Shuhet Didi Biçaku, dëshmitarja e orëve të fundit të Sabiha Kasimatit

0
464
blank

Është ndarë nga jeta, këtë shtator, në moshën 99-vjeçare Didi Biçaku, gruaja që u arrestua bashkë me dhjetëra qytetarë të tjerë, pas hedhjes së dinamitit në Ambasadën Sovjetike, në shkurt të vitit 1951 dhe që qëndroi në një birucë me Sabiha Kasimatin, para se shkencëtaren ta merrnin për ta pushkatuar.

 

Një postim i Dr.Orhan Sakiqit, më 10 shtator, njoftoi ndarjen nga jeta të Didi Biçakut, siç e thërrisnin të gjithë Hedije Biçaku Maliqin. Didi po jetonte vitin e 100-të të jetës, pasi kishte mbushur 99 vjeç këtë maj. Një jetë e gjatë, ku me siguri një nga ngjarjet me gjurmë më të thellë ka qenë arrestimi natën e 23 shkurtit 1951, kur vajzën 26-vjeçare e morën natën në shtëpi për ta dërguar bashkë me dhjetëra qytetarë të tjerë në burgun e Tiranës. Më 19 shkurt, një sasi e vogël dinamiti kishte plasur, në oborrin e ish-Legatës Sovjetike në Tiranë duke thyer vetëm disa xhama. Me këtë rast, partia në pushtet urdhëroi një valë masive arrestimesh të njerëzve që nuk kishin të bënin me incidentin, por që për një arsye ose tjetër shiheshin si armiq. Listës së gjatë iu vendosën 22 kryqe pranë emrave që u vendos të pushkatoheshin pa gjyq. “Mund të ishte e 23-ta në masakrëne “bombës në Ambasadën Sovjetike” më 26 shkurt 1951”, shkruan Sakiqi, në postimin e tij që po e vijojmë të plotë:

"Mbas pak kohësh që kishim hyrë ne banesë e gjej në apartamentin tonë duke biseduar me nënën time.

E pyeta nënën:

-Kush është kjo grua fisnike?

-Është Didi Biçaku, bijë e patriotit Qamil Biçaku, mbesë e Aqif Pashë Elbasanit, gruaja e agr. Maliqit diplomuar në Vjenë.

Më shumë pa punë në kohë të diktaturës.

Në takimin e 26 shkurtit të 2011 per përkujtimin e 22 viktimave akuzuar për “bombën e hedhur në Ambasadën Sovjetike” foli zonja Didi.

Fjala e saj ishte tronditēse, sepse ishte e vetmja dëshmitare okulare që shoqëroi deri në kamionin ku do të shkonte drejt pushkatimit te vetmen femër ndërmjet 21 martirëve, Sabiha Kasimatin.

Zonja Didi Biçaku tregoi: “Jam arrestuar mē 23-02-1951 mbas mesnate ‘në emër të popullit’.

Më futën në një kaush ku gjej Sabihanë e cila dridhej nga i ftohti. I dhashë pallton time që e mori me vete në ditën e pushkatimit. Pas pak na mblodhën në një sallë ku Mehmet Shehu thërriste:- Jeni armiq!

Mbi 150 vetē të arrestuar kryqi ishte vënë mbi emrat e 22 personave. Si Gestapo që në radhë i merrte çdo të pestin. E kryqi ishte vënë te emri i Sabihasë sepse diktatori e njihte që nga Liceu i Korçës. Para nisjes së kamionit ishim të lidhura së bashku. Na zgjidhën. Sabihaja mbeti në kamion, unë poshtë. Doja te mos ndahesha nga Sabihaja. Kur kamioni u nis një polic më thotë: Ku doje të shkoje në urën e Beshirit (vendi i ekzekutimit)?

Mbas katër muajsh hetuesie me liruan. Mbas lirimit nuk mund të isha mësuese. Punova në ndërtim ku arrita kategorinë e gjashtë. Më vonë në rrobaqepësi.”

Lufta e klasave kishte gjetur objektivin e vet në familjen patriotike Biçaku. Didi, kështu e thërrisnin, mund të ishte e 23-ta. Numri i të pushkatuarve qe 22. Vetëm pak gjë e ka ndarë nga vdekja.

Didi i kujton ato ditë tmerri dhe si ajo mund të jenë edhe të tjerë. Dëshmitë e tyre duhen marrë sa nuk është vonë. Dhe unë e kam marë këtë deshmi në shkurt 2011 për ta ribotuar sot, me shkurtime, në ditën e ndarjes nga jeta të Didi Biçakut." (Wikipedia e shënon datën e ndarjes nga jeta 6 shtator)

Didi Biçaku ka dhënë një intervistë edhe për gazetaren Violeta Murati, publikuar në gazetën Standard në 64-vjetorin e pushkatimit të 22 intelektualëve e tregtarëve, më 26 gusht 2015, ku ka rrëfyer arrestimin e saj.

“Ishte ora 12 e natës kur ra dera e shtëpisë sime. Ishin tre të Sigurimit, të cilët të armatosur hynë brenda. Erdhën dhe më pyetën: Kush je ti? – Unë jam Diti Biçaku, iu thashë. – Në emër të popullit je arrestuar! Më vunë hekurat. Bënë një kontroll të imët nja një orë e ca në shtëpi, por nuk gjetën asgjë. Ashtu e lidhur u hodha sytë prindërve që po qanin me lot. U thashë të mos kenë gajle se unë isha pa faj e se do kthehesha prapë. Në ato momente nuk e di, por Zoti më dha forcë. Dola bashkë me ata të Sigurimit, të cilët ishin tre veta; njëri më rrinte majtas, tjetri djathtas e i treti përpara. I fola njërit që kisha në krah: Ku po më çoni? – Mos fol! – më bërtiti. Drejt e në qendrën e qytetit, ku është Sahati. Pastaj na drejtuan te burgu i ri (kështu i thoshin atëherë). Por kur dolëm te sheshi “Skënderbej” ishte mizëria me të burgosur. Rrugët ishin të mbushura me plot të arrestuar e drejtimi i të gjithëve ishte drejt burgut të madh. Të gjithë të burgosurit shoqëroheshin me nga tre të Sigurimit dhe kështu ne nuk mund të kthenim kokën as majtas, as djathtas që të shihnim njëri-tjetrin. Te burgu i ri pritëm shumë sepse nuk mbaronte radha e të burgosurve. Unë nuk e di në isha e fundit apo e parafundit. Kur më erdhi radha hyra te dera e parë. Një kërcitje e tmerrshme nga pas. Pas saj ishte një tunel shumë i errët që ndriçohej nga një dritë e zbehtë. Kaluam derën e dytë dhe pastaj më futën në një birucë. Biruca ishte pus. Nuk kishte fare dritë. Më lanë aty dhe i vunë llozin derës. Unë nuk e dija ku isha. Në atë moment u ndez një fije shkrepëse në mes të 5-6 vetëve që ishin të gjitha gra. Mes tyre ishte dhe Sabiha Kasimati. Ishte ajo që ndezi fijen e shkrepëses. Kush je?- më tha, se nuk shihej mirë. – Jam Diti Biçaku, iu përgjigja. Në vend që të më thoshte “obobo”…se më kishin arrestuar, tha “o shyqyr”, ngaqë i doli një e njohur në atë tmerr. Unë, Sabiha Kasimatin e kam njohur që kur kam qenë në Elbasan”.

Didi Biçaku ka rrëfyer edhe çfarë ndodhi me Sabihanë, pasi ato dolën nga hetuesia me Mehmet Shehun dhe të tjerë.

“Pas pak dëgjuam zhurmën e një makine të madhe. Ajo makinë vinte gjithmonë aty e mbuluar. Edhe sot e kësaj dite zhurmën e makinës më duket se e dëgjoj. Erdhi makina te dera dhe i futën të gjithë të lidhur. As kokën s’e ngrinin dot. Ne nuk e mendonim kurrë se po i çonin për t’i pushkatuar, por mendonim se ata shpëtuan dhe po i lironin. Ne ishim të gjithë të pafajshëm. Erdhën dhe morën edhe Sabihanë që e hipën në atë makinë. Në atë moment ajo më tërhiqte që të shkoja me të. Unë doja të shkoja me Sabihanë, por një nga gardianët më tërhoqi dhe makina u nis. Me sa duket unë nuk isha në listë për t’u pushkatuar. Nuk e di si shpëtova, por në atë kohë pyesja "o Zot, pse nuk shkova dhe unë me Sabihanë?", sepse mendoja se atë e kishin liruar.”

Didi Biçaku Maliqi

Didi lindi në maj të vitit 1924 në Elbasan. Së bashku me motrën e saj të madhe, Semije Sejdini, vajza e Qani Biçakut, mbesa e Aqif Pashë Elbasanit, të dyja ndoqën Institutin Pedagogjik “Nëna Mbretëreshë”. Babai i tyre ishte futur në burg nga xhonturqit sepse merrej me çështjen kombëtare dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe . Aty u sëmur dhe vdiq duke lënë vajzat jetime.

Pasi mbaroi shkollën në vitin 1947, Didi u emërua mësuese në fshatin Paftal të Beratit. Pas dy vitesh punë e pushojnë pasi xhaxhai i saj futet në burg. Shkon të ankohet dhe fillon punë në një farmaci të Kryqit të Kuq Shqiptar, por e pushuan sërish nga puna.

Në vitin 1951 ato jetonin së bashku me nënën dhe bashkëshortin e motrës, avokatin e shquar Fejzo Sejdini, në shtëpinë e vajzës së Bajram Currit, kur Didin erdhën për ta arrestuar.

Pas daljes nga burgu, Biçaku punoi si rrobaqepëse, më vonë si punëtore ndërtimi. Ajo u martua në familjen Maliqi, pati dy fëmijë dhe jetoi në Tiranë.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here