Dokumentari "Zojë”, një rrëfim për fatin e dhimbshëm të gruas në diktaturë

0
81
blank

Premiera e filmit dokumentar "Zojë”, një rrëfim për fatin e dhimbshëm të gruas në diktaturë, u shfaq mbrëmjen e së martës, datë 21 nëntor 2023, në kinema "Millenium", duke përcjellë emocione dhe mesazhe të forta mbi përballjen tonë me të shkuarën komuniste. "Zojë", një realizim i ndjerë nga skenaristja, studiuesja dhe gazetarja Luljeta Progni dhe regjisori Pandeli Çeço, trajtoi një histori sa personale për skrenaristen Progni,  (pasi ishte historia e nënës së saj Zojë Progni e rrëfyer në vetë të parë) po aq edhe universale mbi fatin e shumë grave, nënave dhe vajzave, që janë  përballur me dinjitet dhe i kanë sfiduar me forcë e vetëmohim, regjimet totalitare, në të gjitha kohërat.

blank

 

Filmi dokumentar "Zojë", u mbështet nga Fondacioni Konrad Adenauer në Shqipëri dhe fondacioni "Kujto", përfaqësuesit e të cilëve, në fjalët përshëndetëse para premierës e vunë theksin mbi rëndësinë e trajtimit të këtyre temave delikate nga e shkuara e diktaturës në Shqipëri. Klaudia Zerva, përfaqësuese e Konrad Adenauer në Tiranë, tha se "Ballafaqimi me faqet më të errëta të historisë së një populli nuk është një detyrë e lehtë dhe nuk ka për të qenë kurrë e tillë. Por që një popull të kontribuojë në luftën e tij për të projektuar veten në një të ardhme demokratike është e domosdoshme, që të vërtetat të mos harrohen, që historia të mos deformohet, por të kuptohet dhe të shpjegohet".

Zerva shtoi se "njohja e përmasave të komunizmit, njohuritë për viktimat dhe kriminelët janë kusht për shërimin e plagëve që ka pësuar shoqëria jonë, e cila ka vuajtur pothuajse gjysmë shekulli nën një regjim komunist. Fatet e shumë familjeve, trauma prej të cilave shumë njerëz po vuajnë ende sot janë si pasojë e kësaj të shkuare. Por jo vetëm kaq. Analiza e së shkuarës ndihmon edhe për të njohur dhe luftuar përpjekjet e sotme për ngritjen e diktaturave të reja. Përjetimet, rrëfimet e të vuajturve, si në rastin e personazhit të këtij filmi dokumentar, do të na ndihmojnë të kemi një perceptim më real të asaj se çfarë ishte komunizmi dhe si funksiononte e gjithë makineria e tij shkatërruese".

Skenaristja e këtij filmi dokumentar, Luljeta Progni tha se nuk ishte e lehtë për të, të trajtonte këtë temë gati autobiografike dhe realizonte këtë vepër, ku personazhi kyç ishte nëna e saj.

blank
Skenaristja, Luljeta Progni

"Zoja, fliste rrallë për vuajtjet e saj. Gjatë viteve të fundit u përpoqa disa herë ta intervistoja, por nuk munda të kem një intervistë shteruese. Shpesh ajo përlotej që pas pyetjes së parë dhe nuk fliste më. Dhe ndonjëherë kur fillonte të tregonte, mikrofoni nuk ishte aty. Por ashtu siç i di unë ato vuajtje, disa prej të cilave edhe i kam përjetuar, mendoj se duhet t’i dinë edhe të tjerët. Kam mësuar prej shumë historive të tjera, se Zoja nuk ishte e vetme. Shumë gra të tjera kanë vuajtur dhe janë përballur me persekutimin e diktaturës komuniste, kanë vajtuar fëmijët e tyre, kanë mbajtur gjallë shpirtin e bashkëshortëve dhe djemve nëpër burgje dhe e kanë mbrojtur familjen me shumë sakrifica".

blank

Premiera e filmit dokumentar "Zojë" erdhi në vazhdën e një varg aktivitetesh me fokus të drejtpërdrejtë Kujtesën, që foncacioni "Kujto" ka realizuar gjatë këtij viti, duke nisur që në muajin shkurt me dokumentarin "Mama", duke vijuar në maj me dy aktivitete kushtuar 50-vjetorit të Revoltës së Spaçit: ekspozitën me skica grafike "Jeta në Spaç" dhe koncertin memorial "Tingujt e kujtesës", për të vijuar në shtator me dokumentarin "Revolta e Spaçit", e më tej, në nëntor, me dokumentarin "Sytë e shpirtit”, kushtuar Osman Kazazit, duke e përmbyllur kalendarin e aktiviteteve të kujtesës me filmin dokumentar "Zojë".

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here