Profesor, nacionalist, luftëtar antifashist, deputet i Dukagjinit. Lindi në fshatin Pepsumaj të Shoshit, më 19 tetor të vitit 1916. Më 1923 filloi kolegjin jezuit. Pas një ndërprerje shumëvjeçare, diplomohet në gjimnazin e shtetit më 1935. Në vitet 1936-1949 kreu fakultetin e Letërsisë-Filozofisë në Universitetin e Torinos. Pas kthimit në Shqipëri, punoi mësues i letërsisë, greqishtes dhe latinishtes në gjimnazin e Shkodrës (1940-1943). Është një nga organizatorët e demonstratës antifashiste të 22 shkurtit 1942, dhe një nga nacionalistët e parë indipendentë që përqafoi platformën politike të Konferencës së Pezës, hyri në FNÇ dhe së bashku me Riza Danin, Dom Luigj Picin, Xhemal Brojën, Rexhep Hakën, Sadik Bekteshin e   Shyqyri   Hafizin,   formuan   Këshillin e Gjakovës. Më 1944 u zgjodh përgjegjës i Seksionit Ekonomik në Shkodër dhe, për dy muaj, drejtor i Normales së Elbasanit (deri në nëntor 1945). Në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 u zgjodh deputet i zonës nr. 11 në Nënprefekturën e Dukagjinit. Ishte pjesëtar i grupit të deputetëve opozitarë, që kërkonte pluralizëm politik dhe zgjedhje të lira. U arrestua më 14 shtator 1946, pas shtypjes së Lëvizjes së Postribës, me akuzën e themelimit të një partie demo-kristiane, bashkëpunimin me Riza Danin dhe lidhjen me Klerin Katolik. Më 14 janar 1948 u dënua me vdekje, me pushkatim, dhe konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme. U ekzekutua më 13 prill të vitit 1948. Nuk i dihet varri as sot e kësaj dite.

Burimi: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist VI (Tiranë: ISKK, 2017), 353
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.