Nesti Kopali njihet si një prej hetuesve më gjakatarë të Sigurimit të Shtetit. Gjatë qëndrimit dyvjeçar në Shkodër, ai hetoi shumicën e klerikëve katolikë në këtë qytet dhe përdori torturat më çnjerëzore dy prej të cilave ishin ngulja e thikës në gjuhë në tavolinë druri si dhe kamxhiku në qafën e të pandehurit në formën e mbytjes së gjarprit. Për krimet e tij ai mbahet mend në Shkodër. Karriera e tij vazhdoi më pas në SHBA me “diplomatët” jugosllavë. Me prishjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë, ai shkon në legatën tonë në Romë, prej nga arratiset. Jeta e Kopalit kalon në andralla e deri në çmendi. Erdhi në Shqipëri në vitin 1991, ndërsa vdiq para pak vitesh.

Legjenda për rolin e Nesti Kopalit

Historianët e Sigurimit të Shtetit dhe oficerët e kësaj arme, kur analizonin radiolojën “Buza e bredhit” (15 korrik – 1 nëntor 1949), e mbyllnin me arsyetimin se ajo u mbyll nga arratisja Nesti Kopalit në Romë. Në fakt loja u mbyll një muaj e gjysmë para se të arratisej Nesti Kopalit, e kësisoj aludimet për “tradhtinë” e tij janë të pabaza.

Skeda e jetës së Nesti Josif Kopalit

-Lindur më 1.6.1924 në Çorraj të Kuçit në Vlorë.

-Nxënës në normalen e Elbasanit, 1938-1943.

-Braktis shkollë e del partizan, 1943

-Partizan në batalionin e Dumresë, 21 maj -16 korrik 1943

-Anëtar i PKSH-së, 16 korrik 1943

-Intendent në batalionin e Bërzeshtës, 16 korrik 1943-20 maj 1944

-Komisar i batalionit të Bërzeshtës, 20 maj-26 shtator 1944

-Zëvendëskomisar batalioni në brigadën e 17-të, 26 shtator 1944-1 mars 1945

-Zëvendëskomisar i brigadës së 17-të, 1 mars -1 maj 1945

-Anëtar i DMP-së e më pas Sigurimit në Shkodër, 1 maj 1945-mars 1947

-Kalon në MPJ, më 15 prill 1947, duke u vendosur në përfaqësinë diplomatike jugosllave në Uashington, SHBA, 1947-1948

-Kryetar i Degës së 1-rë (Zbulimi Politik) në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit, 1948-1949

-Gradohet major në korrik 1948

-Në Itali 1949, atashe shtypi

-Arratiset më 12 dhjetor 1949

-Kthehet në Shqipëri në nëntor 1991, banon në Piqeras

Biografia dhe vlerësimi

Në autobiografinë e tij ai shkruan se rridhte “nga një familje fshatarësh të varfër”, prindërit e të cilit kishin qenë “gjithnjë bujq”. Te përqafimi i idesë komuniste ndikoi vëllai i tij i madh që ishte antizogist si dhe ato që dëgjoi në vitin e parë të Normales nga Hiqmet Shehu dhe Mevlud Dervishi. Shkruan se është gjaknxehtë, i paduruar dhe i rrëmbyer.

Në një vlerësim pa datë, për të thuhet:

Oficer i mirë. Ka mundësi me dhanë më shumë për detyrën që i është ngarkuar, por vërehet se lidhja e tij me punën nuk është aq sa duhet. Nuk i dhemb puna. Natyrë e avashtë. Ka mundësi të përmirësohet. E metë që i dallohet është se megjithëse që ka punë, i lë dhe merret me studime (gazeta, libra, radio, etj)”.

Nga dokumentet del se arratisja e Kopalit ka ndodhur me rastin e konflikteve me ministrin e Legatës së Shqipërisë në Romë, Zenel Hamiti. Karakteri i rrëmbyer i Nestit, çrregullimet mendore në rritje të tij, jeta ndryshe në Perëndim e kishin vënë në një gjendje presioni të pazakontë. Pas problemeve që pati kur ishte në legatën jugosllave në SHBA, ai i frikësohej një dajaku të dytë. Nesti arratiset më 12.12.1949. 

Endja nëpër botë

Problemet mendore të Nestit vijnë në rritje. Për të nuk ka shumë informacione. Rreth vitit 1959 mësohet se ndodhej në një spital psikiatrik në Greqi. Në letrat që i shkruan familjes ai thotë se ishte i pandërgjegjshëm se sa kohë kishte aty. Në letra e kësaj kohe që i ka dërguar familjes ai shkruan se nuk u arratis për arsye politike, por për sherrin me “dy shokë të legatës”, që ishin sipas tij “kalamaj nga mendja”. Dosja mbyllet pa të dhëna të tjera, ndërsa në një informacion të vitit 1991, merret vesh se ai ndodhet në Piqeras, ndoshta te motra e tij.

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.