1979/ Letra e Adem Allçit nga burgu i Burrelit

0
170
blank

Reparti nr.321 Burrel ishte një burg i sigurisë së lartë, ku kushtet e qëndrimit ishin shumë të këqija. Izolimi i gjatë i njeriut atje sillte pasoja të rënda në shëndet. Njëri nga këta të dënuar, që bashkë me dy shokë, kishte mundur të largohej një herë, Adem Allçi, vuante dënimin në Burrel pa ndërprerje prej 13 vjetësh. Më 30.10.1979 i shkroi një letër prokurorit të përgjithshëm, duke kërkuar të vuante dënimin në një repart kamp pune. Kjo zhvendosje nuk është se do ishte ndonjë privilegj i posaçëm, por as këtu nuk ia plotësuan kërkesën.

blank

Prokurori i përgjithshëm Rrapi Mino, për kompetencë ia dërgon letrën Degës Zbatim Vendime Penale në Drejtorinë e Policisë Popullore. Një oficer drejtimi i kësaj dege më 15.12.1979 vë këtë shënim: “I dënuari Adem Allçi, efektiv i Repartit nr.321 Burrel, kërkon të vejë në një repart tjetër. Shqyrtuam kërkesën e tij dhe konkluduam që për rrezikshmërinë që ky ka, nuk mund ta heqim nga Burreli. Për këtë i dhamë përgjigje negative të interesuarit, i cili nuk u bind”.blank

Ademi vuajti 27 vjet heqje lirie në vitet 1963-1990.

Letra e Adem Allçit

Zoti prokuror i përgjithshëm! Unë i nënshkruari Adem Allçi, i dënuar pranë Repartit nr.321, paraqes si më poshtë vijon:

Po bëhen 13 vjet që ndodhem në burgun e Burrelit. Vuajtja e gjatë në burg ma ka rënduar akoma më shumë gjendjen time shëndetësore. Unë kam një raport mjekësor zyrtar, të lëshuar nga komisioni mediko-legal i Ministrisë së Punëve të Brendshme, raport që ndodhet në komandën e burgut. Raporti në fjalë thotë shprehimisht se për gjendjen time shëndetësore, për diagnozën që më është bërë, është konstatuar se qëndrimi i mëtejshëm në kushtet e izolimit të burgut ku ndodhesha, ma rëndojnë gjithnjë e më shumë gjendjen time shëndetësore.

 

blank

Prandaj po ju drejtohem ju me shumë shpresë se do të ndërhyni për të vënë në jetë të drejtën time të ligjshme që të më transferojnë në një kamp pune, ku sigurisht do ta ndiej veten më mirë si psikologjikisht ashtu dhe ekonomikisht.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here