Klerik katolik, shkrimtar, polemist. Lindi më 28 nëntor të vitit 1912, në Zhupë, Mazrrek. Mësimet fillore e të mesme i kreu në Shkodër, ndërsa të lartat në kolegjin e Propaganda Fides në Romë. Më 1936 u shugurua mështar. Pas një viti u kthye në Shqipëri, pasi kish marrë edhe bakalaratin në drejtësi. U zgjodh sekretar i ipeshkvit e, më vonë, i Delegatit Apostolik, Imzot Ildebrando Antoniutit. Pas vdekjes së Imzot Pjetër Gjurës, më 11 shtator 1939 u caktua ndihmësfamullitar në Tiranë. Nga viti 1942 deri më 1945 shërbeu si famullitar në Kryezi. U arrestua në maj të vitit 1946 dhe u dënua me 5 vjet burg, që i kreu në Shkodër. Pas lirimit, u internua në Tepelenë e Lushnjë. Në vitin 1955 u lirua nga internimi dhe u emërua në Pulaj të Arkidioqezës së Shkodrës. Po atë vit kaloi në dioqezën e tij në Dardhë e, më pas, në Laç të Vaut të Dejës. Nga Laçi drejtoi punimet për ndërtimin e altarit të madh të katedrales së Shkodrës (1958). U internua sërish në Lushnjë, Çermë, Gradishtë etj. U lirua më 1965 dhe banoi tek e motra në Shkodër. U arrestua sërish në prill të 1967-s dhe u dënua me 20 vjet heqje lirie. U lirua më 1987. Pas rihapjes së kishave, ndonëse në moshë të thyer, shërbeu si famullitar në Laç të Vaut të Dejës dhe në shërbimin e Caritas-it të qytetit të Shkodrës, deri sa vdiq, më 1996, pranë familjes së motrës së
tij.

Burimi: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist III (Tiranë: ISKK, 2014), 217.
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.