Dëshmia/Sami Blloshmi: Vilsonin e torturuan para se ta pushkatonin

0
329

Sami Blloshmi kishte kaluar vite të tëra në burgje, i kishin zhdukur vëllezërit, por ditë më të vështira sesa ato kur i gjykonin djemtë dhe ia dënuan të dy me vdekje, nuk kishte pasur kurrë. Falë Zotit, Bedriut ia falën jetën! Nuk ndodhi kështu për Vilsonin, që shkoi në pushkatim pa kryer asnjë krim

Dëshmia

Unë kam lindur në 1928. Familja jonë është familja e Selman Blloshmit. Selman Blloshmi ka pasur 7 djem edhe quheshin: i madhi, Hazis Blloshmi, ka bërë shkollë në Austri, doli oficer. Erdhi në Shqipëri edhe në fund, me gradën major. E arrestuan natën, e vranë fshehtas, me urdhër të Mehmet Shehut. Nuk e dinim. Bëmë disa kërkesa, qeveria na tha: “Ne e kemi falur, gjejeni se kur të dojë të vijë në Shqipëri, është i falur”. Edhe ne kërkuam në disa vende. Ca shokë të tij që kishin qenë në Gjermani, që kishin qenë andej-këtej thanë se “ne nuk e kemi parë andej”. Kur u arrestova unë, më dënuan e thanë: “Ke pasur një vëlla major”? “E kam pasur”- thashë unë. “Ta kemi vrarë ne”- thanë. “Paskeni bërë "punë të mirë"... ju thoshit “e falëm”, “gjejeni se e kemi falur””. “Jo, ta kemi pushkatuar ne”- thanë.

Pa gjyq u ekzekutua?

Po jo, ore. Me 28 oficera të tjerë, i vrau Mehmet Shehu ata, natën edhe i hodhi në një greminë atje. Nuk u gjendën më hiç ata. Ai vëllai i këtij, ai Nazmiu, ai vdiq nga një sëmundje, gripi spanjoll në atë kohë. Vdiq, nuk la fëmijë. Hazizi ka një djalë e një vajzë, jetojnë edhe sot ata. Gruaja ruajti disa kohë se e mbanin me muhabete “do të dalë këtu, do të dalë aty”. Ata që e vranë i thoshin. Edhe nuk doli më ai, nuk u gjend. Mbas atij, kemi pasur një vëlla tjetër të madh, ai ishte me nënë tjetër, jo me nënën e Hazizit, ai ishte me mua e me ne të tjerët që jemi tani. Ai shkoi të shikojë të vëllanë në Gjirokastër se ishte ushtar, u shemb makina e vrau. E vrau makina në Gjirokastër edhe nuk jeton më. Mbas atij, vëllai tjetër, Hasan Blloshmi. Hasan Blloshmi u arrestua në vitin 1952. U dënua me pushkatim. I bëmë një lutje Presidiumit të Parlamentit Popullor, nëna dhe babai. Ia hoqën pushkatimin, ia lanë 25 vjet.

Për çfarë akuzohej Hasani?

Akuza ishte: takim me dajën e tij, Bardh Lekën, strehim gjoja. Si nuk ishte në shtëpi në fakt, po: “E ke strehuar dhe e ke takuar Bardh Lekën.” E dënuan 25 vjet. Bëri 16 e gjysmë, u lirua. Mbas asaj shkuan disa vjet, u arrestua prapë: u dënua 10 vjet për agjitacion. Pa asnjë dëshmitar, hiç. Edhe vdiq në burg. Bëri 6 vjet burg edhe vdiq. E iu bënë atij 20 e ca vjet burg. Vdiq në burg.

I keni gjetur eshtrat?

Vajtëm e morëm se kur vdiq nuk na e lanë ta marrim. Mbas disa vjetësh, pasi erdhi demokracia, vajtëm e gjetëm, e zbuluam nga toka. E sollëm, e kemi varrosur në fshat këtu ku kemi varrezat e tjera. Iku dhe ky. Pas këtij, u arrestova unë.

Kur u arrestuat dhe me çfarë akuze?

Në vitin 1963, më 29 mars me akuzë agjitacion e propagandë që unë s’e dija hiç atë muhabet, ku dija unë agjitacion, se si bëhej, se si flitej, hiç. “E po ti ke sharë- më nxorrën një dëshmitar- ke sharë xhaxhin Enver e shokun Mehmet”. Thashë unë: “Këta nuk i kam sharë, s’kisha pse t’i shaja”. “Jo, i ke sharë”. Ma morën direkt, akt-akuzën e më dënuan 7 vjet. U bë një herë gjyqi, s’më dënuan. U bë dhë një herë pastaj, se kryetari i gjyqit tha: “Ky paska 6 fëmijë”. Edhe e kishte mendimin të më lironte fare. Kryetari i Degës tha: “Po e liruam, ky do të ikë, do na hape një punë  të madhe pastaj. Do vejë te daja i tij se e ka dajën në Jugosllavi”. Edhe më dënuan 7 vjet.

Kush ka qenë hetuesi juaj?

Hetuesi ka qenë një Baudin Kazani më duket se ishte andej nga Kolonja, Erseka. Baudin Kazani, ai ka qenë.

Sa kohë zgjati hetuesia?

Në hetuesi, katër muaj, në Librazhd. Çfarë hetuesie? Hiç, 3-4 herë më pyetën.

Nuk pati dhunë?

Nuk pati.

Si u zhvillua gjyqi?

Po, në gjyq nuk u dënuam herën e parë se “s’ka materiale”, tha ai prokurori që ishte aty. Tha ky: “Për mua, këtij nuk i ka bërë gjë hetuesia hiç. Ky të kthehet në hetuesi prapë se ky s’marrka vesh për hetuesi, flet serbes me ne, po me popullin”. Ata e lanë atë muhabet. Pas një muaji, dola në gjyq prapë, u dënova 7 vjet. Bëra 5 vjet e gjysmë, një vit e gjysmë e fitova me punë, u lirova.

Ku e keni bërë burgun?

Burgun e kam bërë në Tiranë, në ndërtim, në Rubik, në Vlorë, në Elbasan, edhe në Spaç, fundin. Në Spaç, u lirova.

Si kanë qenë kushtet e burgut?

Kushtet e burgut nuk kanë qenë të mira se bënin punë të fshehta. Bënin punë që ti nuk i dije hiç, shoku yt të dilte të vriste me levë atje në galeri, ti nuk e dije. Ai ishte i porositur, ishte i angazhuar, kishte marrë shumë fjalë, që: “ty do të të lirojmë, do të pasurojmë, do të çojmë në familje”. Pastaj mbasi e bënte aktin ai, e largonin nga vendi ku ishte i burgosuri, e çonin në një burg tjetër edhe e vrisnin edhe atë.

Përdoreshin të burgosurit për të vrarë të dënuar dhe pastaj i eliminonin dhe ata?

Po. Ai që vriste shokun e vet, i thoshin: “Do të të falim 6 vjet burg”. Edhe në fakt e shkruanin ata, por e vërteta... Dy veta e patën bërë në burgun tonë këtë punë. Ata të dy i vranë. I çuan në një vend tjetër, u nxorën dëshmitarë të tjerë edhe i vranë ata. Nuk u liruan.

Ndërkohë edhe djemtë tuaj kanë pasur pasojat më fatale nga regjimi komunist.

Po.

Çfarë ka ndodhur?

Ata e arrestuan Bedrinë në prill të ’76-ës. Pas 4 muajsh, arrestuan edhe Vilsonin. Këtë e thirrën, e mbajtën dy muaj e gjysmë në Ministri të Brendshme edhe i kërkonin ta nxirrnin jashtë shtetit të punonte për partinë. Ai tha: “Partia nuk ka bërë gjë për mua, unë nuk punoj për partinë”. “Po ti të punosh se ne...” Tha: “Partia nuk ka bërë asgjë për mua edhe unë për partinë nuk punoj”. E torturuan sa i thyen krahun. E kishte të thyer krahun e majtë. Edhe në fund ua ndërruan akuzat, i kishte për “agjitacion e propagandë”, ia vunë akuzën për “sabotim” në ekonomi. Ai nuk e pranoi, se nuk kishte bërë sabotim. Ne na e morën mallin e nuk na dhanë asgjë, nuk u vërtetua vjedhja. “Epo, ti i ke mësuar të tjerët të vjedhin”. Tha: “Unë as nuk kam vjedhur, as nuk kam mësuar njeri”. “Po ke dashur të ikësh”.  “Jo, nuk kam dashur të iki. Po të doja të ikja, do të kisha ikur, po nuk doja të ikja, do rrija në vendin tim. Këtu më takon të rri”. Edhe ia hoqën ata: për ikje e gjë nuk kishte. Më në fund e dënuan me vdekje, i dënuan të dy me vdekje. Mbas 5 ditësh i bëmë një kërkesë presidiumit. Falën Bedrinë, atë e vranë.

Domethënë i dënuan të dy djemtë me vdekje?

Të dy. Mbas 5 ditësh, e falën këtë, e vranë atë. Edhe kështu ka shkuar puna jonë.

Fmilja juaj gjatë gjithë regjimit komunist ka jetuar në fshat?

Po, po në fshat.

Kanë punuar në bujqësi të gjithë?

Po, po në buqësi.

Pa pasur asnjë mbështetje tjetër?

Hiç, në bujqësi. Pastaj mbasi u dënuan këta, ne na internuan. Si familje na çuan në fshatin Polis-Qendër. Edhe e kishim të caktuar… midis dy përrenjve ishte një fshat, po të kaloje matanë përroit, quheshe dezertues. Edhe punuam 10 vjet.

Dhjetë vjet keni qenë të internuar?

Dhjetë vjet.

Në cilat vite?

Nga viti ’77 deri në vitin ’87. E këta mendonin që të më arrestonin prapë mua, se “je më i hidhur se kur ishe në burg”, por duke marrë për bazë sjelljen gjatë burgut që kisha pasur unë, edhe kjo u prapësua, po nga Dega e Brendshme.

Edhe në vitin ’88 vazhdonte presioni ndaj familjes?

Po, i njëjti presion.

Si ka vazhduar jeta juaj pas vitit ’91-92?

Erdhi demokracia në Shqipëri, po nuk kishte bashkim me popullin. Popullit i kishte hyrë nëpër kocka ajo urrejtja. Edhe me ne nuk shoqëroheshin fort, kishin frikë të them të drejtën.

 Nga arkiva e familjes Doko/Kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here