Sipërmarrës. Lindi në Shkodër 2 shtator të vitit 1904. Më 1919, me kontributin financiar të familjes, Simoni dërgohet në Itali, për të kryer studimet e mesme, pranë Convinto Nacionale të Barit. Në vjeshtë të vitit 1929, dërgohet në Francë në Shkollën Kombëtare të Shkencave Politike në Paris, të cilën e mbaron në vitin 1932. Kur kthehet në atdhe, menjëherë filloi një veprimtari tregtare në fushën e materialeve të ndërtimit, me Italinë dhe me Kosovën. Në pranverën e vitit 1941, rrit veprimtarinë tregëtare disa herë si rrjedhim i bashkimit të Kosovës me tokën mëmë dhe të përfaqësimit ekskluziv të firmës italiane Martini Rossi. Gjatë kësaj kohe, për qendrimin e tij antifashist, burgoset disa muaj. Me mbarimin e Luftës II-të Botërore, veprimtaria sipërmarrëse në Shqipëri u ndërpre, mallrat u konfiskuan dhe dyqanet u shtetëzuan. Simoni punësohet në Kryqin e Kuq Shqiptar, ku do të mbante lidhjet me organizmat shëndetësore ndërkombëtare. Ishte veprimtar i Lëvizjes Intelektuale opozitare të Shkodrës, së bashku me av. Paulin Palin, Sami Repishtin etj. Në fund të nëntorit 1946, arrestohet dhe keqtrajtohet egërsisht nga Rasim Dedja. Akuzohet për “veprimtari armiqësore”. Nga ky keqtrajtim, vdes tri ditë mbas arrestimit në hetuesi, më 1 dhjetor 1946. Simoni pësoi fatin tragjik të Kolec Dedës, që pasi e patën hedhur nga dritarja e hetuesisë, e varrosën me karrocën e plehrave (Gjolaj 116).

Burimi: Zhani Canco, cit. sipas Uran Asllani, Studentët shqiptarë të Francës dhe veprimtaria e tyre, Tiranë 2010, f. 325; At Konrad Gjolaj OFM (Tomë Marku): Çinarët, Botime Françeskane, Shkodër 2006, f. 116; Sami Repishti, cit. sipas Uran Butka: Kryengritjet e para kundërkomuniste, ISKK, Tiranë 2013, f. 241.
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.