Martirët e “Harry Fultz”-it

0
295
blank

Bilanci i kobshëm i ish-nxënësve të shkollës teknike “Harry Fultz” në Tiranë që u dënuan me varje, pushkatim, ose humbën jetën në torturat e hetuesisë apo burgje

Nga Pjetër Pepa

Një shkollë e papërsëritshme me një bilanc të kobshëm që kalon mbi 20 të varur dhe të pushkatuar, të mbytur gjatë torturave, mbi 80 të dënuar e të masakruar burgjeve e kampeve të përqendrimit, mbi supet e të cilëve mbartin mbi 800 vjet burgim, të shpërndarë në të gjithë gjeografinë e dhimbshme të burgjeve shqiptare.

Historiku

Viti 1921. Pas Luftës së Parë Botërore themelohet në Tiranë Shkolla Teknike si e para shkollë profesionale shqiptaro-amerikane me ndihmën e Kryqit të Kuq të të rinjve amerikanë. Themelimi i kësaj shkolle ishte vijimi i politikës së vendosur të Presidentit amerikan Uilson kundër copëtimit të mëtejshëm të Shqipërisë së vogël që meritonte ndihmën e popullit amerikan. Brenda një periudhe të shkurtër 12-vjeçare ajo u bë një shkollë model nën drejtimin e pedagogut të shquar Hari Fulc dhe nëndrejtorit të palodhur Çarles Holing Sheat i cili edhe pse ishte mjaft i moshuar, kishte ardhur vullnetarisht si përfaqësues i Kryqit të Kuq Amerikan, duke ngritur që më 1920 spitalin fushor pranë Fierit (që në Luftën e Vlorës) e më vonë u bë organizatori kryesor i kurseve të gjuhës angleze. Iu përkushtua kaq shumë edukimit të rinisë shqiptare, saqë kishte caktuar edhe vendin ku do të varrosej tek ferma e re që po krijonte për shkollën me nxënësit e vet.

Parim nxitës dhe thelbësor i parashtruar nga zoti Fulc për çdo pedagog e student ishte: “Përpiqu ta bësh veten e vendin tënd sa më të vlefshëm e të nderuar për të jetuar në të dhe po qe nevoja, edhe të vdesësh për  të”. Siç shihet vazhdonte ndikimi i traditës së Linkolnit të pavdekshëm që e pagoi me jetën e vet çlirimin e skllavërisë dhe emancipimin e popullit amerikan.

Brenda periudhës 12-vjeçare 1921-33 nga Shkolla Teknike u diplomuan 156 studentë në specialitete të ndryshme duke rrezatuar në të gjithë Shqipërinë dhe përtej kufijve të saj jehonën e suksesit të Shkollës Teknike.

Trupi pedagogjik i shkollës, ndonëse drejtohej nga 2 amerikanët e sipërpërmendur, përbëhej edhe nga profesorë gjermanë e rusë, anglezë e çekosllovakë dhe në të ishin edhe profesorët Gaspër Beltoja e Hil Berisha nga Shkodra, Xhuv (Jani) Koljaka nga Kavaja, Ali Cungu nga Elbasani, Beqir Haçi nga Borshi, Kostaq Stefa nga Berati etj.. Madje në vitin e fundit 1934 ajo përbëhej nga 44 profesorë. Shkolla kishte 8 klasë me disa paralele sipas degëve dhe çdo klasë e çdo dhomë fjetjeje kishte Hans-master-in e vet që caktohej nga drejtoria. Shkolla kishte gjithashtu klube të ndryshme për nxënësit (teatral, muzikor, letrar, industrial, bujqësor etj.) dhe çdo klub kishte përgjegjësin, nënpërgjegjësin, sekretarin dhe arkëtarin, që çdo 4 muaj zgjidheshin me vota hapura. Ajo nxirrte gazetën shkollore “Laboremos” që u nderua me medaljen e artë të shtypit për shkollat e mesme në Amerikë.

Bijtë e shkollës martire

1946

Shaban Balla- 38 vjeç, banues në Tiranë. I ati Qamil Balla, ishte vrarë në vitin 1916 në betejë me forcat malazeze. Korrespondent i gazetës “Tajms”. Punon si gjeometër në Ministrinë Botore dhe kryen me korrespondencë dy kurset e para të Robert Kolezh-it të Stambollit. Përkthen nga anglishtja librin studimor “The Shkypetars” të Uilliams. Në vitin 1945 regjistrohet nëpunës në UNRA. Së bashku me Sami Qeribashin, Gjergj Kokoshin e Musine Kokalarin krijon organizatën “Bashkimi Demokratik” me grupet e “Monarkistëve”, të “Rezistencës” dhe të “Socialdemokratëve”. Arrestohet në janar të 1946 dhe i nënshtrohet torturave më çnjerëzore. Dënohet me pushkatim në mesin e atij viti. Më 2 korrik i refuzohet lutja për falje jete nga Kuvendi Popullor dhe më 3 korrik ora 5.00 e mëngjesit kryhet ekzekutimi. Në fjalën e fundit ka lënë porosinë “Ju lë kujdes fëmijët!”.

Ali Kavaja-34 vjeç nga Kavaja. Në vitin 1932 kryen me nota shumë të mira Shkollën Teknike për të punuar si financier në Tiranë. Bashkohet me demokratët e tjerë për të krijuar opozitën e parë demokratike në prag të zgjedhjeve të 2 dhjetorit. Dënohet me vdekje duke deklaruar para gjyqit: “Komunizmi dhe diktatura që po vendoset në Shqipëri nuk do të zgjasë shumë. Jam krenar që po vdes për idetë e mia, por jam plotësisht i bindur se gjakun tim do ta marrin demokratët e vërtetë!” Pushkatohet më datën 3 korrik me Shaban Ballën e 8 të tjerë. Në fjalën e fundit thërret: “Rroftë Shqipëria me Kosovën!...”

Ndrekë Kodheli-37 vjeç nga Shkodra. Në vitin 1927 kryen Shkollën Teknike për të punuar si përkthyes me instruktorët anglezë që erdhën për të organizuar xhandarmërinë dhe në drejtim të turizmit. Viti 1941 e gjen në Agjencinë e Transportit në Kosovë e pastaj sekretar dhe shef i turizmit. Arrestohet më 29 nëntor 1944, i nënshtrohet një gjyqi formal që fillon më 14 gusht 1945. Më 17 gusht, kryetari i trupit gjykues Halit Tafani vendos ndëshkimin e fajtorit Ndrekë Kodheli me 3 vjet burgim dhe punë të detyrueshme. Në vitin 1946 pritej një komision anglez që do të vizitonte burgjet. Me sa duket, Ndreka, zotërues i mirë i anglishtes, kishte marrë përsipër të fliste për shkeljen e të drejtave të njeriut. Kjo natyrisht duhej evituar-ai duhej eliminuar. Një natë e marrin nga burgu duke i thënë se do ta transferonin në burgun e Burrelit, por Ndreka në Burrel nuk arriti kurrë… Thonë se e pushkatuan rrugës pa gjyq…

Abdyl Sharra-35 vjeç nga Vlora. Kryen Shkollën Teknike dhe më pas, Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Romë. Punon në vende të ndryshme pune dhe viti 1946 e gjen kryeinxhinier në tharjen e kënetës së Maliqit. Tri muaj pas largimit nga ajo detyrë arrestohet si armik i popullit dhe akuzohet si “iniciator kryesor pwr sabotime” Më 8 nëntor 1946 ora 9.30 ditë e premte në sallën e kinemasë “17 Nëntori” ish-Nacionalit, me shumë të ftuar “të zgjedhur” në sallë, fillon gjykimi kundër 16 anëtarëve të “Grupit sabotator për tharjen e kënetës së Maliqit”. Procesi zgjati 10 ditë. U dënua me varje në litar.

Kujtim Beqiri-30 vjeç nga Velça e Vlorës. Rridhte nga një familje patriotike, i ati pjesëmarrës aktiv në Ngritjen e Flamurit më 1912 dhe në Luftën e Vlorës-1920. Në vitin 1932 kryen Shkollën Teknike dega elektrike. Në vitin 1940 përfundon me medalje të artë Inxhinierinë Civile (Rruga Ura) në Universitetin e Vjenës. Punon në Peshkopi, Prizren, Vlorë etj..Pas Çlirimit punon në ndërtimin e Rrugës së Rinisë, në Urën e Rrogozhinës dhe në korrik 1946 dërgohet drejtor në punimet e Maliqit. S’kaluan as 3 muaj dhe, sipas skenarit tashmë të parapërgatitur, në tetor fillojnë arrestimet…Nuk kishte si shpëtonte as Kujtim Beqiri edhe pse s’kishte veçse tre muaj që e kishte marrë atë detyrë. Më 19 nëntor u dha vendimi i gjykatës që e dënonte me varje në litar. Më 22 nëntor do të kryhej ekzekutimi…

Fulci  shkruan cilat ishin, sipas tij, arsyet kryesore të ekzekutimeve të dy ish-nxënësve të shkollës teknike të përfshirë në këtë grup:

1. "Vinin nga familje patriotike të Vlorës prandaj duheshin trajtuar si armiq të klasës. Të dy kishin vëllezër që shpëtuan duke ikur në Itali, Ymer Sharra (vëlla i Abdylit), ishte gjithashtu ish-profesor i vjetër i Shkollës Teknike.

2.Duhej gjetur kokë turku për të justifikuar dështimin e tharjes së kënetës që me mburrje ishte premtuar brenda 8 muajsh.

  1. Gjyqi duhej të shërbente për diskreditimin e Fulcit dhe për të shmangur ndikimin e prestigjit amerikan e të Shkollës Teknike në pragun e kthesës që do të bëhej në të ardhmen.” (Xhoana Fulc-biografi e Shkollës Teknike)

 

Namik Bardha- i lindur në Prevezë të Çamërisë. Më 1935, është kryepunëtor në ndërmarrjen “Rruga Ura” Peshkopi e pastaj Tiranë. Mbas çlirimit, emërohet gjeometër pranë Ministrisë Botore. Më 1946 transferohet me detyrë kryetar dege në NSHN në Elbasan. Më 1947 dërgohet për drejtimin e punimeve në spitalin e ri, Gjirokastër. Arrestohet më 27 maj 1947 si armik i popullit. Dëshmitarët flasin se i kanë bërë tortura të papara për të pranuar fajësinë, por Namiku, sipas dokumenteve, nuk pranon asnjë akuzë, duke thënë ndër të tjera: “Betohem se nuk kam bërë asnjë sabotim. Jam munduar të punoj brenda fuqive të mia dhe nuk di të kem sabotuar”. Dënimi nga gjykata ushtarake Gjirokastër: “dënim me vdekje si agjent i zbulimit anglo amerikan”, ekzekutim ky që do të kryhet në nëntor të vitit 1947.

Jani Koljaka- profesori dhe inxhinieri 61-vjeçar nga Kavaja. Diplomohet në vitin 1910 në Universitetin e Maltës për inxhinieri mekanike, ku dhe specializohet për ndërtim anijesh. I propozohet të qëndrojë atje, por kthehet në Shqipëri. Merr pjesë në Luftën e Vlorës. Ndihmon në themelimin e Shkollës Teknike ku caktohet pedagog për lëndët teknike e matematike. Pas Çlirimit, ish-drejtori Hari Fulc i bën disa vizita inxhinierit Jani Koljaka që është thirrur sërish nga drejtori i shkollës Gjergj Canco për të dhënë mësim në Institutin Teknik. Këto vizita përbëjnë krimin e profesorit, I cili pas largimit të Fulcit, arrestohet. Vdes në hetuesi.

Lista vijon me dënimet e vitit 1947

Mirush Përmeti-34 vjeç nga Manastiri. Kryen shkollën fillore në Austri, ku i ati bënte stazhin e doktoratës në mjekësi. Në vitin 1932 kryen Shkollën Teknike dhe pastaj studimet e larta në Itali. Në korrik 1946 dërgohet për punimet e tharjes së Kënetës së Maliqit…s’bën as tre muaj dhe më 29 nëntor 1946 arrestohet si sabotator…Pas një muaji, më 29 dhjetor 1946, do të dënohej me vdekje. Pushkatohet më 21 janar 1947.

Neki Radovicka-39 vjeç nga Kolonja. Kryen shkollën fillore në Turqi dhe atë Teknike me nota të shkëlqyera në Tiranë. Dërgohet në Itali pranë Fondacionit Rockfeler (Instituti për zhdukjen e malarjes në Ballkan) që subvencionohej nga ShBA. Specializohet atje gjatë viteve 1929-33. Kthehet në Shqipëri e punon në fondacionin antimalarik deri në vitin 1939. Gjatë viteve 1939-1945 punon pranë Ministrisë së Shëndetësisë në sektorin e malarjes. Nga viti 1945 deri në fund të vitit 1946 punon në UNRA. Arrestohet më 15 maj 1947 si agjent i zbulimit amerikan. Vdes gjatë hetuesisë, pa e pranuar akuzën, pa iu ditur ende sot ku i ka eshtrat.

Sami Sulstarova-40 vjeç nga Pogradeci. Emërohet në Normalen e Elbasanit (1927) si mësues i edukimit fizik dhe bojskautizmit. Më 1929 është profesor i vizatimit teknik në Shkollën Teknike të Tiranës. Më 7 gusht 1929 është profesor i vizatimit teknik në Shkollën Teknike të Tiranës. Më 7 gusht 1929 përfaqëson Shqipërinë në mitingun ndërkombëtar të bojskautizmit. Në vitin 1929 pranohet në Institutin Politeknik të Londrës që e ndërpret për arsye familjare për t’u kthyer në Pogradec si mësues…Mbas Çlirimit, si zotërues i mirë i gjuhës angleze emërohet nga kryeministria në UNRA ku punon deri në vitin 1946. Në mesnatën e 31 dhjetorit 1946, arrestohet dhe zhduket pa iu ditur as varri.

Loni Adami-36 vjeç. Mbaron Shkollën Teknike dhe punon si elektro-teknik në shoqërinë “Sita”. Nga viti 1929-1939 punon si sekretar në Ambasadën Amerikane. Në shtëpinë e tij u përpunua platforma e Mukjes për bashkimin kombëtar e demokracinë e ardhshme. Arrestohet më 2 tetor 1946, ndërsa ishte në fshatin e origjinës, Progër, me gjithë të shoqen. Kalon nga hetuesia e Korçës në atë të Tiranës e ndërkaq “spiuni i Fulcit dhe i Legatës Amerikane” nuk pranon të nënshkruajë  deklaratën. Si pasojë e trajtimit nga hetuesia, në maj të vitit 1947, shtrohet në Spitalin Ushtarak për të dhënë shpirt.

Nga viti 1948, vijojnë arrestime të tjera:

Kamber Kazazi-35 vjeç. Në vitin 1933 kryen Shkollën Teknike si edhe një kurs në Normalen e Elbasanit. Më 1936 është mësues në Krijë e pastaj në Përmet. Më 1943 deri në gusht të vitit 1947 kthehet për të punuar në qytetin e tij, Elbasan, ku arrestohet si armik i popullit dhe agjent i amerikanëve. Gjykata e Elbasanit më 30 dhjetor 1947, vendos dënimin e Kamber Kazazit me vdekje. Vendimi miratohet shpejt edhe nga Gjykata e Lartë dhe më 26 shkurt do të bëhej ekzekutimi.

Kostaq Stefa-43 vjeç nga Berati. Më 1926 mbaron Shkollën Teknike ku emërohet mësues për klasat e ulëta. Është një nga themeluesit e bojskautizmit dhe boton revistën e shkollës “Laboremos”. Kryen studimet e larta në Institutin e Magjisterës-Firence për shkencat shoqërore filozofi-filologji. Publicist e përkthyes që zotëron disa gjuhë. Gjatë viteve 1933-1939 punon si mësues së bashku me të shoqen, Elena Jançe në Shkodër, Korçë, Peshkopi dhe më pas në Berat. Arrestohet si spiun i Fulcit, torturohet gjatë 7 muajve hetuesi, pa e pranuar akuzën. Dënohet me vdekje. Ekzekutohet më 3 mars 1949.

Mahmut Maçi-31 vjeç nga Tirana. Shkollën Teknike e kryen në degën bujqësore. Punon në Ministrinë e Bujqësisë, pastaj në Shkollën Bujqësore Kavajë. Në vitin 1942 është profesor në Shkollën Pedagogjike Elbasan. Në vitin 1947 arrestohet dhe në fund të vitit gjykohet. Më 2 mars 1948, gjykata e dënon me pushkatim, vendim që miratohet po atë ditë edhe nga gjykatësit e lartë Haznedari e Çeta. Pushkatohet më 9 mars 1948 ora 19.00. Fjala e fundit ishte: “Rroftë Shqipëria. Rroftë nacionalizmi pa parti!”. Pas dy javësh, dënohet me vdekje vëllai tjetër Vaidi. Plagët e hapura nga këto dy vdekje marrin shpejt edhe nënën Sabrien dhe motrën Zybejde. Mahmuti la pas gruan e re dhe djalin e porsalindur për t’u bërë ballë tallazeve.

Dino Shani-38 vjeç. Lind në Stamboll ku kreu shkollën fillore pranë një shkolle amerikane. Në vitin 1929 kryen Shkollën Teknike të Tiranës për elektromekanikë. Kryen studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Modena Itali dhe më 1934 kthehet të punojë pranë ushtrisë shqiptare deri më 7 prill 1939, kur kalon si nëpunës i Bankës Shqiptare. Pas Çlirimit, është nëpunës në UNRA deri më 27 shtator 1946, kur arrestohet si armik i popullit e bashkëpunëtor i amerikanëve. Dënohet me vdekje më 7 prill 1948. Bën kërkesë pranë Gjykatës së Lartë duke përsëritur për të satën herë se nuk është spiun, por i refuzohet dhe pushkatohet.

Namik Hadëri-35 vjeç nga Delvina. Më 1932 kryen Shkollën Teknike në degën normale dhe diplomohet mësues. Punon si mësues në rrethet Delvinë e Gjirokastër në luftën kundër analfabetizmit. Arrestohet më 22 korrik 1947 si armik i popullit në shërbim të agjenturës amerikane të kryesuar nga Fulci. Pesë muaj hetuesi e tortura dhe dënohet me vdekje “për pjesëmarrje në grupin armiqësor të Fulcit për agjitacion e propagandë dhe dhënie informatash”. Gjykohet në nëntor dhe po atë muaj edhe ekzekutohet pa iu ditur ende sot ku i ka eshtrat.

Haki Pengili-40 vjeç nga Kruja. Punon si ofiqar i gjendjes civile në Bashkinë e Kavajës. Është i martuar me pesë fëmijë. Arrestohet më 8 shtator 1947 për shkak se “…Pas çlirimit organizohet për të përmbysur pushtetin me dhunë me ndihmën e imperializmit amerikan (mister Fulcit)…”. Dënohet me vdekje ai dhe shokët e tjerë që ka në bankën e të akuzuarve. Sipas dëshmitarëve, Xheladin Kuqi, Medi Kuqi dhe Haki Pengili u pushkatuan më 30 korrik 1948.

Anton Delhysa-47 vjeç nga Prizreni. Drejton punimet për ndërtimin e Shkollës Teknike Tiranë, Legatës Amerikane, Shkollës Bujqësore Kavajë etj.. Punon në zyrën teknike të Tiranës. Pas çlirimit është drejtues dhe zbatues pranë zyrës teknike në NSHN Tiranë. Ka fituar 3 medalje pune në rindërtimin e vendit, duke drejtuar ndërtimin e fabrikës së sheqerit në Korçë, në fabrikat e vajit, në spitalin e Gjirokastrës, në lulishten në sheshin “Skëndërbej” në Tiranë, etj.. Ishte mes viktimave që u ekzekutuan pas hedhjes së dinamitit në Ambasadën Sovjetike në vitin 1951. Arrestohet më 25.2.1951. Ish-nxënësi i Shkollës Teknike do të akuzohej për hyrjen në shërbim të spiunazheve të imperializmit. Ai deklaronte: “Akuzën nuk e pranoj, s’kam asgjë me Fulcin e Amerikën…Nuk pranoj se kam qenë spiun amerikan…”.

Përfundim

Ishin kaq shumë e kishte po aq shumë për të thënë. Për asnjë çast familjarët e Xhaferr Zotës e të shumë demokratëve të tjerë të përkushtuar, ish-nxënës të shkollës, mos të kujtojnë se janë harruar. Janë edhe ata mbi 80 që u martirizuan së gjalli një jetë të tërë duke kaluar mbi 800 vjet burg…

Marrë me shkurtime nga libri “Dosja e diktaturës”, Pjetër Pepa, ISKK

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here