Bashkëshortin ia vranë, e dënuan tri herë dhe vuajti mbi 16 vjet burgim

0
365
blank

Bedrije Salo Zeka (Ashiku), lindur në vitin 1923 Shkodër ishte shembull i qartë i asaj se çfarë hiqte gruaja në komunizëm. U dënua tri herë, duke vuajtur saktësisht 16 vjet, 4 muaj, 5 ditë burgim në vitet 1946-1949; 1951-1954 dhe 1970-1980. Pas dënimit të fundit u internua në vitet 1966-1970 dhe 1980-1985. Në këtë lemeri persekutimi, djali i saj, gjeti mundësinë dhe u arratis në vitin 1966, duke u vendosur në SHBA. Hyri në burg 23 vjeçe e doli prej andej 57 vjet. E vetme duhet të përballonte gjithçka.

Dënimi i parë

U arrestua më 11.9.1946. U akuzua për krime kundër shtetit dhe popullit. Gjykata Ushtarake Shkodër, me vendimin nr.542, datë 23.12.1947, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me 3 vjet privim lirie. U lirua më 11.9.1949.

Dënimi i dytë

U arrestua më 3.7.1951. U përfshi në një proces së bashku me shtetasit Danish Meta dhe Hajrulla Meta. U akuzuan për tentativë arratisjeje në Jugosllavi dhe agjitacion e propagandë në bazë të nenit 2/8 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946. Arratisja do kryhej me barkë nga Buna, por qëllimit nuk ia arritën.

Gjykata Ushtarake Shkodër, me vendimin nr.235, datë 13.12.1951, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me 5 vjet privim lirie, punë të detyruar dhe heqjen e së drejtës zgjedhore. Përjashtoheshin nga konfiskimi i pasurisë sepse nuk kishin. Danishi u dënua me 20 vjet dhe Hajrullai me 5 vjet. U la në fuqi me vendimin nr.25, datë 17.1.1952 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë. U lirua me kusht më 14.11.1954, sipas vendimit të Gjykatës Ushtarake Shkodër.

Dënimi i tretë

blank

U arrestua më 24.8.1970. U akuzua në bazë të neneve 64 në kombinim me nenin 10 dhe 185/2. Akuza ishte për tentativë për arratisje në Greqi. Këtë kohë ndodhej e internuar në Nenshat të Shkodrës. Më 21.8.1970 ajo ishte larguar nga vendi i internimit dhe kish udhëtuar në drejtimin Tiranë-Elbasan. Më 22 gusht, u gjend në Korçë dhe të nesërmen në Bilisht. Nuk ka marrë drejtimin e kufirit, por veprimi u quajt se atë qëllim kishte.

Gjykata e Rrethit Shkodër, me vendimin nr.37, datë 2.3.1971, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe me konfiskimin e pasurisë. U lirua më 18.8.1980 nga Reparti nr.318 Kosovë, duke e kryer thuajse të plotë dënimin e saj. Në fletën e lirimit shkruhej se ishte dënuar disa herë për thyerje disiplinore.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here