Maks Velo u lind në Paris, në vitin 1935, në familjen e Sotirit, të diplomuar mjek në Athinë dhe të specializuar okulist në Francë dhe Ani Poros, vajzës së një emigranti nga Dardha e Korçës. Kur ishte 5 vjeç, familja e tij u kthye në Korçë, ku Maksi kreu studimet deri në vitin e dytë gjimnaz. Në Korçë, Maks Velo ka qenë nxënës i piktorit Vangjush Mio. Në vitin 1952, familja është zhvendosur në Tiranë, ku Maksi ka përfunduar dhe studimet e larta në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit-Arkitekturës. Dhe pse me profesion arkitekt, piktura ka qenë një pasion, të cilin Maksi e ushtronte rregullisht, i tërhequr nga rryma impresioniste, ekspresioniste dhe surrealiste.

Këto prirje në pikturë dhe qëndrimi kundër doktrinës socialiste në art dhe politikë, sollën dërgimin e tij në disa fshatra derisa e arrestuan në vitin 1978, kur ishte 43 vjeç. Dy vite më parë ai ishte ndarë nga bashkëshortja, me të cilën ka një djalë. Ish-bashkëshortja dëshmoi kundër Maksit për qëndrimet e tij moderniste në pikturë.

U akuzua për agjitacion dhe propagandë kundër shtetit dhe u dënua me 10 vjet burg. Shumë nga pikturat dhe objektet artistike që iu gjetën në shtëpi, 249, u shkatërruan me urdhër të Gjykatës. U lirua me amnisti para mbushjes së afatit të dënimit, në vitin 1986.

Me ardhjen e viteve '90, Maks Velo ka botuar një varg librash me tregime dhe skica rreth kohës së burgut si dhe  një koleksion të madh pikturash.

Burimi: "Maks Velo, Jetë paralele", Uet Press, 2018
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.