Grupi Farmaku

0
176
blank

Kur krijimi nga Sigurimi i grupeve armiqësore, në Përmet u kthye në veprimtari të zakonshme u formua dhe grupi “Farmaku” në lokalitetin e Çarshovës. Xhafer Sadiku, në librin e tij “Skenarë të Përgjakur” sjell zhvillimet siç janë pasqyruar në dokumentet e kohës. Një listë qytetarësh përfunduan në burgje pa prova që vërtetonin aktivitetin e tyre armiqësor

Nga Xhafer Sadiku

Sigurimi listoi disa banorë të zonës, për të cilët i raportonte drejtorisë së tij se në katundin Seran-Perat, vepronte një grup armiqësor “në të cilin bënin pjesë Gaqo (Jorgji) Ngjiro, Koço Kristo, Jani Argjir Kita, Stathaq Diamanti, Koço Kita dhe Pandeli Haxhiu".

Sigurimi vendosi që këtë “grup armiqësor” ta ndiqnin me grup agjenturial, duke i vënë për këtë qëllim pseudonimin “Farmaku”. Në drejtim të tyre u aktivizuan me vijë sjellje pesë agjentë. Më 4 janar 1961, arrestuan Gaqo Jorgji Ngjiron. Megjithëse nuk kishin asnjë provë në ngarkim të tij, seksioni i sigurimit në Përmet ngarkonte me detyrë punëtorët operativë dhe hetuesinë e sigurimit të ndiqnin me kujdes procesin e tij “dhe të merreshin masa agjentural-operative për implikimet që do të dilnin nga procesi”. Në planin e punës për vitin 1961, sigurimi parashikonte se përpunimin e tyre, do ta bënte më mirë një bashkëpunëtor që të ishte dhe të bënte pjesë në radhët e këtij “grupi”. Për këtë, sigurimi zgjodhi si më të përshtatshëm Jani Argjir Kitën.

Në ngarkim të tij, sigurimi kishte përgatitur disa materiale, që sipas tyre e komprometonin dhe më 20 prill 1962, e arrestuan në mënyrë të fshehtë. Për të ruajtur sekretin e hetimeve, ai u dërgua natën në birucat e Degës së Punëve të Brendshme të Korçës, ku për dhjetë ditë iu nënshtrua një hetuesie intensive.

Megjithëse ndaj tij përdorën tërë arsenalin e hetuesisë, Jani Argjir Kita nuk pranoi asgjë dhe qëndroi i patundur. Duke mos e thyer dot, më 30 prill 1962, i komunikuan akuzën dhe e morën të pandehur. Edhe gjatë pyetjes në hetuesi, ai mbajti qëndrim mohues për akuzat që i bëheshin, por edhe pse mbajti një qëndrim të tillë, “… në 9 nëntor 1962, u dënua me 20 vjet privim lirie”.

Pas refuzimit të Jani Argjir Kitës, për të thyer atë që sigurimi e quajti grupi Seran-Perat, u përdor tërë arsenali i seksioneve të sigurimit të rretheve Përmet, Krujë, Vlorë Drejtoria e Tiranës, të cilat bënë kombinacione agjenturiale-operative.

Si rezultat i këtyre kombinacioneve, në shtator 1963 u arresta Stathaq Stavro Diamandi i cili ndiqej  me fashikull kontrolli. Ai u përpunua rregullist i rrethuar me agjenturë paralele, ku nga të dhënat e bashkëpunëtorëve “Goliku”, “Zanaçiu”, “Bujku”, “Shkëmbi” dhe “Malësori”, “dilte se kishte zhvilluar aktivitet të theksuar në agjitacion e propagandë”, “ku në bisedat që kishte zhvilluar me bashkëpunëtorët e sigurimit u kishte thënë se: “punët nuk janë mirë…se këta i kanë lyer duart me gjak se kanë bërë shumë krime…”.

Në dhjetor 1963, u arrestua Pandeli Ligor Haxhiu, i akuzuar për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor.

Në janar 1964, arrestuan Koço Argjir Kriston, i cili bëri më shumë se 19 vjet burg. Një muaj më vonë u arrestua Koço Nika, i cili nuk i pranoi akuzat që i ngarkonte sigurimi dhe u dënua për agjitacion e propagandë me 10 vjet burg.

Megjithë goditjen që dha, sigurimi listoi emra të tjerë nga krahina dhe plotësoi përsëri grupin “Farmaku”.

Në raportin tepër sekret, të datës 31 dhjetor 1964, seksioni i sigurimit për rrethin e Përmetit i shkruante drejtorisë së sigurimit, për përpunimet aktive të disa personave. Ata ishin:

Vangjel Saqellari, nga katundi Zhepë. Përpunohej me fashikull kontrolli… dilte se Vangjeli “ka folur mbi ardhjen e diversantëve në të kaluarën, ka bërë komente”.

Spiro Pandeli Nakollari, nga katundi Draçovë. Ishte vënë në përpunim aktiv gjatë vitit 1964… Kishte thënë se populli nuk dëshiron të vejë në zbor ushtarak, por është i detyruar se këta të fusin në burg.

Nikolla Jano Saqellari, nga katundi Zhepë. Më 1964 u vu në përpunim aktiv. Bashkëpunëtorët…raportonin sikur midis të tjerash, u kishte thënë se “jetën dhe rrojtjen që bëhet në Turqi nuk e bën asnjeri dhe që të flasësh për këtë do kohë…”

Pandeli Mantho Stefani nga katundi Pëllumbar. Në raportin e sigurimit theksohej se… kishte thënë se “Shpresat nuk duhet t’i humbasim, sepse ky regjim do të përmbyset”. Pandeli Stefani u arrestua në shtator 1967 dhe u dënua për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.

Sotir Joanidhi nga katundi Pëllumbar. U përpunua nga bashkëpunëtorët “Oxhaku”, “Zanaçiu” …të cilët raportonin se Sotiri “…në veçanti ka theksuar tendencën e arratisjes jashtë shtetit”. Pas një përpunimi aktiv, sigurimi e arrestoi Sotir Joanidhin më 11 maj 1965, për ta liruar pasi bëri 12 vjet e 7 muaj burg.

Perikli Llazo Lipe, nga katundi Gjinkar. Bashkëpunëtorët e sigurimit, “Partizani”, “Guximtari” dhe “Libri” informonin sikur Perikliu ishte shprehur se “populli është mërzitur aq tepër sa s’bëhet. Këta vetë e kanë kuptuar që nuk janë në rrugë të drejtë, por u vjen liksht ta ndryshojnë…” Perikli Lipe u arrestua më 15 dhjetor 1966 dhe u dënua për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Vuajti dhjetë vjet në burgje.

Spiro Pandeli Nikolla. Ishte vënë në përpunim aktiv gjatë vitit 1964. Në raportet e sigurimit vihet në dukje se kishte bërë komente të ndryshme në agjitacion e propagandë. Pas shtatë vjet përpunim aktiv, Spiro Pandeli Nikolla u arrestua më 15 mars 1971 dhe u lirua në tetor 1977.

Komente në agjitacion e propagandë, sipas sigurimit, kishin bërë dhe pjesëtarë të tjerë, të “grupit” që ishin në përpunim dhe jashtë përpunimit si Lili Shukollari, Spiro Pandeli etj.

Shënim: Marrë nga libri "Skenarë të Përgjakur (Përmeti, 1943-1990)" i Xhafer Sadikikut, botim i ISKK

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here