Propaganda!

0
248
blank

Pa u bërë gjithë Europa komuniste, ne shqiptarët, edhe sikur të bëhemi që të gjithë një milionë Leninër, prapë se prapë Shqipërinë s’e bëjmë dot bollshevike”

Ishte viti 1936 kur publicisti i famshëm shqiptar i asaj kohe, Ismet Toto, parashikonte të ardhme të zymtë për komunsitët. Toto kishte pikasur pikën e fortë të komunistëve që ishte propaganda, por në atë kohë ai besonte se ajo lëvizje “kalamajsh” siç e quante Toto, nuk do të funsksiononte.

“Pa u bërë gjithë Europa komuniste, ne shqiptarët, edhe sikur të bëhemi që të gjithë një milionë Leninër, prapë se prapë Shqipërinë s’e bëjmë dot bollshevike dhe i vetmi rezultat i çdo tentative do të ishte, që të hamë disa grushte solemne, që të na vijë mëndja rrotull. Edhe kjo është fare e thjeshtë dhe e kuptueshme, sa s’do asnjë shkoqitje”, shkruante Ismet Toto në artikullin e datës 17 maj 1936 në gazetën “Arbënija”.

Por historia provoi të kundërtën, komunistët erdhën në pushtet dhe ushtruan terror përgjatë 50 viteve mbi popullin shqiptar. Vranë elitën, shkatërruan të gjitha vlerat demokratike. Komunistët shqiptarë u themeluan në nëntor 1941 dhe në vitin 1944 erdhën në pushtet. Sapo morën drejtimin e vendit, komunistët filluan persekutimin ndaj kundërshtarëve të tyre politikë, përfshirë pjesëtarë të partive të tjera politike, intelektualë, klerikë, tregtarë dhe pjesës dërrmuese të elitës së atëhershme. Gazetarët dhe publicistët gjithashtu u shenjestruan të parët. Në listat e gjata të etiketuar prej komunistëve si armiq të popullit, gjendeshin emra të njohur që kishin kontribuar për Shqipërinë që prej Pavarësisë.

Një ndër vendimet e para të komunistëve ishte ndalimi i të gjitha gazetave e revistave që botoheshin në Tiranë, Shkodër, Korçë e qytete të tjera. Njëherësh ndalohej edhe hyrja në territorin shqiptar të gazetave apo revistave që botoheshin jashtë Shqipërisë, siç ishte gazeta “Dielli” që botohej në Boston të SHBA-së, apo edhe gazeta të tjera si “Shêjzat” e Ernest Koliqit, “Koha jonë” e Lec Shllakut. Prej nëntorit të vitit 1944, në Shqipëri nuk ekzistonte e drejta e pronësisë private mbi shtypin.

Kështu, në këtë klimë ndaluan së botuari gazetat dhe revistat që kishin mbetur ende në treg në prag të përfundimit të Luftës së dytë Botërore, siç ishin “Hylli i Dritës”, “Shkëndija”, “Fryma”, “Kritika” e të tjera.

Ky vendim terrori mbi shtypin u ligjërua me dekret.

Dekret Nr. 1180; 27/II/1950 Mbi bllokimin e librave, revistave, gazetave, kartolinave dhe pllakave të gramafonit të tregtarëve.

Neni 1

Të gjitha librat, revistat, gazetat, kartolinat dhe pllakat e gramafonit, të botuara, të incizuara në vend ose të hyra në Shqipëri para 29 Nëndorit 1944, që ndodhen pranë shitësve privatë (ambulantë ose stabël), me hyrjen në fuqi të këtij dekreti, konsiderohen të bllokuara.

Neni 2

Shitësit privatë (ambulantë ose stabël) që mbajnë libra, revista, gazeta, kartolina ose pllaka gramafoni që i shtrohen bllokimit simbas nenit 1, qoftë në emër të vet, qoftë në emër të të tretëve, detyrohen t’ua dorëzojnë këto komiteteve ekzekutive (zyrës së kulturës) menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtij dekreti.

Neni 3

Komiteti i Arteve dhe i Kulturës ngarkohet të organizojë kontrollin e librave, revistave, gazetave, kartolinave dhe pllakave të gramafonit, të bllokuara simbas nenit 1 dhe t’u kthejë shitësve, të cilëve u janë marrë, vetëm ato që nuk kanë përmbajtje fashiste dhe reaksionare. Librat, revistat, gazetat, kartolinat dhe pllakat e gramafonit që kanë përmbajtje fashiste ose reaksionare mbahen nga Komiteti i Arteve dhe Kulturës, pa i njoftur pronarëve të tyre asnjë shpërblim.

Neni 4

Të gjithë ata që në çdo mënyrë fshehin ose heqin nga bllokimi, librat, revistat, gazeta, kartolina ose pllaka gramafoni që i shtrohen bllokimit simbas nenit 1, si dhe ata që nuk i dorëzojnë këto në afatin e caktuar komiteteve ekzekutive, dënohen me privim të lirisë 4 muaj ose me gjobë nga 500 deri 50000 lekë dhe me konfiskimin e librave, revistave, gazetave, kartolinave ose pllakave të gramafonit të fshehura ose të pa dorëzuara.

Neni 5

Ngarkohet Komiteti i Arteve dhe i Kulturës që të japë udhëzime mbi zbatimin e këtij Dekreti.

Neni 6

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë”.

Ky dekret u pasua me një valë terrori mbi gazetarët e publicistët që kishin mbetur në Shqipëri, pasi shumë prej tyre ishin arratisur të bindur se do të ndëshkoheshin nga diktatura. Menjëherë pas këtyre masave, komunistët ngritën strukturat e tyre si “Sektori i shtypit dhe propagandës”.

Raport dhe Udhëzim i Komitetit Qendror

mbi krijimin dhe funksionet e Bibliotekave të Partisë

Tiranë, më 26 dhjetor 1953

Puna e bibliotekës me propagandistët:

  1. Forma kryesore për të ndihmuar propagandistët është seminari i propagandistëve. Për seminaret punohet në bazë të një plani vjetor dhe mujor. Me propagandistët bëhet punë në mënyrë të diferencuar simbas formave të rrjetit të arsimit në parti. Kështu p.sh. kemi:

Seminare me propagandistët e shkollave politike të vitit I-rë, seminar me propagandistët e shkollave politike të vitit II, seminar me propagandistët e rretheve të ulët të studimit viti I etj. Seminari ngrihet atëherë kur nuk ka më pak se 5-6 propagandistë. Gjithashtu duhet pasur parasysh se biblioteka e partisë drejton të gjithë seminaret e propagandistëve, si të formave të partisë, rinisë e intelektualëve. Por seminaret bëhen së bashku me propagandistë të një lloj forme të partisë, rinisë e intelektualëve p.sh. me seminaret e propagandistëve të shkollave politike të vitit parë të partisë marrin pjesë propagandistët e rinisë po të kësaj forme ose p.sh. propagandistët e rretheve të ulta të vitit II të intelektualëve, marrin pjesë në seminarin e propagandistëve të rretheve të ulëta viti II të Partisë etj. Indoktrinimi komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit 247

  1. Puna e Bibliotekës së partisë me agjitatorët

Agjitatorët, një ndihmë kryesore gjejnë në bibliotekën e partisë. Biblioteka e partisë për edukimin e agjitatorëve zhvillon me grupe agjitatorësh nga qendra pune të ndryshme, leksione politike e ideologjike, duke ia përshtatur problemeve kryesore që ka partia për një periudhë të caktuar, për data përkujtimore etj.

Gjithashtu biblioteka e partisë zhvillon edhe leksione mbi metodën e punës me agjitatorët, me qëllim të bëhen më të aftë në këtë drejtim, bën përgjithësimin e eksperiencës së agjitatorëve më të mirë, ekspozon planet e bisedave të agjitatorëve.

Bibliotekat e partisë, për t’ju ardhur në ndihmë agjitatorëve, për (çdo) muaj pregatitin tematikën e bisedave që duhet të bëjnë agjitatorët gjatë një muaji. Për çdo temë shënohet plani i temës në formën e tezave të shkurtra dhe poshtë kësaj rekomandohet literatura. Por këto tema për agjitatorët nuk janë të detyrueshme por janë tema perspektive d.m.th. se agjitatori mund të shtojë ose të heqë simbas problemeve që i paraqiten atij në vendin ku punon. Biblioteka e partisë të qarkut u dërgon tematikën bibliotekave të partisë në rrethe dhe atje ku s’ka biblioteka, seksioneve të agit-propit të rretheve dhe këta, nga kjo tematikë, zgjedhin ato që i shikojnë të nevojshme për rrethin e tyre dhe ua dërgojnë kolektivave të agitatorëve.

AQSH, Fondi 14 /AP, Viti 1953, Dosja 385, fl. 8-15

Puna politike dhe kulturale për forcimin e ndërgjegjes socialiste në masa dhe për edukimin e njeriut të ri

Puna politike dhe kulturale e partisë influencon në forcimin e ndërgjegjes socialiste në masa. Sa më me kualitet të lartë të jetë puna politike, aq më shumë forcohet ndërgjegjja e masave dhe aq më shumë masat mobilizohen për të realizuar detyrat e tyre. Në drejtimin e krijimit të masave, të ndërgjegjes në punë, ka rezultate të kënaqshme. Është mbërritur që puna të konsiderohet si një çështje nderi për çdo punonjës dhe secili përpiqet të shtojë sa më tepër rendimentin në punë, të përmirësojë teknikën dhe metodën e punës. Nga masat po dalin njerëz të rinj, të pajisur me ndërgjegje të lartë socialiste. Të tillë janë stakanovistët në vendin tonë dhe përfaqësuesit më të mirë si Xhevdet Lazja, Sali Vata etj., të cilët, duke punuar me metoda sovjetike, kanë rritur rendimentet dhe kanë përmbysur format e vjetra të punës. Karakteristikë e këtyre njerëzve dhe e gjithë sulmuesve, të stakanovistëve të vendit, është qëndrimi i ri ndaj punës, i cili gjen shprehjen më të qartë në garat socialiste, që janë bërë forca lëvizëse e shoqërisë sonë. Kjo lëvizje ka filluar të zgjerohet dhe në fshat nëpërmjet bujqve përparimtarë dhe rendimenteve të larta në kulturat bujqësore.

Gjithashtu, si konsekuencë e ngritjes së koshiencës së masave dhe e përhapjes së ideologjisë socialiste në ato, ideologjisë borgjeze, fanatizmit, prapambetjes, besimeve të kota dhe zakoneve prapanike u është ngushtuar sfera e veprimit tyre, dhe influenca e tyre në masa ka filluar të bjerë.

Siç duket nga historia e viteve të para të diktaturës, propaganda qëndronte në thelbin e pushtetit gjakatar të komunistëve. Është një tipar që e karakterizon gjithë historinë e tyre në 50 vite terrori ndaj shqiptarëve. Është një tipar që trashëguan edhe pasardhësit e tyre në pushtet, që u rithemeluan në vitin 1991, me emrin e ri Partia Socialiste e Shqipërisë. Shtypi i lirë ishte "armiku i popullit" për komunistët e Enver Hoxhës, ndërsa sot media e lirë nuk pushkatohet, nuk burgoset, por "vritet" por në përpjekje të vazhdueshme të pushtetit, tallet e përçmohet përmes propagandës së “kazanit”.

Ditët në vazhdim do të publikojmë histori shkrimtarësh, gazetarësh e publicistësh që u pushkatuan nga regjimi komunist, të tjerë që u burgosën e u internuan gjatë diktaturës komuniste.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.