Drita Kosturi, e burgosur nga fashistët dhe komunistët

0
995
blank

Drita Ali Kosturi u lind në vitin 1920 në Tiranë. Ish e fejuara e Qemal Stafës dhe pas lufte bashkëshorte e Myzafer Pipës. Në vitin 1938 mbaroi arsimin e mesëm në Tiranë. Në vitet 1939-1941 ndoqi studimet në Itali për mjekësi. U burgos dy herë nga regjimi fashist, por një dënim të gjatë e të pashembullt e pati nga regjimi komunist. Hyri në burg 26 dhe doli prej andej 39 vjeçe. Regjimi i mori rininë në mënyrën më të pabesueshme dhe kriminale. Dënimi i saj ishte hakmarrje tipike ndaj një gruaje të pambrojtur.

U arrestua më 13.9.1946, kohë kur banonte në Shkodër, në kuadër të fushatës së arrestimeve masive që lidheshin me kryengritjen e Postribës, të cilat bëheshin pavarësisht faktit nëse personi kishte apo jo lidhje. U pyet në hetuesi nga Nesti Kopali, një prej më gjakatarëve të Sigurimit këtë kohë në Shkodër. Akuzat e formuluara ishin shumë pa lidhje.

Në UNRRA kishte qenë dy herë për të çuar një ftesë balloje, por ajo e njihte Okli Hillin qysh kur ishte e vogël ngaqë babai ishte oficer madhor i xhandarmërisë. U akuzua në bazë të neneve 2, 3 (1, 2, 7, 8, 10), 4, 8 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946, se ishte lidhur me misionet anglo-amerikane në Tiranë, se ishte bërë “agjente” e tyre, se ishte martuar me “tradhtarin Myzafer Pipa” duke krijuar “grupe terroriste” me atë për një “kryengritje kundër pushtetit”, se shkoi në Shkodër, Durrës, Tiranë, Kolonjë, Korçë, etj, për të përhapur “frymën e reaksionit dhe pakënaqësinë”, se nxiste në paraburgim të pandehurit të mohonin akuzat, etj.

Gjykata Ushtarake Shkodër, me vendimin nr.506, datë 23.12.1946, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me vdekje dhe konfiskimin e pasurisë. U ndryshua në me 20 vjet burgim me vendimin nr.101, datë 29.2.1948 të Gjykatës së Lartë Ushtarake.

U lirua më 18.9.1959 nga Punëtoria Qendrore e Artizanatit, pasi kish vuajtur 13 vjet dhe 5 ditë heqje lirie. U internua menjëherë në Shtyllas të Fierit. U kthye në Tiranë në vitin 1988, ku edhe vdiq në vitin 2002.

***

Intervistën e parë për shtypin shqiptar, Drita Kosturi ia jep gazetës “Rilindja Demokratike”, më 16.2.1991, gazetares Elsa Ballauri. Pjesa më interesante rreth persekutimit të saj, është kjo e mëposhtmja:

“Isha punonjëse e Kryqit të Kuq atëherë kur u arrestova. Ndodhi në gusht 1946. Natyrisht për mua ishte krejt e papritur dhe akuzat nga më të pabesueshmet: agjitacion e propagandë kundër popullit e pushtetit, bashkëpunëtore e anglezëve (në spitalin partizan punoja me një mjek anglez), etj. Them e të tjera sepse që në pyetjet e para në hetuesi, m’u tha se unë nuk duhej të pretendoja për asgjë më tepër se isha e dënuar dhe kaq. Pra duhej të pranoja logjikën e mbrapshtë të atij pushteti për të cilin kisha luftuar e sakrifikuar aq shumë.

Prej 1946-s kur u arrestova e deri në vitin 1948, unë jam mbajtur në hetuesinë e Shkodrës, ku pashë se si hoqën dhe u transformuan shumë njerëz të nderuar, intelektualë, pedagogë, priftërinj, hoxhallarë, historianë. Në qoftë se do duhet të flas për vuajtje e tortura burgu, i kalova pikërisht atje. Por tortura fizike kalon, durohet. Mjafton këmbëngulje, vullnet e optimizëm. Ajo që është më e paharruar nuk është dhimbja e mishit, por e shpirtit. Vuajtja më e madhe ka qenë kur shihja si torturonin të tjerët, ai ata njerëz të pafajshëm dënoheshin që të qëndronin mëkëmbë me ditë të tëra pa u ulur asnjë sekondë dhe pastaj krijonin “veprimtari armiqësore” për vetveten, vetëm e vetëm për të ndenjur ulur apo shtrirë një natë. Edhe hetuesit e dinin absurdin e pyetjeve të tyre edhe absurdin e përgjigjeve sepse herë-herë përpara se të nisnin ritualin e zakonshëm të mbrëmjes për marrjen në pyetje, thoshin: “hajde luajmë rrenash tani”. U dënova me vdekje. Për tre muaj me radhë, prisja xhelatin që në orën dy pas mesnate. Ka qenë ankth i pafund. Pas tre muajsh vijnë përfaqësues të Gjykatës së Lartë Ushtarake të cilët më deklaruan se më ishte falur jeta dhe do bëja vetëm 20 vjet burg. “Falënderoje Presidiumin e Kuvendit Popullor”-thanë ata. Pra, duhej edhe të falënderoja.

E kam gjithmonë në vesh zërin e të mirit pedagog Kolë Prela, i cili u ekzekutua më vonë. “Mos harro Dritë, më shih nënën”-më tha kur po largohesha.

Më pas m’u ulën edhe 5 vjet të tjera dhe pasi shleva edhe 2 vjet me punë, kalova plot 13 vjet në burgun e Tiranës.

Nuk mund të mos kujtoj këtu dhe nuk mund të rri pa i përmendur dy miket e mia të vërteta të burgut, Musine Kokalarin, një nga themeluesit e partisë liberale dhe F.S., e njohur dhe e dënuar për bindje demokratike. Pas burgut, internimi ishte gati. Më shpunë në Shtyllas të Fierit. Akoma atje e kam shtëpinë time, ndonëse ka tre vjet që rri te nipërit e mi në Tiranë”.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here