“Djelmnia studentore” e Shkodrës si vatër e antikomunizmit

0
647
blank

Një dëshmi nga Hamza Kazazi për antifashizmin dhe antikomunizmine  familjes së tij por edhe për vuajtjet e tmerrshme nga diktatura komuniste

Si filloi persekutimit nga komunizmi?

 Për historinë e tim eti dhe vuajtjet e familjes, unë si djali i Jup Kazazit, flas jo vetëm nga ç’kam dëgjuar prej nanës, xhajave të mi, të dajës tim prof. Selaudin Bekteshi, i cili na ka rritur, por, flas kryesisht i bazuar në dokumente, të cilat për fat kanë mbetur mjaft në Arkivën e Shtetit dhe në Arkivën e Ministrisë së Brendshme.

Jup Kazazi, babai im, rrjedh nga një familje patriotike, brez pas brezi qysh me Hamza Kazazin e parë, duke vazhduar me Muharrem Kazazin, gjyshin tim që ishte “Major nderi” me Mbretin Zog. Pra, gjyshi ishte me Zogun, por djemtë e tij ishin anti-zogistë republikanë. Patjetër që atë kohë toleroheshin të gjithë, sepse gjithkush kishte të drejtën e mendimit dhe idesë dhe me anë të një referendumi, të zgjidhte populli regjimin që do të donte. Qëkur ishte student në gjimnaz, Jupi filloi aktivitetin me të rinjtë shkodranë. Ata krijuan shoqërinë “Djelmënia studentore”, në të cilën Jupi ishte fillimisht nënkryetar i saj e pastaj ka vazhduar si kryetar, pjesën tjetër të gjimnazit. Kjo shoqatë ishte e aktivizuar me sportin, madje kishin edhe skuadrën “Djelmënia”, një aktivitet ky i dokumentuar dhe me fotografi. Kryenin aktivitete kulturore, por edhe politike; si shoqatë, ata kontribuan në Lëvizjen e Qershorit 1924, pra u aktivizuan direkt me lëvizjen, transportimin dhe asistencën e të plagosurve si dhe me shpërndarjen e postës dhe komunikimeve midis drejtuesve, oficerëve dhe grupeve të ndryshëm. Interesant është fakti që ndërsa gjyshi ishte me Zogun, në prefekturë, djali i madh Halili, një oficer i ri, luftonte me opozitën, pra kundër Zogut. Pastaj filloi aktivizimi i hapur me këtë shoqatë, duke organizuar një protestë kundër mbylljes së gjimnazit shtetëror. Fillimisht qe një protestë studentore, më 1926 që nuk pati efekt, e cila pastaj u zgjerua në shkallë qyteti duke u bërë një protestë qytetare. U bë dhe një grup përfaqësues me kryetarin dhe dy studentë të tjerë, të cilët shkuan edhe në Tiranë dhe biseduan me Ministrin dhe më në fund arritën të fitojnë të drejtën edhe duke komunikuar me prefektin e asaj kohe në Shkodër, Mustafa Krujën. Kjo qe edhe njohja e parë me Mustafa Krujën, ish prefektin e Shkodrës, por si kundërshtarë. Pak më vonë, serbët dhe jugosllavët akorduan tri bursa për studentët shqiptarë, të cilat i fituan djem nga familjet e njohura shkodrane: babai im Jup Kazazi, Bari Kopliku dhe një tjetër me mbiemrin Bushati, emri i të cilit nuk më kujtohet për momentin. Këta shkuan me bursë si studentë në Shkup dhe Beograd për të vazhduar gjimnazin. Madje baba ka qenë shumë i kënaqur kur mori këtë bursë, sepse atë kohë ai rrezikohej të përjashtohej pasi si grup, ata patën insistuar që përveç të tjerash, të ishte i lirë të rikthehej Xhevat Korça (pas 1924, kur kishte ikur nga Shqipëria). Aty ka ndodhur edhe njohja e parë (pra, që student) dhe miqësia familjare me Xhevat Korçën - një miqësi që u dyfishua mbrapa, kur baba u martua me nënën time që vinte nga familja Bekteshi. Pastaj në gjimnazin në Beograd, pak ditë para provimeve, deshën ta përjashtonin sepse po aktivizohej në organizatë politike. Në fakt, në atë kohë, ministër në rrang ambasadori ishte Rauf Fico, me të cilin më vonë u krijua një miqësi shumë e ngushtë. Megjithëse kishin diferencë të madhe moshe midis, Raufi e ka dashur sikur ta kishte djalë dhe me anën e tij, Jupi arriti të sillte libra shqip dhe abetaren për të lidhur shqipen me kosovarët. Madje arriti të vihej në kontakt edhe me një shoqatë që nxirrte një gazetë shqip në Gjenevë. Gazeta quhej “Liria Kombëtare”. Arsyeja e vërtetë e përjashtimit ishte kjo: propaganda që bëhej kundër politikës shoviniste serbe. Si pasojë babën e arrestuan një ditë dhe nga kontrolli që i bënë në shtëpi, nuk i gjetën gjë tjetër përveç librave dhe abetareve. Pra, deshën ta përjashtonin nga shkolla. Por me ndërhyrjen e drejtorit dhe të njërit nga profesorët, kjo masë u zbut dhe u lejua të jepte provimet e të mbaronte shkollën, meqenëse shkolla ishte afër fundit. Kur mbaroi, ai u largua nga Beogradi për të vazhduar studimet në Zagreb për ekonomi dhe aty, pas vitit të parë, për aktivitet kundër politikës shoviniste serbe, për aktivitet pro Kosovës dhe për Shqipërinë Etnike, e arrestojnë dhe e akuzojnë për krijimin e një organizate terroriste (pavarësisht që nuk ekzistonte një organizatë e tillë.) E përzënë nga Jugosllavia duke e shoqëruar me policë në Tivar, nga ku niset për në Shqipëri. Një “historuc” i mjerë i kohës së komunizmit (sepse nuk gjej emër tjetër për të), në “Almanakun e Shkodrës” shkruan që “Jup Kazazi mjafton të ishte student në Zagreb e Beograd, që të konsiderohej qysh atëherë agjent i jugosllavëve”. Kjo ishte një nga mënyrat e fëlliqura, të paskrupullta që kanë përdorur për të sulmuar kundërshtarët, si edhe shumë, shumë gjëra të tjera. Qysh këtu fillon njolla e parë prej komunizmit. Me ndërhyrjen e Rauf Ficos, Xhevat Korçës dhe Jashar Erebarës, bursa e Jupit transferohet në Itali. Pra ai shkon për studime në Torino, ku më vonë shkon edhe Sahiti, (i vëllai i parafundit) që studionte për drejtësi, më pas edhe vëllai tjetër Zeneli, për të bërë aplikimin për studim në akademinë ushtarake dhe gjithashtu edhe daja im blankSelaudin Bekteshi (me të cilin u njohën që në atë kohë). Pra, u mblodhën bashkë në Torino baba, dy xhajat e mi dhe daja (i mëvonshëm). Nga të thënat e dajës, baba im ka qenë një nga nxënësit e jashtëzakonshëm në atë shkollë. Sipas tij, ishte diçka e jashtëzakonshme, që ai kishte kaq konfidencë me profesorin e tij Luigi Einaudi, i cili më vonë u bë presidenti i Italisë. Ata bisedonin si miq mes tyre. Flisnin kryesisht mbi Shqipërinë dhe ekonominë në përgjithësi.

Në jetëshkrimin e vet, të cilin nuk e përfundoi, baba tregon se si nuk pranoi të regjistrohej në “Rininë fashiste” gjë që në atë kohë e kishin edhe të detyrueshme. Studentët, me pak përjashtime (përveç Jupit dhe një tjetri që iku dhe i vazhdoi studimet në Francë), të gjithë u regjistruan në këtë grupim politik. Sipas fjalëve të babës, u bë rregull që të shkohej në provime me këmishë të zezë, gjë që ai nuk e ka pranuar dhe nuk ka bërë asnjëherë përshëndetjet romane dhe megjithatë ka arritur t’i marrë provimet se ishte student i mirë. Por, edhe të tjerët - thotë ai, kur e bënin, e bënin sepse fashistët kishin favore ekonomike. duke filluar që nga biletat e udhëtimit, biletat urbane, bonot për lehtësime çmimesh në artikujt e ndryshëm, pra, një lehtësim ekonomik megjithëse i imponuar. Ata bënë një protestë qysh atëherë, kur rinia italiane fashiste kishte publikuar një thënie të Linkolnit, sipas së cilës Shqipëria duhej të ishte nën Italinë. Ata protestuan zyrtarisht pranë organeve qeveritare dhe në krye të këtij grupi, ishte Jup Kazazi.

 

Kështu ai mbaroi doktoraturën në ekonomi dhe u kthye në Shqipëri, ku i dhanë një punë të thjeshtë në Minstrinë e Financave, fillimisht si ndihmës-nëpunës dhe pastaj si nëpunës në Drejtorinë e Pensioneve. Njihej si antizogist që atëherë, dhe kjo ka qenë arsyeja që nuk e futën në konkurs që herën e parë. Pastaj, më 1936, organizohet një protestë para “Banca di Napoli”, kundër italianizimit të bankës shqiptare,  ku kërkohej që Shqipëria të kishte bankën e vet dhe të pavarur. Gjatë protestës, në mënyrë demonstrative vetë Jupi bashkë me një tjetër me emër Domnori (siç tregon e bija, Pertefe Leka Domnori), kanë hipur mbi tavolina dhe kanë shkulur e grisur flamurin italian dhe kanë mbajtur edhe një fjalim. Dëshmitar tjetër i këtij akti ka qenë Xhevat Dani, shok e moshatar me babën, qysh me “Shoqninë studentore” e më vonë, i cili nuk jeton më. Ai, Xhevati vetë, i cili kishte mbaruar në Austri dhe sapo kishte filluar punën në atë bankë, tregonte se “dolëm të gjithë jashtë, dëgjuam një fjalim të mrekullueshëm dhe pamë grisjen e flamurit italian.”

 

Në lidhje me postin e tij (Jupit) në kohën e Italisë, ka diçka që nuk dihet me saktësi, sepse baba, duke mos dashur t’i bënte dëm Xhevat Korçës, i cili atë kohë ishte i arrestuar, nuk ka të shkruar gjë në ditarin e tij. Por nga axhat di se Xhevat Korça qe ai që pati ngulur këmbë tek baba: “Për të mirën e Shqipërisë, që të mos vënë levat e tyre italianët, prano një post!” Këto janë gjëra të cilat nuk ka pse i ekzagjeron kush, sepse i kam dëgjuar kur nuk kishte arsye. Unë isha shumë i ri në moshë, rreth 16-17 vjeç, kur nëna më shpjegonte shumë gjëra.

Çfarë drite mund të hidhni juve për pranimin e Jup Kazazit në Partinë Fashiste, duke ditur se ai kishte mbajtur një qëndrim antifashist gjatë gjithë kohës, gjë që u anashkalua nga historia zyrtare?

Historianët janë marrë sipërfaqësisht, në të gjitha rastet, jo vetëm në këtë rast konkret. Pra, siç e përmenda më parë, Jupi ka shkruajtur një ditar gjatë ditëve të fundit të jetës së tij, të cilin e kam gjetur tani vonë në Arkivin e Ministrisë së Brendshme. Jupi nuk ka arritur ta mbarojë ditarin, sepse ishte fundi dhe ai vetvritet. Në ditar, shpjegon edhe arsyen, duke u shprehur se “shkruaj për të mos lënë dikë të gënjejë, prej propagandës së armiqve të mi të betuar, komunistëve… Po bëj këtë shpjegim, që nuk lejon me gënjy opinionin publik edhe nëse unë, për një shkak ose një tjetër, nuk do të mund të shprehem para popullit shqiptar.” Ai e filloi jetëshkrimin e tij që në kohën kur ishte student, me aktivitetet që ju blanktregova. Pra, po flas në bazë të tyre, por po e lidh edhe me fakte të dëgjuara prej njerëzve të tjerë. Unë ju thashë që nuk e përfshiu Xhevat Korçën në ditar, për t’mos i bërë keq, në rast se ditari binte në dorë të komunistëve dhe në të vërtetë, Xhevat Korça vdiq si burrë në burgun e Burrelit. Por unë e di nga njerëzit e mi se qe Xhevati ai që insistoi që Jupi të pranonte. Dhe ka insistuar një grup patriotësh të 1920-tës, të cilët e ftuan të shkonte në Vlorë si drejtues i Federatës. Kur shkoi në Vlorë, Jupi njihte vetëm Sezai Agalliun, mjek, komunist, mandej kunat i Manush Myftiut dhe me të, ai shkoi e u bëri vizitë familjeve më të njohura të Vlorës, i sqaroi se aty ai ishte për të mirën e Shqipërisë dhe jo e kundërta. Sezai Agalliu, i cili atë kohë ishte në Këshillin e Federatës së Vlorës, jo vetëm bëri që Jupi ta pranojë postin, por, ia rekomandoi qeverisë dhe për prefekt (është në dokument në arkivë). Në parantezë, me dajën tim Selaudin Bekteshin, një të dielë në darkë, duke bërë një xhiro andej nga materniteti, takuam Ibrahim Dervishin, ish ministër shëndetësie, atëherë ishte shef i shëndetësisë në Ministrinë e Mbrojtjes, i cili kishte mbaruar mjeksinë në Bolonjë. Pasi më dha dorën, unë u largova mënjanë, për të mos vënë në siklet dajën. Por, ai më thirri: “Hajde mor djalë!” Ai e pyeti dajën: “I kujt është?” “I Jupit”- iu përgjigj daja. Ai ma dha dorën edhe njëherë (në atë kohë njerëzve si unë nuk u jepej as dora; një diskriminim ky edhe më i keq se në kohën e zezakëve) dhe më kapi në qafë e më tha: “Shiko or djalë! Baba yt ka qenë trim, patriot e i ndershëm. Tjetër gjë se si shkoi puna më vonë… (e kishte fjalën për Postribën). Ai ka ardhur në Vlorë, është lidhur me ne, ka bashkëpunuar dhe na ka ndihmuar.” Kështu ka ndodhur, pavarësisht se unë nuk kam dëshmitarë sot, por, nuk kam as arsye t’i zbukuroj.

 

Diçka tjetër: pse të tjerët, komunistët, nuk kanë pasur pasoja nga përfshirja në postet apo Partinë Fashiste, si:  Medar Shtylla, Karaman Ylli (anëtar i KQ), Omer Nishani, Zija Këlliçi (rektori i Univesitetit), që ka qenë edhe me këmishë të zezë (?!) Komunizmi nuk ia ka marrë për keq njerëzve të vet, sepse implikimi me fashizmin lidhej me interesa. Pse nuk e kanë paguar për veten e tyre?! Medar Shtylla ka qenë kryetar i Kuvendit, kur në Partinë Fashiste ka pasur post. Edhe Sezai Agalliu, megjithëse Sezai Agalliu ka folur me shumë respekt për babën tim. Madje më kujtohet njëherë, kur i shkuam me nanën që të ndërhynte te Manush Myftiu për të drejtën time të studimit, që tha: “Për djalin e Jupit kisha bërë të pamundurën, por, po më vjen keq që na e kanë prerë kategorisht për t’mos kërkuar asnjë favor, në asnjë rast.” Madje ishte aty edhe e shoqja. Tjetër është se Sezai Agalliu më ndihmoi me një raport me të cilin shtyva një vit ushtrinë. Pra, pavarësisht nga fakti që kishin ide të tjera, ide komuniste, këta që përmenda ishin njerëz që e vlerësonin babën. Ndër ta edhe Sytki Bushati, mjek, që kishte mbaruar në Bashkimin Sovjetik, nga Bushatllinjtë që ishin komunistë, fliste hapur me dajën tim e për Luftën e Reçit, që e kishte bërë baba im.

 

Pas Vlorës, Jupi u tranferua në Durrës, ku fillon edhe miqësia e tij me Shefqet Bejën; Shefqeti, u bë edhe kumbara im më vonë. Ai vinte nga një familje nga më të mirat në Shqipëri. Me Shefqetin ishin miq e shokë të ngushtë, por, ndanin ide të ndryshme dhe megjithatë ishin njerëz që respektonin idetë e tjetrit. Në Durrës, baba ndihmoi disa çifutë dhe grekë, që kishin ardhur nga Veriu i Europës dhe prisnin në Durrës mundësinë për të marrë viza për të ikur në Amerikë. Mërgim Korça ka thënë që kanë qenë 300 hebrej që janë shpëtuar nga qeveria e Merlikës, fakt të cilit i është referuar edhe një studim i Shaban Sinanit mbi hebrejtë në Shqipëri. Pra, në bashkëpunim me kryeministrin austriak (me të cilin njiheshin, ishin miq), hebrejtë i kanë sjellë në Shqipëri, u kanë bërë dokumenta me emra fallso dhe i kanë shpëtuar.  Kanë ndodhur mjaft akte patriotike të kësaj natyre që duhen vlerësuar.

 

Gjatë kohës së pushtimit italian dhe me vonë, në çfarë postesh ka qenë Jupi?

 

Jupi filloi si drejtues i Federatës së Vlorës e pastaj Durrësit. Për pak kohë e emëruan “nën-prefekt” dhe pastaj e emëruan “prefekt”. Ishte kohë lufte, pikërisht koha kur në Durrës bëheshin bombardime dhe Jupi e shkruan me dorën e vet që prefekti i mëparshëm nuk kishte kurajo të dilte natën nga frika e bombardimit. Pra, Jupi u emërua se kishte kurajo dhe gjëja e rëndësishme është se kur mori postin në Durrës, hoqi të gjithë filoitalianët nga postet, të cilët i shërbenin me shumë besnikëri italianëve dhe diskriminonin shqiptarët, dhe ndaj të cilëve kishte edhe ankesa. Kur bëhet qeveria e Mustafa Krujës (me të cilin ishin njohur gjatë protestës, që kur baba ishte gjimnazist dhe Kruja prefekt i Shkodrës) më 1941, Jupit i kërkohet të bëhet Ministër Partie, një ministri  e veçantë dhe ai e pranon këtë post. Qeveria shpallet në muajin dhjetor 1941 dhe baba me Hasan Dostin (Ministër Drejtësie) japin dorëheqjen me datë 5 maj (dorëheqje që publikohet me 8 maj në gazetën “Tomorri”). Dihet se pse u krijua qeveria e Merlikës pas rënies së Verlacit; është e vërtetuar edhe në ditarin e Jakomonit, se si Jakomoni bashkë me Kontin Çiano (dhëndrrin e Duçes,) vendosën që për të qetësuar gjendjen në Shqipëri, të krijonin një qeveri e re me njerëz më të moderuar e që gëzonin një opinion të mirë në popull. Baba ka pas thënë më vonë se “bëra gabim që pranova, sepse mbeti diçka me më akuzue, por, unë mendova për të mirën e Shqipërisë prandaj dhe pranova.” Dhe Mustafa Kruja e zgjodhi Jupin duke e pasur kundërshtar dikur; Jupi ishte ai që i kishte dalë në revoltë kundër dhe kjo nuk qe një zgjedhje e thjeshtë për Mustafain, sepse për ndryshe do të zgjidhte ndonjërin që i bindej. Nga ana tjetër, edhe ministra të tjerë që kanë qenë në këtë qeveri, si Ernest Koliqi, Xhevat Korça kanë bërë jashtëzakonisht shumë për arsimin shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë. Edhe diçka tjetër:  Mustafa Kruja ka thënë se “më mirë një Shqipni me autonomi dhe me Kosovën, sesa një Shqipëri e pamvarur e pa Kosovën, sepse Kosovën, vetëm, ne nuk e marrim kurrë se nuk të lë as bota.“ Megjithëse italianët nuk e quajnë “pushtim” pushtimin e Shqipërisë, por, bashkim të mbretërive; punë tjetër se erdhën me arsenal ushtarak. Kështu që me ekuilbër, ai është munduar të punojë kundër fashizmit, jo vetëm duke bashëpunuar me Ballin. Dhe qe Mit’hat Frashëri ai që i tha babës: “Duhet të pranosh.” Pra, kur u krijua Balli, ata i kanë edhe aprovuar edhe të bërit ministër. Dhe një fakt tjetër që e kam dëgjuar nga axha im Zeneli: baba, duke shftytëzuar postin e ministrit, ka furnizuar Ballin në Veri me armë të marra nga ushtria italiane. Ai ka pasur dy miq arbëresh, sidomos njërin që ishte major, i cili bashkë me tre ushtarë të vetët (të cilët ishin gjithashtu arbëreshë), kur bënin transportimin e armëve në Veri në zonën e Shkodrës, ndalnin kamionin dhe linin armët. Dhe ata, ballistët, thoshnin “e dimë që armët na i ka sjellë Jup Kazazi.” Në atë post ka ndihmuar dhe bashkëpunuar edhe me komunistët.

 

E vërteta është se Muharrem Vllamasin, baba, e ka pasur sekretar. I vëllai, Sejfi Vllamazi ishte me Ballin, kurse Muharrem Vllamazi vetë, nuk ishte komunist, por, kishte ide socialiste dhe ishte i lidhur me komunistët. “Ne e kemi ditur shumë mirë këtë,”- thoshte axha; nëpërmjet Muharremit, mbanin lidhje dhe ndihmonin edhe komunistët atë kohë. Tjetër fakt është që një Osman Hajredini me të vëllanë, komunistë të dy qysh të rinj, me lidhje gjaku nga nana (ish sekretar i Tuk Jakovës e anëtar Partie gjithë jetën, me një punë në administratë në Tiranë), thoshte që dokumentet e Gogo Nushit që janë më muze (dy-tre dokumente identiteti), ia kishte siguruar Jupi. Pra, përveç Legalitetit dhe Ballit, Jupi ka ndihmuar dhe komunistët. Tjetra është që kur u emërua ministër, Jupi, nuk e pranoi makinën se “nuk dua makinën e tyre” dhe përdorte gjithë kohën një makinë të veten.

 

Qeveria e Mustafa Krujës, qysh në krijimin e saj, ka kërkuar autonominë e Shqipërisë, flamurin shqiptar dhe lirimin e burgosurve politikë. Nga këto kërkesa, u pranua vetëm ajo e flamurit. Pasi erdhi vetëm ky pranim, baba me Hasan Dostin dhanë dorëheqjen me shkrim. Kur Ferit Xhajko, Hamdi Mëzezi, Nikola Tupe, tre të rinj komunistë u arresuan në Fier dhe Lushnjë, me armë, municion dhe trakte dhe dënohen me vdekje, si ministra, këta ngulën këmbë që të anullohet vendimi. Kërkesa nuk u pranohet. Atëherë ata nuk presin t’u aprovohet dorëheqja, abandonojnë detyrën dhe largohen menjëherë, sepse nuk ishin dakord që të vriteshin të rinjtë shqiptarë. Bile kanë vënë afishe në Tiranë: ”Po na vrasin djemtë tanë”. Pra qe një akt i cili u vlerësua shumë në atë kohë, dhe u trajtua si një model. Madje edhe komunistët e vlerësuan këtë si një akt patriotik.

 

Kur u instalua pushteti komunist, në çfarë momenti ju gjeti juve Kazazëve? Si nisi kundërvënia e Jup Kazazit me pushtetin komunist?

 

Pas dorëheqjes, Hasan Dosti emërohet gjykatës, kurse Jupi vazhdon si prefekt në dispozicion, sepse megjithë çfarë ndodhi, fashizmi nuk i masakronte njerëzit. Atëherë Jupi filloi haptas veprimtarinë antifashiste derisa dolën urdhra arrestimi nga fashistët.

Ka dokumente që e dëshmojnë këtë. Është një dokument prej 3 faqesh, një shkresë që i drejtohet Komandës së Armatës së 9-të, ku thuhet se Jup Kazazi me 500 vetë të armatosur (dhe jo komunistët), po organizojnë Komitetin e Shpëtimit të Shqipërisë. Pse italianët i ranë Reçit? Arsyeja ishte, se u krijua ky komitet kundër okupacionit italian, ku merrnin pjesë kryesisht Balli, Legaliteti, por, edhe komunistët, duke shtuar këtu edhe bajraktarët dhe priftërinjtë. Dokumenti është një relacion që i dërgon Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra Politike, Armatës së 9-të, ku thuhet se “u formua Komiteti Shpëtimit, me kryetar Jul Kazazin, organizator Llesh Marashin. Merrnin pjesë edhe komunistët me përfaqësues kyesor Xhovalin Lukaj (kishte edhe ai çetën e vet)… me Jup Kazazin kryetar, Llesh Marashin, sekretar…” Si sekretar i Komitetit ishte Enver Bushati, pastaj përmend anëtarët që ishin: Don Luigj Pici, Bari Kopliku, Hasan Isufi, Ramadan Reçi. Ky ishte grupi drejtues. Tjetër… në këtë shkresë thuhet se “grupi drejtues përgatitet për t’i bërë një atentat ministrit.“ Por, kjo nuk është e vërtetë dhe e di plotësisht; ata nuk kishin ndërmend t’i bënin atentat ministrit, sepse ishte shqiptar. Atentati ishte kundër mëkëmbësit të mbretit, Jakomonit. Jam 100 % i sigurtë që ishte kështu. Të ngarkuar për këtë atentat ishin: Dan Elezi nga katundi Zagor prej çetës së Llesh Marashit; Bejto Fasllia, nga katundi Reç i çetës së Ramadan Bajraktarit (Bejto Fasllia më vonë kalon me komuinstët) dhe një person i panjohur i çetës së Gjovalin Lin Lukës. Edhe Gjovalini kishte çetën komuniste. Pra, mori pjesë i gjithë spektri politik. Del që edhe Xhemal Beg Bushati, djali i Sulçebegut ka qenë i aktivizuar këtu. Janë gjëra të dokumentuara në arkivën e shtetit. Po i njejti dokument qarkullon edhe në nivel të prefektuarave. Dhe nuk thuhet “në kryesinë e komunistëve, por në kryesinë e Jup Kazazit dhe 500 vetë.” Kjo qe pikërisht arsyeja që italianët sulmuan Reçin, kur deri tani është folur e kundërta dhe komunistët e morën për vete meritën. Jo vetëm përvetësuan meritat, por, çdo fundgushti, sa herë që ishte përvjetori i Luftës së Reçit, shkruanin artikuj kundër në gazetën “Bashkimi” e “Zani i Popullit”. Ndër ta edhe Qazim Kapisyzi.

 

Në fakt, komunistët nuk donin të çlirohej Shkodra dhe e sabotuan këtë përpjekje. Ata nuk donin që meritat për këtë akt t’i merrnin Balli dhe Legaliteti, sepse përndryshe, Shkodra do të ishte çliruar që në 1943. Kaq patriotë kanë qenë! Pra, thjesht ishte tendenca për të monopolizuar historinë. Mentor Quku ka shkruar qartë për luftën e Reçit, dhe rolin që ka luajtur Balli, Legaliteti dhe komunistët, ku evidentohet edhe roli shumë me rëndësi që pati regjimenti i Ulqinit me kolonel Fuat Dibrën dhe zëvendësin e tij, major Zenel Kazazin dhe me Dilaver Dinen, regjiment i cili dezertoi. Ata dezertuan pa kapitulluar Italia. U quajtën trupa shqiptare; kaluan Bunën me lundra dhe dolën në anën tjetër. Mjafton të analizohet një intervistë e Fadil Deliallisit që ka qenë i lidhur me komunistët dhe toger në këtë regjiment, ku del që kur kanë kaluar Bunën, i ka pritur Halit Kazazi, axha im i madh, një fakt ky që tregon se lufta ishte e mirëorganizuar. Reçin nuk e njihte as Fuat Dibra dhe as Dilaver Dine; fakti që i ka pritur Haliti tregon që ishin nisur në Reç për te Jupi. Kanë ardhur megjithë ushtarë në Reç, i kanë lënë të lirë të zgjedhin nëse duan të rrinë apo të shkojnë. Pjesa më e konsiderueshme kanë ndenjur në anën e Ballit, kurse togeri Fadil Deliallisi, me gati 40 vetë, kaloi në anën e komunistëve, që ishte edhe baza e batalionit “Perlat Rexhepi”. Prej luftës së Reçit, prej palës italiane  mbetën 100 të plagosur e 40 vrarë, kurse nga pala jonë, vetëm 4 të vrarë. E gjithë ishte meritë e organizimit të luftës prej tre specialistëve, duke filluar nga evakuimi, strehimi i jo pjesmarrësve, pra gra, fëmijë, pleq, të cilët i çuan nëpër shpella për t’i mbrojtur. Kështu që nga bombardimi i aeroplanëve ka pasur shumë pak dëme dhe kryesisht mbrapa, me ndonjë viktimë tek-tuk. Komunistët për 5 vjet, nuk përmendën fare luftën e Reçit, sepse ishte e freskët, por më vonë e përvetësuan duke iu kundërvënë edhe figurës së Jup Kazazit. Janë artikujt e Sadik Bekteshit, Rexhep Hakës e Qazim Kapisyzit. Këtij të fundit, para disa vjetësh, pasi kishte folur në tribunë për luftën e Reçit, i është afruar njëri i cili i thotë: “A e mban mend shoku Qazim, kur unë isha afër teje dhe u plagosa dhe ti ike dhe u fshehe pas shkëmbit dhe erdhi Jupi, e grisi këmishën e më lidhi plagën?” Dhe Qazimi mbylli gojën. Është e vërtetë siç e tregova edhe më sipër, që edhe komunistët kanë luftuar, por nuk kanë qenë kryesorët. Ata kishin deklaruar se kishin 100 vetë, por kur kanë shkuar Zeneli me Dilaver Dinen për t’i takuar kanë parë që nuk kishin qenë as 25 vetë, dhe u kanë çuar përforcime pastaj. Pra bëhet fjalë për grupin e Deliallisit.  Madje në luftën e Reçit, ndodh një akt shumë simbolik dhe burrëror, i cili nuk është sjellë në vëmendje më parë: bajraktari i Reçit ishte mik me Jupin dhe kur po përgatiteshin për luftën, në shtëpi, bajraktari i jep pushkën djalit të vet dhe i thotë Jupit: “Ta kam falur djalin!” Për fat të keq, djali ishte njëri nga 4 dëshmorët që u vra. Quhej Rifat Nuzi. Zeneli çohet dhe i thotë bajraktarit: “T’u vra djali!” Ai i përgjigjet: “Djali im u vra per atdhe; vetëm ma ktheni mbarë!” dhe vazhdojnë luftën.

 

Tjetër fakt ishte se ngjitur me Jupin, gjatë betejës, ndodhej një ushtar italian, njëri prej dy ushtarëve që kishin dezertuar nga ushtria italiane. Pikërisht këtë e vranë komunistët pas shpine, pra, u duk qartë që kanë dashur të vrasin Jupin, në Reç, nga brenda frontit. Atëherë Jupi është kthyer me automatik kundrejt tyre dhe ata nuk kanë guxuar më. Këtë histori e di mirë prej Zenelit dhe prej nanës. Pas këtij veprimi, brenda kampit të tyre, pra komunistëve, ka pasur irritim dhe thuhet se vetë Bejto Fasllia i ka thënë Kapisyzit: “Mor shoku Qazim, ne nuk e kemi pasur fjalën kështu; ne po vrasim njëri-tjetrin!” Dhe gjuajtësi thuhet se ka qenë Lilo Zeneli, më vonë shef i Sigurimit, njëri nga ata që kanë lyer duart me gjak.

 

Lufta e Reçit u krye me shumë sukses; të nesërmen do i binin Shkodrës, por, nuk deshën komunistët. Qe moment kur ushtria italiane ishte tërhequr dhe demoralizuar; ata e kishin të lehtë ta vinin përpara dhe do t’i vinte në ndihmë edhe populli i Shkodrës. Dhe të gjitha lëvizjet strategjike në Shkodër ishin të studiuara. Thamë, në Reç, nuk kishte viktima, falë tre oficerëve specialistë, të cilët mbërritën t’i fusnin italianët në grykë në tërheqje, kurse për vete siguruan pozicione goditëse shumë të favorshme.

 

Pas luftës së Reçit, vjen pushtimi gjerman. Nga ndonjë kundërshtar, me qëllim për ta njollosur, thuhet se në kohën e gjermanëve, Jupi ka lëvizur i lirë në qytet. Gjatë këtij pushtimi, ish-diktatori ynë Enver Hoxha, ka ndenjur lirshëm te libraria “Flora” dhe ka ngrënë në restorant, gjë që të cilën, Pilo Peristeri e dëftente si heroizëm, në një fjalim që mbajti në një park kamionash, duke treguar se si Enveri kishte thënë: “Nuk po ha krem karamel, që (me këto të holla) të blejmë plumba për partizanët.” Dhe të gjithë kishin qeshur me të madhe pas shpinës së tij. E vërteta është që gjatë pushtimit gjerman ka pasur momente kur të gjithë kanë qarkulluar të lirë nëpër qytet. Vasil Shanto dhe të tjerë, për shembull, kanë ndejtur të lirë nëpër Shkodër. Gjatë kohës së pushtimit italian dhe gjerman gjithë fshehja ishte me periudha, në varësi të valëve politike. Edhe komunistët, edhe ballistët, kanë qarkulluar lirshëm shtëpi më shtëpi, kanë bërë mbledhje dhe janë takuar pa ndonjë problem. Pra, varej nga momenti. Në kohën e gjermanëve, Jupi doli përsëri në mal, sepse ishte komandant i Ballit për Veriun dhe është e dokumentuar letra që Mit’hat Frashëri i shkruan Jupit, ku i kërkon të lidhet me misionin anglez, me kolonelin Neil. Jupi ka pasur bashkëpunim të fortë me misionin anglez. Në dosjet e Ministrisë së Brendshme, Jupin e cilësojnë “tradhëtar”, si “bashkëpunëtor me italinët, gjermanët dhe anglezët”. Sot, po që bashkëpunimi me anglezët konsiderohet si gjest patriotik, sepse nuk ua mban të thonë të kundërtën. Koloneli Neil i ka thënë babës: “Shqipëria për fat të keq është lënë nën influencën e Bashkimit Sovjetik” dhe para se të ikte i ka dhënë dhuratë nagantin e vet, me të cilin edhe vrau veten baba. Koloneli Neil i ka thënë edhe këtë gjë babës: “Nëse mbërrini të bëni ndonjë gjë, ne ndërhyjmë për t’ju mbështetur.” Është dhe një dokument i Mit’hat Frahërit, ku i rekomandon babës një listë me emra personash nga Vlora, Durrësi dhe Shijaku, për të bashkëpunuar me ta në rast të ndonjë plani të organizuar, për rrëzimin e pushtetit komunist. Dokumente të tjera në Arkivën e Ministrisë së Brendshme, janë dy letra, në formën e korrespondencës midis kolonelit Nil (Neil) dhe Jup Kazazit. Në një letër që koloneli Neil i ka dërguar motrës sime, Lirisë, të sjellë përmes kapiten Smaijlit (Smiley-t), shkruhet: “E dashura zonja Karagjozi. Baba yt, ka qenë një hero. Me vjen keq që kapiteni Ebërdin (Aberdeen) nuk jeton më se edhe ai do të çonte përshëndetjet e veta. Unë e kapiteni Ebërdin, në kohën e gjermanëve, kemi shpëtuar gjallë në sajë të babës tand.” E kam dorëzuar në Arkivë të Shtetit këtë letër dhe besoj se është shumë domethënëse.

 

Tjetër… kam parë në një artikull të Gazetës Shqiptare, akt-akuzën e Dom Ndre Zadejës, prift, i akuzuar për bashkëpunim me Jup Kazazin, akt-akuzë për të cilën edhe e kanë pushkatuar. Ai është akuzuar se ka strehuar babën dhe kolonelin Nil. Po Dom Ndre Zadeja, edhe oficerët gjermanë i ka pranuar në kishë, sepse ai ishte prift, dhe nuk mund t’ia refuzojnte asnjë besimtari shërbesën, se të tilla janë parimet e fesë. Ndërkohë që te prifti kanë shkuar veç e veç dhe jo Jupi, oficeri anglez dhe oficerët gjermanë bashkë. Ishte e pamundur. Domethënë ishin akuza pa bazë. Sa për bashkëpunim me anglezët, baba e ka përcjellë misionin anglez deri në Shëngjin, ku erdhi t’i merrte nëndetësja, fakt ky i dokumentuar dhe Jupi vetë nuk ka dashur të ikë me ta, pasi ai dhe të vëllezërit, kishin zgjedhur të rrinin në Shqipëri me ndjesinë se “nuk kemi bërë asgjë për të ikur.” Synimi i tyre ishte të bënin një Shqipëri të lirë dhe demokratike.

 

Në ditët e fundit të nëntorit ’44, krerët e politikës shqiptare erdhën në Shkodër dhe Jup Kazazi u siguroi ikjen me një peshkarexhë nga Shqipëria, pra, u shpëtoi jetën. Këtë nuk e di shumëkush, por, kjo është mëse e vërtetë dhe se ishte një punë me rrezik. Nuk ishte punë parash; ishte më shumë çështje reputacioni. Bëhet fjalië për Mit’hat Frashërin, Hasan Dostin me të birin, Ali Këlcyrën (me të shoqen dhe vajzën, Sefi Protopapën), Zef Palin, Isuf Luzajn, Mentor Çokun të cilin e kam takuar edhe në Romë më vonë dhe bile qe ai që më tregoi se si Jupi i kishte thënë që t’mos të iknin të gjithë. Në tetorin e 1944, Mit’hat Frashëri, siç e përmenda edhe më sipër, i shkruante: “Meqenëse do të rrini e të veproni në Shqipërinë e Veriut…” dhe i sugjeronte listën e personave të besuar për bashkëpunim. I vetmi që u kanë thënë “hajdeni edhe ju me ne”, ka qenë Hasan Dosti. Pra, ideja ishte që t’mos të rrezikonim më tej. Për më tepër, që Sahiti, axha i parafundit, ishte i plagosur në krah, i gjuajtur nga pas nga forcat partizane në Prezë, kur këta po qëllonin një kolonë gjermane. Dhe ata insistuan, sidomos daja, që të paktën Sahiti të shkonte me ta, sepse krahu rrezikohej t’i kthehej në gangrenë, duke i rrezikuar edhe jetën, apo qoftë edhe një paralyze, por, këta të mite, nuk pranuan.

 

Pra, u nisën të gjithë të tjerët. Konfirmimi i fundit i kësaj që po tregoj, ka qenë prej Mentor Çokut, kur e takova në Romë para disa vitesh. Mentori vetë ishte ballist; atij i mbeti e bija këtu, që ka hequr kiametin nëpër kampe internimi.

 

Çfarë ndodhi më pas?

 

Këta pesë vëllezër (Jupi ishte i dyti nga djemtë), të gjithë të rinj, po rrezikonin për një Shqipëri të lirë. Mosmarrëveshja ka qenë gjithmonë për Kosovën. Eshtë edhe e dokumentuar. Baba deshi të shkonte të çlironte edhe Ulqinin, i cili u çlirua nga komunistët me Vasil Shanto e kompani. Para daljes në mal ka edhe një ngjarje tjetër, të cilën sot e di vetëm unë me motrën, të dëgjuar nga nëna dhe tezja. Një apo dy ditë pas nisjes së peshkarexhës, në Shkodër, kishin ardhur dy serbë ose malazezë, të cilët po i iknin komunistëve të tyre, dhe iu drejtuan Jupit, si i vetmi njeri që mund t’i shpëtonte. Secili kishte nga një valixhe të konsiderueshme në dorë dhe iu lutën babës: “Na ndihmo të ikim e të shpëtojmë të gjithë bashkë, se kemi jetën të siguruar” dhe hapën valixhet ku kishin lingota ari. Në këtë skenë, përveç Jupit ka qenë e pranishme nana, tezja Adile Boletini (e shoqja e Adem Boletinit, djalit të Isa Boletinit, të cilin e vranë me një atentat komunistët të organizuar nga Vasil Shantoviçi) dhe djali i saj Enis Boletini, i cili ka jetar deri vonë. Bile nana habitej deri vonë, sepse monedha floriri kishin parë por lingota, kurrë. Baba iu përgjigj: “Unë e kam vendosur, nuk iki.” Nuk u mor vesh se çfarë u bë me ta, por ama prej Shkodre nuk kanë ikur, sepse do të merrej vesh po të kishte ikur ndonjë peshkarexhë. Vetëm në paçin ikur në ndonjë rrugë tjetër.

 

Pas këtyre ngjarjeve që tregova, me 26 nëntor, vjen në shtëpi Salvador Kurti  (nana ishte tek i vëllai) dhe i thotë se “Partia Komuniste mua dhe ty, edhe katër vëllezërit e tu na ka dënuar me vdekje në mungesë.“ Me ç’të drejtë Partia dënonte njerëzit me vdekje, pa gjygj, në mungesë, me një copë letër?!!! Atëherë mblidhen, vishen, pregatiten për t’u nisur sepse këtë nuk e prisnin. Bile atë moment, baba ishte mbledhur me të rinjtë e Ballit, për të diskutuar se si duhet të vepronin tani që po vinin komunistët. Kështu detyrohen të lënë Shkodrën dhe gati kryqëzohen me ta rrugës. Ishte natë, madje dëgjoheshin edhe zërat e tyre. Nisen në drejtim të Veriut, Postribës. Në ditarin që ka mbajtur Jupi për pak muaj, të cilin mandej ia ka kthyer nanës (ia kam dorëzuar kopjen e tij Arkivit të Shtetit), ka përshkruar me detaje se ku shkuan, se si diku i presin dhe diku jo, se si kanë ndenjtur pa ngrënë dhe në shi, në të ftohtë dhe nëpër pyll, se si kanë shkuar në një vend ku i kanë nxjerrë petulla, etj. Në përgjithësi ka gjetur shumë mikpritje dhe shumë bashkëpunim, por, emrin e katundit, ai e lë qëllimisht të paqartë, që nëse kapej, të mos ndëshkoheshin njerëzit. Madje edhe nana e ruante deri vonë këtë ditar në një vrimë muri. Në ditar ka dy gjëra të rëndësishme për 28, 29 nëntorin. Jupi tregon bile që postribasit nuk pranuan të parakalonin me 29 nëntor dhe qenë duke i vrarë, po të mos kishin ndërhyrë Riza Dani dhe Nue Kazazi (një prej kushërinjve tanë, por, që ishte komunist) që i shpëtuan. Në këtë ditar, gjendet edhe një letër e nënshkruar me 10 shkurt 1945, të cilën Jupi ia nisi krerëve të Dibrës me në krye Fiqiri Dinen. Ai përveçse i drejtohet me nderim, kërkon që të bashkëpunojnë në aksin Dibër-Kosovë-Shkodër. I thotë që ka edhe lidhje në Jug, në mënyrë që të përgatiten për një kryengritje të përgjithshme, pasi tashmë edhe populli e pa se çfarë ishte komunizmi. Kjo ishte ideja dhe qëllimi i Postribës. Një letër tjetër që shërben si provë për kryengritjen e përgjithshme është ajo që përmenda edhe më parë: letra e Mit’hat Frashërit, ku i rekomandon me u lidh me persona në Vlorë, Durrës dhe Shijak. Madje e di që Abaz Ermenji ka thënë se “jemi gjallë në sajë të Jupit, se në Jug do të ishim vrarë.”, të cilin Jupi e ndihmoi të dilte, përmes njerëzve të tij. Edhe kur mbërritën në kufi me Greqinë, Jupi kaloi lumin dhe i shoqëroi (që ishte njëlloj vështirë si të kalosh Drinin). Jupi e kaloi kufirin me ta dhe pastaj u kthye sepse mendonte se kishte shpresë akoma. Dokumente të tjera të Ministrisë së Brendshme tregojnë se Jupi gjatë atyre ditëve tmerri, lëvizte në Dibër, Dukagjin, Mirditë, në Pukë, Malësi të Madhe, etj, ku është takuar me Gjonmarkajt, Mirakajt dhe me Dinajt. Qëllimi ishte që kryengritja të bëhej e përgjithshme. Këto të dhëna i di prej Zenelit dhe bisedat me të gjithmone janë bërë jashtë, nga rreziku i përgjimit dhe kjo është arsyeja që nuk kam mbajtur shënim për fat të keq.

 

Lëvizja ka qenë e studiuar ushtarakisht prej Zenelit. Por, komunikimi për të organizuar qëndresën u bë i tmerrshëm; komunistët kapën korrierin dhe e pushkatuan. Po kështu edhe qëndrimi në mal u bë pothuajse i pamundur. Ka qenë një katundar në Vukatanë, të cilin e pushkatuan vetëm pse i ka dhënë një gotë qumësht Jup Kazazit. Ka pasur një rast tjetër me një postribas, të cilin e kanë torturuar keq, por, ai edhe pse e dinte se ku ishte i fshehur Jupi, nuk ka treguar. Përveç torturave, djalit të ri i kanë shkulur edhe dhëmbët. Jupi ka qënë i detyruar të futej në Shkodër si katundar, me gomar, i parruajtur dhe  u strehua te daja i tij. Prej aty, bëhej lidhja me njerëzit e tij përmes korrierëve, prej të cilëve merrte vesh se ishte mëse i kërkuar. Pra ata, komunistët, kishin informacion që po përgatitej kryengritje e përgjithshme.

 

Vdekja e Jupit është e dokumentuar me shënimin “U vra. Të gjitha i pagoi me të.” nga Zoi Themeli, drejtuar Drejtorisë së Sigurimit, me statusin “Tepër Urgjent.” Dhe më tej, shkruhet:  “Me datë 17 shtator u rrethua dhe u vra.” Ai në të vërtetë e pa që nuk kishte shpëtim dhe vrau veten. Por, në shkresë u tha se “e vramë ne”. Dhe përgjigja e telegramit ishte: “mirë”. Ka edhe informata të tjera, si ato të Fadil Kapisyzit. Pra, ka disa dokumente që provojnë se po përgatitej kryengritja e përgjithshme dhe se Jupi kishte pasur komunikim me gjithë krerët e Veriut. Në një dokument tjetër del se ai ka kontaktuar në Dukagjin me krerët e Dukagjinit. Dokumentet nuk mungojnë; e vërteta duhet zbardhur.

“Kryengritje” apo “lëvizje”, është e njëjta gjë. Qëllimi i kryengritjes ishte që të realizohej në të gjithë Shqipërinë, dhe këtu qëndron vlera e madhe, që nuk u arrit. Përpjekja ishte të fillonte si në Veri (Shkodër, Mirditë, Pukë, Dukagjin, Dibër), Shqipëri të Mesme (Durrës e Shijak) dhe në Jug, kryesisht Vlorë dhe Skrapar. Plani ishte që të pritej sinjali kur të bëhej koordinimi me të gjitha krahinat për të filluar, pra, jo me 9 shtator. Dhe duhej të bëhej e menjëhershme, sepse kështu nuk mund t’ia dilnin dot komunistët të përgatiteshin për t’ia dalë në të gjithë Shqipërinë. Po të përhapej në të gjithë Shqipërinë, në të njejtën kohë, do të kishte sukses, duke pasur parasysh që ishte premtuar dhe ndihma e aleatëve. Madje në një tjetër dokument, relacion të Zoi Themelit, shkruhej se ata gabimisht pandehën se rrethuan Jul Kazazin në një pyll dhe forcat komuniste u vranë edhe me njëri-tjetrin.

 

Jupi u detyrua të rrinte në Shkodër te daja i vet Rifat Kopliku, ku edhe bëhej komunikimi. E di që gjatë kësaj periudhe ka shkuar ta takonte kryemyftiu, sepse tek ai nuk dyshonte kush, por, të tjerët nuk guxonin, sepse vendi ruhej nga që komunistët kishin dyshime. E ka takuar edhe Lejla Ulqinaku, vajza e tezes e bija e Qazim Ulqinakut, sepse donte me ditë se çfarë ndodhi me studentët, gjimnazistët që u përzien me Lëvizjen, kur djali i tezes, tregonte se “e merrja me mend që Jupi ishte në Shkodër, po nuk doja me e ditë tamam, sepse kisha frikë se më kapnin dhe nuk e di a do të mund t’i rezistoja torturave.”

 

Si ka ndodhur në të vërtetë gjithë ky rrethimi i Postribës?

 

Këta komunistët kanë torturuar shumë njerëz për të zbuluar se ku ndodhej Jup Kazazi. Pastaj kanë liruar njërin që i kishte premtuar se jua gjej unë Jup Kazazin dhe ndërkohë i kanë kapur të nipin, që ishte i Sigurimit, dhe pasi e futën në birucë dhe e lidhën me hekura, i bënë shantazh: “Nëse nuk kthehesh, të vrasim nipin.” Po ka pasur edhe njerëz të Sigurimit, megjithëse të rrallë, të cilët edhe na kanë dihmuar. Njëri prej tyre me të cilin kishim një lidhje shumë të largët, i ka çuar fjalë nanës: ”Ruaje djalin; mos e lër të dalë nga shtëpia.”(për mua). Pra kjo ka ndodhur, pa u kapur baba. Unë kam qenë fëmijë atëherë; vetëm 5 vjeç. Domethënë donin të më grabisnin dhe të më përdornin peng, si presion për babën, meqë nuk dorëzohej. Pra, këtë e di prej nanës.

 

Korrier pas korrieri, zbuluan njeriun ku ishte fshehur baba. Por, për të arritur këtu, kanë bërë tortura nga më të tmerrshmet: prerja e mishrave, futja e kripës në mish dhe më e padëgjuara ishte shpimi i pulpave me hekura të nxehtë, tejpërtej, duke gozhduar viktimën në tokë me helmetë në kokë që të mos përplaste kokën në mur për të vrarë veten.  Çurçilli ka thënë se kush nuk ka provuar torturat e komunizmit, nuk ka të drejtë të flasë. Pra, pasi u bë Postriba, u gjend se cili ishte njeriu që kishte komunikuar me babën. E zbuluan ku ndodhej, e morën dhe arritën t’ia nxirrnin informacionin, pasi kishte duruar për ditë të tëra torturat më të tmerrshme që mund t’i bëjnë njeriut. Në 2 të mëngjesit arrijnë të marrin informacionin se ku ndodhej baba dhe në 4 të mëngjesit rrethojnë shtëpinë (shtëpinë e dajës së tij), që ishte në qendër të Shkodrës. Ata i kërkojnë të dorëzohet dhe ai u përgjigjet: “Nuk u dorëzohem këlyshëve të Stalinit! Rroftë Shqipëria!” dhe vret veten. Kanë pasur frikë të futeshin, “trimat e famshëm” dhe kanë futur djalin e dajës së babës, Ahmet Koplikun, 16 vjeç atëherë, për të nxjerrë trupin pasi baba vdiq. Edhe i kanë ndejtur Ahmetit përpara me automatik në krye, duke e kërcënuar: “Thuaji Jupit të dorëzohet, se për ndryshe do të të vrasim djalin!”, para se Jupi të vriste veten.

 

Për fat të keq kryengritja dështoi, por, po të ishte realizuar kjo gjë do të kishte ndryshuar rrjedhën e historisë së Shqipërisë. Më bën përshtypje, se si këta e kanë minimizuar rëndësinë e saj, në mënyrën se si e kanë paraqitur. Vërtetë që ka pasur raste kur ndonjë fukara i vënë nën presion e tortura edhe e ka braktisur lëvizjen, por, kjo nuk ka ndodhur në masë. Ishin postribasit dhe banorët e Shkodrës ata, që me kurajo e të paarmatosur mire, vunë ushtrinë përpara; ushtria doli nga kazermat dhe kryengritësit kanë mbërritur deri në “dugajtë” në Shkodër, me qëllim për të hapur burgun, të lironin të burgosurit, të armatoseshin dhe të kapnin organet kryesore: Degën e Brendshme dhe Komitetin e Partisë. Për fat të keq nuk u mbërrit.

 

Edhe diçka tjetër: për Lëvizjen e Postribës janë akuzuar edhe priftërinjtë si: Dom Luigj Pizi, Dom Ndre Zadeja, Lazër Shantoja, Vinçenc Prenushi. Por në Kryengritjen e Postribës, rol të drejtpërdrejtë ata nuk kanë pasur. Indirekt, po: kanë strehuar e bashkëpunuar që para luftës së Reçit kundër italianëve dhe më pas edhe kundër komunistëve. Kanë pasur shumë kontakte me Jupin, sidomos në ditët para kur ai doli në mal. Me sa di unë, kanë pasur edhe një udhëzim prej Vatikanit për krijimin e Partisë Kristiandemokrate, me të cilën ishte dakord edhe Jupi, për një parti aleate, të denjë, me njerëz të ndershëm e patriotë qëe donin Shqipërinë, ku përfshihej edhe propaganda antikomniste, si kundër një ideali antifetar që shtypte liritë e njeriut. Pra, kontakte ka pasur, edhe e kanë strehuar. Por vetëm kaq.

 

Po kështu, për kryengritjen e Postribës, janë akuzuar edhe deputetë. Në njërin nga dokumentet shtetërorë që e përshkruajnë Jup Kazazin si “tradhëtar, armik të betuar të komunizmit dhe se ka sabotuar LANÇL”, thuhet se ka bashkëpunar edhe me deputetë për kryengritjen. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Siç e thashë edhe më përpara, Shefqet Beja, deputet, ishte kumbara im; ai dhe baba ishin shokë të ngushtë, por, i përkisnin ideve të ndryshme. Riza Dani, mik familjeje dhe me lidhje krushqie me ne, nuk ka pas aspak lidhje me Postribën. Ata i dënuan vetëm sepse votuan kundër në kuvend, se nuk pranuan programin e Enverit dhe donin ndryshime, pasi e panë ku po shkonin; ata kuptuan terrorin dhe ndjeheshin të përgjegjshëm se çfarë po bënin për popullin. Por, meqenëse këta të dy kishin imunitet dhe refuzimi ishte konform ligjit, komunistët përdorën Postribën si pretekst për t’i dënuar, pra, pushkatuar. Në letrat që tashmë janë botuar e që janë edhe në muze, Riza Dani thoshte se është i pafajshëm dhe “… se nuk kam të bëj aspak me Postribën dhe nuk kam firmosur asgjë.” Edhe Shefqet Beja ka thënë të njejtën gjë. E sa për dijeni, për kryengritjen dijeni kanë pasur të gjithë qytetarët, madje Sigurimi më fort nga të gjithë.

 

Edhe një hollësi tjetër lidhur me Myzafer Pipën: si person, Myzafer Pipa qe i majtë, por jo komunist. Ai qe i fejuar me Drita Kosturin. Ishte kurajoz, patriot dhe i ndershëm. Ai mbrojti priftërinjtë dhe të dënuarit politikë në gjyq, duke iu drejtuar njerëzve të pushtetit: “Ju nuk jeni në gjendje të gjykoni! Teneqexhinjtë dhe kasapët do t’i dënojnë këta njerëz të kulturuar?!” Dhe Koçi Xoxe, teneqexhi ka qenë. Myzaferi, pasi bëri gjyqin e fortë, ka shkuar me vrap në shtëpi dhe ka biseduar me familjen Garxhola, familje shkodrane që rrinte në shtëpinë e tyre me qera. Pra vjen, vishet dhe thotë: “Unë po iki, po dal në mal e po bashkohem me Jup Kazazin.” Madje kam edhe një letër të Myzaferit drejtuar Jupit, një mesazh ku thuhet: “Zoti Jup, personi X që do të shihej me ju, më tha se do të niset sot për Tiranë me urgjencë. E ndoshta kthehet prapë. Bisedimi i orës 11, mund të pezullohet. Të falem, Myzafer.” Pra është e qartë, që Myzafer Pipa ka pasur lidhje me Jupin. Dhe patjetër, pasi e ka parë se çfarë ishte komunizmi, ai doli hapur. Por nuk do të ketë pasur ndonjë lidhje me Postribën.

 

Çfarë ndodhi me familjen tuaj më tej?

 

Si shpërblim për atë sakrificë që ka bërë Jup Kazazi, ata që organizonin forcat anti-komuniste jashtë vendit (në fillim në Itali deri kur erdhi e majta italiane në pushtet e pastaj në Maltë, e Gjermaninë Perëndimore) dërguan një diversant, një djalë të ri, që të na merrte ne, pra, nanën megjithë dy fëmijë, për të na nxjerrë jashtë kufirit. Ka ardhur e ka takuar nanën. I ati i tij ishte Taip Rrustja, prej Bërdice, i pushkatuar pas aksionit së Bërdicës. Hazis Taip Rrustja, pra, i biri, arriti të arratisej. Hazisi i tha nanës, se “unë kam ardhur me ju marrë; kufinin e njoh mirë se jam i stërvitur. Hajdeni me mua.” Nana i tha: “Unë si person jam gati të rrezikoj, por, nuk mund të rrezikoj fëmijët.” Fakt interesant është se ky Hazisi, erdhi prapë si diversant më vonë, por, e zbuluan dhe e rrethuan në Cukal. Ai nuk u dorëzua dhe u vra duke luftuar. Nana thoshte: “Djalë i ri i shkreti! Ndoshta po të kisha pranuar unë me shkue me të, rrjedha e jetës së tij do të shkonte ndryshe.” Punë pak javësh…

 

Pas gjithë këtyre ngjarjeve kam vrarë mendjen se si mund të trajtojë shumë më keq shqiptari, shqiptarin, se i huaji, shqiptarin. Hamza Kazazin që kishte vrarë turq me shpatë, në kryengritjen e 1835, pas disa kohësh, turqit e rrethojnë pabesisht, e kapin dhe e internojnë në Anadoll, ku detyrohet të rrijë pesë vjet, pa të drejtë të largohej. Por, megjithatë u trajtua shumë mirë: me shërbëtorë, me shtëpi të veten dhe me gjithçka që i nevojitesj. Pra, është trajtuar me dinjitet, edhe si kundërshtar politik. Dhe bëhet fjalë për turqit e 1880-tës. Kurse komunistët masakruan vëllezërit e vet dhe i quajtën “tradhëtarë”. Këdo që ata e konsideronin si opozitë.

Intervista eshte marre nga libri "Zerat e Kujteses", me autorë Luljeta Lleshanaku dhe Agron Tufa, botuar nga ISKK

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here