Poet, piktor. Lindi më 23 mars të vitit 1939, në Vuthaj të Plavës (Mali i Zi). Shkollën e mesme të përgjithshme e kreu në Pejë. Më 23 tetor 1957 u arratis në Shqipëri, ku nis dhe kalvari i tij. Sapo mbërriti, u internua në Fermën e Llakatundit për një vit. Më 1958, u dërgua në shkollën e mesme bujqësore në Kavajë, ku filloi vitin e tretë. Më 1959, meqë kishte vizatuar plakun e vitit të ri me arna në gjunjë dhe të ndenjura, u transferua nga shkolla e Kavajës në shkollën e mesme bujqësore të Fierit. Aty u akuzua se kishte skicuar karikaturën e Hrushovit dhe u internua për 3 muaj në Çermë të Lushnjës. Në vitin 1960, u emërua agronom në Kutalli të Beratit. Nga viti 1962 deri më 1966 punoi në administratën e një ferme në Krujë. Mes viteve 1966-1970 u transferua si dizenjator i rrethit në shërbimet komunale. Në shtator të vitit 1970, fitoi konkursin në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve të Bukura), dega Pikturë, por dy muaj më vonë u arrestuan për agjitacion e propogandë kundër pushtetit popullor. U dënua nga Gjykata Ushtarake e rrethit Tiranë me 4 vjet heqje lirie. Dënimin e vuajti në kampin e Spaçit. U lirua më 1974, dhe u internua në fshatin Balëz të Elbasanit, ku punoi si punëtor krahu deri në vitet ’90-të. Pas rënies së komunizmit, përfundoi studimet e lëna përgjysmë në Akademinë e Arteve. Vdiq më 24 qershor të vitit 2010 në Tiranë.

Vepra: «Dielli për në Ballkan nuk kalon nëpër Goli Otok» (poezi, 1991), «Një e qeshur harbon nëpër errësirë» (poezi, 1993), «Masakra e Tivarit» (poemë, 1996), «33 vjet në mitrën e ferrit të fjalës» (poezi, 1999), «Vallja e katrahurave» (poezi; Tiranë, 2000), «Loz era me gjethet e vjeshtës sime» (poemë; Tiranë, 2000), «Kalëroj rreth botës mbi re» (poezi; Tiranë, 2001) dhe «Tek lahem në argjendin e hënës» (poezi, 2001) etj.

Burimi: AISKK, F. 1, V. 2012, D. 1, Fl. 194.
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.