Poet, përkthyes, «Mësues i Popullit». Lindi më 18 mars 1948, në fshatin Bërzeshtë të rrethit të Librazhdit. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, kurse pedagogjiken në Normalen e Elbasanit (1966). Megjithë kërkesat e shumta bërë në Drejtorinë Arsimore të rrethit të Librazhdit, nuk u lejua të fillonte punë si mësues. Ndaj dhe u shtrëngua të punonte në Ndërmarrjen e Shfrytëzimit të Pyjeve në Stravaj. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, më 1970 filloi punë në kooperativë. U arrestua më 5 gusht të vitit 1976 në vendin e quajtur Ura e Librazhdit. Që këtu u dërgua menjëherë në Tiranë, ku e izoluan në birucën nr.20 në burgun "Mine Peza". Pas një viti torturash në hetuesitë e Tiranës dhe të Librazhdit, më 6 qershor 1977 u nxorr përpara Gjykatës Popullore të Rrethit të Librazhdit, «akuzuar për krimin e agjitacionit e propagandës kundra pushtetit popullor». Një javë më vonë, më 13 qershor, gjykata e deklaroi fajtor dhe, së bashku me Genc Lekën  e dënoi «me vdekje pushkatim, me konfiskimin e pasurisë dhe me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë». Ky vendim u la në fuqi, si nga Gjykata e Lartë, ashtu dhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Dhe, më 17 korrik 1977 u zbatua urdhëri i Ministrit të Brendshëm për ekzekutimin e tij në orën 00. Në vitin 1994, ditën e rivarrimit, Presidenti i Republikës i akordoi medaljen «Martir i Demokracisë». Një vit më vonë, njërës prej shkollave 8-vjeçare në Librazhd iu vu emri «Vilson Blloshmi», dhe po këtë vit u dekorua «Mësues i Popullit». Më 30 qershor 2006, nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe në prani të Presidentit të Republikës, në Librazhd u përurua memoriali i dy poetëve martirë të demokracisë, Genc Lekës e Vilson Blloshmit. Po këtë ditë ata u shpallën «Qytetarë Nderi» të Bashkisë së Librazhdit. Në janar 2009 iu dha çmimi «Lasgush Poradeci» për librin më të mirë poetik të vitit (postum). Në maj të vitit 2010, Presidenti i Republikës i akordoi urdhrin «Nderi i Kombit».

 

Burimi: Bedri Blloshmi, Rrëfime nga ferri komunist, Ti-ranë, 2011, f. 169, 173-175, 395-397.
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.

Lajme

blank

Kanë arrestuar mësuesin

Themeluan institucione arsimore. Hartuan tekste shkollore. Nuk e kursyen veten në përhapjen e dijeve. E Lexo më shumë

blank

Shoqëria e poetëve të vdekur...por të gjallë

Me pengun që nuk i kemi përmendur të gjithë, kujtojmë sot, në Ditën Botërore të Lexo më shumë

blank

41 vjet nga pushkatimi/ "Lugati" sipas Vilson Blloshmit që u përdor si provë në hetuesi

Ky përkthim i Vilson Blloshmit i datës 23 gusht 1975 i poezisë së Sharl Bodlerit Lexo më shumë