Mbledhja e Komitetit të Partisë që përcaktoi pushkatimin e Gencit dhe Vilsonit

0
299
blank

Vilson Blloshmi ishte akuzuar fillimisht vetëm për agjitacion e propagandë, çfarë mund ta dënonte maksimalisht me 10 vjet burg, por në meskohën 10-mujore nga arrestimi deri ditën e gjyqit, të mbushur me marrje në pyetje, tortura, ekspertiza poezish, atij iu shtua edhe akuza e sabotimit. Pa asnjë provë. Në një mbledhje të Komitetit të Partisë së Rrethit. Aty ku u përcaktua gjithashtu që tetë të pandehurit ishin një grup i organizuar dhe në krye të tyre ishte Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Gjyqi si shkruan Bedri Blloshmi, që ka publikuar raportin e kësaj mbledhjeje, ishte thjesht një farsë, sepse pushkatimi u vendos nga Komiteti e Partisë

 

Materiali i fundit në dosjen operative për ndjekjen prej vitesh të Vilson Blloshmit, është i datës 8 qershor 1976, kur bashkëpunëtori “Dardha”, raporton se Vilsoni i kishte thënë se “jemi lindur për të vuajtur dhe jo për të rrojtur si njerëz” dhe se “sikur të më vrasin, nuk bëhem spiun i këtyre” duke shprehur edhe shqetësimin për arrestimin e të vëllait, Bedriut.

Pesëmbëdhjetë bashkëpunëtorët e Sigurimit, gjatë viteve të ndjekjes hap pas hapi, kishin raportuar kryesisht për biseda për librat që lexonte, një pjesë të mirë në frëngjisht si dhe pasionin për artin, letërsinë dhe gjuhët e huaja. Në bazë të këtyre materialeve, më 4 gusht 1976 hetuesi i Ministrisë së Brendshme, Isa Halili, kërkoi arrestimin e Vilsonit për krimin e “agjitacionit dhe propagandës”. Poetin e arrestojnë më 5 gusht te Ura e Librazhdit, për ta dërguar në birucat e burgut “Mine Peza” në Tiranë, rrugë që e përshkoi një pjesë, me kokë të mbuluar dhe një pjesë, me syze të errëta në sy.

Hetuesia e parë

-Që kur ke filluar të ndjesh pakënaqësi ndaj pushtetit popullor dhe pse?-pyetet Vilsoni nga hetuesi Merdar Hasa, sipas proces-verbalit të datës 8 gusht, të publikuar bashkë me materialet e tjera nga Bedri Blloshmi në librin e tij “Saga e Blloshmëve nën terrorin komunist”, botim i ISKK.

-Në vitin 1966 mbarova shkollën pedagogjike në Elbasan, mbas kësaj nuk ushtrova profesionin si arsimtar, megjithëse kërkova që të shërbeja si arsimtar nuk më emëruan dhe unë duke ditur se qëndrimi dhe prejardhja ime politike-shoqërore ishte e keqe, mbasi babai im Sami Blloshmi është dënuar me 7 vjet burg për agjitacion e propagandë kundër pushtetit dhe xhaxhai Hasan Blloshmi dënuar me 15 vjet burg për strehim të diversantëve Bardho Leka, të cilin e ka dajo. Duke qenë kështu unë kam ndier pakënaqësi ndaj pushtetit, por nuk kam zhvilluar ndonjë veprimtari armiqësore. Tjetër veç këtyre nuk kam se çfarë të shpjegoj,-përgjigjet Vilson Blloshmi.

Përgjigjet e tij janë thuajse të gjitha të kësaj natyre. Pyetjeve të hetuesve, të cilët tashmë kishin në dorë blloqet e poezive dhe ditaret, u përgjigjet se lexonte libra nga autorë të ndryshëm për të shtuar njohuritë e tij kulturore; se poezitë e Bodlerit i përkthente sepse tërhiqej nga fryma e përbashkët pesimiste; se pesimizmi në poezitë e veta, buronte nga fakti që atij nuk iu dha e drejta për të punuar si mësues; se me shokun dhe kushëririn Genc Leka kishte diskutuar për hallet e përditshme, “për jetën, për librat që ai lexonte dhe poezitë”, pa pranuar të përfshijë askënd në ndonjë bisedë kompromentuese.

“Nuk kam biseduar me asnjë njeri duke krahasuar nivelin e artit të letërsisë borgjezo-revizioniste me artin dhe letërsinë tonë”, thotë Vilsoni në seancën e marrjes në pyetje të datës 11 gusht, kur e kishin sjellë tashmë në birucat e Librazhdit.

Hetuesia e parë zgjati deri më 2.2.1977, gjashtë muaj gjatë të cilave Genci u torturua fizikisht dhe përfundoi me dorë të gjymtuar, siç shkruan i vëllai, Bedri Blloshmi, i cili arrinte të komunikonte me Vilsonin në birucat e hetuesisë së Librazhdit, përmes goditjeve në mur.

Gjatë këtyre muajve, me kërkesë të hetuesve, bëhet ekspertiza letrare e poezisë “Saharaja” të Vilson Blloshmit e cila cilësohet “pesimiste, nihiliste, reaksionare” nga mësuesi i letërsisë Koçi Petriti dhe e poezive të përkthyera apo kopjuara në blloqet e Vilson Blloshmit, të cilat rezultojnë të poetëve Shatobrian, Lamartin, Rembo, Bodler etj. që cilësohen “dekadentë” nga pedagogu Myzafer Xhaxhiu.

Në proces-verbalin e përfundimit të hetimeve, hetuesi Lulo Ymeri, i njofton Vilson Blloshmit, akuzën e “agjitacionit dhe propagandës”, ndërsa Vilsoni deklaron se “u njoha me materialet që kam në ngarkimin tim për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, unë nuk pranoj asnjërin nga dëshmitarët, ata gënjejnë, unë në jetën time kam patur vetëm tre pakënaqësi të vogla. E para pse u ndava nga shokët që nuk punoj në arsim, e dyta pse m’u dënuan prindërit dhe unë ngela në vuajtje, mundime që nuk kishte kush të kujdesej për mua, më shumë kjo merr formën e keqardhjes. E treta pushimi im nga puna si arsimtar. Kjo është e tëra, gjë tjetër nuk pranoj”.

Ndërhyrja e Komitetit të Partisë

Në akt-akzën e parë të datës 17 shkurt 1977, ndaj tetë të pandehurve, Genc Leka akuzohet për krimin e sabotimit të ekonomisë kooperativiste në bashkëpunim dhe të agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor dhe Vilson Blloshmi për krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor. Dënimi maksimal për këtë krim ishte 10 vjet heqje lirie, por me sa duket kaq nuk mjaftonte për Vilson Blloshmin.

blank

 

Gjyqtari Subi Sulçe e kthen mbrapsht akuzën duke përmendur si shkak që “personaliteti i të pandehurve nuk del i plotë e i saktë…nuk del qartë prejardhja dhe gjendja politike, shoqërore…” dhe gjithashtu ai kërkon që për librat shqip dhe në gjuhë të huaj jashtë qarkullimit të të pandehurve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, të përmendet titulli, autori dhe nga i kanë siguruar.

blank

Sakaq më datë 28 prill 1977, siç del nga Protokolli i mbledhjes, i publikuar nga Bedri Blloshmi, mblidhet Sekretariati i Komitetit të Partisë së rrethit të Librazhdit.

Bedri Blloshmi shkruan se ky dokument zbulon mekanizmin e shumë dënimeve me pushkatim të asaj kohe, kur Partia merrte vendimet dhe gjykatat i zbatonin. Ai e konsideron gjyqin kundër tyre në qershor 1977, farsë dhe vendimet e Kolegjit Penal dhe të Presidiumit të Kuvendit Popullor për të lënë në fuqi vendimet e atij gjyqi, thjesht formale. Sipas Bedri Blloshmit vendimi për dënimin dhe mënyrën e ekzekutimit për çështjen e Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit ishte marrë që më 28 prill 1977 në këtë mbledhje të Komitetit të Partisë së Librazhdit.

Pjesë nga diskutimet e publikuara në librin e Bedri Blloshmit:

“Shoku Alush Çekrezi-Sekretar II: - Si do të quhet grupi?

Sybi Sulçe- Gjyqtari i çështjes: - Nga të dhënat del se nuk janë të organizuar, sepse disa prej tyre kanë bërë edhe propagandë.

Shoku Sotir Koçollari-Sekretar I: - Forma e tyre e organizuar del plotësisht se secili prej tyre në mënyrë të vetëdijshme kanë dashur të rrëzojnë pushtetin popullor dhe të sabotojnë ekonominë e kooperativës bujqësore.

Sybi Sulçe: - Atëherë të tetë të pandehurit do të futen në një nen.

Merdar Hasa-Kryetar i Degës së Punëve të Brendshme: - Pse thua që Vilsoni nuk hyn në këtë grup? Ai hyn dhe kjo vërtetohet nga thëniet e të tjerëve që ky ka përvetësuar.

Shoku Sotir: - Kush konsiderohet më kryesori?

Sybiu: Genc Leka. Nga të dhënat e dosjes del se Vilson Blloshmi është për agjitacion e propagandë me sa ka dosja. Prova nuk kemi, për përvetësim nuk ia vërtetojmë dot.

Shoku Sotir: -Unë kam mendimin se këta janë grup i organizuar, bile edhe në bazën e një platforme në mendjen e tyre. Zbulimi i këtij grupi është meritë e punës së organeve të punëve të brendshme, rritja e vigjilencës së tyre. Ky grup ka vepruar në mënyrë të tillë, deri tani nga mungesa e vigjilencës së kuadrove të kooperativës, të organizatës-bazë të partisë. Këta e kanë bërë këtë për prishjen e pushtetit popullor. Imagjinata se do të hidhej në erë Ura e Bushtricës, ishte një dëshirë e të pandehurit Vilson Blloshmi dhe ky e dëshironte këtë dhe kurdisi një plan imagjinar. Kreu i këtij grupi them se janë Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, pjellë e armikut të klasës, të cilët e kanë kurdisur të gjithë grupin. Këta, jo vetëm i kanë mbajtur këto libra, por i kanë lexuar dhe janë frymëzuar prej tyre. Kanë pasë edhe shkrime të tyre për përmbysjen e pushtetit popullor dhe jo vetëm vepra dhe poezi. Vilsoni është më i zgjuar nga të tjerët dhe aktin nuk e pranon se e di që e pret pushkatimi. Ndërsa për R.S. mund të bëhet shkallëzimi, këta pas një burgu do të kthehen për ndërtimin e socializmit.”

Pas kësaj mbledhjeje, në maj, Vilsonin e thërrasin sërish në hetuesi.

“Mbas 40 ditësh, më 9 maj 1977, Vilsonit përveç 73/1 agjitacion e propagandë i shtojnë dhe 72/12 sabotim. Vilsoni dhe unë nuk e morëm akt-akuzën e dytë”, shkruan Bedri Blloshmi.

Hetuesia e dytë

Vilson Blloshmi merret në pyetje nga hetuesi Selim Caka.

Pyetje: -Çfarë keni biseduar juve i pandehur me të pandehurin Genc Leka lidhur me jetën në kooperativë.

Përgjigje: -Unë kam folur edhe një herë për këto probleme edhe kur jemi ballafaquar me Gencin dhe nuk kam çfarë t’u shtoj atyre që kam thënë. Pra, nuk kam diskutuar asgjë armiqësore me këtë njeri dhe me asnjë tjetër. Me Gencin kam diskutuar tema të lira që nuk përbëjnë asgjë armiqësore dhe nuk di që t’i kem thënë atij ndonjë gjë armiqësore qoftë për jetesën në kooperativë apo për tema të tjera.

Më pas Vilsoni pyetet rreth deklaratave të të pandehurit R.S., por thotë se me të nuk ka transportuar kurrë libra, ashtu si mohon edhe të ketë biseduar për vjedhje me një nga dëshmitarët.

Seanca mbyllet me deklaratën e Vilsonit që nuk e pranon në asnjë mënyrë akuzën për sabotim duke e quajtur të rreme.

“Trokita disa herë në mur, por Vilsoni nuk m’u përgjigj. E kuptova se ishte shumë i mërzitur. Më në fund Vili më tha se e akuzonin edhe për sabotim”, shkruan Bedri Blloshmi.

Më 6 qershor, në Librazhd nis gjyqi kundër Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit dhe gjashtë personave të tjerë, përfshirë Bedri Blloshmin. Gjykata vendos më 13 qershor që Genc Leka dhe Vilson Blloshmi të dënohen me pushkatim. Asgjë nuk e kthen mbrapsht këtë vendim.

Mesnatën e 17 korrikut, pas 35 ditësh nga vendimi i gjykatës, merren për t’u pushkatuar.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here