I arrestuar ende pa mbushur 17 vjeç, Shkëlqim Abazit iu ndërpre për shumë vjet, mundësia për t’u shkolluar si gjithë të tjerët, por ai pati mundësinë të arsimohej në Akademinë “Humbëtirë”. Në këtë pjesë të librit “Repsi”, ai shpreh mirënjohjen për intelektualët, poliglotët, mësuesit të cilët e drejtuan në rrugën e dijes duke i dhënë shumë më tepër seç mund të imagjinohet për kushtet në të cilat ndodheshin
Shkëlqim Abazi
Mbase arsyeja për t’iu arratisur rutinës mbytëse, më detyroi mua dhe miqtë e mi, të gjenim në ato kushte, mjetin më efikas për të vrarë kohën. Nën nxitjen e tyre, por me dëshirën time, iu futa shkollës.
Shkollë në kushte burgu!
…vazhdova dy vite jetë akademike, në Akademinë më të çuditshme të rruzullimit, më të panjohurën dhe të palegjitimuar nga asnjë instancë përfaqësuese e kulturës dhe e shkencës botërore.
Falënderoja me gjithë zemër “pedagogët”; që nga “themeluesit” e parë të fundviteve dyzet e me radhë, gjithë plejadën e shkëlqyer të mësimdhënësve që kohë mbas kohe, për shkaqe e rrethana që s’vareshin prej tyre, i dorëzonin stafetën njëri-tjetrit në këtë Akademi “Humbëtirë”.
Ata dijetarë brilantë që me vetëmohim dhe sakrifica të parrëfyera mëkuan me dije breza të tërë të rinjsh që mbushën “auditorët” e kësaj Akademie, pa tituj e grada shkencore, por me njohuri të vërteta të padeformuara. Prodhuan në rrjedhën e dekadave, një grup intelektualësh solidë, paçka se pa diploma të ekuivalentuara.
Në Akademinë “Humbëtirë”, do jepnin kontributin e tyre modest me hartime tekstesh dhe me leksione teorike-shkencore, që nga ish-kryeministri i Mbretërirë, Koço Kota e deri te ish-ministri i Arsimit, Mirash Ivanaj. Krah tyre do militonin figurat e shquara politike, të historisë, letërsisë dhe arteve, si: poetët Kudret Kokoshi, Zef Jushi, Visar Zhiti, përkthyesi i Iliadës Gjon Shllaku e Amik Kasoruho, filozofi i shquar Arshi Pipa, sociologu Sami Repishti, muzikologu i paarritshëm Ramadan Sokoli, liriku me zërin brilant Lukë Kaçaj, piktorët Maks Velo, Sadri Ahmeti, Vangjush Tushi, Edison Gjergo, shkrimtarët e traditës patër Pjetër Meshkalla, dom Nikollë Mazreku, patër Zef Pllumi, Mitrush Kuteli, Petro Marko, Astrit Delvina, Kin Dushi, Pjetër Arbnori, poligloti Vexhi Buharaja, Ilia Therecka e dhjetëra e dhjetëra të tjerë, që për dyzetepesë vjet me radhë mbajtën me vaj kandilin, në udhëtimin drejt dritës dhe ndriçuan terrëtirën e natës së zezë komuniste.
Me vullnet herkulian e devotshmëri patriotike, përgatitën në Akademinë “Humbëtirë”, brezat e së nesërmes që do përçonin më tej idetë iluministe, paçka se sot puthadorët e oborrit komunist pretendojnë desidencën.
Ndër ta, do rendisja dhe mësuesit e mi të Repsit, ndonëse më modestë se të parët, po gjithsesi kontribuan me të njëjtin përkushtim në këtë mision fisnik.
Unë do rrëfej shkurtimisht për ish-mësuesit, ashtu siç i njoha.
Normalisht, meqë qenë të parët që më udhëhoqën në udhën e dijes, mbeten edhe më të paharruarët; njësoj si në kujtesën e çdo fëmije mbetet i pashlyer kujtimi për mësuesen e klasës së parë që të drejton dorën për shkrimin, edhe pasi ka kryer disa fakultete.
Mësuesi i gjuhës dhe letërsisë Hodo Sokoli, ish një burrë rreth të pesëdhjetave, krejt i shogët e i zbardhur para kohe, me mustaqe të prera shkurt. Manjak rregulli dhe pastërtie.
Që në prezantimin e parë, e kuptova se kisha të bëja me një intelektual të niveleve të larta, nga çdo pore e qelizë ai rrezatonte kulturë dhe edukatë të përsosur.
Ishte dënuar me grupin e Hafëz Sabri Koçit.
Hodua ishte pinjoll i fisit të shquar Sokoli, nga Shkodra. Gjyshi i tij adash Hodo Begu, kujtohet si një ndër figurat më të ndritura të historisë shqiptare të rilindjes, udhëheqës i shquar i kryengritjeve popullore, në mbrojtje të trojeve dhe integritetit territorial kundër turqve e malazezëve; por kjo gjenezë e famshme s’e pengoi Enver Hoxhën, t’i dënonte si “armiq” të popullit” nipërit e tribunit popullor.
Në fillim muzikologun e famshëm Ramadanin dhe më vonë të vëllanë, po aq të spikatur, Hodon.
Për rreth dy vite me të, studiova gjuhë dhe letërsi.
Hodua ish pedant profesionist, mjaft korrekt, por kërkues i rreptë; mbas mësimit shndërrohej shpirtbutë, deri në përulësi. Prej tij përfitova shumë, sidomos në letërsi, ku leksionet i merrja me shkrim. Ai i përgatiste ato vetë; për të më lehtësuar, m’i dhuronte të gatshme të shkurara me bukurshkrim të imët, ku gërmat njëdimensionale radhiteshin njëshkolonë si ushtarët në rresht.
Zotëronte memorie fenomenale; falë tij njoha Fishtën, Koliqin, Konicën, Pipën etj., shkrimtarë të nëmur nga komunizmi e të dëbuar nga panteoni i letërsisë shqipe.
Ai mësues i urtë, në pamje të parë dukej i painteresuar për punët e kësaj bote, të jepte përshtypjen e një hutaqi të shushatur, po në fakt, voziste në hapësirën iluzive të lirisë, pa tela me gjemba, pa pranga ideologjike, jashtë kafazit burg. Qëndrimi i tij intrasigjent në ditët e revoltës së Spaçit 21-23 maj 1973 dhe guximi në gjyqin special, flasin sa mijëra fjalë.
Mësuesi i matematikës dhe shkencave ekzakte, në fakt pata dy të tillë: Marko Popoviçin në teori dhe Ing. Hamdi Haska në praktikë.
Marko s’ishte ndonjë mësues i spikatur sepse, si sllavofon, gjithë kohën kishë dhënë mësim në shkollat e fshatrave të Vrakës. Kjo qe pjesa e dukshme, po realisht ai ishte mjaft kompetent në lëndën e vet.
Kur e shihje ashtu skeletik, me syzet optike që i vareshin mbi kurrizin e hundës së hollë, i dobët, eshtak, pyesje veten se si rrinte në këmbë ky rob që një shpirt i hynte dhe një i dilte, sa edhe uji i dukej në gurmaz?
Por pas asaj aparence anemike, fshihej një epigram dinamik; gjithë gjenia e tij ish ndryrë në ekuacione e teorema, hipoteza e të panjohura me iksa dhe yspilonë.
Mbetesha gojëhapur kur shpjegonte ai, aq romantike i bënte shkencat ekzakte, sa të thosh mendja se tregonte përralla apo histori, aq sa edhe pse s’para i honepsja shifrat, detyrohesha t’i mësoja me themel, vetëm për mos t’u turpëruar para tij.
Pastaj, me Markon punonim në një brigadë dhe çdo moment të lirë s’përtonte të m’i shpjegonte edhe një herë nga e para.
Në praktikë kisha gjetur një asistent profesor, ky ishte inxhinieri mekanik Hamdi Haska.
Hamdiu kish mbaruar studimet në Moskë, “në një degë që ma imponuan”, siç më thoshte vetë:
- Po t’i kisha kryer studimet në degën që kisha për zemër, mbasi tani s’do isha këtu!-ngushëllohej ai, për të justifikuar pasionin për matematikën.
Sa herë ngecja në morinë e shifrave të ndonjë ushtrimi apo ekuacioni, po edhe në trigonometri e stereometri, i drejtohesha Hamdiut dhe ai mezi priste rastin të tregonte talentin si magjistar shifrash…
Mësuesi i historisë Agim Musta, një gjirokastrit tridhjetepesë-dyzet-vjeçar, me banim në Tiranë. Ishte një rondokop buçko, faqekuq, i qeshur dhe rrezatues.
Për shumë vite kish dhënë mësim në rrethin e Beratit, ku ishte njohur edhe me njerëz të mi.
Ishin dënuar një grup intelektualësh, për formimin në ilegalitet të Partisë Socialdemokrate, në rrjedhën e viteve do njihesha pothuaj me të gjithë e do bëheshin miqtë e mi.
Agimi ish historian objektiv, shpjegonte në detaje ngjarje dhe fakte, i interpretonte ato me realizëm, pa i politizuar e pa i himnizuar protagonistët e tyre, duke i parë nën dritën e mentalitetit të kohës kur kishin ndodhur.
Në leksionet e tij, kam dëgjuar të vërteta të panjohura më parë apo të deformuara nga historigrafia komuniste.
Mësues gjeografie dhe astronomie kisha Vangjel Kulen.
Ai ish një rreth tridhjetëvjeçar me kulturë dhe edukatë të përsosur. Shpreha tipike “i dashur”, në gojën e tij merrte kuptimin e mirëfilltë, ngaqë me gjithëkënd dhe gjithkund kullonte mirësi.
Vangjelit mësues…i binte nuri i pedagogut hijerënë. Nga lartësia e katedrës, dukej se voziste mbi re. Në fakt, ne s’kishim fare katedër, por një pllakë zdrukthi të gozhduar në katër hunj që mbas mësimit rikthehej në funksionin primar për të cilin ishte ngritur, pra shndërrohej në magje për të qëruar qepë dhe patate.
Ai, me një fshikull në vend të stekës, na shpjegonte mësimin e radhës. Në netët e kthjellëta verore, me një copë xham të nxirë me tym katrani në vend të dylbive të teleskopit, na rrëfente konstelacionet yjore; udhën e qumështit, arushën e vogël e të madhe, yllin polar, etj. aq saktësisht dhe rigorozisht sa ta thosh mendja se po përgatiste astronautët e ardhshëm për në Hënë.
Për mësimin e astronomisë s’kishim tekste, po leksione të konspektuara nga vetë profesori që e grumbullonte lëndën, duke qëmtuar pa u ankuar nëpër revista shkencore në gjuhë të huaja. Me këtë rast, dua të theksoj, se ai ishte poliglot.
Kurse për gjeografinë ndryshonte puna, kishte tekste dhe harta.
Profesori…temat i kthente në debate, aq sa edhe ata që s’kishin niet të mësonin për t’u vlerësuar; thjesht për kuriozitet e ndiqnin me shumë vëmendje.
Këtë mendje kaq të ndritur, mbas burgut e detyruan të nxirrte gurë me qysqi në kavat e Urës Vajgurore. Më pas, u martua në Shkodër, ku edhe u shpërngul.
Mësuesi i filozofisë Hilmi Leka…Hilmiu shtatvogël ishte mësuesi më ekzigjent, më seriozi që më ka rastisur të kem gjatë formimit tim akademik…
Gjatë seminareve, ai vulash-xhuxh shndërrohej në gjigand; si magjistar i fjalës fliste si sipër reve, shpjegonte pikëpamjet dhe këndvështrimet e filozofëve të lashtë e të rinj, me pathosin që vetë filozofët do t’i kishin referuar mendimet e tyre dhe ne të tjerët, të ishim në rolin e spektatorëve të agorasë ku përplaseshin idetë e kundërta.
…Ai nuk ish diplomuar dot, ia kishin hequr këtë mundësi në vitin e fundit në fakultet kur e kishin flakur jashtë auditorit si element armik, pasardhës i një familjeje balliste të Libohovës. Por me këmbënguljen titanike e kokëfortësi tipike filozofi, me aftësi arriti t’i kapërcente barrierat e të sfidonte tërë filozofët e shkollave të Partisë, të marë së bashku.
Si një dishepull i denjë i Shën Tomas D’Aquinit, predikonte paqen botërore e mirëqenien mbarëpopullore, bazuar mbi “forcën e arsyes dhe jo arsyen e forcës”. Ish absolutisht kundër pozitivizmave negative si: “e mira më e madhe për pjesën më të madhe”, pasi ai mendonte se e mira e madhe, duhet të jetë për të gjithë pa dallim.
…Falë këtij filozofi të padiplomuar dhe shumë të tjerëve si ai, ne u bëmë më humanë.
Profesori i gjuhëve të huaja, në fakt gjuha që më zgjodhën qe frëngjishtja, profesor Ilia Iljadhi. Porse në frontin e punës, pata një poliglot që i alternova të dy e përfitova më tepër. Ky qe amerikani Richard Richy…
Ilia ishte rreth pesëdhjetë vjeç, në kohën kur e njoha unë.
Në vitet e luftës, si gjithë rinia shqiptare ish molepsur me idetë komuniste, ishte angazhuar për çlirimin e vendit nga Italia fashiste dhe më pas, nga Gjermania naziste. Ishte inkuadruar në radhët e forcave partizane, duke bërë edhe karrierë në hierarkinë e gradave.
Qysh i vogël ish larguar nga fshati i lindjes, Carçova e Përmetit. Kishte nisur punë në shoqërinë e vajgurit A.I.P.A., ku falë mbështetjes të bashkëfshatarëve të tij që punonin aty, po dhe me aftësitë e veta, arriti pozita të lakmueshme si në punë ashtu edhe në shoqëri. Bashkëpunimi me inxhinierët dhe specialistët italianë dhe të kombësive të tjera, e futi në kontakte me kulturën më të përparuar botërore, për kohën.
Si djalë i shkathët, i zgjuar e i etur për dije, shpejt gjeti çelësin e besimin e titullarëve të kompanisë që e dërguan për specializime të avancuara në Itali dhe disa herë në Francë.
…Ilia dol inga lufta me nishane e ofiqe, po të gjitha këto i la për t’u rikthyer në Kuçovë ku kishte nisur karrierën dhe po e priste një vajzë e dashur.
Këtu u martua, pas një viti i lindi vajzë dhe duke falenderuar Zotin për këtë lumturi të vonuar, filloi jetën e qetë familjare.
Por s’ishte e thënë të vazhdonte t’i gëzohej gjatë harmonisë familjare; shokët e tij, ata për të cilët kish sakrifikuar gati edhe jetën, mbasi ishte plagosur dy herë, filluan konfiskimet e pasanikëve dhe gjithë të konsideruarëve kundërshtarë.
Një demokrat i kulluar si Ilia, s’mund ta honepste këtë mashtrim, aq më shumë dhunën që po ushtronin mbi ata që piketonin për konfiskim.
I indinjuar ngriti zërin në mbrojtje të fatkeqëve që përfundonin të varur kokëposhtë në fuçitë me ujë të ndotur dhe shpesh me urinë, për të treguar floririn e fshehur. Kjo s’iu pëlqeu ish-shokëve të tij, ndaj e thirrën, i kërkuan të tërhiqte mbrapsht ç’kish nxjerrë nga goja dhe, këtej e mbrapa të heshtte.
Frika dhe heshtja para së keqes, s’ishte veti e Ilias, përkundrazi nisi të fliste më hapur e të kërcënonte me deklarata udhëheqësit e mëdhenj që kishin mbirë tashmë, si kërpudhat mbas shiut…
Ilia bashkë me shokun e idealit, kolonel Stavri Cylakun dhe miqtë e tjerë, hodhën idenë e një çlirimi të dytë, tashmë nga uzurpatorët e lirisë dhe hajdutët e idealeve.
Kjo iu ra në vesh ustallarëve, i arrestuan dhe mbas një gjyqi farsë, përfunduan pas hekurave si të shitur te armiku i klasës dhe shkelës gjaku, duke nënkuptuar dëshmorët.
Idealistët komunistë përfunduan në kampet që vetëprojektuan. U zhgërryen nëpër baltovinat e Bedenit e të Thumanës, me ata që i konsideronin armiq ideali.
Këtu Ilias iu hapën sytë, gjasme armiqtë, ishin ku e ku më të mirë dhe më të fismë nga ç’i kish menduar.
…Në subkoshiencë dhe në trurin e tij ndodhi një evolucion i panjohur deri atë kohë që e shtyu të reviziononte gjithë dokrrat e ngulitura nga ideologjia komuniste.
…Tani, haptas pranonte gabimet dhe po haptas, propagandonte idetë demokratike për Shqipërinë etnike.
Ky luan i panënshtruar, s’mund t’i duronte prangat!
…vendosi të arratisej. Jo me synimin që të shpëtonte lëkurën, po të vazhdonte luftën, tashmë për rrëzimin e regjimit komunist dhe rivendosjen e demokracisë.
Idenë e vuri në jetë një ditë dimri me furtunë të vitit 1959. Bashkë me një shok vuajtjesh u zhytën kanaleve kulluese dhe arritën të largohen. Ndërsa shoku mori drejtimin e kufirit, Ilia nuk tentoi këtë, po u fsheh aty pranë, me pikësynimin të mësynte mbi rojet, të armatosej që pastaj të lironte të dënuarët dhe të gjithë së bashku, të nisnin luftën për lirinë e vendit.
…Po i kishte bërë hesapet pa hanxhinë…
Kështu një ditë të bukur, Ilia i rraskapitur nga lodhja dhe uria diktohet nga ca fshatarë, të cilët e denoncuan pranë organeve të sigurimit.
U rrethua gjithë territori, forcat e ndjekjes të dyfishuara në numër, s’lanë asnjë shteg të lirë.
Qëlluan mbi të, me të gjitha llojet e armëve…gjykata i dha maksimalen dhe mbas ca muajsh, tashmë sakat të parrezikshëm, e plasën sërish kampeve.
…Ilian vërtet e sakatosën fizikisht, me zor çapitej hepuar nga e djathta, po kishte sagllam mendjen dhe shpirtin e pamposhtur. Ndjenja e revoltës s’ishte stepur aspak, përkundrazi tani mbas çyrykllëkut, ishte bërë më luftarak dhe atë që s’mundi ta realizonte vetë, ua injektoi më të rinjve me të njëjtin pathos.
Ky ishte Ilia që gjeta unë në Reps mbas njëzet vitesh burg, kur i kishin mbetur edhe pesëmbëdhjetë të tjerë.
…me Ilian s’më ndodhi ndonjëherë të mërzitesha deri në neveri. Sado i lodhshëm të më dukej mësimi, ai zotëronte një stil krej personal, e joshte nxënësin me metodën e peshkatarit që para se të hedhë grepat, kon vendin. Mbasi nuhaste dëshirat e nxënësit, fuste në menunë mësimore ato që i shijonin më tepër.
Në rastin tim, e niste me recitimet e një poezie të bukur nga Lamartini, Hugoi, Musset apo poetë të tjerë, sa nxiste kureshtjen dhe pastaj hynte në temë. Me këtë metodë origjinale, avanconim goxha. Në fund të dy palët ndiheshim të kënaqur, ai se e shikonte që s’po i shkonte mundi dëm dhe unë, se arrija të lexoja e të kuptoja ndonjë tekst të shkurtër.
Shënim: Marrë me shkurtime nga “Repsi (Kampi I punës së detyruar)”, I autorit Shkëlqim Abazi, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.