Lindi në lagjen Mangalem, Berat. Pas shkollës qytetase, shkoi të studionte në Shkollën Teknike “Harry Fultz”. Në vitin 1926 përfundoi studimet në këtë shkollë me rezultate të shkëlqyera. U mbajt pedagog në këtë shkollë ku dha mësim deri në vitin 1933. Në vitin 1927 u zgjodh kryetar i organizatës së parë “Boy Scouts” të Shqipërisë. Studoi deri në vitin 1936 në Firence dhe më pas u kthye në vendlindje.

Gjatë viteve të luftës, shoqëroi drejt kufirit një grup mjekësh dhe infermierësh amerikanë që u kishte rënë avioni në Shqipëri, pasi strehoi dy prej tyre në shtëpinë e tij, duke qenë që ishte njohës shumë i mirë i anglishtes. Ky shoqërim u bë me urdhër të partizanëve, duke qenë që amerikanët në atë kohë ishin aleatë, por pas mbarimit të luftës ata nisën të konsideroheshin kundërshtarë dhe të gjithë personat që kishin qenë në kontakt me ta, veçanërisht ish-nxënësit e Harry Fultz-it, nisën të dënoheshin. Kështu i erdhi radha edhe Kostaq Stefës. E arrestuan në shtëpi, në 8 shtator të vitit 1947. Deri në mesin e janarit, u mbajt në hetuesi, ku siç dëshmonin rrobat e gjakosura që i dorëzonte familjes, torturohej vazhdimisht. Në mes të janarit 1948 u bë gjyqi ushtarak me dyer të mbyllura në kinemanë e Beratit i drejtuar nga kapiteni Bexhet Mema, i sjellë nga Gjykata Ushtarake e Elbasanit. Dënohet me vdekje si agjent i amerikanëve. Kërkesa për falje nuk merret parasysh.

U ekzekutua më 3 mars 1948 bashkë me Hamit Myftiu (ish-deputet), Tajfur Haznedari dhe klerikun bektashi, Bedri Cakrani. Eshtrat e tyre u gjetën pas 45 vjetësh, më 18 janar 1993, të lidhur me zinxhir kuajsh, të mbyllur me dryn, në zonën e Uznovës.

Burimi: Libri "Kostaq Stefa, Martir i Demokracise", Eleni Stefa
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.