Nga “komploti çam” te revolta e Spaçit, mbi 27 vjet burg për Dervish Sulon

0
128
blank

Dervish Sulo ishte një nga çamët që u arrestuan në valën e goditjes"komplotit çam” në gjysmën e dytë të vitit 1960. Në librin e tij E vërteta e “komplotit çam” në vitin 1960, studiuesi Kastriot Dervishi, sjell edhe historinë e jetës dhe dënimeve të Dervishit i cili u arrestua në moshën 33-vjeçare dhe doli nga burgu kur ishte 60 vjeç

 

Nga Kastriot Dervishi

 

Dervish Tefik Sulo i vitlindjes 1927 nga Spathara e Çamërisë me banim në Durrës, origjina shoqërore tregtar i vogël, me arsim të mesëm, ndihmësprokuror, i martuar me tre fëmijë. U akuzua për “tradhti ndaj atdheut”, duke u vënë në shërbim të “spiunazhit grek”, “agjitacion e propagandë”, krijimin e “bandave” me synimin për të përmbysur pushtetin popullor, etj.

Gjykata Ushtarake e Tiranës, me vendimin nr.110, datë 3.8.1961 e deklaroi fajtor me akuzat e thëna duke e dënuar me vdekje me pushkatim dhe konfiskim të pasurisë. Ky vendim nuk është zbatuar, por është kthyer në dënim me 25 vjet heqje lirie. Me dekretin nr.3346 datë 23.9.1961 të Presidiumit të Kuvendit Popullor, i falet jeta dhe dënimi i kthehet me 25 vjet heqje lirie.

Por historia e Dervish Sulos nuk do të mbyllej këtu. Ai është pjesëmarrës në revoltën e Spaçit të majit 1973. Me vendimin nr.29, datë 30.6.1973 të Gjykatës Popullore të Rrethit Mirditë u dënua me 16 vjet heqje lirie. Në gjykim nuk kërkoi mëshirë, por drejtësi.

Në vendimin e gjykatës thuhet ndër të tjera për të dhe shokët e tij:

“Të pandehurit Bedri Çoku, Mersin Vlashi, Murat Marta, Neim Pashaj, Feti Kumanaku, Ndrec Çoku, Hasan Ibro, Elez Hoxha, Neim Uka, Zef Ashta, Jonuz Norja, Tomor Allajbej, Pal Marku, Haxhi Bena, Qemal Demiraj, Shuaip Ibrahimi, Muho Curri, Merkur Babameto, Gramoz Spahiu dhe Dervish Sulo, si armiq të tërbuar të pushtetit popullor dhe pjesëtarë aktivë në këtë organizatë kundërrevolucionare janë përhapësit kryesorë të këtyre pikëpamjeve me të dënuar të tjerë dhe si rezultat i përgatitjes së terrenit të përshtatshëm, më datën 21 maj 1973, në kampin e Spaçit shpërtheu rebelimi. Të pandehurit e mësipërm, u bashkuan me të pandehurit e tjerë në revoltën e organizuar dhe me veprimet e tyre të theksuara armiqësore bënë të mundur që të ngrenë një pjesë të madhe të të dënuarve në revoltë, të cilët u bashkuan me ta dhe filluan hedhjen e parullave armiqësore, të cilat më vonë kaluan në thirrje të hapëta kundër pushtetit, duke u shprehur: ja vdekje ja liri, rroftë Europa e lirë, vdekje komunizmit, etj.. Kështu duke filluar nga mbasdita e datës 21 maj 1973 dhe deri më datën 23 maj 1973, veprimtaria armiqësore e të gjithë të pandehurve sapo shkonte e bëhej më e theksuar, arritën deri në ngritjen e një flamuri të bërë me çarçafin e të pandehurit Rexhep Lazrit, shkatërruan stendat e emulacionit socialist, shkruanin e afishonin parulla me përmbajtje të theksuara armiqësore. Të gjithë këta të pandehur, duke qenë mjaft aktivë në këto veprimtari armiqësore jo vetëm që nuk iu përgjigjën asnjëherë thirrjeve që u bënte komanda për të rivendosur rregullin dhe qetësinë, por elektrizonin më tej revoltën, shtynin të dënuarit e tjerë për të marrë pjesë në të, bile edhe kërcënonin ndonjërin që tregohej i tërhequr. Ata së bashku me armiqtë e tjerë, thirrjeve të komandës për të vendosur rregullin dhe qetësinë iu kundërpërgjigjeshin me hedhjen e parullave: “ju ka ardhur laku në fyt”, “ju jeni katilë, përbindësha”, “keni veshur me të zeza nënat dhe motrat tona”, “ju na kini futur në burg së bashku me fëmijët tanë pa faj”, “ju do të vini këtu ku jemi ne”, etj.. Kjo gjendje e nderë në repartin e riedukimit vazhdoi për gati tre ditë dhe pasojat e veprimtarisë armiqësore të të pandehurve qenë shumë serioze dhe të rënda”.

Dervish Sulo vuajti jo pak, por 27 vjet, 3 muaj e 24 ditë. Doli nga burgu në vitin 1987.

 

Marrë nga libri E vërteta e “komplotit çam” në vitin 1960, me autor Kastriot Dervishi, botim i ISKK

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here