Portret krimineli dhe kopuku i pandëshkuar

0
1436
blank

Ish-kreu i Institutit Për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ISKK, ka postuar në faqen e tij në Facebook, profilin e Lekë Imerajt, shkrimtarit të tanishëm dhe oficerit të dikurshëm, përgjegjës për torturat e të burgosurve të Qafë-Barit gjatë dhe pas revoltës së 22 majit 1984. Kujto.al e sjell të plotë këtë shkrim, bashkë me dëshminë e njërit prej të burgosurve, Lekë Mirakaj, dhënë për emisonin Dosja K, ku përmend pikërisht oficerin Lekë Imeraj

Nga Agron Tufa

Sot Lekë Imeraj është një person i respektuar. Së paku, së jashtmi. E quan veten "shkrimtar" (aq sa ka të drejtë ta quaj veten kushdo që bërllokun e shkronjave e hedh dhe e boton me paret e veta), por këtë alibi ia ka ushqyer edhe e ashtuvetëquajtuna "Shoqata e shkrimtarëve" të Shkodrës, anëtar i së cilës pretendon se është. Nuk e di në ekzistojnë (pas rënies së LSHA të Shqipërisë) degë të një trungu të vdekur, por e zëmë se ekziston. Asgjë të keqe nuk ka. Atëherë a ia ka idenë kjo shoqatë se kush është anëtari i saj, Lekë Imeraj, i cili promovon librat e vet (ndër to dhe mbi "diktaturën") me emrin e kësaj shoqate? Kuptohet që biblioteka publike e Shkodrës "Marin Barleti" ku bëhen promovimet e librave të tij, ashtu dhe studiot televizive që transmetojnë intervistat e çupërlinave me këtë farë personaliteti - asgjë nuk dinë e s'kanë si të dinë për Lekë Imerin e para vitit 1991. Me një gërmë shtesë në fund të mbiemrit ai tashmë është një "personalitet tjetër", shkrimtari, psikologu, azilant politik në Gjermani dhe aspak jo më Oficeri i Drejtimit i Drejtorisë së Zbatim-Vendimeve Penale në MPB (1983-1991), një bishë e pangopur, e tejzellshme në sherbim të terrorit më të egër të diktaturës. Është protagonisti i zi i shtypjes së Revoltës së 22 majit 1984 nga të burgosurit politikë, në krye të forcave speciale nga MPB. Është bash njai, sipas dhjetëra të mbijetuarve, që merr megafonin në dorë dhe nga lartësia e Vendrojës u jep ultimatum të rebeluarve të dorëzohen për 5 minuta. Pastaj e flak megafonin, që rrokulliset nëpër gurë. Fill pas kësaj "bunace" 5-minutëshe fillon sulmi i bishave të Lekë Imerit në kamp tok me togën e policisë së Edmond Cajës. Dihen rezultatet e asaj masakre: Sandër Sokoli vdes në tortura, Konstandin Gjerdeni merr plumb në shpatull, dhjetëra të rrahur për vdekje (Ahmet e Skënder Tufa, Haxhi Baxhinovski, Bedri Blloshmi, Bajram Vuthaj, Dush Martini, etj.) dhe në fund, dy të pushkatuar me gjyq: Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli. Kjo qe vepra e "shkrimtarit" Lekë Imeri në bashkëpunim me kriminelin Edmond Caja në burgun e Qafë-Barit me 22 maj 1984. Për ironi, kjo dyshe e zezë e MPB Imeri-Caja sot gjenden me azil politik në Gjermani.

Në një replikë të para dy viteve, Lekë Imeri replikon "ashpër" me ish-të burgosurin e QB Lekë Mirakaj, duke bërë presion në stilin e "psikologut" dhe i kërkon atij "t'i lypë ndjesë" publike për shpifje (Zot ruana fiqirin!).

Unë personalisht, duke besuar se shpreh dëshirën e mijëra njerëzve për drejtësi, propozoj, që kur në Shqipëri të kthehet sërish shteti demokratik, kur të bjerë neodiktatura, atëherë këta kriminelë duhet, që në marrëveshje me shtetet ku janë strukur dhe në bazë të kallëzimeve penale, të ekstradohen në Shqipëri, apo kudo tjetër, në Hagë, nëse doni, që të japin llogari para drejtësisë, njëlloj siç është bërë jo pak herë me eksponentë të lartë e të thjeshtë të nazizmit.

Ndërsa për ta restauruar të plotë portretin e "shkrimtarit" Lekë Imeraj, ndiqni se përmes cilës "kudhër" është kalitur kjo kudër:

Lekë Imeri nga Lekbibaj Tropojë. Me arsim 2-vjeçar pedagogjik. Oficer kufiri dhe policie

Karriera kryesore:

1976-1979 instruktor në Repartin 305 Sarandë

1979-1982 zëvendëskomandant i Repartit 305 Sarandë

1982-1983 komandant i Repartit 315 Lezhë

1983-1991 oficer drejtimi i Drejtorisë Zbatim Vendime Penale në MPB

1991-1992 drejtor i Burgut të Tiranës

blank

Dëshmia e Lekë Mirakajt dhënë në emisionin Dosja K, të gazetares Admirina Peçi, në Report TV, ku flet edhe për revoltën e Qafë-Barit dhe oficerin Lekë Imeraj:

Të burgosurit aty e vunë përpara policinë. Policët e lëshuan, e dorëzuan kampin. Pastaj erdhën forcat e ndërhyrjes së shpejtë, reparti 326, zëvendësministri Zylyftar Ramizi dhe një zëvendësministër tjetër. Filluan tratativat me atë grupin e të burgosurve. Nga eksperienca e Spaçit, njerëzit ishin pak të stepur, sepse e dinin se çfarë mund të ndodhte. Por edhe ata djemtë nuk donin që të sakrifikonin të gjithë kampin dhe vendosën që të dorëzoheshin, por me disa kushte që të dënoheshin për atë që bënë, por jo të keqtrajtoheshin fizikisht. Kur vendosën këta që të dorëzoheshin, Zylyftar Ramizi u bë trim. E mbaj mend si sot. Kishte hipur mbi tarracën e derës dhe e ngriti zërin. Jo vetëm që s’e mbajtën fjalën, por sapo u dorëzua i burgosuri i fundit, filluan t‘i torturonin në mënyrë çnjerëzore. Një infermiere që vinte na mjekonte herë pas here, na tha që aq shumë i kishin torturuar, saqë vetë kryetari i degës largohej kur i torturonin, se nuk mund t’i shihte. Po ta shohësh fotografinë e Sokol Zefit dhe të Tom Ndojës në muze, janë të shpërfytyruar, s’duken si njerëz, por si kufoma të gjalla. Thonë që pasi i kanë pushkatuar, u kanë nxjerrë edhe sytë, të dyve. Pastaj në kamp filloi terrori. Lanë aty një farë Lekë Ymeri, i cili ishte nga Lekbibaj, malësor demek. Ai ka bërë namin me të burgosurit, se ishte si i plotfuqishëm. Pothuajse ndaj të gjithë të burgosurve u përdor dhuna fizike. Gjenin një pretekst të kotë, çfarëdo që të ishte, që nga vizat e çarçafit, që nga minutat e zgjimit, si e si të dhunonin të burgosurit. Pra, pas asaj ngjarjeje na kanë torturuar.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here