Dënimi me pushkatim i 70-vjeçarit të akuzuar si agjent

0
213
blank

Pasi ishte burgosur në vitin 1947 dhe ishte liruar, Bektash Shkëmbi vazhdoi të ndiqej nga Sigurimi. E implikuan bashkë me persona të tjera nga Përmeti, në histori imagjinare me diversantë dhe e dënuan me pushkatim. Ishte 70 vjecc kur u ekzekutua. Gjykata e mori vendimin pa asnjë provë

Nga Xhafer Sadiku

Bektash Shkëmbi u lind më 1890 në Këlcyrë. Në vitet e rinisë u arsimua në një shkollë turke në nivele të mira për kohën, madje pas bejlerëve të Këlcyrës, ishte më i arsimuari në zonën e Këlcyrës. Më 1914 shkoi në SHBA, ku qëndroi deri në fillim të vitit 1920, për t’u kthyer përsëri në atdhe, ku mori pjesë në luftën e Vlorës. Pasi mbaroi kursin e normales së Elbasanit, shërbeu si mësues në shumë shkolla të Përmetit, si në Kajcë, Rodenj, Podgoran, Këlcyrë, Mbrezhdan, Malëshovë,… apo edhe në fshatrat e Tepelenës, si në Sinanaj, Damës, Peshtan etj..

Në vitin 1947, sigurimi e implikoi bashkë me dhjetëra të tjerë në atë që u quajt grupi “miks” dhe e dënuan me 15 vjet heqje lirie. Lirohet pasi vuajti 8 muaj.

Më 1954, shkoi në Durrës, ku punoi në fillim si ekonomat e më vonë si roje në një repart ushtarak, deri më 1959, kur u arrestua. Në përpunimin, arrestimin dhe dënimin e tij, morën pjesë edhe ish-nxënës të tij, të vënë në shërbim të regjimit.

Më 1959, sipas skenarit të sigurimit, ky grup vepronte: “sipas porosive të bandës së zbulimit amerikan të kryesuar nga diversanti Iliaz Guri”. Gjithnjë sipas sigurimit, “Bektash Shkëmbit ju dha detyrë që të largohej nga qyteti i Këlcyrës dhe të bënte çmos për t’u vendosur me punë në portin e Durrësit, kjo do t’i jepte mundësi atij dhe zbulimit amerikan, që të mbahej më lehtë në lidhje për të kryer detyrat e ngarkuara. Këto lidhje sipas porosive të dhëna do t’i mbante me kuadrot e zbulimit italian, që do të vinin nëpërmjet flotës tregtare”. Anëtarët e tjerët të grupit do të mblidhnin të dhëna “me karakter politik, ekonomik dhe ushtarak, do t’i dërgoheshin atij në Durrës dhe ky do t’ua jepte personave që do të vinte në lidhje”.

Kjo, sipas sigurimit, “tregonte bashkëveprimin midis dy zbulimeve atij amerikan dhe italian për të arritur qëllimet e tyre armiqësore kundër Republikës Popullore të Shqipërisë”.

Për të realizuar skenarin e përgatitur, sigurimi ngarkoi agjentët “Guri”, “Xhuleta” dhe “Sazani”.

Sigurimi synonte të implikonte në legjendat me diversantë Lime Shehun dhe Ramo Shehun. Kështu, më 15 korrik 1957, agjenti “Guri” informonte organet e sigurimit se “elementë me përbërje të keqe politike si Bektash Shkëmbi, Sherif Dalipi, Lime Shehu, Ramo Shehu e Muke Shehu mblidheshin në shtëpinë e Sherif Dalipit…” Agjenti “Guri” informonte sigurimin, sikur Sherif Dalipi i kishte thënë se qe takuar me diversantët. Mbas një drejtimi të mirë që sigurimi u bëri agjentëve, këta të fundit e zbatuan mirë skenarin. Kështu, agjenti “Xhuleta” filloi të raportojë rreth veprimtarisë armiqësore të pjesëtarëve të këtij grupi”. Po kështu edhe agjenti “Sazani”.

Agjenti “Guri”, raportonte se “banda e Iliaz Gurit vazhdonte të vepronte dhe se takimet me pjesëtarët e këtyre grupeve ata i realizonin tek shpella në grykën e “Këlcyrës”. Për të “vërtetuar” këtë informacion, u organizua një kombinacion dhe “u bë kontrolli sekret në këtë shpellë”. Gjatë kontrollit, sipas raportit të Sigurimit, “atje u gjetën sendet e përdorura nga diveresantët. Kjo vërtetoi se agjenti “Guri” ishte në pozita të drejta dhe se banda vepronte aktivisht. Sipas planit, sigurimi arrestoi Sherif Dalipin dhe në dhjetor 1959, Bektash Shkëmbin.

Mashtrimet e Sigurimit dhe drejtësia e munguar

Ndryshe nga ato që thurte sigurimi për Bektash Shkëmbin, si të lidhur me diversantët Iliaz Guri, Habil Shehu, Muhamet Poli dhe Kastriot Lazellari dhe sikur këta ishin të dërguar nga zbulimi italian dhe amerikan, në vendimin e gjykatës ushtarake të Gjirokastrës lexohet, se diversantët Iliaz Guri, Habil Shehu dhe Kastriot Tahiri ishin dërguar nga zbulimi grek.

Po kështu, ndërsa në raportet e sigurimit theksohet se nga diversantët kanë qenë Iliaz Guri, Habil Shehu, Muhamet Poli dhe Kastriot Lazellari, në vendimin gjyqësor përmenden vetëm Iliaz Guri dhe Habil Shehu. Sigurimi kërkonte të implikonte Lime Shehun, Ramo Shehun dhe Muke Shehun, sikur kishin qenë në takim me “diversantët”, ndërsa në pjesën arsyetuese të vendimit gjyqësor që dënoi Bektash Shkëmbin, nuk përmenden emrat e tyre.

Atë që nuk është përmendur asnjëherë në raportet e sigurimit, e lexojmë në vendimin e gjykatës: “Mbas mbledhjes dhe në kohën që diversantët largohen, i pandehuri u jep një seri informata…mbi forcat e armatosura në Garnizonin e Përmetit, mbi armatimin, mbi efektivin e Degës së Punëve të Mbrendëshme, si dhe mbi disa persona me përgjegjësi, në këtë sektor, gjithashtu mbi punëtorët operativë dhe policisë në lokalitetin e Këlcyrës”.

Nëse në raportet e sigurimit theksohej se Bektash Shkëmbi kishte shkuar në Durrës për t’u lidhur me marinarët italianë, të cilëve u jepte informata e këta të fundit ua përcillnin ato zbulimit amerikan, në vendimin e gjykatës lexohet: “Për dorëzimin e informatave i pandehuri ka shkuar nga qyteti i Durrësit në lokalitetin e Këlcyrës dy-tri herë në vit duke mbajtur lidhje me Sherif Hodon dhe ky i fundit deri në vitin 1959 ja u dorëzonte agjentëve të zbulimit grek”.

Në fakt, Bektash Shkëmbi, si shumë të tjerë, ishte larguar nga Këlcyra qysh në maj 1955, për shkak të varfërisë që mbretëronte në zonat e Përmetit. Ai ishte vendosur në Durrës, ku ishte punësuar si roje, megjithëse ishte i moshuar. Për të takuar familjen, ai shkonte në Këlcyrë dy-tri herë në vit.

Procesi gjyqësor dhe dënimi i Bektash Shkëmbit ishte një farsë. Pa asnjë provë dhe vetëm me tre dëshmitarë të rremë, e dënuan me vdekje dhe e ekzekutuan. Ishte 70 vjeç.

Shënim: Marrë nga libri "Skenarë të përgjakur (Përmeti, 1943-1990)", i autorit Xhafer Sadiku, botim i ISKK

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here