Takimi me nënën pas gati 50 vitesh

0
611
blank

Remzi Barolli ishte fëmijë, kur pasi i ekzekutuan të atin, i arrestuan edhe nënën. Ajo vuajti për vite të tëra në burgje e kampe, ndërkohë që fëmijët u rritën pa prindër. Edhe Remziun e arrestuan vite më vonë, si shumë familjarë e të afërm me mbiemrin Barolli, por ai mundi të arratisej nga burgu, të shkonte në Greqi e më pas në SH.B.A. Kur u përmbys regjimi komunist, Remziut iu dha e drejta nga Departamenti Amerikan i Shtetit të tërhiqte të afërmit në SH.B.A. Katër vjet më parë, në prag të të ’90-ave, Remziu ka rrëfyer si ishte takimi, pas gati 50 vitesh, me të ëmën

Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, nga Departamenti i Shtetit Amerikan i kishin telefonuar Remzi Barollit: – Mund të nxjerrësh njerëz nga Shqipëria. Kë të duash e sa të duash. – Kjo më gëzoi shumë, – thotë Remziu, – sepse kisha parasysh faktin se në ç’gjendje të rëndë ekonomike ishin ata pak të afërm të mi që ende ishin gjallë, por edhe duke qenë i vetëdijshëm se, ndonëse në krye të shtetit shqiptar kishte ardhur një qeveri e djathtë demokratike, ndryshimet nuk mund të bëheshin shpejt. Një shteti të shkatërruar nga komunizmi për një gjysmë shekulli do t’i duhej një kohë e gjatë për ta marrë veten, kurse gjurmët që kishte lënë regjimi i egër antikombëtar, sidomos në psiken e shqiptarit, vështirë se mund t’i shlyejë edhe një shekull i tërë. Natyrisht, në radhë të parë ishte nëna, pastaj të tjerët. Ishte fundi i tetorit 1989. Nxora nga banka 32 mijë dollarë dhe shkova në Ambasadën Amerikane në Rumani. Atje qëndrova 2 javë e gjysmë. Pastaj shkova në Budapest. Isha me Nexhmiun dhe me nipin, Arianin. Nga Shqipëria nxora motrën, vëllanë, nipin dhe disa të tjerë, gjithsej 16 veta.

– Për ta nxjerrë nënën time nga kampi (ajo, edhe pse ishte liruar, ende qëndronte në kamp, ngase s’kishte ku të shkonte, shtëpia ishte shkatërruar), kam qenë i detyruar të vrapoj shumë,- thotë Remziu.

Një nëpunëse në Departamentin e Shtetit Amerikan, Suzana Sutton quhej, ishte e para amerikane që kishte shkuar në Shqipëri pas rrëzimit të komunizmit (në korrik 1990). Ajo kishte biseduar me Ramiz Alinë dhe kishte kërkuar lirimin e nënës së Remziut, por ai i ishte përgjigjur: – Unë jam kryetar shteti dhe s’merrem me individë. Suzana kishte qenë këmbëngulëse dhe, pas disa bisedash, kishte arritur ta nxirrte nënën e Remziut nga kampi. Më 11 korrik 1990 ajo kishte hipur në avion dhe ishte nisur për në Zvicër, ku do ta priste i biri. Gjatë gjithë rrugës kishte qarë… Remziu kishte shkuar nga Amerika në Zvicër, në aeroportin e Zyrihut, për ta pritur nënën, të cilën s’e njihte dhe e cila po ashtu, s’e njihte të birin.

Ditën që do të arrinte e ëma, Remziu kishte fluturuar nga Nju-Jorku në Zyrih. Nja 2 orë pas arritjes, kishte shkuar në konsullatën amerikane.

– Në shkollën ku punoja – tregon Remziu, – kishim një ambasador, mister Franky quhej. Ky i kishte telefonuar konsullit amerikan në Zvicër dhe i kishte thënë: nesër vjen një njeri, Remzi Barolli, për ta pritur nënën që i vjen nga Shqipëria dhe të lutem ndihmoji me se të mundesh! Kur kishte vajtur në konsullatë, Remziun e kishin pritur shumë mirë.

Nga ora 5 ose 6 duhej të vinte aeroplani nga Shqipëria. Nga hoteli në aeroport ai kishte shkuar me tren. Teksa priste, sytë i mbante në orarin e mbërritjes së avionit nga Tirana. Kishte kaluar një copë kohë dhe nuk kishte njerëz të dilnin nga aeroplani që duhej të vinte nga Shqipëria. E kishte pyetur një njeri që punonte në aeroport dhe ai i kishte thënë se udhëtarët nga Shqipëria po kalonin një procedurë të veçantë, ndaj do të vonoheshin pak. Pas pak kishin filluar të dilnin udhëtarët. Në mesin e tyre kishte qenë një njeri, të cilin e njihte Remziu.  Aziz Gjermeni, e quanin. Ai dhe e shoqja e tij po kthehshin nga vizita në Shqipëri. Kur e kishte pare Remziun, ai i kishte thënë: – Hë, xha Remzi, ç’po pret? – Po pres mamanë, – ia kishte kthyer Remziu. – Si? Mamanë? – Po – ia kishte kthyer prapë Remziu. E shoqja e Azizit i kishte thënë: – Ishte një plakë prapa nesh në aeroplan, gjithë kohën qante. Mund të jetë ajo, – tha. – Mos ki merak – i tha Azizi, tash vjen ajo. E mbajtën më gjatë, se nuk kishte letra.

Kur ishin afruar te një kthinë e aeroportit, kishin parë se aty i kishin futur të gjithë udhëtarët që nuk kishin dokumente. Me nënën e Remziut ishte kunata Adibeja (gruaja e vëllait të Remziut). Ajo e njihte Remziun dhe ky e njihte atë, sepse e kishim parë njëri-tjetrin në fotografi, kurse nëna nuk e njihte Remziun. Kur e kishte parë kunata Remziun, ishte afruar dhe e kishte zënë për qafe. Ishte afruar dhe nëna e Remziut dhe me zë qortues i kishte thënë Adibesë: – Kush është ky burrë që e zë për qafe? – Remziu, është Remziu – i kishte thënë kunata. – Jo – ia kishte kthyer e ëma e Remziut, – ai ishte i hollë, me leshra të bardha, me këmbë të holla… Shiko si qenka plakur… – Nënë – i kishte thënë Remziu dhe i ishte hedhur në përqafim, por ajo edhe më tutje nuk besonte dhe me siguri do të ketë thënë më vete: – Kush është ky njeri i huaj që del e na pret?…

Pastaj kishin marrë një taksi dhe kishin shkuar në hotel. Nëna e Remziut ende nuk besonte. Në hotel kishin zënë dy dhoma, një për nënën e kunatën, një për Remziun. Nëna Aishja kishte të mbathura një palë këpucë të grisura, me një karton shtruar në to. Remziu ia kishte marrë dhe ia kishte hedhur nga dritarja… Nëna kishte thënë: – Ja, na i hodhi këpucët që të mos ikim. Ky burri do të na vrasë…

– Nëna nuk besonte që isha unë – rrëfen Remziu. Filloi të më bënte pyetje: – Po, nga je ti? – më pyeti.  – Jam nga Tresteniku, – i thashë. – Po babanë tënd si e quajnë? – më pyeti ajo.  – Rakip, – i thashë… – Eh, sa mirë të paskan mësuar… – vazhdoi ajo. Pastaj më pyeti: – Çfarë të pëlqente të haje? – Kur isha i vogël, ti nënë bëje shumë gjëra të mira, bëje lakrorë, byrekë, po të mira i bëje, sidomos patatet me lëng mishi… Në atë moment ajo zuri të qante. – Eh, biri i nënës, po ti qenke plakur… – Ç’prite – i thashë, – ka kaluar gjysmë shekulli… Pas kësaj, nëna u bind që isha unë dhe u qetësua.

Të nesërmen në mëngjes kishin shkuar në konsullatë për ta marrë vizën amerikane për nënën.

– Kur shkuam në konsullatë, – rrëfen Remziu, na pritën sikur erdhi mbreti i Shqipërisë. Na gostitën me pije e me ëmbëlsira dhe na e dhanë vizën. Viza ishte një formalitet që u krye për 5 minuta.

Nga konsullata, pasi nënë Aishja ishte pajisur me vizë amerikane, ishin kthyer në hotel. Ndërkaq, më 13 korrik kishin shkuar në aeroportin e Zyrihut. Kur kishin arritur te porta për të hyrë në aeroplan, Remziu u kishte treguar zyrtarëve me pak fjalë historinë e nënës, u kishte thënë se ajo vinte nga kampi, se kishte vuajtur shumë nën diktaturë e të tjera, me pak fjalë ua kishte treguar gjithë historinë.

Ata e kishin marrë nënë Aishen me një karrocë të posaçme, e kishin futur brenda në avion dhe i kishin bërë vend afër kabinës së pilotit, tamam sikur të ishte një person i rëndësishëm. Njëra nga stjuardesat u ishte drejtuar udhëtarëve që ishin në aeroplan dhe atyre që vazhdonin të hynin, me fjalët: – Në aeroplan kemi një udhëtare shumë speciale… Pastaj pothuaj të gjithë udhëtarët kishin shkuar dhe e kishin zënë për dore nënë Aishen dhe gjithsecili i kishte dhuruar diçka, dikush një shami, dikush para, dikush ndonjë gjësend tjetër. Ajo vetëm kishte shikuar e habitur nga gjithë ajo që po ndodhte dhe me siguri gjithçka i ishte dukur si një ëndërr. Po vinte nga kampi ku e kishin trajtuar në mënyrë çnjerëzore dhe po përjetonte diçka që kurrën e kurrës nuk do të mund ta besonte…

Kur kishin arritur në Nju-Jork, ja befasia tjetër, jo vetëm për nënë Aishen, po edhe për Remziun. – Nga aeroporti te shtëpia ime kishte nja 60 milje (mbi 96 km) , – rrëfen Remziu. – Kur erdhëm afë shtëpisë, në të dyja anët e rrugës kishte përplot njerëz. Ishin 400-500 veta që kishin dalë për të na pritur, shumë televizione e radio, kurse një numër i madh policësh ishin angazhuar për ta mbajtur rendin. Nëna, kur i pa policët, u tremb pak. – Nënë, – i thashë, – këtu policët nuk janë sikur në Shqipëri, këta vijnë të të shpëtojnë, jo të të ngatërrojnë. – Kapitenit të policisë i tregova se nëna ka qenë në kamp dhe kur ju pa, u tremb. Ai e kapi nënën për dore dhe e përqafoi. Nënës, ndërkaq i bëri përshtypje se fëmijët nuk flisnin shqip.

Një familje nga Manastiri kishin një restorant të madh. Pronar ishte Milaim Lika. Djali tij, Ferizi, kur kishte marrë vesh se do të vinte nëna e Remziut, kishte ofruar dhe kishte sjellë ushqim për 400 njerëz.

– Ne kishim arritur me nënën të shtunën, më 14 korrik. Po atë ditë martohej vajza ime, Veronika. Në dasmë kishim të ftuar 350 njerëz. Ndonëse njerëzit kishin ardhur për dasmë dhe Veronika që martohej do të duhej të ishte në qendër të vëmendjes, dasmorët e kishin nënën në qendër të interesimit.

Për nënë Aishen ky fillim i ri kishte qenë tejet i vështirë. Të vije nga një ferr, siç ishte asokohe Shqipëria, për më tepër nga një kamp-ferr ku ajo kishte kaluar gjithë ato vite ankthi drejt e në një botë plot shkëlqim, siç ishte Amerika, ishte një ndryshim si nata me ditë. Megjithatë, nënë Aishja, ndonëse mbartte më vete peshën e rëndë të së kaluarës, në mjedisin e ri, e rrethuar me kujdes e dashuri, dalëngadalë do ta merrte veten.

Marrë nga: prointegra.ch. Pjesën e parë të historisë mund ta lexoni duke klikuar.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here