At Bernardin Palaj e At Donat Kurti/Dijetarët-poetë, viktima të terrorit komunist

0
309
blank

Sjellim sot, në ditën e lindjes së Donat Kurtit këtë shkrim të Agim Xh. Dëshnicës, kushtuar dy dijetarëve me një kontribut të jashtëzakonshëm në kulturën e kombit që diktatura i dënoi padrejtësisht.

Nga Agim Xh. Dëshnica

Në librin “Historia e Letërsisë Shqiptare-1983”, emrat e ndritur të dijetarëve poetë, At Bernardin Palaj e At Donat Kurti, të njohur qysh në vitet njëzetë për veprat në shërbim të kombit, nuk përmenden askund. Në organet e shtypit, si Bashkimi, Drita, revistat Nëntori e Ylli, botoheshin lavde për njerëz pa vlerë dhe herë pas here shkrime kundër poetëve e dijetarëve françeskanë. Gjithsesi, as fyerjet, as mohimi, as heshtja, nuk mundën ta shuanin dritën e penës së tyre të artë. Ajo shndrinte brenda e jashtë Shqipërisë. Aso kohe, Ernest Koliqi shprehej: “Veprimtarija letrare e Françeskâjve, zbuloi visaret e folklorit t’onë. Bashkë me tê zbuloi edhe shpirtin shqiptar të mshehun nder palët e moçme të folklorit edhe n’at shpírt gjet kriteret me gjikue botën e mbrêndshme dhe të jashtme, jetën shqiptare edhe atê të huejen. Shkolla letrare e Françeskàjvet, shqyrtoi traditat e lashta në prizmin e qytetnis dhe u dha Shqiptarvet këshillin e prèm se ato tradita fisnike, me rràjë të thella indoeuropjane, duheshin mbajtë e ruejtë si nji pasuni e madhe shpirtnore prej së cilës kombit i rridhshin tagre nderimi e çmimi në gjinìn e botës së përparueme.”

Fillim ngazëllyes-mbarim tragjik

85-vjetori i vëllimeve të para të Visareve të Kombit       

Nën emrin “Visaret e Kombit” deri më sot njihen 15 vëllime. Botimi i tyre nisi më 1937 në Tiranë me vëllimin “Kangë trimash e kreshnikësh”, mbledhur nga Karl Gurakuqi e Filip Fishta dhe u mbyll më 1944 me vëllimin XV, “Kangë triminije dhe dashunije”, mbledhur nga Mehmet Sheshori.

Në vargun e artë të këtyre veprave madhore, shkëlqen vëllimi–II, “Kangë Kreshnikësh e legjenda”, botuar më 1937, nga At Bernardin Palaj e At Donat Kurti. Në hyrjen e librit, ata rreshtojnë me nderim nismëtarët, At Shtjefën Gjeçovin, Vinçenc Prennushin e Marin Sirdanin, të cilët, si bletët mblidhnin pasurinë e kulturës së pashkruar shqiptare. Gjithashtu autorët bënë të ditur lexuesin, se për këtë vëllim bashkëpunuan edhe etërit françekanë, si Nikoll Dajçi, Bernard Llupi, Simon Mikeli, Leonard Shajakaj e Rrok Gurashi.

Në mbarim të luftës, kur u fol për paqe e lumturi, botimi i serisë “Visaret e Kombit” u ndërpre trishtueshëm, sepse autorët e saj të ndritur, që punuan me vetëmohim për mbledhjen e krijimtarisë së pasur gojore shqiptare, u ndëshkuan rreptë nga regjimi komunist, disa me humbjen e jetës ose të lirisë, të tjerët u ndaluan të vazhdonin më tej. Veprat u ngujuan në arkiva dhe u shpërdoruan nga të tjerët. Për autorët nuk flitej më në mjediset shkencore, një dukuri kjo e ngjashme me një dënim tjetër mizor: mohim i veprës së tyre, duke shkelur rëndë ligjin e shenjtë të autorit. Edhe sot, në disa botime, siç ndodh me  librin “In memoriam, Aleks Buda” 2010, në studimin për rapsoditë e veriut apo eposin e kreshnikëve, emrat e dijetarëve artistë françekanë për çudi nuk shihen kund, kur dihet se mbledhësit e folklorit në botën e kulturës nderohen si poetë të mëdhenj…

At Bernardin Palaj e At Donat Kurti në thesarin e artë, "Visaret e Kombit", në vëllimin II, “Kangë Kreshnikësh dhe Legjenda.”, lanë trashgim 342 këngë...

Në krye të rapsodisë “Martesa e Halilit” shihet ky shënim i tyre: “Kjo rapsodi, e përmbledhun mbas shqyptimit të rapsodve të Curraj, mund të quhet  bashkë me martesën e Mujit e me dekën e djalit të tij Omerit, nji ndër ma të bukurat e ma delikatet, qi kemi shqip, nga ky populli poet, me nji disinvolturë klasike- Sa piktura mandej mbrenda kësaj rapsodije! Sa mendimi i njomë e ç’fuqi gjuhe në përshkrim t’objektavet!.”

Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar,-2009, të Akademisë së Shkencave, këta poetë dijetarë, përmenden shkurt: “Bernardin Palaj ishte klerik, studjues. Mbledhës i epikës legjendare.” Më tej vijon një percaktim i pasaktë: “Veprimtaria e tij kryesore ishte mbledhja e teksteve të epikës legjendare në v. 1913-1934, të cilën e kurorëzoi me botimin e vëllimit Këngë Kresnikësh dhe Legjenda (1937).” Veçse pak nga pak, e vërteta e fshehur vite me radhë në arkiva, del nëpër dorëshkrime e librat me poezi e prozë, që trajtojnë tema të kulturës kombëtare. Pra, para lexuesve shfaqet nga errësira, poeti i mohuar e shkencëtari i ndëshkuar më 1947, për veprën atdhetare. Ndërsa për At Donat Kurtin, doktor i shkencave, shkruhet me mungesa të dukshme: “Mbledhës e studjues i folkorit, klerik” . Por nga rreshtimi i veprave të shumta, del në dritë, shkrimtari e studjuesi i gjuhës shqipe. Për At Zef Pllumin, njëri qe “Frati, kangëtari, poeti, folkloristi, shkencëtari, zog i rrallë”, e tjetri “ vjollca e letrave shqipe..”

Meditim per poetët e paharruar

Përfytyroni për pak çaste dy poetët  e rinj, të kthyer në atdhe nga studimet e larta në Austri, Zvicër e Itali, të cilët marrin përsipër barrën e rëndë, si vëllezërit Jackob e Ëilhelm Grim, kërkimin e mbledhjen e pasurisë kulturore të pashkruar në Malësinë e Veriut. Në vapë e acar ngjiten maleve përpjetë, ndalen në stane e kulla të mirëpritur nga barinjtë e malësorët bujarë. Atje për nder të miqëve rreth vatrës, rapsodët me zë të thekshëm burrash e me lahutë, ua marrin këngëve për kreshnikët e Jutbinës. Atbotë Bernardini dhe Donati shënojnë në letër fjalët në vargje të kohëve iliriane, për Behurin, Omerin, Zukun, Ajkunën, Rushën, Gjergj Elez Alinë, Mujin e Halilin e Jutbinën, ashtu si dikur poetët klasik, hidhnin në pergamen vargjet e Homerit, për Patroklin e Akilin, Paridin, Hektorin. Helenën e Trojën. Mos vallë bardi i verbër mjekërbardhë, endej në malet tona? Poetët tanë françeskanë krahas këngëve mblidhnin legjendat, përrallat, doket e zakonet. Pasi mbaronin punën prej artistësh, ktheheshin të lumtur në qelën e famullisë dhe së fundi arin e mbledhur, e derdhën në një libër të përbashkët me emrin “ Visaret e Kombiit.”

Për shkak të viteve të dhunshme, kjo vepër, mjerisht nuk njihet në gjuhët e huaja, sepse përkthyesit  humbën kohën vetëm për kulturën e popujve të tjerë. Nëse një ditë do të lind poeti i madh përkthyes, bota do të njihet me një vepër tjetër me vlera të rralla artistike, krahas veprave, si Iliada, Odisea, Eneida, Gilgameshi etj

blankAt Bernardin Palaj

U lind Shkodër më 1894 në  familjen me tradita atdhetare nga Shllaku i Dukagjinit. Mësimet e para i mori në shkollen e Etërve Françeskanë me drejtor At Gjergj Fishtën, në Shkodër. Pas gjimnazit në Seminarin Françeskan, studioi në Salzburg për filozofi–teologji, kurse në Insbruck të Austrisë ndoqi leksionet në Fakultetin e letërsisë. At Bernarin Palaj më 15 shtator të vitit 1911, i përkiste urdhrit françeskan, ndërsa në gusht të vitit 1919 u shugurua meshtar. Ai njihet edhe si famullitar në Dioqezën e Pultit e të Rubikut.

At Bernardini u shqua në letërsinë dhe kulturën  kombëtare, si poet, analist, etnograf, muzikant, etj.. Për herë të parë më 1920, në revistën Hylli i Dritës, të drejtuar nga At Gjergj Fishta, boton poezi e studime shkencore që u pritën mirë nga lexuesi shqiptar. Palaj, dha mësime për gjuhën shqipe e latine në Liceun Illyricum në Shkodër. Më 1923, bashkëpunon në gazetën “Ora e Maleve” me Gjergj Fishtën, Ndre Mjedën, Anton Harapin, Vinçenc Prennushin etj..  Bernardin Palaj, u bë i njohur edhe me poemat

“Vorri flamurit”, “Moskë Alkazar”, “Prej burgut të jetës”, E diela e fundit në Aventi” etj.  Mbi të gjitha Bernardin Palaj, njihet për bashkëpunimin e shkëlqyer vëllazëror me dijetarin e palodhur Donat Kurtin, në shtegtimet maleve për mbledhjen e këngëve e rapsodive shqiptare gjatë një kohe, që zgjati njëzet vjet. Tërë ai pëkushtim  e mund poetësh e dijetarësh u kurorëzua me kryeveprën “Visaret e Kombit -II”. Ata botuan, edhe studime për doket e zakonet shqiptare. Më 1940  Bernardin Palaj rreth këtyre temave mbajti ligjërata të përkryera në Kongresin e Studimeve Shqiptare dhe në mbledhje të  ndryshme kulturore. Gjatë krijimtarisë së vet, ky dijetar poet përdori edhe anonimet, si Kukel, Lapaj, Konstandinus, Viator.etj.

E gjithë kjo jetë e pasur me krijimtari në sherbim të atdheut, do të shuhej dhimbshëm nga  sundimi komunist pa ligje në vendin tonë. Më 1946, u burgos  e më 8 dhjetor 1947,  u fol se ndërroi jetë nga tetanozi i shkaktuar nga prangat që shtrëngonin duart e arta të atij poeti të paharruar, në  qelitë e Burgut të  Shkodrës.

At Donat Kurtiblank

U lind në Shkodër më 1903. Mësimet e para e të mesme  i kreu në qytetin e lindjes. Pas studimeve në Universitetin "San Antonio" të Romës, më 1927 emërohet mësues. Më 1937 merr gradën Doktor i Shkencave, kurse më 1939 është drejtor i gjimnazit “Illyricum” në Shkodër, deri në vitin 1946 kur u burgos.

Donat Kurti është një nga dijetarët e shquar të kulturës sonë. Prof. Dr. Norbert Jokli e cilësoi si një ndër prozatorët më të mëdhej shqiptarë. Vepra e nisur nga At Shtjefën Gjeçovi u ngrit edhe më lart nga At Donat Kurti në bashkëpunim me At Bernardin Palaj etj.. Krahas punës për veprën “Kangë Kreshnikësh e Legjenda”, ai botoi librat “Prralla Kombëtare” në dy vëllime, “Fëmijë të lumtur”, si edhe studimin “Lojna popullore”.

Donat Kurti as në burg nuk e ndërpreu punën e lodhshme shkencore. Atje, i ndodhur ndërmjet të burgosurve nga krahina të ndryshme, mblodhi shprehi të gjuhës shqipe dhe përgatiti një fjalor frazeologjik me nivel të lartë shkencor të gjuhës shqipe, me 45000 shprehje të rralla, një për Universitetin e Tiranës, dhe një për vete. Por fjalori i punuar me aq mund, ra në duar plagjatësh. At Donat Kurti deri në fund të jetës më 1983, në Tiranë, i ruajti të gjitha vetitë e burrit  të ndershëm, i përkushtuar Zotit dhe atdheut.

Përfundim

At Bernadin Palaj e At Donat Kurti, këta mbledhës të palodhur atdhetarë ndër male e këngëve të kreshnikëve, me prirjet e tyre prej poetësh, zbuluan një visar të pasur të poezisë së pashkruar artistike veriore shqiptarë. Sipas tyre rapsodët e kreshnikëve me frymëzimin e tyre poetik, me trajtimin artistik, me vargun e rrjedhshëm e me gjuhën e pastër, krijuan vargje nga më të çmuarat të poezisë sonë popullore. Ndërkohë me aftësinë prej dijetarësh Palaj e Kurti, gjatë studimit të gjuhës, sqaruan se emri Halil, do të thotë “i bukur”, ndërsa Gjergj Elez Alia, sipas mbiemrit do të thotë, “i lartë, fisnik”, ndërsa me fuqinë e trimërinë legjendare dhe me armët e kreshnikëve, ata përcaktuan kohën e krijimit e cila përkon me kalimin nga ilirishtja te shqipja para dyndjeve sllave, me ndikime të hershme osmane dhe traditën kulturore shqiptare. Pra, sipas tyre, në epikën heroike vendin qendror e zënë rapsoditë kushtuar kreshnikëve si Muji, Halili e Gjergj Elez Alia, ku zakonisht zhvillohen bëmat me kundërshtarët e tyre, “kralë” e “bajlozë.”

Me Visaret e Kombit At Bernardin e At Donat Kurti, mundën të plotësonin një nga pjesët e pashkruara  e më të vështira të historisë, të qenies e kulturës  së kombit shqiptar, qysh nga thellësitë e errëta të Mesjetës. Pra, për tërë këtë veprimtari, gjithmonë në shërbim të kombit shqiptar, regjimi komunist i burgosi të dy këta dijetarë të shkencës albanologjike, me akuza të bazuara mbi një varg të pavërtetash. Prokurorë e gjyqtarë pa kulturë, të cilët u shfaqën me turfullimë pas luftës civile, e akuzuan “armik i popullit“, poetin atdhetar Bernardin Palaj me shërbesa fetare pranë besimtarëve në vise të thella malore. Ndërkohë dijetarin albanolog, Donat Kurtin, i huaj ndaj çdo politike, e akuzuan si “themelues” i një partie të paqenë me emrin “Partia Demokristiane”. Këto i shoqëruan me sajime, siç qenë gjetja e armëve në kishë, vepër tinzare e sigurimit të shtetit, apo shpifja si bashkëpuntorë të revistës "Hylli i Dritës” në shërbim të pushtimit italian. Para trupit gjykues ata qendruan si burra malësie. Doktor Donat Kurti midis të tjerash u tha: "Nuk kam punue për fashizmin…Prej jush nuk pres kurrnji të mirë, edhe pse deri më sot nuk i kam ba kurrkujt keq. Mue nuk më ban përshtypje as vdekja, as burgu, por më vjen keq se më mbeti puna përgjysë. Të gjithë jetën time, të gjithë talentin tim e kam shkri vetëm për t’i shërbye popullit shqiptar, pa marrë parasyshë sakrificat e privacionet.”

Por shkaku i vërtetë për burgosjen e dy atdhetarëve, lexohet qartë në hyrjen e veprës Kangë Kreshnikësh dhe Legjenda:”Kangët e vjetra, që njifen prej malcorve, nën emnin“kangë kreshnikësh, kangë të moçme, kangë lahute, janë visari ma i çmushmi i gjuhës, shprehja ma e gjalla, e shum ndiesive bujare e përfytyrimit typik i fizionomisë së kombit t’onë.

Mbas nji shqyrtimi të kujdesëshëm vehet re, se ndër kto kangë mshehet ndjesija për pamvarsi, pse gjithkund del në shesh lufta e blokut të fisevet shqiptare Mal i zi-Shqipni kundra Slavit, që  tue kapërcyem Danubin, msyn qëndrën e ktyne fiseve: Jutbinën.”  Ky shkrim i botuar më 1937, binte ndesh rreptas me politikën atdhemohuese të “bashkim-vëllazërimit” të vitit 1945.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here