Mbi 31 vjet burgim vuajti piktori i flamurit të revoltës së Spaçit

0
2681
blank

Mersin Vlashi (1938-2010), është një ndër të dënuarit që vuajti një kohë të gjatë në Shqipëri. Në shpinë mbajti mbi 31 vjet burgim në vitet 1958-1965 dhe 1966-1991. Hyri në burg në moshën 20-vjeçare dhe doli që andej 53 vjeç. Ishte rritur në shtëpinë e fëmijës në Shkodër. Punoi bojaxhi dhe më pas fitoi edhe zanatin e elektricistit.

Dënimi i parë

U arrestua më 23.4.1958. U akuzua në bazë të nenit 64 në kombinim me nenin 10 të Kodit Penal. Ishte duke kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Pogradec së bashku me shokun e tij Daut Selim Kurpali, teksa menduan të arratiseshin jashtë shtetit, veprim që nuk u realizua. Meqë e kishin biseduar me një shokun e tyre, ky rezultoi i pabesë sepse i raportoi në komandë. Të dy shokët, të akuzuar për një vepër penale në tentativë.

Gjykata Ushtarake Tiranë, me veprim në Korçë, me vendimin nr.73, datë 24.7.1958 e deklaroi fajtor e dënoi me 10 vjet burgim, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 2 vjet. U la në fuqi me vendimin nr.96, datë 10.9.1958 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. U lirua më 13.3.1965 nga Reparti nr.309 Laç. Në fletën e lirimit shkruhej se kishte fituar në burg zanatin e elektricistit dhe normën e kishte realizuar 120%.

Dënimi i dytë

U arrestua më 26.9.1966. U akuzua në bazë të nenit 64 në kombinim me nenin 10 të Kodit Penal. Teksa duhej të ishte anëtar i kooperativë bujqësore në vendlindje, në kohën që përpiqej në Burrel e Laç për të gjetur punë si elektricist, bojaxhi e piktor, u arrestua në Laç. Akuza mbështetej në “prova” se kish kërkuar një helm që ta kishte gati po të kapej për të helmuar veten. Edhe shoku i dënimit të parë përdoret si dëshmitar kundër tij.

Gjykata e Qarkut Tiranë me veprim në Peshkopi, me vendimin nr.2, datë 28.1.1967 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 2 vjet. Nuk iu konfiskua pasuria pasi nuk kish. U la në fuqi me vendimin nr.36, datë 4.3.1967 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Ridënimi në revoltën e Spaçit, dënimi i tretë

U arrestua më 23.5.1973. U akuzua në bazë të neneve 72, 73/2 dhe 76 të Kodit Penal. Vuante dënimin në Repartin nr.303 në Spaç, teksa u ridënua si pjesëmarrës në revoltën e 21-23 majit 1973 dhe personi që me bojën e dhënë nga Dervish Bejko bëri flamurin kombëtar pa yll të kuq, si veprimi më i spikatur politik i asaj revolte. Në një copë të kuqe fillimisht ka shenjuar me sapun shqiponjën e më pas e ka pikturuar atë.

Gjykata Popullore e Rrethit Mirditë, me vendimin nr.29, datë 30.6.1973, e deklaroi fajtor dhe në bashkim të dënimeve e dënoi me 16 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 4 vjet. U la në fuqi me vendimin nr.1158, datë 15.8.1973 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Dënimi i katërt, ridënim

U arrestua më 9.8.1979. U akuzua në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal. Më 24.5.1979 ishte transferuar nga Reparti nr.303 në Spaç në Repartin nr.321 Burrel. Me shkresën nr.508, datë 1.6.1979 DPB Mirditë i dërgon Drejtorisë së Hetuesisë, propozimin për arrestimin e tij, bashkë me dosjen formulare, biografinë, e tre kallëzime. Më 18.8.1979 kjo e fundit ia rikthen dokumentet Mirditës, duke rekomanduar që t’i drejtohej prokurorisë vendore për të kërkuar arrestimin.

Sipas relacionit ishte rimarrë në përpunim aktiv 2A më 11.12.1978. Në drejtim të tij kishin dhënë raporte bashkëpunëtorët: “Bujqësia”, “Hidrocentrali”, “Pushka”, “Besniku”, “Suka”, “Shkëmbi”, “Guximtari”, “I penduari” dhe “Pashtriku”. Midis të tjerash, ishte shprehur: “Këta dënojnë njerëz të pafajshëm vetëm për të nxjerrë bakrin dhe plotësuar nevojat e tyre. Këtu te ne nuk ka demokraci. Në asnjë vend të botës nuk ka burgje me tela si te ne. Komunizmi është i destinuar të humbasë. Këta nuk dënojnë hajdutët, por njerëzit e ndershëm. Këta janë qena. Sa u kam punuar unë këtyre, prapë me sy të keq më kanë. E mbajnë pushtetin vetëm me hu dhe me kërbaç”.

Gjykata Popullore e Rrethit Mirditë, e vendosur në Repartin nr.303 Spaç, me vendimin nr.47, datë 20.10.1979 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie. Në bashkim të dënimeve i dha 19 vjet e 8 muaj heqje lirie, duke urdhëruar që përllogaritja e vuajtjes së dënimit të bëhej në datën e shpalljes së këtij akti. U lirua më 6.2.1991 nga Reparti nr.321 Burrel, duke u konsideruar deri në fund si i burgosur i rrezikshëm.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here