Këngëtar lirik, bas.

U lind më 24 shkurt të vitit 1924, në Bajzë të Kastratit (Malësia e Madhe). Kur ishte 9 vjeç, hyn në Kolegjin Françeskan në Shkodër dhe më pas studion në Liceun “Illyricum“, ku kishte mësues Gjergj Fishtën, At Martin Gjokën e, më vonë, At Filip Mazrrekun. Me t’u hapur Liceu Artistik, niset për Tiranë. Më 1947 pranohet në orkestrën e Radio Tiranës, por pas dy muajsh pushohet nga puna si “ish-nxënës i françeskanëve” dhe dërgohet hamall në ndërtimin e kombinatit në Yzberisht. E ndihmon kompozitori Kristo Kona, asokohe deputet, duke e angazhuar me korin e Filarmonisë. Në vitet 1947-1950, punon në Korin e Përgjithshëm të Shtetit dhe në Ansamblin e Ushtrisë si solist dhe si korist. Në vitin 1953, në Festivalin e Dytë të Rinisë që u mbajt në Bukuresht, me interpretimin e aries së Filipit nga opera “Don Karlos” e Verdit, Kaçaj fitoi çmimin e dytë ndërkombëtar të Festivalit.

Në vitet 1951-1955 kryen studimet e larta për kanto pranë Konservatorit “P. I. Çajkovski” në Moskë. Në vitin 1955, në konkurrimin e teatrit “Balshoj” të Moskës,  renditet ndër 4 fituesit, ndërmjet 170 këngëtarëve, duke lënë pas vetes këngëtarë nga e gjithë bota. Nuk pranon ofertën për të qëndruar në Bashkimin Sovjetik, ofertë që iu përsërit edhe herë të tjera, në shtete të ndryshme. Kthehet në Shqipëri dhe që atë vit emërohet solist në TOB, ku realizoi role të paharruara nga operat shqiptare dhe botërore. Më 28 nëntor 1958, interpreton në Teatrin “Balshoj” Don Bazilion nga “Berberi i Seviljes” i Rosinit duke korrur sukses absolut, siç ndodh dhe në skenat e tjera të Evropës Lindore, ku mori pjesë në shfaqje të ndryshme. Pas tre vjetësh, për merita të veçanta në fushën e interpretimit dhe të propagandimit të artit shqiptar, Lukë Kaçaj, 36-vjeçar, u nderua me titullin “Artist i Merituar”.

Në vitin 1966, i ndalohet e drejta e skenës, si një paralajmërim për çfarë do të ndodhte më vonë. Emërohet pedagog i kantos në Institutin e Lartë të Arteve.

Më 28 prill 1973, Sigurimi i Shtetit e arrestoi në prani të studentëve dhe pedagogëve, në hollin e Institutit të Arteve, sot Universiteti i Arteve.

Më 21 gusht 1973, me vendim nr. 364, Gjykata e Tiranës e deklaroi fajtor  për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor” dhe e dënoi me 5 vjet heqje lirie, por thuajse dy javë më vonë, me një shkresë sekrete, Ministria e Brendshme iu drejtua Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Shkresa, e firmosur nga Feçor Shehu, atëherë zëvendësministër i Brendshëm, vërente se “...masa e dënimit me pesë vjet burg që iu dha të pandehurit është e butë dhe nuk i përgjigjet rrezikshmërisë së theksuar shoqërore që paraqet vepra e kryer dhe vetë i gjykuari”. Megjithatë, Gjykata e Lartë, si në pak raste të tilla, e la në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës, por me vendimin e 11 tetorit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, firmosur nga Aranit Çela, dënimit i shtohet edhe konfiskimi i pasurisë së tij. VVuan dënimin në burgun e Ballshit, edhe për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të rënduar gjatë paraburgimit. Bashkëshortja e tij, Ana, dhuronte gjak për të siguruar të ardhurat për vete dhe Lukën në burg.

U lirua në vitin 1978 dhe deri sa doli në pension punoi si hamall te magazina e fruta-perimeve, te Pazari i Ri në Tiranë. Vdiq më 7 shtator 2001 në spitalin civil të Shkodrës, qyteti ku jetoi vitet e fundit të jetës. Prehet në Laç. Pas vdekjes, në vitin 2003, Presidenti i Republikës Alfred Moisiu i akordoi titullin “Mjeshtër i Madh i Punës“ dhe në vitin 2009, Presidenti i Republikës Bamir Topi, i akordoi Urdhrin “Nderi i Kombit”.

Rolet: Don Bazilio tek opera “Berberi i Seviljes” i Rosinit; Gjini tek opera “Mrika” e Prenkë Jakovës; Bozonen tek opera “Madam Batërflaj” e Puçinit; Alekon tek opera “Aleko” e Rahmaninofit; Sparafuçilen tek opera “Rigoleto” e Verdit etj..

Filmografia: “Skënderbeu”, 1953 (në rolin e këngëtarit të verbër); “Përse bie kjo daulle?”, 1969 (në rolin e babait).


Dokumente

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.