Demonstrata e 14 janarit 1990 kundër bustit të Stalinit në Shkodër

0
135
blank

Sipas raportit të Hetuesisë së Përgjithshme, “më datën 11.1.1990 dhe 14.1.1990, në qendrën e qytetit të Shkodrës ka pasur tendenca organizimi nga shumë persona për të krijuar incidente, për të bërë demonstratë, fillimi i së cilës do të ishte rrëzimi i bustit të Stalinit në qendër të Shkodrës”.

blank
Rin Monajka

Në fakt, pas ngjarjeve në Lindjen komuniste, Shkodra ishte qyteti në të cilin pritej të niste ndryshimi i shumëpritur prej vitesh. Regjimi nuk ishte mësuar me demonstrata. Edhe të huajt e prisnin nisjen e ndryshimit pikërisht këtu. Figurat qendrore të një lëvizje publike antikomuniste në këtë qytet ishin Rini Monajka (punonjës në ndërmarrjen e peshkimit), me origjinë austriake dhe Dedë Kasneci, i cili kishte dajat e gruas në SHBA. “Ashtu si e ka pësuar Çaushesku, do ta pësojnë të gjithë, do përfundojnë në koshin e plehrave. Këta i bllokon Nexhmije Hoxha që ka grumbulluar arin e Shqipërisë”-mësohet të jetë shprehur Dedë Kasneci.

Më 10-19 janar 1990 u gjendën në Shkodër 15 përfaqësues të ambasadave të huaja në Tiranë. Ndër të huaj, edhe 2 telekronistë francezë. Punonin në Shkodër, 3 specialistë çekosllovakë dhe një gjermano-perëndimor. Telekronisti francez Jean Destang, i cili vizitoi Shkodrën më 17.1.1990 tha se erdhi “për të filmuar demonstratat”.

Në datat 13-16 janar pati rritje të hedhjes së fletushkave e parullave antikomuniste, ndërsa më 15 janar u hodh pas Komitetit të Partisë një dinamit i përgatitur, i cili nuk realizoi plasjen “për vigjilencë të lartë të policit të shërbimit”.

Demonstruesit fillimisht u organizuan më 11 janar, ditën e republikës komuniste, por pas dështimit të tubimit, u la për më 14 janar, ditë kur u grumbulluan shumë qytetarë dhe qëndruan në mënyrë në heshtur në shesh.

blank

Ngjarja ishte në përgjimin e regjimit, ndërsa më 13.1.1990 u ndaluan: Dedë Mark  Kasneci, Gjergj Kolë Livadhi dhe Flamur Fiqiri Begu (Elbasani). Fillimisht pati 21 të ndaluar.

Procesi gjyqësor, nuk u zhvillua në Shkodër. Me urdhër të kryetarit të Gjykatës së Lartë, Aranit Çela, u zhvillua me një shkallë në këtë institucion, në Tiranë më 25-30 prill 1990. U thirrën 33 dëshmitarë. Trupa gjyqësore përbëhej nga Shefqet Muçi (kryesues, anëtar i Gjykatës së Lartë), Burhan Spahiu, Donika Jaupi (të dy ndihmësgjyqtarë të Gjykatës së Lartë). Prokuror ishte Teodor Mosko. Qysh në fillim të gjykimit, kryetari i trupit gjykues u befasua nga Rini Monajka që nuk “mbante mend asgjë”.

Në pretencën e tij të lexuar më 27.4.1990, prokurori, midis të tjerash tha: “Në këtë proces u gjykuan 10 persona për gjykim në kryerjen e krimeve kundër shtetit. Me provat e shqyrtuara u vërtetuan plotësisht se këta të gjykuar kanë kryer veprimtari armiqësore kundër shtetit tonë socialist që konsistojnë në organizimin e nxitje për të ngritur njerëzit në demonstratë, me thirrje kundër lirisë e pavarësisë tonë kombëtare e synim dobësimin e pushtetit popullor. Ngjarjet që lidhen me veprimtarinë armiqësore të të pandehurve që po gjykojmë, të cilat përbëjnë veprën penale, kanë ndodhur në Shkodër më 11-14 janar 1990. Synimi e qëllimi ka qenë për më shumë liri e demokraci, të prekin sadopak lirinë e atdheut, pushtetin popullor, socializmin. Në këtë vështrim, kjo veprimtari është vazhdim i veprimtarisë armiqësore që zhvillojnë armiqtë e jashtëm e të brendshëm kundër Shqipërisë socialiste. Të gjithë këta të pandehur janë fundërrina të shoqërisë sonë, që i kundërvihen luftës së popullit e të partisë sonë tonë për të ndërtuar një shoqëri të lirë, të pavarur e sovrane...Veprimtaria e këtyre të pandehurve, me synimet që përmendem më lart, bëhet në një kohë kur populli ynë po punon për të vënë në jetë vendimet e plenumit 9 të KQ të partisë, për revolucionarizimin e mëtejshëm të partisë e të gjithë jetës së vendit, nëpërmjet rritjes së rolit të masave dhe zhvillimit të demokracisë socialiste.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.2 të, datë 30.4.1990 i deklaroi fajtorë të pandehurit dhe i dënoi me heqje lirie si vijon:

1-Dedë Mark Kasneci, 12 vjet

2-Gjergj Kolë Livadhi, 8 vjet

3-Rin Zef Monajka, 7 vjet

4-Kolec Ndoc Hublina, 5 vjet

5-Aldo Hajro Perizi, 4 vjet

6-Klaudio Aleksandër Daka, 4 vjet

7-Nikolin Gjon Margjini, 3.5 vjet

8-Flamur Fiqiri Begu, 3 vjet

9-Tonin Gaspër Dema, 8 muaj

10-Nikolin Zef Thana, 5 muaj

Me përjashtim të N.Thanës dhe T.Demës, të gjithë akuzoheshin për agjitacion e propagandë sipas nenit 55/1 të Kodit Penal. Me nenet e tjera të këtij kodi akuzoheshin kështu:

Neni 11 (përgatitja e tentativa): Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi.

Neni 52 (diversioni): Dedë Kasneci.

Neni 112 (moskallëzimi i krimit): Nikolin Margjini, Nikolin Thana, Rini Monajka, Tonin Dema.

Akuza për krijimin e një “organizate kundërrevolucionare” nuk u provua. Gjykata e konsideronte “demonstratë antisocialiste” dhe të pandehurit “me rrezikshmëri të madhe shoqërore”.

Pas disa muajsh, në verë të vitit 1990 busti u Stalinit u hoq nga vetë autoritetet komuniste.

Në foton kryesore: Dedë Kasneci

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here