Dita e fundit e dy poetëve të dënuarve me vdekje - 17 korrik 1977

0
6798
blank

...policët më ushqyen me forcë pasi kisha ditë që nuk e prekja ushqimin. Më pas e mora vesh pse-në. Menjëherë më zuri një gjumë i thellë e, i rëndë. Të nesërmen, siç bëja çdo ditë në mëngjes, të parën gjë, hodha si gjithmonë sytë nga birucat e tyre; ashtu i rënduar siç isha, patjetër nga droga në ushqimin e djeshëm. Me dëshpërim vura re se polici, që i ruante vazhdimisht, mungonte. Këpucët që i linin jashtë, mungonin. Dita e 35 e mundit dhe vuajtjeve, në pritje të zbatimit të vendimit, kishte marrë fund ashtu si jeta e tyre. Zhurma e zinxhirëve, prej 35 ditësh, që tringëllonte nëpër korridorin e errët nuk dëgjohej më, as kollitja e tyre tek dera e banjës, saherë hynin e dilnin. I kishin marrë përgjithmonë, tinëz meje. M’u nxi zemra dhe më ra të fikët. Tani, për ne, mbetej ta varrosnim dhimbjen në zemër, përgjithnjë....

 

Nga Bedri Blloshmi

Të dielën e 17 korrikut familja erdhi për takim por unë s’doja të dilja. E çfarë t’u thoja? 35 ditët pas vendimit i kisha kaluar në një dëshpërim që s’thuhet. S`më ndihmonte asnjë shpresë. Thonë se njeriut i dhimbset mbi të gjitha koka e vet, por kjo, në atë rast, për mua s’vlente. Kisha një dhimbshuri kaq të madhe për Vilin, pasi qysh në vegjëli e kisha pasur idhull. Dhe marazi më i madh, po e përsëris, ishte që do t`i pritej në mes pasioni për të shkruar e për të lexuar, të cilit i sakrifikonte edhe gjumin. Nga ana tjetër, sapo kishte krijuar familje, madje një muaj pas arrestimit ishte bërë me vajzë. Çfarë t`i dëshiroja po të shpëtonte, veç burgut 25 vjeçar që më priste mua, nën shkopinjt e gomës e duke shtyrë vagona në galeri? Isha tërësisht i asgjësuar nga kjo mynxyrë që na kishte rënë kaq papritur. Dhe çudi, ndjeja mall për jetën e mjeruar që posa kishim lënë pas. Për ato biseda mes tij e xhaxhait, për fjalën e tyre të pjekur, së cilës i bashkohesha duke iu gëzuar që ishim bashkë në mbrëmje. Ah, si mundën e ma morën këtë vëlla? Si ia punuan Gencit të gjorë atje në zyrë? Me çfarë e droguan apo mashtruan, të pabesët? A me të dyja bashkë? Përplasja kokën ndër duar, dhe vetëm shokët e hallit të përbashkët që kisha pranë, me fjalë të ngrohta, më jepnin një arsye për t`i rezistuar vuajtjes së madhe.

Gjyqi ishte me dyer të mbylluara. Familjarëve tanë u ishte mohuar prania. Dera për ta ishte e mbyllur. Në sallë ishin të pranishëm vetëm sigurimsat dhe antarë partie. Të gjithë me ftesa në dorë. Mendoja se, edhe takimi do të ishte një poshtërim tjetër për mua, me ata që do vëzhgonin dhe mund të ndërhynin, prandaj refuzova të dilja në takim. Por, shokët e dhomës me detyruan që t’i takoja; diçka t’iu shpjegoja ose të paktën t’i shikoja edhe një herë. Në dhomë ishin tre burra, të cilët kishin qenë edhe më përpara brenda me babain dhe xhaxhain tim, e tani po riburgoseshin si të ridënuar. Më thonin që familja ka nevojë për kurajo, prandaj dil takoi, mos i lër në dëshpërim. Kështu dola, në dhomën e ndriçuar dobët dhe u pamë, por me hekurat që na ndanin. Pashë fytyrën e mamasë dhe të motrës, dhe mbrapa tyre ishte kryetari i degës Merdar Hasa, shefi i hetuesisë Selim Caka, hetuesit Lulo Ymeri dhe Nevruz Hamiti si dhe disa civilë-rrozga të tjerë. Nga ana ime, prapa krahëve, kisha nja tre a katër policë. Mamaja dhe motra vetëm qanin. Në hapësirën mes hekurave, më merrnin duart, m’i fërkonin, m’i afronin në faqe e, i puthnin. Më në fund, mamaja e mbytur në lot, foli: “Ç’është kjo hata që na gjeti o bir? Erdhëm në gjyq dhe na përzunë. Mbas ca ditësh dëgjuam në fshat, se ishit dënuar të tre me vdekje, pushkatim. U kërkova këtyre të takoj përpara Vilsonin, që t’i jepja sihariqin që është bërë me vajzë”. Më pushtonte kokën mbas vetes por ç`e do, fytyra ime haste në hekura e jo në gjoksin e mamasë time. Aty ja ktheva: “Mos u mërzisni dhe ti mos shpreso se do ta takosh Vilsonin, sepse ai është mbas kurrizit tim, i lidhur kokë e këmbë, dhe këta, sa të ikni ju, shumë shpejt do ta shuajnë”. Gjatë takimit, isha më shumë i egërsuar se sa i dhembshur, prej prezencës së atyre mbrapa, duke vazhduar pa mëshirë: “Dhe ti mjaft lotove para këtyre, se këta atë duan, të të shohin duke qarë e të kënaqen se ja arritën qëllimit. Ikni shikoni hallet tuaja, mbani veten e qëndroni të fortë, tani do të jetoni me fatin tonë!”. Mamaja psherëtiu mes lotëve dhe më tha: “Mos fol ashtu Bedri. Ai s’ka bërë asgjë të keqe, vetëm libra e libra lexonte, ah, mos kanë faj ato librat e shkretë? Se asgjë të keqe s`ka bërë...”  I thashë për të fundit herë: “Mama, mbase prandaj është këtu ku është, se s’ka bërë asgjë”. Në çast kryetari i degës ndërpreu takimin, dhe unë iu ktheva kurrizin menjëherë…

Në mbrëmje, në dhomën ku isha unë, kur po dilnim për në banjo, erdhi Selim Caka (shefi i hetuesisë). Të gjithë lëvizën vendit, kurse unë vazhdova të rrija ulur siç isha, pa luajtur asnjë gisht. Ai m’u drejtua: “Ti kulak, çke që s’ngrihesh në këmbë?” Unë vazhdoja të qëndroja ulur. Ai ulëriti dhe, unë, përsëri ashtu ulur, i kthehem: “Në këmbë çohem kur të kem frikë … ose respekt. Për ty, as njërën as tjetrin nuk e kam.”

“Mirë, - më tha, - erdhi përgjigja nga Gjykata e Lartë, ti e ke dënimin aq sa ta dhamë ne, 25 vjet njëher për njëherë. Në atë moment, e vetmja gjë që nuk më interesonte ishte vetja ime, ndaj e pyeta për vendimin e Gencit dhe Vilsonit.

“Jo, - më tha, - për ata, asnjë ndryshim.” Më pas, mori një të dënuar dhe ia çoi Gencit në birucë. Mesa kuptova ia çuan për t`i treguar bisedën time me shefin e hetuesisë. U dëgjua një zhurmë dhe, disa çaste më vonë, dëgjova policin që i tha në telefon dikujt: “Thërrisni urgjentisht mjekun”, si duket Gencit i kish’ rënë të fikët nga lënia në fuqi e vendimit me vdekje. Ndërkohë në dhomë, policët më ushqyen me forcë pasi kisha ditë që nuk e prekja ushqimin. Më pas e mora vesh pse-në. Menjëherë më zuri një gjumë i thellë e, i rëndë. Të nesërmen, siç bëja çdo ditë në mëngjes, të parën gjë, hodha si gjithmonë sytë nga birucat e tyre; ashtu i rënduar siç isha, patjetër nga droga në ushqimin e djeshëm. Me dëshpërim vura re se polici, që i ruante vazhdimisht, mungonte. Këpucët që i linin jashtë, mungonin. Dita e 35 e mundit dhe vuajtjeve, në pritje të zbatimit të vendimit, kishte marrë fund ashtu si jeta e tyre. Zhurma e zinxhirëve, prej 35 ditësh, që tringëllonte nëpër korridorin e errët nuk dëgjohej më, as kollitja e tyre tek dera e banjës, saherë hynin e dilnin. I kishin marrë përgjithmonë, tinëz meje. M’u nxi zemra dhe më ra të fikët. Tani, për ne, mbetej ta varrosnim dhimbjen në zemër, përgjithnjë.

(vijon...)

Kujtimet e mësipërme të Bedri Blloshmit, janë shkëputur nga libri "Dosja formulare 5094", në proces botimi nga ISKK. Pjesa e dytë e kujtimeve vijon nesër.

 

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here