"E kishin varun në nië pemë dhe po e torturonin, Zoi Themeli me Pjerin Kçirën..."

0
2334
blank

Tri dëshmi mbi torturat e 14 muajve hetuesi, që provoi 62-vjeçari monsinjor Frano Gjini, para se të pushkatohej.

Monsinjor Frano Gjini, ishte 62 vjeç, kur e nxorën para togës së pushkatimit mëngjesin e 11 marsit 1948. Ai ishte abati i fundit i Abacisë së Oroshit. Ishte po ashtu përfaqësuesi më i lartë i Vatikanit në Shqipëri. Kishte guxuar të kundërshtonte Enver Hoxhën, duke mos iu bindur që të bënte shkëputjen e kishës katolike prej Vatikanit dhe si përgjigje e kësaj ishin 14 muaj tortura, një gjyq fars plot akuza të rreme dhe rreshtimi para togës së pushkatimit, ende pa aguar 11 marsi i '48, afër varrezave të Rrmajit. Pas të shtënave me breshëri atë mëngjes, gjithçka u la në terr. Eshtrat e tij ende nuk dihet ku janë.
Por pse duhej të torturohej aq mizorisht, një i moshuar si ai, deri në çastet e fundit të jetës? Dëshmitë rreht këtyre torturave, që mbërrijnë deri në ditët e sotme, janë rrëqethëse.

Prof. Adem Bazhdari, ka lënë këtë dëshmi:
"Nuk e harroj kurrë Imzot Gjinin të varun në një pemë, po e torturonin. Erdhi Zoi Themeli dhe Pjerin Kçira, monsinjori u lypi pak ujë. Pjerini mori një tas dhe ia mbushi me urinën e vet aty mbas një peme dhe ia dha t'a pijë Monsinjorit, që kishte ma shumë se dy ditë pa pi ujë. I shkreti Monsinjor, piu shka i dhanë ata mizorë. E zgjidhën, ai ra për tokë, nuk ecte, e sollën me dy policë në dhomë dhe mbas pak minutash erdhën e na morën të dyve, sa mërrijtëm në krye të shkallës së gurit ndër fretën, Pjerini hodhi poshtë At Matin... mendueme se e mbytën por, jo, ishte gjallë i gjakosun fëtyrët, - E shihni? -Na pyeti Zoi, - kështu do ta pësoni dhe juve, mos flisni po deshët!... Kur na çuan në dhomë Monsinjori tha vetëm kaq: "Për hatër të Zotit!...." dhe fshani... Krahët, kambët dhe shpinën i kishte me plagë të qelbëzueme, ia mjekonin vetëm me krypë dhe ja lynin me pezhgëve të nxehtë, stjetullat i kishte gjithmonë të hapuna tue kullue qelb nga vezët e zieme dhe të ngrohta që i venin gjithnjë".

At Konrad Gjolaj në librin e tij "Çinarët" publikon këtë dëshmi të motër Gjyzepinës, e cila thoshte se mbas pak ditësh, pas arrestimit, fytyra e tij ishte bërë "si letër cingareje, dobësue sa kurr nuk mund të merrsh me mend, se do të mundet me qindrue për aq shumë muej ndër tortura. Ishte aq i ftofun prej ndejtjes në podrumet me ujë, sa ishte bllokue në gjoks dhe kollitej tue nxjerrë gjak. Ngjyra e verdhë e smundjes dhe e mundimeve i nepshin pamjen e një shejti të vërtetë. Trupin e kishte të nximë dhe me plagë këmisha nuk i shkopej prej trupit. Megjithatë nuk i ndigjohej zani".

Po ashtu mbesa e tij e vetme, Rozina Gjini, atëkohë fëmijë, kujton se nëna e saj e cila shkonte në Degën e Brendshme e i çonte ndërresa të lara monsinjor Gjinit, sa herë i merrte rrobat e palara traumatizohej.
"Nana thoshte ishin t'mbulueme me gjak. Mos o zot! Sa herë i ka marrë teshat e axhës, ishin t'muluemeve me gjak prej torturave. E mbaj mend që i lante n'oborr, në t'ftoft, jashtë. Mos o Zot, thoshte nana! Veç Zoti e din sa ka vujt ai nen tortura!"
E gjithë kjo periudhë prej 14 muajsh kaloi nën tortura. Pas gjyqit farsë zhvulluar në ditët e para të janarit 1948, Monsinjor Frano Gjini, do të dënohej me vdekje. Pa i marrë parasysh lutjet dhe ankesat për ta anulluar dënimin me vdekje, krerët më të lartë të regjimit lënë në fuqi dënimin kapital dhe presin të dëgjojnë fjalët e tij të fundit, duke shpresuar deri në fund se do ia thyejnë besimin e do ta përulin, por fjalët e fundit të Monsinjor Gjinit ishin një tjetër shuplakë për regjimin gjakatar.

Para se plumbat ta përshkonin trupin e tij ai tha: "Rroftë Krishti Mbret, Feja Katolike dhe katolikët në botë! Roftë Papa, gjaku dhe trupi jem mbetet këtu, pse shpirti dhe zemra ishte tek Papa, Rroftë Shqipnija!"...

blank

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here