Klerik i lartë mysliman, kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë pas rënies së komunizmit 1991-2004. U lind më 14 maj të vitit 1921, në fshatin Orenjë të Librazhdit. Mësimet e para fetare i mori në Shkodër, pranë Hafiz Muhamed Bekteshit, Hafiz Sabri Beg Buhatit dhe Sheh Qazim Hoxhës. Pas vitit 1939 u emërua imam në xhaminë e Luguçesmes në Shkodër, pastaj në Xhaminë e Bardhë e, më vonë, në lagjen Dudas. Më 1952 u emërua imam në xhaminë e Rusit të Vogël e, pak më vonë, në Xhaminë Plakë. Katër vjet më vonë, më 23 maj 1956, u emërua Myfti i Kavajës. Pa kaluar shumë kohë, me kërkimin e besimtarëve të lagjes Rus i Vogël, u emërua sërish imam në Shkodër. U arrestua më 4 qershor 1966 dhe më 10 shtator të po atij viti, me vendim nr. 34, Gjykata e Qarkut të Shkodrës e deklaroi fajtor "për tradhëti ndaj atdheut mbetur në fazën e përgatitjes" e "agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor" dhe e dënoi me 22 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 5 vjet kohë. U lirua më 22 tetor 1986. Më 16 nëntor 1990 ishte ndër nismëtarët për hapjen e Xhamisë së Plumbit, ku u vendos për krijimin e Bashkësisë Islame Shqiptare, me qendër në Shkodër, që u miratua më 23 janar 1991. Më 14 shkurt të po këtij viti u zgjodh Kryetar i Këshillit të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Vdiq më 18 qershor 2004.

Burimi: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist IV (Tiranë: ISKK, 2015), 232
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.