Nëntor 1946/ Dy proceset ndaj “sabotatorëve” të Maliqit që u morën jetën 7 personave

0
129
blank

Profesionistë të diplomuar në Perëndim, shtetas të huaj dhe një grua shtatzënë, ishin mes të dënuarve me varje a pushkatim në dy proceset për ata që u quajtën “sabotatorë” të Maliqit

 

Për të krijuar në popull idenë se Harry Fultz dhe Shtetet e Bashkuara kishin qëllime armiqësore ndaj Shqipërisë, regjimi komunist organizoi, në nëntor 1946, dy gjyqe si rezultat i të cilave pati dy të varur në litar, pesë të pushkatuar dhe dhjetëra vite burg për ata që mbetën gjallë nga gjykimi. Iu mor jeta gjashtë profesionistëve të angazhuar në punimet për tharjen e kënetës së Maliqit dhe gruas së njërit prej inxhinierëve, kroates Zyrika Mano, e cila ishte shtatzënë. Bashkë me çiftin Mano u pushkatua edhe italiani Eugenio Scatturo, po atë ditë, më 22 nëntor 1946, kur u varën në litar inxhinierët kryesorë të punimeve, Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri, ish-nxënës të shkollës teknike të Fultz-it, të diplomuar respektivisht në kryeqytetet e Italisë dhe Austrisë.  Gjyqi 10-ditor ndaj së ashtuquajturës "organizatë tekniko-sabotatore" kishte përfunduar më 18 nëntor dhe një ditë më pas, Presidiumi i Kuvendit Popullor kishte refuzuar kërkesën për faljen e jetës. Procesi u zhvillua me një shkallë gjykimi (me vendim të formës së prerë), nga Gjykata e Lartë Ushtarake e përbërë nga nënkolonel Gaqo Floqi, anëtarët kapitenë të parë Veledin Zeneli dhe Nexhat Hyseni, me pjesëmarrjen e prokurorit, kapiten i parë Nevzat Haznedari. Në përfundim, u dhanë këto dënime:

1-Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri, me varje në litar.

2-Eugenio Scaturo, Vasil Mano, Zyrika Mano, me vdekje, pushkatim.

3-Mario Guarnieri dhe Pandeli Zografi, me burgim të përjetshëm.

4-Mihal Stratobërdha me 10 vjet burg.

5-Anastas Risto me 2 vjet burg.

6-Jani Vasili, 16 vjeç, me 1 vit burgim me kusht.

Ky proces u fotografua nga ATSH-ja dhe u filmua nga jugosllavët. Ndërkohë altoparlantët e përcillnin gjyqin për publikun e mbledhur jashtë mjediseve të kinemasë. E ndërsa zhvillohej gjyqi, misioni amerikan u largua përfundimisht nga Shqipëria, por ndëshkimet ndaj të arrestuarve me akuzën e bashkëpunimit me amerikanët, vazhduan.

Salla e kinemasë "Nacional" qëndroi bosh vetëm në datën 19 nëntor. Më 20 nëntor, nisi gjykimi ndaj grupit të dytë. Procesi zgjati nga 20-25 nëntor 1946. Ky proces nuk u fotografua dhe filmua, por vetëm u njoftua në gazetën “Bashkimi” dhe në radio. Ndryshim tjetër me procesin e parë ishte që gjykimi u bë në dy shkallë gjyqësore, në fillim nga Gjykata Ushtarake e Tiranës dhe më pas u shqyrtua nga Gjykata e Lartë Ushatarake. Gjykata e shkallës së parë e përbërë nga kapiten Njazi Meka (kryetar), kapiten Menella Bulka dhe nëntoger Vasil Karajani, duke pasur pranë prokurorin kapiten Halit Tafani dha këto dënime:

1-Aleks Vasili dhe Mirush Përmeti dënohet me vdekje.

2-Hans Vala, me 30 vjet burgim.

4-Golfredo Pasquale Rizzo, me 10 vjet burgim.

5-Llambi Napuçe, me 5 vjet burgim.

Vendimi u la në fuqi nga Gjykata e Lartë Ushtarake më 3 dhjetor 1946, e përbërë nga major Frederik Nosi (kryetar) dhe kapitenët e parë Veledin Zeneli dhe Nexhat Hyseni (anëtarë). Prokuror ishte Nevzat Haznedari.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here