Ndërroi jetë ish i dënuari politik Daut Mehmeti, i cili vuajti 16 vjet, 4 muaj, 5 ditë

0
207

Më 6.1.2023 u nda nga jeta në Tiranë, një prej të dënuarve që ka vuajtur shumë vjet heqje lirie, Daut Sadik Mehmeti, i cili vuajti plot 16 vjet, 4 muaj, 5 ditë. Ai u lind më 15.9.1941 Tiranë, por në kohën e arrestimit banonte në Shijak. Dauti ishte vetëm 21 vjeç kur u orvat bashkë me shokët e tij Simon Hyka (21 vjeç) dhe Xhelal Peposhi (19 vjeç), të dy banues në Tiranë, të arratisej nga zona e Korçës. Tre shokët mbërritën në Korçë e prej andej morën një taksi duke lëvizur në rrugën Bilisht-Zvezdë u diktuan, pa mundur të realizonin arratisjen e tyre. Ngjarja njoftohet në komunikatën ditore të MPB-së se në zonën e Zvezdës në orën 21.30 ishin diktuar tre persona në një taksi. Të tre ishin kapur një orë më vonë më 22.30 nga forcat e DPB Korçë. Fillimisht u mbajtën në Zvevdë e më pas u zhvendosën në Degën e Punëve të Brendshme Korçë. Ishte data 28.6.1962 kur u arrestuan. Çështja i kaloi gjykatës ushtarake, e cila deri në vitin 1963 gjykonte çështjet politike, të quajtura “krime kundër shtetit”. Të rinjtë u akuzuan në bazë të nenit 64 në kombinim me nenet 10 e 14 të Kodit Penal. Gjykata e konsideroi Dautin si iniciator të arratisjes.

Gjykata Ushtarake Tiranë, me vendimin nr.153, datë 29.11.1962, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 20 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 4 vjet. U la në fuqi me vendimin nr.116, datë 12.11.1962 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë.

Ky nuk do ishte dënimi i vetëm për Dautin. Duke vuajtur dënimin në Repartin nr.303 Spaç, u arrestua sërish, duke u akuzua “për tradhti ndaj atdheut”. Gjykata e Rrethit Mirditë, me vendimin nr.17, datë 18.7.1969 e deklaroi fajtor dhe në bashkim të dënimeve e dënoi me 9 vjet e 6 muaj heqje lirie. U lirua më 3.12.1978 në moshën 37 vjeçe.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here