1960-1961/E vërteta e "komplotit çam"

0
237
blank

Arrestimet nisën në korrik 1960 dhe vazhduan për një vit. Me dhjetëra shqiptarë me origjinë çame u vranë dhe u burgosën nga bashkëkombësit e tyre në pushtet me justifikimin se ishin pjesë e “komplotit çam” e, në bashkëpunim me shtetet revizioniste, do rrëzonin regjimin komunist në Shqipëri. Propaganda kundër tyre u përhap në gjithë vendin. Kujto.al sjell një vështrim mbi ngjarjet e asaj periudhe që nxjerr në pah të vërtetën pas propagandës dhe zbulon dorën gjakatare të regjimit komunist që vriste pa fakte e prova, për të përmbushur interesat

 

 

 

Viti 1960 është koha kur u realizua një goditje përfundimtare ndaj çamëve që kishin pushtet. Regjimi deklaroi, në atë kohë, se Jugosllavia, Greqia dhe SHBA, në bashkëpunim me grupe shqiptare brenda dhe jashtë vendit, po përgatiteshin të rrëzonin shtetin socialist në Shqipëri. Nga një shqyrtim i gjithë dokumenteve dhe ngjarjeve të kohës, Kastriot Dervishi, i cili, mbështetur në këtë studim, ka publikuar librin ‘E vërteta e “komplotit çam” në vitin 1960’, ka dalë në përfundimin se ky skenar nuk ishte veçse një gënjeshtër. E vetmja gjë e vërtetë ishte dijenia për një kanal komunikimi për informacion në zonën e Konispolit, por meqë Sigurimi ishte i paaftë për ta zbuluar atë kanal, zgjodhi të hiqej sikur ia doli, duke vrarë dhe burgosur dhjetëra shqiptarë me origjinë çame, të cilët i quajti përgjegjës për një “komplot” që në të vërtetë nuk ekzistonte. Figura kryesore e goditur ishte Teme Sejko, komandanti i flotës detare, i cili u vu në ndjekje dhe u arrestua në korrik 1960, për të nisur një fushatë me karakter gjenocidi që vazhdoi deri në vitin 1961. Në veprim u hodh edhe propaganda, e cila u përpoq të shtrembëronte imazhin e shqiptarëve të Çamërisë për ta paraqitur të drejtë e të merituar këtë gjueti gjakatare.

Kujto.al, mbështetur në librin “E vërteta e “komplotit çam” në vitin 1960” e studiuesit Kastriot Dervishi, botuar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në vitin 2017, po sjell një përmbledhje të fushatës që komunistë në pushtet ndërmorën kundër çamëve, e cila shkaktoi shumë viktima.

blank
Kopertina e librit te Kastriot Dervishit

Studiuesi Dervishi hedh dritë mbi këto ngjarje duke nisur nga origjina e tyre. Historia, sipas tij, nis në vitin 1957, kur në Shqipëri, pas 7 vitesh jashtë vendit, u rikthyen dy agjentë të Sigurimit. Ata dëshmuan se zbulimi amerikan merrte informacione në zonën e Konispolit nëpërmjet një kanali komunikimi.

“Sigurimi i Shtetit dështoi të gjente kanalin e komunikimit të Konispolit. Për këtë arsye, mendoi t’i godiste të gjithë të dyshuarit dhe për të bërë lojë të madhe të përfshinte edhe persona me funksione të larta shtetërore. Regjimi do të përpiqej të thoshte se kishte goditur një komplot”, shkruan Dervishi.

Nuk arriti të sigurojë asnjë provë apo fakt për të dyshuarit që arrestoi me dhjetëra. Nuk arriti të sigurojë asnjë provë për komplotin ndërkombëtar që, po të ishte i vërtetë, Shqipëria, si vend i Traktatit të Varshavës, duhet t’ia bënte të qartë gjithë aleancës. Nuk mund të ndodhte që shërbimet e fshehta të tre shteteve të ndryshme, siç pretendonte regjimi për Greqinë, Jugosllavinë dhe SHBA-në, të bashkëpunonin kundër një vendi siç ishte Shqipëria. Nuk kishte logjikë as që çamët që kishin përjetuar genocidin grek të bashkëpunonin me ta, për të shembur regjimin në Shqipëri, siç u shpall me të madhe.

Pavarësisht të gjithave, regjimi e ngriti këtë fushatë dhe përmes torturës, gjithëpushtetit e propagandës, arriti që përmes saj të shkatërronte çamët me pushtet në Shqipëri dhe të mbulonte paaftësinë e Sigurimit për të zbuluar kanalin agjenturor në Konsipol, me të cilin, nuk kishte asnjë provë ligjore se të dënuarit kishin lidhje.

Më 3 korrik 1960, nisën arrestimet e çamëve në Konispol, Tiranë dhe në vende të tjera. Me këto arrestime u tentua të jepej ideja se po goditej një grup i madh armiqësor komplotistësh. Lista e të arrestuarve është kjo: Abdyl Dalla, Ali Arapi, Sami Murati, Jonuz Purizo, Beqo Plaku, Ali Shaban Goxhaj, Taip Kaleshi, Qerim Demi Lumani, Mushir Plaku, Rrushan Mullaj dhe Kaso Karafili. Nga këta, Beqo Plaku u dënua me vdekje. Vendimi i lënë në fuqi nga Gjykata e Lartë më 5.9.1961, u ekzekutua. Ai ishte kushëri i dytë me Rexho Plakun, kunatin e Teme Sejkos, i cili ishte dënuar me burg që në vitin 1946 bashkë me disa të tjerë, gjoja se do arratiseshin për t’u lidhur me diversantët dhe reaksionin e huaj për të sulmuar Shqipërinë.

Të tjerëve të akuzuar me Beqo Plakun iu dhanë dënime të ndryshme me burg, por pati edhe nga ata që Kolegji Penal I Gjykatës së Lartë I shpalli të pafajshëm siç ishte Kaso Karafili.

Një pjesë e tyre u gjykuan në një proces me Teme Sejkon, në maj të vitit 1962. Të tjerë më herët dhe të tjerë shumë më vonë, siç ishte rasti i Ali Goxhajt procesi i të cilit zgjati 7 vjet.

Arrestimet vazhduan gjatë gjithë muajit korrik dhe përgjatë gjithë vitit deri në nëntor. Sipas Kastriot Dervishit, për t’i dhënë një ngjyrë të veçantë komploti, paralelisht me arrestimet e çamëve janë kryer edhe arrestime vllehësh e minoritarësh grekë. Arrestimet kanë ndodhur me këtë kronologji: Dule Mullaj, Teme Sejko, Tahir Demi, Taho Sejko, Zalo Goxhaj, Hajri Mane, Gani Tartari, Shaqo Yzeiri, Osman Kroburi, Dervish Sulo, Adem Kalo dhe Hasan Dike.

blank
Teme Sejko

Teme Sejko u arrestua më 28 korrik 1960, ditë kur u kryen 6 arrestime, duke u thirrur në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore dhe, pasi iu hodhën prangat, iu deklarua arrestimi “në emër të popullit”. Ai ishte vënë në përpunim aktiv 2A më 14.7.1960 me vendim të kryetarit të Degës së Sigurimit të Ushtrisë, general-major Halim Xhelo. “Më 27.7.1960, hetuesi i Sigurimit të Shtetit, Nevzat Haznedari, vendosi fillimin e çështjes penale ndaj Teme Sejkos se kishte kryer “spiunazh” në favor të zbulimeve të huaja. Të nesërmen, u vendos nga prokurori i Përgjithshëm Aranit Çela, arrestimi i Teme Sejkos, i cili, siç shkruan Dervishi në librin e tij, ka nënshkruar njoftimin për arrestimin më 29.7.1960. Po atë ditë çështjen e ka marrë në hetim hetuesi i Sigurimit të Shtetit, Halim Xhelo. Akuza iu njoftua Teme Sejkos më 10.8.1960. Atë ditë është zhvilluar hetuesia e parë ndaj tij, në të cilën ai nuk e pranon akuzën se u ka shërbyer zbulimeve të huaja dhe as se në formë të organizuar, ka zhvilluar veprimtari armiqësore duke synuar rrëzimin e pushtetit popullor me forcë. Hetuesia e tij zgjat me muaj. Pjesa më e madhe e hetimeve dhe ballafaqimeve janë kryer në vitin 1961, pasi skenari, siç shkruan Dervishi, nuk ka qenë plotësisht gati. Deri në nëntor 1960, Teme Sejko nuk ka pranuar asgjë dhe është torturuar shumë. Në nëntor ndryshon situata. Dervishi që ka studiuar dosjen shkruan se në këtë kohë përpilohet një akt i ri hetimi, i cili megjithëse ishte i nëntorit, i vendoset data e fillimit të hetimeve, 10.8.1960. “Manipulimi dallohet sepse letrat e procesit të deri atij momenti kanë qenë të qepura. Ndërsa kjo pjesë është vendosur jashtë dokumentacionit bazë. Po ashtu, nuk ka nënshkruar hetuesi Halim Xhelo Koçiraj. Në procesverbalin fletë për fletë gjendet vetëm një firmë si e Teme Sejkos…Interesant është fakti se edhe letra e përdorur është krejt ndryshe nga ajo që pat regjistruar procesin e mëparshëm të Temes ku ai thoshte se nuk pranonte akuzat”. Në faqet e reja, lexohet se si Temja, gjoja pranon të gjitha akuzat.

Çështja u mor në gjykim nga Këshilli Gjyqësor i posaçëm i Gjykatës së Lartë me kryetar Shuaip Panaritin duke pasur pranë prokurorin Aranit Çela. Bashkë me Teme Sejkon, nga 15-27 maj u gjykua Tahir Demi, Abdyl Dalla, Ali Arapi, Hajri Mane, Sami Murati, Nasho Gërxho, Jonuz Purizo, Adem Kalo dhe Asllan Veliu. Në këtë listë ku bënin pjesë nëpunës apo bujq, një pjesë me grada ushtarake, të gjithë të dekoruar më parë me urdhra e me medalje, emri më i dëgjuar pas Teme Sejkos, ishte ai i Tahir Demit që kishte qenë kryetari i Komitetit në Elbasan. Akuzat më të rënda ndaj tyre ishin tradhti e lartë ndaj atdheut në formën e spiunazhit dhe organizimi i bandave të armatosura. Teme Sejko, Tahir Demi, Abdyl Dalla dhe Hajri Mane u dënuan me vdekje. Ka vetëm një njoftim zyrtar për datën e ekzekutimit më 31 maj 1961, por nuk dihen detaje për datat dhe vendet e ekzekutimit të gjithë personave që morën këtë dënim. Ajo që dihet, nga dëshmitë e disa personave të përfshirë, që deponuan në një proces të mëvonshëm kundër Kadri Hazbiut, në vitin 1983, është që Teme Sejkos iu mor jeta pasi u rrah barbarisht në një vilë të vetmuar në Maminas nga Nevzat Haznedari, Mihallaq Ziçishti e të tjerë, për një ditë të plotë nga mëngjesi deri natën, duke e mbytur më pas me litar e duke e hedhur në një gropë në Linzë. Përshkrimi i ngjarjeve në dëshmitë e katër personave dëshmitarë dhe pjesëmarrës në to, është makabritet.

Shaban Ademi është një tjetër i vrarë nga regjimi komunist për të njëjtat akuza, të cilat ai nuk i pranoi deri në fund. U arrestua më 28 korrik të vitit 1960 dhe u dënua me vdekje nga Gjykata Ushtarake e Tiranës më 27 korrik 1961. Gjykata, shkruan Dervishi, e justifikonte vendimin duke thënë se “dolën prova të shumta”, kur faktikisht, nuk kishte dalë asgjë. Përveç Shaban Ademit, u goditën një numër i madh personash me origjinë nga Çamëria që jetonin në Elbasan.

Sipas dokumenteve, Nevzat Haznedari, në të njëjtën ditë, më 27 korrik, ka vendosur fillimin e çështjes penale si për Teme Sejkon dhe për të vëllanë, Taho Sejkon duke shpikur edhe kombësinë çame sepse e përshkruan Taho Sejkon “me kombësi çame”. Tahoja ishte vënë në përpunim aktiv që në 8 janar 1960 si element “antiparti”. Nga korriku 1956, 4 vjet para arrestimit, jetonte në Shkodër ku ishte drejtor i parkut automobilistik të qytetit. Taho Sejkos edhe  akuza i njoftohet në një ditë me të vëllanë, më 10 gusht 1960. Akuzohej si agjent i zbulimit të huaj për një kohë të gjatë dhe se në bashkëpunim me persona të tjerë, në formë të organizuar kishte zhvilluar veprimtari armiqësore që synonte rrëzimin e pushtetit popullor me forcë. Ai nuk e pranon akuzën. Më pas, edhe në dosjen e tij, përmes ngatërresave trashanike të datave, vihen re manipulimet, si rezultat i të cilave del sikur Taho e pranon akuzën. Gjyqi ndaj tij u zhvillua në shkurt 1962 dhe Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë, i drejtuar nga nënkolonel Hilmi Telegrafi dhe prokuror kolonel Vangjel Kocani, vendosi dënimin e tij me pushkatim.

Qindra vite burg kryen së bashku të arrestuarit e tjerë të dënuar gjatë vitit 1960. Arrestimet vazhduan edhe në periudhën janar-qershor 1961, kur u ndaluan Asllan Veliu, që u dënua me Teme Sejkon, Kasem Kaso, Lutfi Sejko, Idriz Haruni, me një grup për arratisje dhe Mero Plaku. U dënuan nga 20 deri në 5 vjet burg.

Të gjithë të dënuarit bëheshin në një farë mënyre agjentë dhe zmadhonin idenë e “komplotit çam”, i cili, siç del në përfundim Kastriot Dervishi, pas shqyrtimit të provave dokumentare, nuk ka ekzistuar, siç nuk ka ekzistuar as bashkëpunimi ndërkombëtar për të rrëzuar regjimin në Shqipëri.

Në përfundimin e librit të tij, Kastriot Dervishi shkruan: “Nuk vërtetohet asnjë lidhje e “komplotistëve” me persona të tjerë si Panajot Plaku, etj. Nuk vërtetohet asnjë koordinim midis palëve të pretenduara të përfshira në komplot… “Komploti çam” nuk ishte gjë tjetër veçse “lojë mësimore” e ideuar nga Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçishti, Nevzat Haznedari etj. dhe e miratuar nga Enver Hoxha”.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here