1953/Arratisja e katër të burgosurve nga Kampi nr.1 Rinas

0
2255
blank

Katër të dënuar me burgime të ndryshme, mundën të arratisen nga Kampit nr.1 Rinas, vend ku ishin grumbulluar të burgosurit për të ndërtuar pistën e aeroportit të ardhshëm. Ngjarja bëri bujë të madhe të atë kohë sepse të arratisurit mundën të kalonin kufirin shtetëror. Ngjarja u analizua më vonë edhe për shkaqet që kishin çuar në këtë situatë. Jehona e kësaj që ndodhi ishte aq e madhe sa u bë frymëzim një vit më vonë edhe për Kampin nr.4 në Tiranë, por tentativa e tyre nuk pati sukses.

Me shkresën nr.3142, datë 9.11.1953, Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë, të nënshkruar nga drejtori nënkolonel Dhosi Progri, njoftonte Sekretariatin e MPB-së se më 30.10.1953, ora 3.00, kishin realizuar arratisjen nëpërmjet një tuneli të hapur, katër të dënuar, të cilët kishin këto identitete dhe këtë gjendje gjyqësore:

1-Abaz Vesel Korçari, nga Vërzeshta e Skraparit, lindur në vitin 1924, nëpunës. U arrestua më 16.8.1946. U akuzua në bazë të nenit 15 të ligjit nr.41, datë 15.1.1945 dhe nenit 1 të ligjit nr.21 datë 15.12.1944. U dënua në grup. Gjykata Ushtarake Berat, me vendimin nr.427, datë 19.11.1946 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me vdekje dhe konfiskim të pasurisë. U ndryshua me burgim të përjetshëm me vendimin nr.174, datë 3.12.1946 të Gjykatës së Lartë Ushtarake.

2-Ago Çelo Hitaj, nga Bolena e Vlorës, lindur më 1929. U arrestua më 29.8.1949. U akuzua në bazë të nenit 4/1 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946. U dënua në grup. Gjykata Ushtarake Gjirokastër, me vendimin nr.90, datë 4.6.1950, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 12 vjet privim lirie dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 3 vjet.

3-Shefqet Nexhip Ismailaj, nga Kardhiqi i Gjirokastrës, lindur më 1920. U arrestua më 24.5.1948. U arratis, por u kap më 21.12.1948. U akuzua në bazë të neneve 2, 3 (1, 8), 4, 8 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946. Gjykata e Lartë Ushtarake me veprim në Vlorë, me vendimin nr.201, datë 25.11.1949 e dënoi me 15 vjet privim lirie, punë të detyruar, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet.

4-Nexhip Sherif Dauti, nga Palavlija e Delvinës, lindur në vitin 1924. U arrestua më 20.11.1950. U dënua në grup. U akuzua në bazë të nenit 4/1 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946. Gjykata e Lartë Ushtarake me veprim në Gjirokastër, me vendimin nr.302, datë 27.11.1950, e dënoi me 20 vjet privim lirie, punë të detyruar, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet.

Analiza e Sigurimit

Në raport, midis të tjerash, thuhet: “Në kohën e daljes prej tunelit, të përmendurit janë diktuar prej rojës që ndodhej 50 metra larg, i cili hapi zjarr kundër tyre, por nga errësira e natës dhe nga hutimi se mendoi se dolën të gjithë të burgosurit, nuk pati precizion në qitje. Kështu që ata mundën të përfitojnë dhe të largohen pa dëm, duke u futur në pyllin që është afër kampit. Për ndjekjen e tyre janë marrë masa nga ana e komandës së kampit, por me vonesë për arsye se vendi nga ku u arratisën këta nuk po diktohej. Për këtë gjë u përdorën edhe qentë ndjekës, por nga shiu ndjekja nuk dha ndonjë rezultat”.

Përveç masave që mori komanda e kampit, morën edhe degët e punëve të brendshme të Qarkut Tiranë, por nuk u diktua asgjë. U njoftuan edhe drejtoritë e qarqeve përkatëse për të marrë masa për ndjekjen e tyre dhe deri më sot nuk kemi asnjë njoftim mbi lëvizjet e tyre”.

Raporti përmend si dobësi lëvizjen e lirë të të burgosurve brenda rrethimit, mungesën e një rregulloreje të brendshme për të përcaktuar regjimin e atyshëm, posedimin e veglave të punës. Puna agjenturiale-operative u cilësua e dobët. Agjenturë kishte mjaftueshëm, por me dobësi në drejtim. Punëtori operativ i Sigurimit mori të dhëna për dy persona që u arratisën, por u mjaftua me transferimin e tyre në dy brigada pune aty. Lidhjet e tij me komandën vlerësoheshin të mira, por të dobëta me Degën e Punëve të Brendshme të Fushë-Krujës.

Nga hetimet rezultonte se të burgosurit Qamil Ogiçi, Shaban Dema, Ali Hoxha, Lipe Laska, kishin pasur lidhje me ata që u arratisën dhe “ishin tronditur”. Sipas të dhënave të agjenturës, në qershor 1953, një grup të burgosurish, Engjëll Kokoshi, Sami Hysi, Ventigjar Hamzaraj, etj, kanë diskutuar për arratisje. Bashkëpunëtori “Hajmalia e vajzës” informonte më 1.11.1953 në bisedë me Lipe Laskën për tendenca arratisjeje në kamp. E dhëna nuk ishte vlerësuar.

Raporti i Degës së Kampe Burgjeve

Një raport për ngjarjen harton më 10.11.1953 edhe kryetari i Degës së Kampeve dhe Burgjeve, major Çelo Arza. Vlerësohej se kanali ishte hapur për rreth 1 muaj e gjysmë dhe niste nga faqja jugore e nevojtores për rreth 11.5 metra (7 metra brenda telave). Largësia nga roja më i afërt ishte rreth 35 metra dhe nga truproja rreth 100 metra. Diametri në hyrje ishte rreth 30-40 cm dhe në dalje rreth 60 cm. Në thellësi haseshin edhe vende me diametër deri në 1 metër. Dheu i nxjerrë hidhej në depon e nevojtores.

Rreshter Rakip Belshaku kishte pikasuri barkas një të burgosur. I bëri thirrjen e ndaljes e pastaj i qëlloi me pushkë, duke mbaruar 5 fishekët. Në çastin kur po merrte mitralozin, shef që po dilnin edhe të tjerë të burgosur (tre të tillë në fakt). Rojës iu krijua mendimi se ishin prerë telat e po dilnin shumë. Të arratisurit morën drejtimin jugor, ndërsa qëlloi në drejtim të tyre edhe tetar Sul Ymeri nga rreth 110 metra larg. Ishte konstatuar mosgjetja e shenjave të gjakut. Pas dhënies së kushtrimit, gjurmët u gjetën deri në lumin Tërkuzë.

Vlerësohej se kanali mund të zbulohej vetëm nga agjentura. Kërkohej kontroll i përditshëm i kapanonëve ku flinin të burgosurit./Kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here