Fatrija, gruaja që e kaloi gjithë diktaturën si e dënuar

0
1307
blank

Internim në kampet me tela me gjemba. Tentativë arratisjeje dhe dhuna e policëve në birucat e degës së brendshme. Sërish internim. Vitet që Fatrie Agolli jetoi në liri, ishin shumë më pak sesa vitet e dënimit të saj të cilat nisën dhe morën fund me diktaturën

Dënimi i Fatrie Agollit nisi në vitin 1945, kur ajo ishte 12 vjeçe dhe përfundoi në 1992-shin, kur ishte në prag të të 60-ave. Është e kotë të kërkosh të gjesh çfarë kishte bërë kaq të rëndë Fatrija, për t’u dënuar kaq gjatë.

Në të vërtetë, gjatë komunizmit në Shqipëri, ashtu si në të gjitha regjimet diktatoriale, shumë njerëz ndëshkoheshin jo për atë që bënin, por për atë që ishin, por në Shqipëri fajtor të bënte edhe të qenit bir apo bijë dhe faji fillestar i Fatrie Agollit ishte të qenit e bija e patriotit Ali Maliqi (Agolli). Nacionalisti dibran kishte dalë kundër komunistëve që gjatë luftës, por i bindur nga miku i tij, Cen Elezi, u dorëzua pas një thirrjeje për amnisti në fillim të 1945-ës, e cila rezultoi që ishte mashtrim, sepse Aliu bashkë me disa burra të tjerë doli para gjyqit në maj dhe u dënua me vdekje. Ndërhyrja këmbëngulëse e Cen Elezit, bëri që Aliut t’i falej jeta dhe ai u dënua me 23 vite burg. Pikërisht në atë kohë, dënohet edhe familja e tij: gruaja Ilmie dhe katër fëmijët, më i vogli i të cilëve ishte vetëm 2 vjeç, ndërsa vajza, Fatrija, 12.

U internuan në kampet e rrethuara me tela me gjemba, duke provuar edhe kampin e Tepelenës. Në një rrëfim, gjatë viteve 2000, Fatria, në atë kohë 70 e ca vjeçare, i ka treguar Xhevahir Gradicës, për vuajtjet e paimagjinueshme të përjetuara në atë kamp. Dikur, gjatë viteve të lirisë, ajo kishte parë në televizion një emision për kampet naziste ku gazetarja tregonte pirgun e këpucëve të të dënuarve dhe kjo i kishte bërë përshtypje, për një arsye që, kujt nuk ka qenë në kampin e Tepelenës, nuk mund t’i shkojë në mendje menjëherë. “Në Tepelenë asnjë nuk kishte as nallane dhe të gjithë ecnim në këmbë, të leckosur, të uritur dhe të përçmuar deri në palcë”, ka thënë Fatria. Krahasimi i kampeve naziste me atë të Tepelenës është kthyer edhe në debat para ca kohësh, por pa qenë nevoja të krahasojmë, ndalemi vetëm te ajo çfarë dëshmojnë për Tepelenën ata që e kanë provuar, siç ishte dhe Fatrija. Ajo ka treguar që gratë ecin zbathur në ditë me ngricë, akull, borë, shkëmbinj dhe nxirrnin dru në malet e Salarisë për furrën e kampit. Nuk i shqitej nga mendja një herë teksa nëna e saj, Ilmie, ndihmonte një grua të sëmurë duke ia marrë disa dru nga barra. Ushtari që i shoqëronte e ndali karvanin e grave dhe ngarkoi nënën e Fatries sa për dy dëngje, ndërsa ajo në pamundësi për të mbajtur drutë u rrëzua përtokë. Mbi të ranë drutë, por asnjë grua nuk u lejua ta ndihmonte deri sa Ilmia u gjakos dhe iu zu fryma. Kujtimet bëhen të padurueshme kur kujton fëmijët që ndërronin jetë në kamp, deri në 20 në ditë dhe skenat e papërballueshme të varrosjes dhe zhvarrosjes së tyre kur vinte urdhri për t’u ndërruar vendin eshtrave. Fëmijët nuk mund të jetonin me lëngun e kazanit me fasule të krimbura dhe perime të kalbura që u jepej të internuarve. Edhe të rriturit, e hanin në errësirë. Duke mos parë, krijohej iluzioni sikur nuk ishte e vërtetë ajo që kishin para syve, por kampi mbetej gjithmonë aty, kurdo që t’i hapnin sytë. Në këtë mjedis u rrit Fatrija dhe vëllezërit e saj, deri sa u mblodhën sërish bashkë, në fshatin Kërçisht të Dibrës, por atje e gjetën veten brenda një rrethimi tjetër, të padukshëm. Frika e disave dhe përçmimi i të tjerëve do i izolonte nga njerëzit dhe nga çdo mundësi për të jetuar. Ndaj dhe vendosën të arratiseshin.

blank
Skice e kampit te Tepelenes

Avniu, Agimi e Jashari së bashku me motrën e tyre Fatrijen dhe vajzën e xhaxhait, u nisën drejt malit një nga një për t’u takuar në vendin e caktuar. Ecën gjunjazi e barkazi për të mos u dalluar nga banorët e zonës dhe ushtarët e kufirit. Nga Kërçishti dolën në Rekë të Dibrës. Rruga që shumë e mundimshme për Fatrijen, por edhe për vëllain e vogël që ishte vetëm 13 vjeç. “Më therr o vëlla që të mos bie e gjallë në dorë të rojeve dhe ikni se nuk kam më fuqi të eci”,-i tha Fatrija, Avniut, në dëshpërim e sipër. Në të gdhirë të ditës, familja ndeshi në dy priftërinj. Ata i dërguan në fshatin Idrizovë të Shkupit, ku ndenjën dy javë në një repart ushtarak. Në kohën që menduan se vuajtjet e tyre morën fund, vëllezërit, Fatrija dhe kushërira u morën nga ushtarët serbë dhe iu dorëzuan policisë dhe ushtrisë shqiptare në Bllatë. Të hipur në një mjet të ushtrisë, të lidhur këmbë e duar Avniu, Agimi, Jashari, Fatrija dhe vajza tjetër përfunduan në degën e brendshme në Peshkopi. “Na futen në një dhomë. Sapo hyra pashë një njeri që qëndronte në këmbë. E njoha. Ishte Kadri Hazbiu. Qe veshur me uniformë dhe në supe e në gjoks mbante disa grada. Fytyra e tij qe egërsuar. Kishte ardhur t’u fuste frikën dibranëve duke na bërë shembull torturash e burgosjesh ne, fëmijët e Ali Maliqit”, ka treguar Fatrija. Kadri Hazbiu nuk i kurseu shqelmat as ndaj vajzave dhe fëmijës 13-vjeçar gjatë atij leksioni ndaj bijve të armiqve, të cilët e kishin rënduar fajin e tyre edhe me këtë tentativë arratisjeje. Dënime të reja do të aktivizoheshin për familjen. Dy djemtë e rritur u dënuan me burg: Avniu me 15 dhe Agimi me 10, ndërsa pjesa tjetër e familjes do të internohej në fshatrat e Lushnjës.

blank
Saver

Pikërisht atje, Fatrija u martua tre vite më vonë, me Skënder Qytezën, një ish-i burgosur politik që kishte qenë në burg me të atin e saj, të cilit edhe i kishte shkuar në mendje fillimisht për ta martuar djaloshin korçar me të bijën. Dhe ashtu u bë. Në Gradishtë, iu lindën edhe dy djemtë, që do të ishin brezi i tretë i familjeve të tyre që përjetonte përndjekjen. Një përndjekje për atë që ishin, jo për atë që kishin bërë, por goditjet nuk kishin humbur ende forcën e tyre. Në vitin 1967, pak ditë para se i ati të lirohej nga burgu, pas 22 vitesh, vritet në rrethana jo shumë të qarta. Versioni zyrtar është vrasja nga një bashkëvuajtës, i cili edhe u ridënua për këtë krim, por ka dyshime që mund të ketë qenë edhe Sigurimi që nuk donte që Aliu të dilte gjallë nga burgu. Më vonë në vitin 1979, arrestojnë bashkëshortin e Fatries, Skënderin dhe e dënojnë me 10 vjet burg. Ky ishte dënimi i dytë për të, por këtë herë burgun e tij, do e vuante edhe bashkëshortja dhe fëmijët. Me siguri shihte veten Fatrija, në sytë e djemve të saj, të internuar dhe me babanë në burg.

Historia që përsëritej. Dhe diktatura që nuk mbaronte. Sa e gjatë mund të kenë qenë për Fatrie Agolli Qytezën ajo periudhë prej 47 vitesh!

Fotoja kryesore është ilustruese.

kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here