Grupi i parë i deputetëve, nga arrestimi te procesverbali i ekzekutimit

0
331
blank
Tirane 4 Shtator 1947.Gjyqi kunder grupit te Deputeteve.Foto:Atsh

Tetor 1947-tetor 2022. 75 vjet nga ekzekutimi i grupit të parë të deputetëve. Kujto.al sjell dëshmitë e zyrtarëve të lartë pranonin shkeljet e bëra në këtë proces dhe përmbajtjen e procesverbalit të ekzekutimit 

Në muajin maj 1947, organet e Sigurimit të Shtetit kryen arrestime masive në Tiranë në goditje të organizatës imagjinare “tekniko-intelektuale”. Këto arrestime që kaluan shifrën 100 u shkallëzuan: në dy prej tyre ishin disa ish deputetë, ndërsa proceset e tjera vijuan pa bujë si rasti i parë. Urdhërdhënëse ishte Byroja Politike e Partisë Komuniste. Personat e arrestuar janë mbajtur në disa shtëpi të Sigurimit në Tiranë si: shtëpia e Serreqit (te sheshi “Avni Rustemi”), “Shtëpia me gjethe”, te “Selvia”, te shtëpia e Ali Qorraliut (te 9-katëshet) si dhe dy burgjet e Tiranës. Janë përdorur torturat nga më çnjerëzore dhe në përfundim u arrit të manipulohen edhe dosjet hetimore-gjyqësore. Në ka dosje që kërkojnë prova të tjera dhe duhen marrë me shumë rezerva, janë pikërisht dosjet hetimore-gjyqësore të këtyre “grupeve”. Ndarja e grupeve është bërë në mënyrë rastësore dhe pa lidhje.

Dëshmitë për procesin

Ish-nëndrejtori e drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Vaskë Koleci pohonte në vitin 1949 veprimtarinë e paligjshme të Sigurimit me rrahje, burgime e vrasje

Ish-shefi i Sigurimit të Tiranës, Vangjo Mitrojorgji pohonte në vitin 1949: “Në kohën kur zhvilloheshin proceset e grupit të deputetëve dhe të organizatës tekniko-intelektuale, Koçi na ka thirrur në shtëpinë e tij dhe na kërkoi propozime për të arrestuar dhe ne i paraqitën një listë prej 60 vetash për aq sa kishim material. Koçi me këtë rast na tha se tani është momenti të bëhet një spastrim, duke kërkuar që të arrestoheshin më shumë, por ne i thamë se nuk kishim material, por ai atëherë nxori nga xhepi një listë me 20 emra dhe kur i thamë ne se nuk kemi edhe për këta material, por ai na u përgjigj se jemi teveqelë, se materiali do të dilte nga proceset. Atëherë neve e shtuam numrin e atyre që u arrestuan, duke e ngritur në 120 veta”.

Vetë ish-ministri i Punëve të Brendshme, Koçi Xoxe, pohonte në vitin 1949: “Edhe arrestimi i deputetëve është bërë me aprovimin e sekretarit të përgjithshëm. Propozimet për arrestime vinin nga poshtë dhe jo vetëm kaq, por ato ishin nxitëse dhe ndihmësit në qendër e sidomos i pandehuri Vaskë Koleci ishte tepër entuziast dhe ky insistonte për arrestime. Ky ka qenë elaboruesi i të gjitha propozimeve, por natyrisht unë ia kam aprovuar. Këtë nuk e them për të mbrojtur veten, por e them si një të vërtetë”.

Ish-oficeri i Sigurimit në Korçë e Tiranë, Naum Bezhani, pohonte në vitin 1949:

“Kur janë bërë arrestimet e grupit të deputetëve, në Drejtorinë e Sigurimit ishin përgatitur më parë disa lista, madje ka pasur edhe të tilla pa material komprometues. Këto lista i përgatiste një komision i përbërë nga Vangjo Mitrogjorgji, Thoma Karamelo dhe ndonjë tjetër që nuk më kujtohet. Vaska ose Vangjo më thanë se edhe emri im ishte përfshirë në komisionin përzgjedhës. Pas 3-4 orëve oficeri i rojës më njoftoi se më kërkonte Koçi Xoxe në shtëpi. Pasi shkova atje, gjej përveç Koçit, edhe Vaskën me listën e arrestimeve”.

Procesi gjyqësor

blank
Trupi gjykues. Niko Çeta kryetar (në mes), Nexhat Hyseni Sulejmani (majtas), Mustafa Iljazi (djathtas). Foto: Atsh

Kësisoj regjimi reklamoi më shumë procesin e parë, i cili u fotografua dhe botua në gazetën "Bashkimi". Pas një hetuesie të egër, procesi gjyqësor u zhvillua në kinema “17 nëntori” në Tiranë më 4-27 shtator 1947. Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake, i përbërë nga major Niko Ceta, kapiten II Nexhat Hysenit, kapiten II Mustafa Iljazi, me pjesëmarrjen e ndihmësprokurorit të përgjithshëm Josif Pashko, në bazë të neneve 2, 3 (2, 7, 8, 9, 10, 12, 13), 4, 14 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 “Mbi fajet penale kundra popullit dhe shtetit”, i deklaroi fajtorë dhe vendosi dënimet:

Me vdekje, me varje në litar:

1-Shefqet Beja, ish-deputet (në Tiranë)

2-Riza Alizoti (në Kuçovë)

3-Sulo Klosi (në Rubik)

blank
Tirane 17 Shtator 1947. Gjyqi kunder grupit te deputeteve. Shefqet Beja e Sheh Ibrahim Karbunara.Foto:Atsh

Me vdekje, me pushkatim:

4-Selaudin Toto, ish-deputet

5-Sheh Ibrahim Karbunara, ish-deputet

6-Paolo Saggioti

7-Agathokli Xhitoni

8-Mehmet Prishtina

9-Abdul Kokoshi

10-Beqir Çela

11-Salim Kokalari

12-Tefik Deliallisi

13-Irfan Majuni, ish-deputet

14-Pertef Karagjozi

15-Enver Sazani, ish deputet

16-Hysen Shehu

Me privim lirie të përjetshme:

17-Foto Bala

18-Ramazan Tabaku

19-Ram Marku

20-Gjovalin Vlashi

Me nga 20 vjet privim lirie:

21-Shefki Minarolli

22-Rustem Sharra

23-Xhevat Xhafa

Me 15 vjet privim lirie:

24-Sulo Konjari

Për të gjithë të dënuarit urdhërohet konfiskimi i pasurisë së luajtshme e të paluajtshme personale dhe humbjen e të drejtave civile e politike.

Procesverbali i ekzekutimit:

“Sot më datën 10.10.1947 ora 15.00, unë Josif Pashko i ngarkuar me cilësi prokurori, i shoqëruar dhe nga ndihmësi Harito Nashi dhe dr. major Ibrahim Dervishi shkuam në burg dhe morëm në dorëzim të pandehurit të dënuar me vdekje: (jepen emrat e sipërthënë-shënim) dhe mbasi u siguruam për identitetin e tyre të shoqëruar dhe nga rojet shkuam në vendin e caktuar për ekzekutimin e të pandehurve. Mbasi u kënduam vendimin e Gjykatës së Lartë nr.187 datë 27.9.1947 që dënon gjithë të pandehurit e lartpërmendur me vdekje, mbasi u kënduam shkresën e Presidiumit të Kuvendit Popullor nr.180, rez. datë 9 tetor 1947 që refuzon lutjet e tyre për falje dhe mbasi u pyetën dhe thanë fjalën e fundit. Në bazë të vendimit të lartpërmendur që ka marrë formën e prerë, në orën 2.30 urdhërova ekzekutimin e tyre (përmenden emrat-shënim). Si u krye ekzekutimi, mjeku konstatoi vdekjen e të gjithë të pandehurve. Prokurori Josif Pashko"

 

Fotoja kryesore: 4 shtator 1947, pamje nga salla e gjyqit 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here