Njeriu që nuk i vjen Shqipërisë në të paktën 75 vjet

0
3167
blank

Një kalorës i së drejtës i torturuar me hekur të skuqur dhe i vrarë pa mëshirë nga hetuesit komunistë që vetëm me dhunën e pushtetit mund të fitonin mbi të. Nëse kjo mund të quhet fitore ...

 

Më 30 shtator 1946, në një shtëpi të sekuestruar e të kthyer në hetuesi në Shkodër, humbi jetën në tortura e sipër, Myzafer Pipa.

Ishte vetëm 32 vjeç e megjithatë ishte një nga avoktatët më të njohur në Shqipëri. Ishte dhe një nga njerëzit që kishte lënë gjurmë në jetën publike në disa fusha që ndoshta nuk kishin të bënin me njëra-tjetrën, por bashkoheshin te ky i ri të cilin më shumë se në jetë, ke shansin ta hasësh në romanet ku autorët nuk kursehen me cilësitë që i japin heroit të tyre. Me Myzaferin nuk ishte kursyer Zoti!

“Pas kulturës së gjerë juridike dhe social-politike, ai kishte dhe njohuri të thella në fushën letrare e artistike. Ai njihte e ndjente si muzikën popullore e të kultivuar shkodrane, ashtu dhe atë klasike për të cilën kishte njohuri të thella e interpretonte dhe vetë herë pas here si amator. Myzaferi gjithashtu ishte një tip shumë i dashur dhe i shoqërueshëm me një rreth të gjerë miqsh e shokësh... Ai ishte tip vital e me humor, që dinte ta harmonizonte hokatarin me seriozitetin në punë e jetën shoqërore qytetare. Myzaferi ishte njohës i disa gjuhëve të huaja dhe shumë i dhënë pas librave, ku biblioteka e shtëpisë tyre ka qenë një nga më të njohurat në qytetin e Shkodrës. Myzaferi vishej me shije të hollë dhe kishte sensin e masës në çdo hap të jetës”, shkruan për të Uran Kalakulla, burri i motrës së Myzaferit dhe ish-i dënuar politik.

Le ta përmbledhim jetën dhe veprimtarinë e tij përmes ngjarjeve kryesore.

Myzafer Pipa ishte fëmija i parë dhe i vetëm i avokatit Mustafa Nuri Pipa nga martesa e parë. Mustafai ishte diplomuar në Stamboll. Kur u vendos në Shkodër dhe u martua për herë të dytë, i dha Myzaferit katër motra e një vëlla, Arshiun.

Myzaferi studioi në gjimnazin e Fretënve  të Shkodrës “Illyricum”. Pavarësisht moshës së re, bëhet pjesë e ekipit profesionist të futbollit të Vllaznisë.

blank

Viti 1936. Falë rezultateve të shkëlqyera, fiton të drejtën e studimeve në Universitetin e Padovas në Itali në degën e Jurisprudencës.

Viti 1939. Kur ishte student në vit të fundit, Shqipëria pushtohet nga Italia, fakt që ai e proteston hapur. Në një lokal ku mblidheshin zakonisht studentët shqiptarë, Myzaferi së bashku me disa shokë të tjerë këndoi me zë të lartë këngën “Vlora Vlora / bjeri më të lumtë dora”, së cilës prej vitit 1920, italianët ia kishin mësuar kuptimin. Për këtë arsye u arrestua si antifashist. U dënua me burg duke u dërguar për ta vuajtur dënimin në kampin e Ventotenes.

Viti 1940. Mbas një viti internim, Myzaferi u lirua dhe u kthye në Universitetin e Padovas, ku mori dhe diplomën me rezultate të larta.

1940-1943. Mbas diplomimit Myzafer Pipa u kthye pranë familjes në qytetin e Shkodrës dhe po atë vit, nga ana e qeverisë shqiptare ai u emërua për të punuar si gjykatës në Gjykatën e Shkallës së parë të Tuzit, që ishte brenda kufijve politikë të Shqipërisë së asaj kohe, të njohura dhe nga Italia fashiste e Musolinit. Në atë gjykatë, Myzaferi nuk punoi as tre muaj dhe dha dorëheqjen. Arsyet e dorëheqjes ai i shpjegoi duke thënë: “Unë nuk kam mbaruar shkollën për të dënuar njerzit, por për t’i mbrojtur ata, aq më shumë kur dënohen politikisht”.

Pas kësaj ai u kthye dhe u vendos në qytetin e Shkodrës, duke punuar si avokat në studion e babait tij, Mustafait. Përveçse në qytetin e Shkodrës, Myzaferi ushtronte profesionin dhe në Tiranë, ku më vonë, në tetorin e vitin 1943, u vendosën të gjithë familjarisht. Që nga viti 1940 e deri në tetorin e 1943- it, mori pjesë në shumë gjygje politike duke marrë përsipër mbrojtjen e shumë personave, kryesisht të rinj që akuzoheshin si antifashistë.

Viti 1943. Myzafer Pipa hap revistën “Fryma” me pikëpamje atdhetare dhe përparimtare, ku bashkëpunonte me vëllanë e vet, Arshi Pipën, Qemal Draçinin etj. Në numrin e fundit të asaj reviste, Myzaferi shkroi një artikull ku analizonte dhe kritikonte disa nga gabimet e qeverisë shqiptare që ishte asokohe nën okupacionin gjerman. Ai artikull i solli Myzaferit shumë andralla deri sa përfundoi i arrestuar nga gjermanët. Pas kësaj, aty nga vera e vitit 1944, ai u internua në kampin e Prishtinës.

blank

Pas daljes nga kampi i Prishtinës, Myzaferi u vesh si partizan dhe, duke kaluar nëpër male, erdhi deri në Priskë të Tiranës ku ishin grumbulluar formacione të mëdha partizane e ndodhej shtabi kryesor i tyre. Ndonëse me uniformën e partizanit, ai nuk u inkuadrua në asnjë formacion të tillë dhe nuk mori pjesë në asnjë aksion të tyre. Mbarimi i Luftës e gjeti Myzafer Pipën në shtëpinë e tij në Tiranë, pranë prindërve, motrave e vëllait Arshiut. Myzaferi nuk mendoi kurrë që të largohej nga Shqipëria si shumë nacionalistë të tjerë, për arsye se ai ishte i njohur si një antifashist dhe ishte dënuar si nga italianët, ashtu edhe nga gjermanët. Në këto rrethana, ai vendosi dhe hapi përsëri një zyrë avokatore në qytetin e Tiranës, për të ushtruar profesionin e tij.

Mars 1945. Në këtë avokatore e gjeti Myzaferin marsi i vitit 1945, kur regjimi komunist hapi “Gjygjin Special”, për dënimin e atyre që i konsideronte si kriminelë lufte. Myzafer Pipa pati kurajon që të merrte përsipër mbrojtjen e Tahsin Bishqemit, Abedin Xhikut, Andon Kozmaçiut e Manush Peshkëpisë. Në një nga seancat ai u tha drejtuesve të gjyqit diçka të papritur që përshkoi altoparlantët e shesheve, të radiove dhe u regjistrua në kronika dhe kujtesën e njerëzve: Si asht e mundun zotnij, që një trup gjykues, i cili për kryetar ka një “ish-teneqexhi” -për Koçi Xoxen - e për prokuror një “ish-kafexhi” - për Bedri Spahiun - të mundet sot me gjykue elitën e kulturës shqiptare?

Janar 1946. Në Shkodër ishin arrestuar disa klerikë dhe disa anëarë të së ashtuquajturës organizatë të “Bashkimit Shqiptar”. Zef Pllumi në librin e tij të kujtimeve e përshkruan me detaje takimin që organizuan priftërinjtë në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit për të gjetur avokatin për Gjon Shllakun. “Të gjithë ia propozuen Myzaferit. Ai përgjegji se do t’ishte shumë i nderuem ta mbronte At Gjonin, bile ishte nji detyrë ndaj françeskanve, porse në kët process ishte i ngarkuem randë edhe me mbrojtjen e nji prej kryesuesve të Bashkimit SHqiptar e kështu mund të binte në sy, e në vend që me e mbrojtë edhe mund ta rrezikonte”, shkruan Zef Pllumi. Vazhduan me alternativat e tjera, por pastaj iu kthyen sërish Myzaferit, duke qenë se mbrojtja e tij ndaj një kleriku katolik do ishte më e besueshme duke qenë që ai i përkiste fesë myslimane. “Myzaferi tha se jo vetëm ishte gati për kët mbrojtje, por ai para komunistave këtu kishte nji minus të madh sepse ai vetë edhe pse mysliman, kishte studjue në gjimnazin françeskan derisa ishin mbyllë shkollat e klerit në 1933 dhe kështu logjika partizane do ta nxirrte të kompromentuem si bashkëpunëtor”.

E megjithatë Myzafer Pipa, bashkë me kolegë të tjerë, ishte i pranishëm në atë gjyq si avokat mbrojtës. Gjyqi u zhvillua në kinema “Rozafat” të Shkodrës në janar 1946 nën drejtimin e kryetarit Mustafa Iljazi dhe anëtarëve Namik Qemali e Tonin Miloti dhe prokuror Aranit Çela... Salla mbulohej nga brohoritjet “plumbin ballit, plumbin ballit” për klerikët dhe pjesëtarët e “Bashkimit shqiptar” dhe Avokati Muzafer Pipa i bëri kërkesë trupit gjykues për nevojën e pak etike që kërkonte zhvillimi normal i një procesi gjyqësor. Aranit Çela iu përgjigj: “E po, ç’të bësh, ky është populli!..”.

Në një nga seancat prokurori Aranit Çela deklaron: “Me qenë se avokat Muzafer Pipa, implikohet në këtë proces, se ka pasë dijeni dhe se ka kënduar trakte të këtyre organizatave, apo ka qenë pjesëtar, kërkoj që të përjashtohet si përfaqësues mbrojtjeje i të pandehurit Patër Gjon Shllaku me shokë”. Kërkesa e tij u pranua nga drejtuesit. Trupi gjykues e përjashton Av. Pipën si përfaqësues i mbrojtjes së të pandehurve duke emëruar avokat Ranko Çerankoviq. Avokat Muzafer Pipa doli nga salla e gjyqit.

Disa muaj më pas, pas Lëvizjes së Postribës, Myzafer Pipa arrestohet. Po të ishte zhvilluar një gjyq normal ndaj tij, me siguri gjatë mbrojtjes do të përmendej kërcënimi i hapur që i kishte bërë prokurori i asaj kohe, Aranit Çela në bar “Impero”: "Hë... Muzafer Pipa, e kemi ruajtur një gjysmë leku edhe për ty!"

30 shtator 1946. Myzafer Pipa prej ditësh ndodhet në Seksionin e Sigurimit të Shtetit në Shkodër, që dikur kishte qenë shtëpia e Pjetër Çurçisë, pranë “Sahatit të Inglizit”. “Zoi Themeli dhe Vaskë Koleci i kishin lidhur krahët mbrapa Av. Muzafer Pipës. Skuqën një hekur dhe vendosën me ia kalue në muskujt e dy krahëve mbas shpine... Mbasi hekuri kaloi krahun e djathtë...nga dhimbjet e forta, trupi i Myzaferit bani lëvizje që katilët nuk mujtën me i kontrollue... Hekuri i skuqun takoi për shtyllën kurrizore dhe Myzaferi, mbylli jetën në mënyrën ma mizore. Më 30 shtator 1946, u përhap edhe “legjenda” nga agjentët e Sigurimit shtetit në gjithë Shkodrën”, shkruan Fritz Radovani. Legjenda ishte sikur Myzaferi kishte tentuar të ikte dhe prandaj ishte qëlluar dhe ishte vrarë.

Si mund t’i kuptosh torturat çnjerëzore që pësoi?

Si mund ta pranosh vrasjen e tij sikur ky të kish qenë krimi i vetëm i atij regjimi?

Si asht e mundun zotnij?

Nëse nuk ngrihet zëri, si mund të thuhet që nuk pajtohemi në heshtje?

Ndoshta te krimet e diktaturës dhe heshtja pas saj është përgjigjja përse duket sikur njerëz si Myzafer Pipa nuk i vijnë më shoqërisë sonë. Ose të paktën ka 75 vjet që nuk i vijnë.

a.çano/kujto.al

Shënim: Të dhënat e këtij shkrimi janë mbështetur në publikimet e Uran Kalakullës, Zef Pllumit dhe Fritz Radovanit.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here