Heronjtë e Spaçit / Skënder Daja, i pushkatuari më i ri i revoltës së Spaçit

0
285
blank

Skënder Qemal Daja, i vitlindjes 1950, lindur në Tiranë e banues në Fier, ishte njëri nga 4 të ekzekutuarit në procesin e parë të të dënuarve të revoltës. Babai i tij ishte pushkatuar në vitin 1953

Dënimi i parë

Skënderi ishte ushtar në Repartin Ushtarak nr.5906 kur u arrestua më 29.12.1970. U përfshi në një proces së bashku me shtetasit Sami Paja dhe Dashnor Kazazi (i cili dënohet në revoltën e Spaçit).

U akuzua në bazë të nenit 64 në kombinim me nenet 10 e 12 dhe 305/1 e 308/1 të Kodit Penal, për përgatitje arratisjeje në Greqi dhe largim pa leje nga reparti.

Në kundërshtimin e vendimit të shkallës së parë thoshte se kish biseduar për arratisje 4 vjet më parë me Dashnor Kazazin. Mohonte deklaratat e dëshmitarëve si të pavërteta.

Gjykata e Rrethit Fier, me vendimin nr.5, datë 30.3.1971, e deklaroi fajtor për tradhti ndaj atdheut dhe e ka dënuar me 10 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë. U la në fuqi me vendimin nr.51, datë 8.5.1971. Samiu u dënua me 5 vjet dhe Dashnori me 7 vjet.

 

Ridënimi në revoltë

Çështja penale ndaj grupit të parë filloi më 21.5.1973 në Spaç nga hetuesi Shaban  Dani. Teksti ka gabime. Denoncues ishte komanda e Repartit në 303 Spaç, sipas së cilës “një grup të dënuarish në mënyrë demonstrative kanë agjituar e propaganduar kundër pushtetit dhe se kanë rrahur disa oficerë e nënoficerë të shërbimit”.

Në vendim nuk përmenden gjithë të dënuarit, por vetëm përdoret forma “të dënuarit Pal Zefi, Dashnor Kazazi dhe Syrja Lamaj, etj.”, të cilët “në mënyrë të organizuar kanë goditur një oficer operativ (Fejzi Liço-shënim) e disa nënoficerë të repartit të riedukimit, në mënyrë demonstrative kanë agjituar e propaganduar duke bërë thirrje në masë për rrëzimin e pushtetit e për të mos dalë në punë”, krime këto të parashikuara nga nenet 72, 73/2 dhe 239/2 të Kodit Penal. Vendimi për izolim iu mor në Rrëshen më 22.5.1973 nga hetuesi Fejzo Aloçi, me miratimin e prokurorit të rrethit Mirditë, Zef  Deda. Procedura e marrjes i pandehur e Skënder Dajës në Spaç është në dy shkresa të datës 23.5.1973.

Në të parën thuhej se: “Ka marrë pjesë në një organizatë kundër pushtetit popullor, e cila ka patur për qëllim kryerjen e krimeve të sabotimit të ekonomisë socialiste dhe të agjitacionit e propagandës armiqësore që ka synuar në minimin dhe dobësimin e pushtetit popullor”.

Në të dytën thuhej se më 23.5.1973, rreth orës 6.30, kur të gjithë të dënuarve iu bë thirrje për t’iu bindur urdhrave në vendosje të rendit në repart, kundërshton dhe me dru e hekur në dorë tenton të godasë përfaqësuesit e pushtetit të ngarkuar për paralizimin e revoltës së organizuar në datat 21 dhe 22 maj 1973.

Merret në pyetje po atë ditë në Spaç, më 23.5.1973 nga hetuesi Fejzo Aloçi. Midis të tjerash deklaroi:

“Pranoj vetëm se kam zhvilluar agjitacion dhe propagandë armiqësore, por nuk pranoj që të kem marrë pjesë në një organizatë kundër pushtetit popullor dhe nuk kam kryer sabotim të ekonomisë socialiste. Lidhur me akuzën e agjitacionit dhe propagandës, kam për të dhënë këto shpjegime: Rreth orës 24.00 të datës 22.5.1973 unë jam kthyer nga turni i dytë dhe kur kam, kaluar për në mencë, në afërsi të fushës së volejbollit, kam parë disa rreth 200 të dënuar në këmbë me fytyrë nga zyrat e repartit ku ishin disa ushtarakë që thoshin “S’duam të punojmë në minierë, na përmirësoni kushtet” dhe shprehje të tjera që tani nuk më kujtohen. Unë nuk mbaj mend kush shprehej në këtë mënyrë nga të dënuarit pasi ndenja vetëm dy minuta e pastaj shkova në mencë. Kur kisha dalë nga menca me çaj në dorë, me drejtim për në kapanon, dëgjova në drejtim të dhomave të izolimit 4 breshëri të shtënash automatiku me fishekë me zjarr dhe në të njëjtën kohë pashë se një pjesë e të dënuarve që më parë ishin te fusha e volejbollit thoshin: “Poshtë komunizmi”, “Maskarenj, pse qëlloni kundër nesh”, “Duam lirinë”, “Pse na mbani si skllevër”, “Pse këto ligje kaq të rënda kur bota i ka hapur gjithë kufijtë”, “Pse na internoni familjet?”; kurse ushtarëve iu thoshin: “Ju jeni vëllezërit tanë, mos shtini kundër nesh se ne s’kemi punë me ju, ne kemi punë direkt me qeverinë dhe këtë e bëjmë për të kërkuar të drejtat tona demokratike”. Në vazhdim thoshin: “Mor të poshtër, pse na mbani në burgje kot” dhe shprehje të tjera që nuk më kujtohen, por ishin kundër komunizmit. Unë nuk mbaj mend se cili nga të burgosurit fliste kështu.

Kam folur edhe unë. Disa të dënuar thanë të flasë Skënderi se ka volum zëri. Unë dola pak përpara i shkëputur nga turma dhe kam thënë: “Poshtë komunizmi”, “Na mbani kot në burgje”, “Jemi dënuar padrejtësisht”, “Nuk jemi kriminela siç na pandehni”, “Duam liri”. Ushtarëve u kam thënë: Mos qëlloni kundër nesh. Ne s’kemi ndonjë punë me je. Edhe ne fshatarë të varfër si ju dhe punëtorë kemi qenë. Nuk jemi kriminelë si ju propagandojnë”. Kur unë flisja kështu, të dënuarit e tjerë brohorisnin me shprehjen: “Ushtria është me ne”. Pas meje kanë folur edhe të tjerë, por unë nuk i mbaj mend si emra”.

Pyetjes se cilët ishin organizatorët e revoltës, Skënderi i përgjigjej: “Unë nuk di se cilët janë organizatorët e revoltës nga të dënuarit e Repartit nr.303 Spaç në datat 22 e 23 maj 1973, por si kam dëgjuar nga të dënuar të tjerë që tani nuk më kujtohen, shkaku i kësaj revolte ishte zënia midis të dënuarit Pal Zefi dhe ushtarakëve të shërbimit”.

Skënder Daja nuk kallëzoi asnjëherë. Gjithë përgjigjet i ka në formën se “nuk mbante mend”.

Ishte vetëm 23 vjeç kur u dënua me vdekje dhe u pushkatua, së bashku me tre shokë të tjerë.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here