatrat e Beratit, unë në Mirditë e vëllai tjetër, Reshati, në Malësinë e Pukës, në plotësimin e dosjeve personale siç quheshin në vitet e diktaturës, e kishim deklarue se babai ynë Et’hem Rrema Mehmeti kishte vuajtur dënimin në burg si armik i popullit, se kishte punuar nga Vermoshi deri në Konispol, si kryetar komune e në disa qytete të Shqipërisë si zvprefekt në monarkinë zogiste dhe së fundi edhe në Ulqin si prefekt në qeverinë kolaboracioniste në pushtimin gjerman.

blank
Et'hem Muharremi lart, i dyti nga e majta

 

blank
Nga e majta ne te djathte: Et'hem Rrema Mehmeti, Prof.Ibrahim Dizdari sportist dhe trainer dhe Haki Ulqinaku (vellai i bashkeshortes se Et'hemit) tregtar i persekutuar nga regjimi komunist. Milano.

Natyrisht një njollë e tillë në biografi, na diktonte me gisht në lagje, në shkollë e kur merreshim me sport, si fëmijët e një zogisti.

Pasi punova 5 vite në Mirditë si arsimtar, mbas mbarimit të shërbimit ushtarak, u ktheva në Shkodër me shpresën se do të gjeja një vend pune si mësues në fshatrat e Shkodrës, por kjo refuzohej për arsye biografie.

Me mbarimin e një kursi njëvjeçar për topograf në Tiranë, punova, deri në daljen në pension, në Drejtorinë e Ujërave në Shkodër ku 60 për qind e nënpunësve dhe punëtorëve ishin me njolla në biografi.

Në vitin 1975, me një vendim të ish-Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Shkodër, më emërojnë topograf në hidrocentralin e Fierzës, duke kalue në dispozicion të Ministrisë së Ndërtimit.

E refuzova këtë vendim për shumë arsye, familjare e shëndetësore, duke i kundërvënë dhe faktin se kur iu drejtova këshillit popullor të lagjes e më pas, zyrës së punës në ish-Komitetin Ekzektutiv të rrethit për të marrë një fletë pune si punëtor në hidrocentralin e Vaut të Dejës, ma refuzuan për arsye biografie.

Me gjithë hezitimin për të mos shkue në Fierzë, u detyrova, nga lutjet e prindërve, që mos të ndodhte ndonjë inskenim nga strukturat e shtetit monist.

Më ndihmuan shumë raportet mjekësore ku miopia e theksuar nuk më lejonte të punoja si topograf në një vepër ku kërkohej një saktësi e madhe në dhënien e kuotave. Gjithashtu ndërhyrja e kryeinxhinierit të njohur të veprave energjetike z.Ismail Ahmeti, më dhanë mundësinë që të rikthehem në Shkodër.

Transferimet në diktaturë nga një rreth në një tjetër shoqëroheshin me shpërnguljen e të gjithë dokumenteve të gjendjes civile, të degës ushtarake etj..

Kur këto dokumente përcilleshin me postën sekrete, në degën ushtarake në Shkodër, u ballafaqova me një të papritur.

Punonjësi i zyrës, oficer Xh.Bersheni, pasi nxori nga raftet metalike një dosje, filloi të më lexonte me zë, biografinë e familjes ku baba emërtohej si zogist, mik i Musa Jukës dhe hirësisë së tij, Salih Myftija, kryemyfti i Shkodrës e Kosovës, si armik i popullit dhe antikomunist i rrezikshëm. Të gjitha këto i dija dhe me një lëvizje të kokës i pranoja në heshtje.

blank
Ne Vermosh, me detyre kryetar komune, me Prenk Calin. Ne foto jane bajraktaret e Shales, Shoshit, Hotit, Kelmendit, punonjesit e komunes dhe xhandare Et'hemi eshte i dyti pas Prenk Calit, me kapele republike. Foto e viteve '35-36 kur koloneli Hill, i shtrire poshte me uniforme ushtarake, organizoi xhandarmerine.

Në një moment oficeri i zyrës sekrete, ngriti kokën dhe mu drejtue si me kërcënim:

-Baba i juaj ka marrë pjesë edhe në kryengritjen e Postribës?!

-Nuk ka mundësi, kjo nuk është e vërtetë. Kur ka ndodhur kjo kryengritje baba ka rënë në burg.

-Nuk i di ti këto punë. Në burg është organizue kjo kryengritje dhe baba yt me shokë, armiq të popullit kanë pritur zbërthimin e burgut dhe rrëzimin e pushtetit popullor. I di partia këto punë.

E pashë më të arsyeshme të heshtja se të vazhdoja diskutimin, aq më tepër kur një djalë xhaxhai i ardhur nga Durrësi që më shoqëronte në këtë rast, sa herë që oficeri i zyrës sekrete thoshte një akuzë, ai distancohej nga unë 2-3 hapa dhe kur u përmend edhe kryengritja e Postribës kushëriri im, Muharremi, kishte zbritur shkallët e ndërtesës dykatëshe dhe më priste jashtë te dera e hymjes.

-Po ai ç’pati me ty që u suell në atë mënyrë? Kisha frikë se mos e kundërshtoje.

Pasi u kryen formalitetet e regjistrimit u largova pa u nxituar. Ushtari që bënte roje në katin e dytë më buzëqeshi dhe më dukej sikur më tha: Mos u shqetëso.

Kur shkuam në shtëpi, kushëriri im po i tregonte gjithë ankth babait, xhaxhait të tij, se çfarë kishte ngjarë.

-Mos reagoi Namiku në këtë rast, mos foli ndonjë fjalë që ata mezi presin për të ba gjamën?

Por Muharremi që kishte trashigue emnin e gjyshit tonë, sa herë që takoheshin në Durrës apo në Shkodër, nuk e harronte këtë episod dhe thoshte:

Pa le ç’ka vuajtur axha Et’hemi në burg me shokët e tij nga shokët e këtij oficeri kriminel!

Edhe unë nuk e harroja atë fytyrë që e pësoi nga djali i tij që u arratis jashtë shtetit dhe u zhvesh nga rroba ushtarake duke mbetur i dënuar nga partia e tij dhe pa mbështetjen e shoqërisë.

Shënim: Materiali është shkruar më 10 shtator 2022 dhe i është dërguar kujto.al nga autori me postë elektronike. Namik Mehmetit i përkasin dhe fotot dhe të dhënat rreth tyre.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here