Mit’hat Araniti, i humbur në përkthimet e burgjeve dhe internimeve

0
412
blank

110 vjet nga lindja e Mit’hat Aranitit, juristit, shkrimtarit, publicistit dhe përkthyesit të mbi 200 librave, që diktatura e burgosi dhe e internoi duke e detyruar të punonte në kushtet e qelisë apo barakave. Kujto.al kujton figurën e jashtëzakonshme të këtij intelektuali të rrallë, përmes jetës, vuajtjeve dhe punës së tij.

 

Ndodh që kuptimi të humbasë në përkthime sepse për të përkthyer saktë një fjalë mund të duhet të njohësh një gjuhë, një kulturë dhe një histori të tërë dhe jeta është shumë e shkurtër për këtë. Megjithatë letrat shqipe janë bekuar, herë pas here, me talente në fushën e përkthimit dhe një prej tyre, është Mit’hat Araniti, por emri i tij ende nuk është vlerësuar sa duhet. Kjo sepse punoi nën hijen e diktaturës 40 e ca vjeçare, të cilën ai e jetoi, nga fillimi në fund, si i dënuar: një pjesë si i burgosur dhe një pjesë si i internuar dhe dëbuar.

Shkollimi dhe formimi

Mit’hat Araniti u lind më 15 mars 1912 në Selanik, ku i ati, Mustafa Aranitasi, shërbente si ushtarak i lartë. Një vit më vonë, ushtaraku i diplomuar në Stamboll, u bë një nga komandantët që vepronin në territorin shqiptar gjatë qeverisë së Vlorës. Mit’hati u dërgua të arsimohej në Evropë që në moshë të njomë. Shkollën fillore e kreu në Austri, më pas vazhdoi studimet në shkollën italiane të Korfuzit dhe të mesmen në Pisa dhe në Monte Mario, pranë Romës, në Itali. Qëndroi dy vjet në Shqipëri, pranë familjes dhe më pas shkoi të ndjekë studimet e larta për jurisprudencë në Zagreb. Kur u kthye nga Kroacia, ishte zotërues i gjashtë gjuhëve të huaja. Të shtatën, sipas një biografie të publikuar në “radi and radi”, faqja me shkrime të Jozef dhe Lazër Radit, kolegut të pëkthimeve në burg të Mit’hatit, e mësoi në burg dhe të tetën në moshën 61-vjeçare.

Letërsia dhe publicistika

Fushat ku Mit’hati ka lënë gjurmë dhe gjithmonë të një niveli të lartë sipas vlerësimit të studiuesve, janë dhe ato të krijimeve letrare dhe publicistike. Në shtatorin e vitit 1935, në të përjavshme “Illyria” u shfaq një skicë “M’bojat m’Nurrës” e firmuar Rrem Vogli, pseudonimi me të cilin Mit’hat Araniti botoi një varg skicash humoristike të shkruara me dialekt tiranas.  Më 1996, nën kujdesin e së bijës, Odeta Zhegu, iu botua përmbledhja “Qyfyre të Rrem Voglit, katunar pri Rrashbulle: Skica humoristike dhe publicistikë”, ku përfshihen edhe poezitë dhe disa intervista dhe artikuj të viteve të fundit të jetës. Në parathënien e këtij botimi të Phoenix, Vedat Kokona e quan Mit’hat Aranitin “një dhurues i gazit”, ndoshta misioni më i vështirë për një shkrimtar.

Siç tregojnë datat e botimeve, Mit’hat Araniti, ka qenë i pranishëm vazhdimisht në periodikët shqiptarë deri në vitin 1944 të arrestimit, kur botoi në Revistën Letrare, “Pa nrefim parti”, “një kryevepër e vogël e llojit të vet” dhe “flori në baltë”, sipas Kokonës.

Drejtësia dhe politika

Nga viti 1940-1943, Mit’hat Araniti punoi në fushën për të cilën kishte studiuar dhe ishte diplomuar. Në vitin 1940, u emërua gjykatës paqi në Gjirokastër dhe pas një viti shkoi në Prizren. Ka shërbyer më vonë si gjykatës sërish në Prizren, në Elbasan dhe diku përmendet dhe Durrësi. Shqipëria, ndërkohë, ishte e përfshirë nga lufta. Araniti u përfshi në organizimin e Ballit Kombëtar dhe në vitin 1943, doli në mal me çetat nacionaliste të zonës së Mallakastrës, ku i kishte rrënjët familja e babait të tij. Ishte madje dhe një nga përfaqësuesit e Ballit, në mbledhjen ku u arrit Marrëveshja afatshkurtër e Mukjes. Së bashku me Musine Kokalarin dhe intelektualë të tjerë, themeloi Partinë Socialdemokrate. Sipas fjalorit enciklopedik të viktimave të terrorit komunist, në fund të vitit ’43, u emërua shef personeli në Ministrinë e Brendshme. Ky post ku qëndroi deri ditën e arrestimit më 21 nëntor 1944, por veçanërisht qëndrimi i tij i qartë politik antikomunist si dhe mbrojtja e zjarrtë e tezës së shqipërisë etnike, e vendosi atë në listën e “armiqve” që u arrestuan ndër të parët nga komunistët.

Burgu dhe internimi

Mit'hat Araniti kreu pothuaj 10 vjet burg (nëntor 1944-prill 1954). Disa burime flasin që rreth një vit, e kreu në burgun e Burrelit, por e sigurt është që pjesën dërrmuese e kreu në burgun e artizanatit në Tiranë, ku bashkë me një grup intelektualësh dhe njohësish të shkëlqyer gjuhësh të huaja përktheu, si saktëson Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist, botim i ISKK, gjithë legjislacionin dhe bazat teorike të funksionimit të shtetit shqiptar.

Menjëherë pas lirimit nga burgu, e internuan. Ishte për 6-7 vjet i internuar dhe më pas i dëbuar. Lek Pervizi i ka kushtuar një shkrim me titull “Mit’hat Araniti-Bashkëvuejtës dhe mik i paharruar”, ku tregon që me Mit’hatin është njohur në Shtyllas dhe Radostinë të Fierit, ku këta të internuar i kishin aneksuar në kampin e të burgosurve dhe i kishin futur në punë bashkë me ta, për të hapur “një kanal faraonik”.

Nga aty, Mit’hatin, Lekën e një grup intelektualësh të lartë, ish-funksionarësh dhe anëtarësh familjesh të njohura i dërguan në kampin e Kuçit, në Vlorë, që funksionoi në periudhën 1954-1958 e ku përbërja e të dënuarve, mund t’i jepte atij kampi emërtesën “Akademia e Kuçit”, siç e quan, pa e tepruar, Lekë Pervizi. Mit’hati banonte në një dhomë me Viktor dhe Ernest Dostin dhe piktorit të grupit, Lekës, i cili vizatonte, sipas frymëzimit apo kërkesës, figurat historike në muret e zhveshura të atyre dhomave, i kishte kërkuar t’i vizatonte Mbretëreshën Teuta.

blank
Lart nga e majta në të djathtë: Lek Pervizi, Viktor Dosti, Mit’hat Araniti, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Tomorr Dine. Poshtë, nga e majta në të djathë: Skënder Qyteza, Nikoll Paluca, Ernest Dosti, Thabit Rusi, Kuç, 1957.

Nga Kuçi, i çuan në Gradishtë të Lushnjës, ku u shpërndanë në punë të ndryshme bujqësore, mekanike apo ndërtimi. Mit’hati sipas rrëfimit të Lekë Pervizit, qëndroi ca kohë në Çermë, ku i kishin çuar prej vitesh edhe babanë, ushtarakun e lartë që e ngrysi jetën gjithashtu si i dënuar. Nga Çerma, shkoi në Dushk ku punoi si ndihmës topograf. Gjatë kësaj kohe, Mit’hati u njoh dhe u martua me Agime Pipën, kushërirën e Myzafer dhe Arshi Pipës, e cila pasi kishte kryer 5 vjet burg për “agjitacion dhe propagandë”, ishte internuar gjithashtu në fshatrat e Myzeqesë. Nga martesa u lindi një vajzë, Odeta, pranë së cilës Mit’hati mbylli sytë në Tiranë, më 29 nëntor 1992, kur ende figuronte banor i vendeve të dënimit.

Përkthimet dhe përkthimet…dhe përkthimet

Përveç punës në bujqësi, siç shkruan Lekë Pervizi, Mit’hat Araniti merrej edhe me përkthime nga gjermanishtja, punë që ia kishte caktuar drejtori i Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Punonte në banesën e tij, që do të thotë në barakën e tij. Një herë madje, një zjarr që përfshiu barakën, dogji gjithë përkthimet që kishte në dorë, apo të ruajtura aty.

Në një simpozium, kushtuar 100-vjetorit të Mit’hat Aranitit, organizuar nga Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit, në bashkëpunim me Shoqatën Antikomuniste të Ish-të Përndjekurve Politikë Demokratë dhe Qendrën e Studimeve Albanologjike, Prof.Dr. Skënder Muça, u shpreh: “Çfarë e ka lidhur Mithat Aranitin, një i burgosur politik, me shkencat kryesore të albanologjisë: gjuhësinë, historinë dhe arkeologjinë? Atje në barakën e fshatit Dushk, në netët pas punës në bujqësi, ka kaluar në dorën e tij shumë e shumë autorë duke filluar me veprën Lousis Benlcew, “Greqia pas grekëve”, vazhduar pastaj me studime linguistike dhe etnografike…”. Pikërisht në këtë simpozium, profesor Kolec Topalli flet për punën e jashtëzakonshme në volum dhe cilësi të Mit’hat Aranitit si përkthyes, në disa fusha si histori, arkeologji, etnologji, gjuhësi, etimologji, numizmatikë etj..

Profesor Topalli ndalet në mënyrë të veçantë, në përkthimin e fjalorit më të madh etimologjik të indoeuropianishtes, hartuar nga gjuhëtarët e shquar Alois Walde dhe Julius Pokorny të përkhyer nga  Mi’that Araniti, përkthim që gjendej, “i mbuluar nga pëlhuri” në bibliotekën e Durrësit. Ky fjalor përbëhet nga 3 vëllime dhe sipas profesor Topallit, është një përkthim nga më të vështirët që ka kërkuar talent, njohje të mirë të të dyja gjuhëve dhe kulturë të veçantë gjuhësore e jogjuhësore. “Pranë muzeve të Durrësit e Tiranës ndodhen mbi 250 tituj të dalë nga dora e tij”, ka thënë Prof. Kolec Topalli. Sipas tij, shumë nga këto përkthime, ashtu si dhe përkthime të të dënuarve të tjerë politikë, nuk njihen nga publiku sepse përktheheshin për t’u shfrytëzuar nga shkencëtarët e rinj të regjimit të cilët, të arsimuar në vend ose në Lindje, nuk mundeshin dhe nuk i kishin lexuar kurrë origjinalët, por i citonin në punimet e veta pasi përkthyesit i kishin vendosur saktësisht numrat e faqeve të origjinalit.

Po përmendim vetëm disa nga përkthimet e Mit’hat Aranitit gjatë thuajse 40 viteve të punës së tij në hije, përkthime nga disa gjuhë të huaja e që përfshijnë disa fusha, ku mund të veçohen thuajse gjithë veprat e shkruara në gjuhën gjermane që flasin për ilirët: Russu: “Studime Ilirike”; Krahe: “Gjuha e ilirëve”, “Fjalor i emrave personalë ilirë të vjetër”; De Simone: “Gjuha mesapishte”; Schuchardt: “Europa e vjetër. Zhvillimi i kulturave dhe popujve të saj”, Papazoglu: “Onomastika dardane”, Rendiç-Miovçeviç: “Lashtësia e gjallë. Studime onomastike ilire” etj.etj.

Dhe ky kolos i përkthimeve ende nuk njihet sa duhet. Edhe pse, ndryshe nga kuptimi i një fjale a fraze të humbur në përkthim, përkthimet e tij mund të gjenden, shfletohen e shfrytëzohen sot. Dhe Mit'hat Aranitit, me emrin e të cilit Google-i (qoftë i gabuar!) nuk nxjerr asnjë shkollë, rrugë apo çmim në fushën e përkthimit, mund t'i jepen meritat e mohuara./kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here