Në burg me informacionet e rreme të sigurimsave

0
190
blank

“Sokoli”, “Bleta”, “Xhuleta” e të tjerë njiheshin se gënjenin dhe shpifnin në raportet për objektet që ndiqnin e megjithatë vazhdonin të shfrytëzohesin si agjentë të Sigurimit duke shkaktuar burgosjen e dhjetëra njerëzve deri dhe pushkatimin e tyre. Dokumentet nxjerrin në pah sesi dënoheshin me informacione të rreme njerëzit e pafajshëm.

Nga Xhafer Sadiku

Që me krijimin e strukturave të sigurimit në rrethin e Përmetit, niveli arsimor i punonjësve të tij ishte mjaft i ulët. Në historikun e sigurimit të rrethit Përmet, theksohet: Kuadrot e sigurimit nuk kanë patur ndonjë shkollë, por janë mbështetur në urdhrat e ardhura nga lart dhe nga eksperienca e fituar në punë”.

Më 1962, nga 16 kuadro të sigurimit në Përmet, vetëm dy kishin mbaruar shkollën e mesme, gjashtë kishin kryer nga dy vjet të shkollës së mesme, njëri kishte mbaruar vetëm një vit dhe shtatë të tjerët ishin me arsim shtatë vjeçar.

Në nivel edhe më të ulët ishin bashkëpunëtorët që përbënin rrjetin agjenturor. -Ka mungesë të theksuar të edukimit ideopolitik e sidomos profesional të rezidentëve, theksohej në një raport të sigurimit, “ata nuk dinë si merret raporti, si ngarkohen detyrat, si edukohet dhe si drejtohet bashkëpunëtori, si duhet të sqarohet informata para se të shkruhet etj.etj.”.

Në raportet e sigurimit jepeshin të dhëna për metodat e përdorura nga punëtorët operativë dhe pabesueshmërinë e shumë bashkëpunëtorëve. Në një raport të vitit 1958 theksohej se: “Agjenturës i janë dhënë detyra nxitëse dhe provokuese të dëmshme që e bënte këtë të digjej”.

Në një raport tjetër, theksohej se: “nga drejtimi jo i mirë, ka pasur raste që agjentura të provokojë dhe të nxisë në veprimtarinë e tij elementin kundërshtar, kështu p.sh. punëtori operativ i jep detyra B.P. takohu me “X” dhe i thuaj që mos ki frikë hape radion dëgjo Zërin e Amerikës, Athinës etj., se nuk kanë ç’na bëjnë, ecë me të në shtëpi dhe hap vetë radion etj. ose takoje “X” dhe paraqitu si i pakënaqur duke i thënë se me këtë pushtet jam i lodhur dhe nuk durohet, në rast lufte ç’mendon të bëjmë etj…”

Sipas raporteve të organit epror që i kontrollonte, “punëtorët operativë i besonin vetëm agjenturës, llojet e tjera të masave agjenturiale-operative nuk i përdornin, si survejimet, kombinacionet, agjenturë paralele, kontrollin postar, teknikën operative. Në këtë drejtim, theksohej në një raport, “janë shumë të dobët”.

Shkeljet e ligjit nga sigurimi i konstatoi edhe një ekip i Ministrisë së Punëve të Brendshme, në kontrollin që bëri në Degën e Punëve të Brendshme Përmet. Si rast tipik, merrej rezidenti “Çapkëni”. Në raportin e kontrollit, midis të tjerash, theksohej: “…nuk mund të shpjegohet ndryshe që b.p. “Çapkëni” megjithëse ishte konstatuar që në vitin 1953, i zmadhonte gjërat, kishte raste flagrance se kishte gënjyer, përsëri vazhdojnë të punojnë me të për një kohë pa e kontrolluar veprimtarinë e tij dhe më e keqja është se ky lloj b.p. përdoret në maksimum për marrjen e ustanovkave të njerëzve dhe t’u besohen plotësisht të dhënave që ky jep. Gjithashtu u konstatuan raste se përpunimet bëhen vetëm me një b.p. ose edhe më tepër, por që nuk janë marrë masa për të vërtetuar saktësinë e të dhënave të tyre dhe besnikërinë e këtyre b.p. karshi organeve tona”.

Bashkëpunëtori “Bujku”, i kategorisë informator, kishte kohë që gënjente, gjë që u vërtetua nga të dhënat që dilnin nga teknikat operative. Bashkëpunëtori “Kukësi” jepte vazhdimisht informata “…për ardhje diversantësh dhe lindën dyshime që gënjente”, po kështu edhe bashkëpunëtori “Vëzhguesi”.

Agjentët “Sokoli” dhe Bleta” me veprimet e kryera me teknikë operative ka rezultuar se gënjenin. Kështu, p.sh., agjenti “Sokoli”, nga veprimi i zhvilluar më 18.1.1980 me teknikë operative midis tij dhe një personi në përpunim, “u dëgjua që vetë agjenti fliste keq ndaj Partisë dhe udhëheqjes së saj, kur u shkua në takim, na raportoi duke ia atribuar shprehjet armiqësore objektit”.

Përafërsisht kështu ndodhi edhe me agjentin “Bleta” që ndonëse në informacionin e teknikës operative nuk dilte që objekti të kishte zhvilluar aktivitet armiqësor, ndërsa bashkëpunëtori raportonte, “sikur objekti ka zhvilluar aktivitet armiqësor”.

Shtesa bënin edhe punëtorët operativë në riprodhimin e të dhënave të agjenturës në ngarkim të personave që u ishte marrë e dhëna. Kështu, punëtori operativ në riprodhimin e të dhënave të agjenturës në ngarkim të personave që u ishte marrë e dhëna. Kështu, punëtori operativ i zonës së Këlcyrës, Luani, shtoi fjalinë “bile ndonjëherë flet edhe keq kundër pushtetit”, gjë që nuk ishte në raportin agjenturor.

Nga informacionet e rreme të agjentëve “Çapkëni”, “Sokoli”, etj., u dënuan Nasho Popo, Vangjel Gramozi, Nikolla Shupuli dhe Jorgji Gramozi. Duhet vënë në dukje gjithashtu se për arrestimin e tyre, përveç stimujve material, agjenti “Sokoli” u falënderua me shkrim, rast i vetëm deri atëherë në seksionin e sigurimit në Përmet.

Njëri nga agjentët më aktivë në zonën Përmet-Çarshovë, ishte agjenti “Zanaçiu”, “me të dhënat e të cilit u vu në përpunim dhe u arrestua Theodhori Baba e të tjerë”.

Me shpifjet e agjentëve “Xhuleta”, “Guri” dhe “Sazani” janë dënuar Kol Kostare, Lime e Ramo Shehu, Bektash Shkëmbi, Sherif Dalipi, Hysen Sakollari, etj., si dhe janë rekrutuar me material shtrëngues shumë bashkëpunëtorë të sigurimit, në zonën e Këlcyrës.

Po kështu, nga të dhënat e rreme të agjentit “Vëzhguesi” është dënuar Hodo Skënderi, nga bashkëpunëtori “Kukësi” u dënua Ramadan Malko, ndërsa nga informacionet e bashkëpunëtorit “Floriri” janë dënuar Abaz Zaimi (Sevrani) Kaso Meço e Ramadan Jaho.

Ndonëse nga informacionet e rreme të tyre u arrestuan dhe u dënuan dhjetëra të pafajshëm, çka i kishte evidentuar vetë sigurimi, asnjë prej tyre nuk u lirua nga burgu.

Agjentët që kishin rezultate në përfundimin e përpunimeve me arrestime shpërbleheshin. Kështu, u shpërblyen agjenti “Tomori” e informatorët “Gradishti”, “Molla”, “Sirena”, “Kaçatori” dhe “Minatori”.

Shpërblim mori edhe “Dallndyshia” për realizimin e kombinacioneve me teknikë operative. “Dallndyshia” ftonte në çerdhen e saj Ollga Stathi Titen e cila ishte vënë në përpunim aktiv nga Sigurimi për tentativë arratisjeje së bashku me dhëndrin, kapiten Androkli Andrea dhe vajzën e saj, Meri Tite. Ishte fat për Ollgën që nuk foli.

Në kurthin e “Dallndyshes” për pak ra edhe Pepe Puriqi. “Dallndyshja” nuk e konsumoi plotësisht vijën e sjelljes me Pepen, për arsye se ai nuk qëndroi shumë në shtëpinë e bashkëpunëtorit pasi që e alarmoi ardhja e bashkëpunëtorit “Mali” në Përmet, të cilin e kishte bashkëfshatar të tij dhe e njihte si bashkëpunëtor të sigurimit.

Marrë nga Skenarë të Përgjakur Përmeti, 1943-1990, i autorit Xhafer Sadiku, botim i ISKK

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here