Bektash Shkëmbi u lind më 1890 në Këlcyrë. Në vitet e rinisë u arsimua në një shkollë turke në nivele të mira për kohën, madje pas bejlerëve të Këlcyrës, ishte më i arsimuari në zonën e Këlcyrës. Më 1914 shkoi në SHBA, ku qëndroi deri në fillim të vitit 1920, për t’u kthyer përsëri në atdhe, ku mori pjesë në luftën e Vlorës. Pasi mbaroi kursin e normales së Elbasanit, shërbeu si mësues në shumë shkolla të Përmetit, si në Kajcë, Rodenj, Podgoran, Çorrogunj, Katundisht, Këlcyrë, Mbrezhdan e Malëshovë, apo edhe në fshatrat e Tepelenës, si në Sinanaj, Damës, Peshtan etj..

Në vitin 1947, sigurimi e implikoi bashkë me dhjetëra të tjerë në atë që u quajt grupi “miks” dhe e dënuan me 15 vjet heqje lirie.

Pasi ishte liruar nga burgu, më 1954, shkoi në Durrës, ku punoi në fillim si ekonomat e më vonë si roje në një repart ushtarak, deri më 1959, kur u arrestua. Në përpunimin, arrestimin dhe dënimin e tij, morën pjesë edhe ish-nxënës të tij, të vënë në shërbim të regjimit.

E akuzonin se u jepte informata diversantëve të dërguar nga Amerika dhe Italia, ndërsa gjykata e dënoi sikur informonte diversantët e zbulimit grek. U dënua me pushkatim. U ekzekutua kur ishte 70 vjeç.

Burimi: Skenare te pergjakur (Permeti 1943-1990), Xhafer Sadiku, ISKK, Tirane 2016
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.