Një nga skenarët e sigurimit me rezidentura të zbulimeve të huaja ishte ajo që ata e quajtën rezidentura e Hodo Skënderit, në Frashër. Sigurimi e vuri nën kontroll paraprak që në shtator 1958, si të implikuar në “aktivitetin armiqësor në drejtim të koopertivave bujqësore” dhe se “ka çfaqur dëshirën për t’u arratisur”. Seksioni i sigurimit i raportonte Drejtorisë së Sigurimit se: “ky duhet të ketë qenë i vënë në shërbim të zbulimit italian”, dhe se “në Frashër është bërë burimi kryesor i propagandës armiqësore”

Ai u mor nën përpunim aktiv dhe për realizimin e përpunimit u rekrutuan agjentët “Vëzhguesi” dhe “Tabori”. Bashkëpunëtorët informonin se Hodo Skënderi zhvillonte agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, ndërsa të dhëna të tjera nuk dilnin.

Për të realizuar goditjen e tij u hartua një plan masash, u vu nën kontroll rrethi i tij miqësor dhe u vendos vazhdimi i përpunimit të tij me të njëjtët bashkëpunëtorë të sigurimit. Siç del nga plani në fjalë, dokumentet e përgatitura nga sigurimi iu përcollën Ministrisë për arrestim, por propozimi nuk u aprovua për mungesë provash. Ndonëse nuk kishte prova, sigurimi nuk hoqi dorë nga plani për ta goditur Hodo Skënderin. Ata vendosën “që të grumbulloheshin të dhëna me forcë ligjore dhe të arrestohej për agjitacion e propagandë”.

Provat ligjore për agjitacion dhe propagandë ishin deklaratat e dëshmitarëve të rremë që i përdorte sigurimi. Por qëllimi i sigurimit ishte ta dënonte si njeri të italianëve dhe kjo mund të realizohej me anën e kombinacioneve agjenturiale-operative të sigurimit, në kushtet e izolimit dhe hetuesisë intensive, si dhe të torturave kundër të arrestuarit. Natyrisht, materialet u grumbulluan dhe më 29 janar 1959, Hodo Skënderi u arrestua për agjitacion e propagandë. Për t’i provuar fajësinë, sigurimi organizoi përpunimin e tij dhe një hetuesi intensive që zgjati dhjetë muaj. Referuar vendimit gjyqësor, prokuroria nuk kishte asnjë provë shkencore për vërtetimin e akuzës së sigurimit, por vetëm me “dëshmitarë”.

Në fakt, siç del nga historiku i sigurimit të rrethit Përmet, arrestimi dhe dënimi i Hodo Skënderit bëhej pasiqë “kishte qenë pas Medi Frashërit”.

Hodo Skënderi ishte nacionalist i njohur në krahinën e Dangëllisë. Në vitet 1934-1937 kishte punuar si instruktor në rojën mbretërore të kufirit, në Shkodër, ndërsa në 1937-1938 në Korçë. Deri më 7 prill 1939 shërbeu në batalionin e rojës së kufirit në Durrës, në detyrën përgjegjës i kontrollit të mallrave në doganë.

Në maj 1939, bashkë me të tjerë, u dërgua në Romë të kryente kursin gjashtëmujor për roje finance dhe mbas kthimit shërbeu në Vlorë e Durrës. Më 1940 u pushua nga puna për shkak të konflikteve që kishte me zyrtarët italianë dhe u kthye në Frashër.

Hodo Skënderi u dënua me 20 vjet heqje lirie.

Burimi: Skenarë të përgjakur (Përmeti 1943-1990), Xhafer Sadiku, ISKK, Tiranë 2016. Autori ka përdorur të dhëna nga AQSH, ASHS dhe vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë.

Burimi: Skenare te pergjakur (Permeti 1943-1990), Xhafer Sadiku, ISKK, Tirane 2016
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.