"Shokët e mi të qelisë"

1
990
blank

Lavdosh Beqa rrëfen kalvarin në burgun e Burrelit dhe personalitetet me të cilët kaloi vitet e tmershme të jetës së tij

Lavdosh Beqa i arrestuar në moshë të mitur dhe i dënuar me 18 vjet burg, është ndër të mbijetuarit e burgjeve të diktaturës që ka rrëfyer ngjarje e detaje me shumë rëndësi, kalvarin e tij dhe të miqve gjatë diktaturës. Në një intervistë për librin "Zërat e Kujtesës", ai rrëfen jetën e mundimet e tij, por edhe të shokëve të tij nëpër burgjet e diktaturës. Ai rrëfen me radhë bashkëkohësit e tij nëpër qelitë e burgut të Burrelit ku spikasin intelektualë të shquar që vuajtën gjysmën e jetës nëpër qelitë e diktaturës.

***

Siç thashë, përveç Avni Kokës, në atë dhomë, ishte dhe Ali Selenica, një avokat që kishte mbaruar në Itali, ishte martuar me një italiane e cila iku në vitin ´45, dhe ky ndenji me dy djemtë. Ai punonte si avokat kur këta komunistët dënonin njerëzit me vdekje dhe avokatura akoma nuk ishte hequr. Ishte avokat i rreptë e ngulte këmbë në mbrojtjen e së drejtës.

Dhe këta, gjetën një shkak, e futën brenda dhe e sollën në Burrel. Djemtë u nisën për të ikur ilegalisht për te e ëma në Itali, dhe njërin e vranë në kufi. Tjetri iku, më duket. Nuk di më gjatë për ta.

Ilia Treska, është një tjetër, që ka bërë 26 vjet burg. U martua kur doli dhe erdhi një ditë në Paris tek unë, bashkë me të shoqen. Ajo, kur pa gjendjen time, më tha: “Nuk ka shqiptar që ka qenë në Paris dhe nuk ka folur shumë mirë për ty, Lavdosh. Por, po më vika keq; përse nuk je martuar, ti më i miri?”

“Nuk qe kismet nga Zoti, - i thashë. – Por, më i mirë nga të gjithë ata që të kanë thënë ty, më i mirë nga unë, është ai që ke ti në krah, Ilia. Po ta them unë, se kam jetuar me të tërë jetën. Përveç të tjerave, këtij, për 25 vjet nuk i trokiti një herë një njeri në derë nga familja që ta shihte a ishte gjallë, apo jo; nuk i shkruan as edhe një kartolinë për Vitin e Ri. Dhe ky bëri një gjë që unë nuk arrita ta bëj.“ Dhe çfarë ishte kjo? Ilia kishte një vëlla, gruaja e të cilit, bërtiste nëpër Berat “na mori në qafë, maskarai, i poshtri!“. Dhe Ilia, pasi zuri vend në Amerikë, e mori të vëllanë me gjithë familje, me gjithë fëmijët dhe atë gruan që e kishte sharë e s’kishte lënë gjë pa thënë për të. I futi në shkolla dhe i sistemoi mirë. Kurse, unë këtë gjë, nuk e bëra dot. Unë kam marrë vetëm motrat, por, ama kisha edhe të tjerë, por nuk i mora. Kurse ai, po.

Një tjetër në atë dhomë, ishte Shefqet Muka, ish-drejtor Medreseje, shkodran, burrë jashtëzakonisht i mirë, plak. Ai kishte dy djem, që në atë periudhë, kishin hapur një dyqan të vogël me fruta dhe zarzavate. Ata, edhe qumësht dallëndysheje i sillnin të atit në burg. Unë, cigaren e kam mësuar prej tij, sepse djemtë i sillnin Shefqetit një duhan të mirë, të butë, si ar, dhe ai na jepte nga një dorë edhe neve. Një ditë, më thotë Shefqeti: “Të kisha një djalë si ty, do të jepja një sy!’

“Efendi, - i them, - ata djem që ke ti, s’i ka bota!”

“Jo, - më tha, - por ti ke vetëm një të keqe: që nuk agjëron.”

“Unë agjëroj,” - i thashë me shaka. Dhe si për dreq, natën e Vitit te Ri, më ngritën nga buka ku isha ulur me shokët, dhe më futën në birucë. Një muaj birucë, sepse kisha lënë nallanet jashtë. Kur dola nga biruca, u grumbulluan të gjithë, siç bënin zakonisht, dhe u hodh Shefqeti: “Shpejt, bëjini ndonjë kafe a ndonje gjë, djalit!”. Rakipi më bëri një gotë qumësht me njërën nga ato furnelat e vogla, dhe ma solli. Rakip Meta, kishte qenë mësues, dhe e ndihmonte herë pas here Shefqetin se ishte plak.

“Pije, - më tha efendiu, – pije të ngrohtë.“

“Ka rënë topi i Ramazanit, efendi? – i them unë për shaka. “O, këtë nuk ma kishte thënë kush,” - më tha, i prekur Shefqeti. “Po mirë, more zotëri, - i thashë, - a nuk e ke parë Ibrahim Beun, (që ishte edhe i gjatë), që me dy të kthyera, pa lugë, si çaj, e përpin tasin e fasules? (Se fasulet, ujë ishin, vetëm dy - tri kokrra kishin brenda) A nuk e sheh, që ne jemi në Ramazan tërë jetën?!” E çfarë agjërimi duhej të bënim më tepër?!!

Një tjetër në atë dhomë, ishte Jahja Baçi. Kishte edhe të vëllanë në burg. Ky kishte mbaruar gjimnazin dhe kishte qenë mësues. Një herë, kur po fliste për peshkun, nxënësit e kishin pyetur: “Zoti mësues, a fle peshku? Nëse po, ku fle, si fle?“ Ky kishte mbetur pa përgjigje, dhe aty e gjetëm përgjigjen në një enciklopedi.

Haki Trebinja, flinte ngjitur me mua. Ky ishte fshatar, kishte qenë me Ballin, burrë shumë korrekt, shumë i vendosur, dhe nuk fliste shumë.

Pas atij vija unë. Pas meje vinte Profi Çoka, për të cilin ju fola më parë. Pastaj vinte Xhevdet Kapshtica, i cili kishte studiuar në Itali dhe kishte qenë avokat i njohur. Ky kishte dy vajza. Kur dola, unë e lashë në burg, se nuk e kishte mbaruar akoma. Me njërën nga vajzat, atë që është këtu në Tiranë, ruaj akoma relata të jashtëzakonshme për hir të atij babai.

Pastaj vinte një prift, që quhej Padër Donat Kurti, prift françeskan, një njeri që nuk i dëgjohej zëri. Shkruante tërë kohën.

Ngjitur me Avni Kokën, në krye të dhomës, ishte Xhemal Zhegu nga Tirana. Shtëpinë e kishte te lagjja “Ali Demi“.

Xhemali me syze, fliste me fjalë të huaja, e ne thamë se kushedi kush është ky. Pasi kishin kaluar shumë kohë, më vjen një ditë Xhemali dhe më thotë: “Do të më shkruash një letër për familjen?” Pra, doli që Xhemali nuk kishte ditur as të shkruante, por në burg kishte shumë kohë dhe kishte ditur të përfitonte nga ata njerëz të kultivuar.

Më tej vinte Petrit Merlika, i biri i Mustafa Merlikës. Kishte edhe xhaxhanë në burg. Kam ndenjur shume kohë me të dhe e kam ruajtur miqësinë. Kam qenë edhe në Itali dhe e kam takuar. Petriti ishte martuar me Elenën. Kanë një djalë, Evgjenin. Kur Petriti ishte në burg, Elena ishte e internuar në Tepelenë. Dhe atij i vinin shumë rrallë njerëz për ta takuar.

Pastaj vinte Suat Asllani. Ai kishte mbaruar kolegjin “Robert“ në Turqi dhe universitetin në Itali. Erdhi këtu dhe u bashkua me Baltazar Benussin, që ishte një nga kokat e drejtësisë shqiptare, dhe u bë një avokat me shumë reputacion, saqë të gjitha shoqëritë italiane që vepronin në Shqipëri, e merrnin si përfaqësues ligjor.

Në fillim, Suat Asllanit, i kishin propozuar të bëhej kryetar i frontit demokratik, por ky e kishte refuzuar. Suati ishte mik i ngushtë i familjes Dosti. U martua me një vajzë që kishte mbaruar shkollën amerikane dhe vinte nga një familje e njohur në Mallakastër. Pra, kishte shumë arsye, për të qenë në shënjestër të sistemit. Edhe Suati u lirua pas meje. Pas burgut, e internuan në Mifol dhe i kam shkuar dhe e kam takuar atje dhe e kam ruajtur miqësinë deri kohët e fundit.

Pas Suatit, vinte Ibrahim Biçakçiu ose Biçaku. Ky ishte i biri i Aqif Pashë Elbasanit. Ai kishte mbaruar në Gjermani, dhe kishte pasur pronë të vetën gjithë Cërrikun. E futën brenda, sepse kohët e fundit, kur të gjithë po tërhiqeshin, gjermanët po kërkonin njerëz që kishin kulturë gjermane për të qeverisur dhe Ibrahimin e bënë kryeministër.

Bile, siç më ka treguar vetë ai (se ka fjetur shtatë vjet, ngjitur me mua), këta i kishin kërkuar armë, dhe ky ia kishte kërkuar armët komandës gjermane. Ata ia dhanë armët, dhe Ibrahimi ua dha këtyre të nacionalçlirimtares. Në një luftim që u bë në Prezë, gjermanët vrasin disa prej partizanëve dhe më pas, në bazë të numrit, gjermanët identifikuan po ato armë, të cilat ua kishte kërkuar Ibrahimi. Por këtij nuk i thonë gjë fare. Përfundimisht, Ibrahimi nuk iku me të tjerët në vitin 1944. Komunistët e arrestuan dhe e dënuan me 25 vjet. Do ta kishin dënuar me vdekje, se kishte qenë kryeministër, por ai nuk kishte bërë asgjë.

U lirua nga burgu para meje. Vajti në Elbasan. Kur doli nga burgu, e vunë të lante banjot publike. Ka vdekur në mjerim të plotë. I kam shkuar te varri, kam ndenjur nja një orë atje duke kujtuar të gjitha gjërat që kemi kaluar bashkë...

Pas Ibrahimit, vinte Xhelal Shaska, një pinjoll i familjes se madhe Shaskaj, që kishin qenë edhe deputetë në kohën e Zogut. Ky kishte studiuar në Itali, dhe në kohën e Italisë, punonte atje si konsull. Erdhi në Shqipëri, e arrestuan dhe e dënuan me burg. Pas burgut e internuan dhe ka vdekur në internim.

Lutfi Shehu, vinte nga familjet e Shehelerëve të jugut. Ka mbajtur një qëndrim jashtëzakonisht të mirë në Burrel. Nuk i ra mbrapa kush, doli dhe ka vdekur në mjerim.

Mustafa Çami, i dënuar me 15 vjet . E vranë rojet kufitare.

Hysen Gjuta, një djalë dibran. Historia e tij, është e tillë: ai kishte kaluar kufirin dhe dalë në Jugosllavi. Pasi ndenji atje për një farë kohe, i mbushën mendjen, që të vinte dhe të merrte familjen në Shqipëri. Kushedi se kush e bindi; mbase edhe agjentët që ishin andej, sepse atje ka pasur shumë agjente shqiptarë dhe kosovarë, që punonin për shërbimin tonë.

Hyseni erdhi në Shqipëri. E kapën, e dënuan, dhe e sollën në Rinas. Në atë kohë, unë vajta në Burrel. Ky, me gjithë një djalë korçar, në mes të ditës, vendosin të ikin. Dhe u shpëtojnë rojeve, por, për fat të keq, një fshatar me çifte, që me siguri kishte qenë i Sigurimit, i qëllon dhe e plagos. Atij tjetrit, i theu këmbën, kurse Hysenin e sollën të masakruar në Burrel, në një dhomë me mua. Ishte djalë jashtëzakonisht i mirë. Bile kur kam ikur unë, i kam lënë një fjalor Anglisht-Anglisht të Oksfordit, që ma kishin dërguar njerëzit nga Amerika. Kur u lirua Hyseni, shkoi në fshat. I mbushi mendjen edhe të motrës, dhe një natë, të dy, hapën depon e armëve të zboristëve. Roja i diktoi dhe këta e vranë, por nga zhurma, i rrethuan skuadrat e policisë dhe pas një luftimi të gjatë, të dy motër e vëlla, mbetën të vrarë. Nuk di a kanë dhe kush janë pasardhësit e tyre.

Tjetri ishte Dom Shtjefën Kurti, një prift katolik, i dënuar me 8 vjet burg. Meqenëse ishte dhe kuzhinier i mirë, unë kur kisha për të gatuar ndonjë oriz a ndonjë gjë, ia jepja atij.  Më përpara, ai kishte qenë prift në Mamurras.

Por çfarë ndodhi me Dom Shtjefen Kurtin? Pasi mbaroi dënimin, u kthye në fshatin e tij dhe u fut në punë, në kooperativë. Një ditë, një grua katolike, i lutet shumë: “Aman, më pagëzo fëmijën!” Më në fund, ajo ia mbushi mendjen, dhe në atë barakën ku linin veglat, ai bëri ritualin e pagëzimit. Dikush e pa dhe e spiunoi. E arrestuan dhe e nxorën në gjyq, m‘u në sallën e kishës, ku kishin mbledhur të gjithë fshatarët e zonës. Çudia më e madhe ishte kurajoja e tij dhe përgjigjja që i dha trupit gjykues, e cila ka hyrë në histori.

Komunistët ndiqnin një taktikë: pasi të kishin arrestuar, të kishin torturuar, të kishin dënuar, në fund të thoshnin: “Na thuaj fjalën e fundit!“ Ç’ishte kjo fjala e fundit? Qenia njerëzore është e tillë që i dhimbset jeta, sidomos të dënuarve me vdekje. Por ata, e kishin bërë zakon: ia kërkonin kujtdo këtë. Dhe po të thoshe “kërkoj mëshirë“, ti e kishe pranuar automatikisht fajin. Dikush kishte fëmijë të vegjël, e thoshte me vete: “15 vjet?  Si do t’i vejë halli fëmijëve të mi e gruas time?!!“ Kështu që nganjëherë ndjeheshin të dobët dhe e bënin. Pra, kërkonin mëshirë. Të njëjtën gjë bënë edhe me Dom Shtjefën Kurtin—i  kërkuan fjalën e fundit.

Ai u ngrit dhe tha: “Zotëri, unë e falenderoj Zotin që më thërret pranë vetes së tij, pikërisht nga kjo sallë e nga kjo kishë, që unë e kam ndërtuar bashkë me këta që keni mbledhur këtu, e ku unë kam shërbyer!“ Dhe u ul. Nuk është aq e lehtë ta bësh këtë... Nuk e di nëse do e kisha bërë unë, po të isha në vendin e tij.

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

1 Koment

  1. Faleminderit ju qe I. kujtoni keta kuadro te zhdukur ngga bisha e kuqe dhe kriminelet çobaner teneqexhinj kepucare etj

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here